Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Librazhd, në takimin e ciklit kombëtar Bashkia që Duam:
Shumë faleminderit!
Mirënjohje për këtë mikpritje, që në fakt, këtu në Librazhd është e zakonshme, nuk është e jashtëzakonshme, sepse këtu në Librazhd ne ia kemi dalë krijojmë një lidhje shumë të ngushtë me të gjithë ju, me të gjithë komunitetin dhe së bashku kemi bërë të mundura gjëra, që deri dje dukeshin krejt të pamundura! Mua më kujtohet kur kemi ardhur këtu për të kërkuar mbështeten tuaj për Kastriotin dhe ekzaktësisht këtu ku jemi ishte gropë dhe sot është sheshi mikpritës i një qyteti që po ndryshon përditë, i një qyteti ku nuk po ndryshon vetëm pamja, por i një qyteti ku po investohet, ku siç e tha edhe Taulanti, janë çelur njësi të reja prodhimi, janë krijuar hapësira të reja për punësim, i një qyteti ku si zemër e bashkisë së re është bërë graviteti i një ndryshimi që po shtrihet në të gjitha njësitë administrative, ku ndërtohen rrugë, ndërtohen ura, ndërtohen dhe rindërtohen shkolla dhe ku po ashtu krijohen kushte për të mbështetur ata që punojnë me tokën dhe që prodhojnë dhe shesin përmes tokës.
Në këtë bashki, ne kemi pasur rezultate shembullore për të gjithë Shqipërinë dhe këtu nuk diskutohet rezultati. Këtu duhet të diskutojmë vetëm se sa shumë akoma ka për të bërë dhe sigurisht nuk diskutohet as fakti që të gjitha ato që duhen bërë mund t’i bëjë vetëm Partia Socialiste e Shqipërisë, mund t’i bëjë vetëm skuadra jonë, e cila ka njerëzit e duhur, në kohën e duhur, me programin e duhur dhe që vazhdon punën në drejtimin e duhur.
Ju e keni parë që, në ndërkohë që ne përpiqemi që të bëjmë më të mirën dhe sigurisht kemi bërë edhe gabime, gabimet janë të pashmangshme kur përpiqesh të sjellësh ndryshim dhe përpiqesh që t’i bësh gjërat të mundura me punë, por ama, nga ana tjetër, na është dashur të përballemi me një boshllëk të madh të krijuar prej kohësh nga ata të cilët duhet të na sfidonin me ide, të na sfidonin me programe, të na sfidonin me skuadrën e tyre, të na vinin në vështirësi me alternativën e tyre. Ata, të cilët akoma sot nuk e kanë kuptuar pse humbin dhe prandaj jo vetëm kanë humbur, por do vazhdojnë të humbin. Ata të cilët akoma sot përpiqen që humbjen e tyre ta shohin si fajin tonë dhe më e bukura është kur mendojnë se kanë gjetur rrugën për ta bindur këtë popull duke e bërë për budalla. Është vërtet për të vënë duart në kokë kur i dëgjon tek rrokanisin kokat e shqiptarëve ditë-natë dhe të shpërndanë kudo ku mundën nëpër zyrat e huaja që merren me Shqipërinë, pretendimin absurd se atyre iu vidhen votat, iu blihen votat, iu merret fitorja e merituar nga duart me forcën e parasë së krimit, drogës, etj., etj. Por ka një mënyrë shumë të thjeshtë për ta arsyetuar gjithë këtë, jo vetëm në Librazhd, por në të gjithë Shqipërinë:
Ne i kemi mundur ata kur kishin Saliun dhe kishin dhe shtetin.
A ka demokrat, me mend në kokë, që të thotë se ishte më kollaj të mundje Saliun me gjithë shtetin, sesa të mundësh Lulin me gjithë fallxhoren që e mban në krahë?!
Isha në Durrës dhe qëlloi një ditë përpara se të shkonte Luli bashkë me turistët nga Vora, nga Kamza, nga Shkodra, nga Mallakastra që mbyllin dyert e bashkive dhe nisen për turizëm politik pas Lulit. Në Durrës, Vangjush Dako, – që i janë qepur për ta kthyer në shënjestër, duke e treguar si njeriun e lidhur me krimin që atyre iu vjedh votat, – i mundi Saliun, shtetin me gjithë hordhitë e tyre në 2007-ën, në 2011-ën, pastaj në 2013-ën, pastaj në 2017-ën.
I kemi mundur me herë të tëra Saliun me gjithë shtetin e tij, që nuk linte gjë pa bërë për të na penguar ta nxirrnim votën nga kutitë, edhe nuk mundkemi dot, Lulin? Lulin?! Si është kjo? Lulin?!
Nëse nuk e mundim dot, ose s’e kemi mundur dot deri më sot në Tropojë, kjo jo se është më i fortë se Saliu me gjithë shtetin, por se ne nuk kemi qenë akoma më të mirë seç jemi atje për të arritur fitoren, por në 30 Qershor do t’i mundim edhe në Kukës. Në 30 Qershor do t’i mundim shumë më thellë seç i mundëm më parë. Pse? Sepse s’ka demokratë, se socialistë jo e jo, por s’ka demokratë të arsyeshëm që të thotë se në këto vite Partia Demokratike është bërë më e fortë dhe kryetari i Partisë Demokratike është bërë më i zoti.
Çfarë ka ndryshuar?
Çfarë kanë bërë që kur humbën zgjedhjet?
Edhe zgjedhjet e 2017-ës i humbën duke qenë në qeveri, edhe jo duke qenë në qeveri në pozicione dosido, por duke pasur Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Arsimit, duke pasur të gjitha agjencitë e mëdha shtetërore, që nga OSHEE-ja, tek Hipoteka, tek legalizimet dhe patjetër edhe Drejtorinë e Burgjeve se atë e kanë merak, pa Drejtorinë e Burgjeve iu duket sikur s’kanë shans të fitojnë zgjedhjet, se ishin mësuar, kur kishin kthyer shtetin në një hordhi të pushtetit të tyre, që kriminelët t’i nxirrnin me leje, deri dhe me leje barre i kanë nxjerrë, për të lindur, leje lindjeje, i merrnin në krahë edhe bridhnin nëpër të gjithë zonat e Shqipërisë me kriminelët në krahë për të kërcënuar njerëzit dhe tani na i veshin ne të gjitha ato që i kanë bërë vetë.
Ne i kemi mundur atëherë dhe do t’i mundim përsëri.
Ata zgjodhën të bëjnë diçka që askush nuk e ka bërë. Ka vetëm një parti që e ka bërë atë që bënë ata në vitet ’20, në Itali. Edhe ajo parti që e bëri atë në vitet ’20 në Itali u shkri fare. Ashtu do shkrihen dhe ata. Këtu do jeni. Ashtu do shkrihen dhe ata, sepse zgjodhën të tradhtojnë popullin e tyre, popullin që i votoi ata, popullin të cilit ia morën mandatet për të shkuar, për t’i përfaqësuar në Parlament dhe tani çfarë bëjnë? Djegin mandatet, futen mes turmës dhe iu thonë njerëzve “ne jemi si ju”. Tani, “hidhuni ju digjni”, “hidhuni ju shkatërroni”, “bëni rrëmujë”, “shkoni dhe në burg për ne, se kështu ne kushedi mund të marrim pushtetin”. Jo more!
Noc Rrokun do marrësh Lul, jo pushtetin. Se kush do marrë Nocin, se kush do marrë Rrokun, ndaje me Monikën pastaj, po Noc Rrokun, se kështu nuk shkon. Edhe historia “hajde të shohim”, “hajde ta zgjidhim”, nuk ka. 30 vjet kjo histori duhet të marrë fund!
Duhet të marrë fund historia që, kush bën të keqin, kush shkel rregullat, kush mendon se duke i çuar të gjithë pas berihait do shkojmë t’i lutemi “aman hajde, ta zgjidhim”, sepse nuk mund të vazhdohet më kështu.
E provuam ne. E provuam 2 vjet para. Sot, dy vjet Lulin e kisha poshtë penxheres. Më këndonte himnin çdo ditë, në mëngjes dhe pasdite. Poshtë penxheres atje, më vinte te puna çdo ditë, me çadër edhe thoshte “kurrë në zgjedhje me këtë qeveri”, “kurrë në zgjedhje me këtë kryeministër”.
Çfarë bëri?
Erdhi mori gjysmën e qeverisë edhe tha, “gjysmën e morëm, tani, o burra të marrim dhe tjetrën”. Ou? E kur nuk e mori gjysmën tjetër, filloi përsëri nga e para. Nuk ka më me gjysma-gjysma. Nuk ka më asnjë lloj tryeze për të negociuar mandatin që na keni dhënë ju, se nuk na e keni dhënë mandatin t’i japim pushtet Lulit, por na e keni dhënë mandatin që pushtetin tuaj që buron nga vota juaj ta përdorim për të vazhduar të fuqizojmë ekonominë, të rrisim punësimin, të vazhdojmë rindërtimin e shkollave, rindërtimin e qendrave shëndetësore, të bëjmë infrastrukturën, të mbështesim fermerët, të rrisim agrobiznesin pak nga pak dhe të krijojmë kushte më të mira për ata që vijnë pas nesh. Për këtë na e keni dhënë mandatin ju. Nuk na e keni dhënë mandatin ju që ne të shkojmë edhe të ulemi të shohim filxhan me Monën, se e sheh Mona në filxhan dhe i thotë Lulit, “e pashë Lul, edhe pak, po vjen”. “Jepi Lul edhe pak, e pashë”. “Pashë aty një “E” që po shkon poshtë, një “L” që po ngrihet, pashë një “T” këmbëpërpjetë, Taulantin, prandaj, o burra Taulantit mbrapa”, edhe Luli pas filxhanit.
I keni parë? Unë habitem me këta njerëz që u shkojnë pas! Vjen vërdallë nëpër Shqipëri, “hajde, mblidhuni në Tiranë! Dita e fundit. Ta shporrim! Liria! Dita e çlirimit. Do çlirohet…”, vijnë atje edhe vijnë vërdallë. Ecin, vijnë vërdallë. Në çdo ecje, një përveshje mëngësh më shumë. Në çdo rrotullim tretet një pjesë. Edhe në fund do ta hedhim muajin e ardhshëm.
Çfarë është kjo? Çfarë opozite? Se njeriu mendon. Po këta që i shkojnë nga pas, çfarë janë? Përveç atyre të bashkive, se ata atë punë kanë. Ata kanë marrë mandatet për të ndërtuar të ardhmen më të mirë, kanë bërë gjithë ato premtime, nga Shkodra deri në Skrapar, mbyllin dyert e bashkive edhe nisen për turizëm. Ata dakord.
Po të tjerët, çfarë bëjnë pas tyre?
S’kanë asnjë ide. Thjesht thonë “do dalë diku, se kështu e ka thënë filxhani. Vijnë pastaj atje, hipin edhe nëpër pemë.
Po në pemë pse hipin?
Nuk e kuptoj. Hipin nëpër pemë.
Keni parë ju, me tjetër lloj soji që të detyrohesh të lyesh shtyllat me graso që të mos hipin nëpër shtylla?!
Tund pemët dhe tjerët poshtë, “o, jepi, jepi”! Ai atje “uuu”! Çfarë bëjnë?! Mirë që s’vijnë këtu se këtu s’kanë. Këtu janë me kokrra. Janë tani dhe si të trullosur nga bastet, se janë mbyll dhe bastet se do i kishin sakatuar këto pemët e reja që kemi mbjellë. Po pyesja Kastriotin për pikat e basteve. 16 pika bastesh ka pas këtu. Futu e dil dhe lëri lekët aty. Shko merr ndihmën ekonomike në fillim të rrugës, shko jepja ndihmën ekonomike Cristiano Ronaldos në fund të rrugës.
Merr ndihmën ekonomike në fillim të rrugës, ik hidhe pas Partizani – Tirana 1×2 në fund të rrugës. Mbaroi kjo punë, të gjitha pikat janë kthyer në biznese të vogla, në bare, në lokale, normal e kështu në gjithë Shqipërinë. Por unë e di që ka akoma probleme me ata që lozin online e që organizojnë lodra. Online-in e ka problem e gjithë bota, edhe në Kinë ku është e ndaluar edhe në Amerikë. Ama sot ka ardhur koha të marrim disa masa. Disa masa të reja në Kodin Penal dhe ne po i përgatisim. Masa të reja të domosdoshme. Kush organizon bixhoz të shkojë në burg. Nuk ka më “jo po shko, kape, thirre, do bëhem çun i mirë, dil, vazhdo prapë”. Kush organizon bixhoz për të tjerët, në një vend ku bixhozi është i ndaluar, të shkojë në burg.
Ndezja e zjarreve është bërë problem, se kur fillon kjo histori, “hajde të shkojmë pas Berihait”, dilni gjuani, hipni nëpër pemë, kapuni nëpër shtylla, merrni bojë hidhni nëpër mure, fillojnë frymëzohen ata që nuk duan ligj, ata që nuk duan rregull dhe secili në atë fushën e vet. Dikush ndez zjarre. Edhe për ndezjen e zjarreve do të vendosim sanksione të fora në Kodin Penal dhe për krime të tjera mjedisore. Është një paketë që e kemi pasur prej kohësh të diskutuar dhe të përgatitur, po nuk u krijuan kushtet. Sot, kemi në Parlament mundësinë të votojmë dhe për çudinë më të madhe, ky parlament sot është shumë më normal dhe shumë më i pashqetësueshëm sepse nuk vijnë deputetët në parlament me vezë e me bojë nëpër xhepa.
Si mund të jetë një opozitë që shkon me vezë në parlament?
Çfarë është opozita? Kotec?!
Çfarë është opozita? Fermë pulash?!
Vjen kryetari i opozitës, futet në sallë me pallto. Një pallto e madhe. Unë thashë është sëmurë. Do ketë ndonjë të ftohur. Ai ishte plot me vezë, se është rregulli që nuk kontrollohet kryetari i opozitës. U fut ai me vezë, të gjithë këta të tjerët, fut duart, nxirr vezët. Çfarë është kjo? Ku jemi këtu? Dhe duhet të mërzitemi ne pse ikën këta nga parlamenti. Po këta vonë u kujtuan që të ikin. Të ikin dhe aty ku kanë zgjedhur të rrinë, aty të rrinë, në rrugë të rrinë. Ndërkohë që parlamenti do të votojë ligje për të ndëshkuar ata që organizojnë online nëpër lokale apo në forma të tjera lojëra fati për të marrë në qafë njerëzit, po ashtu ata që ndezin zjarre, po ashtu ata që bllokojnë rrugët se e ka edhe sot ligji, por do ta bëjmë më të qartë ne. Ata që bëjnë goditje për shkak të detyrës, “shko, bjeri mjekut” se nuk të pëlqen ty përgjigja e tij. Ata që godasin përfaqësuesit e popullit, si në bashki, si në parlament, zyrtarët publikë. Të gjitha këto ne do t’i adresojmë. Ashtu sikundër do adresojmë edhe disa probleme që ka Kodi si rezultat edhe i pazareve që bëhen akoma në sistemin e drejtësisë me lloj-lloj kriminelesh që marrin lehtësira. Të gjitha këto janë një arsye e fortë që ne të ecim më me vendosmëri përpara sa më shumë ata bëjnë shantazhe absurde dhe qesharake rrugëve, aq më shumë rritet vendosmëria jonë, jo që të mbarojmë mandatin se atë e kemi për detyrë, por që me mandatin të bëjmë shumë më tepër se sa do kishim bërë po të kishim pasur ata në parlament.
E fundit që kam është, unë nuk dua që cilido këtu apo cilido tjetër që na ka dhënë mbështetje, të mendojë që unë jam i kënaqur me gjithçka kemi bërë. Unë nuk jam i kënaqur. Unë mendoj që ajo çka duhet të bëjmë është shumë më tepër se ajo që kemi bërë dhe ka plot gjëra që nuk janë bërë akoma, ka plot gjëra të tjera që janë në mes të rrugës. Epo ne, nuk i lëmë gjërat në mes të rrugës. Ata i lanë rrugët në mes të rrugëve dhe tani kanë mbetur në rrugë edhe për vete. Ne nuk i lëmë gjërat në mes të rrugës. E nga ana tjetër ama, një gjë është e sigurt. Ne jemi e para qeveri në historinë e ndryshimeve demokratike dhe të zhvillimit të demokracisë që nuk i kthen kurrizin asnjë njeriu të zakonshëm dhe çdo njeriu të zakonshëm që shkon nëpër zyra dhe i përplasin derën, ne i kemi dhënë pikën e kontaktit ku menjëherë vihet në kontakt me mua dhe me ministrat te shqiperiaqeduam.al.
Janë 33 000 njerëz që kanë marrë përgjigje që kur është hapur ajo derë.
33 000 veta, të merrnin përgjigje nga qeveria për halle familjare, për halle personale?! Nuk i kanë marrë 33 000 përgjigje në 33 vjet përpara se sa të fillonte punë kjo qeveri.
33 000 përgjigje për lloj – lloj hallesh, për të gjitha kategoritë e njerëzve e pa i parë as nga mbiemri, as nga xhepi, as nga mosha, as nga gjinia, as nga feja, por duke i trajtuar të gjithë si qytetarë të barabartë të Republikës së Shqipërisë. Unë këtu sot kam dy prej tyre, të cilët i kam ftuar të vijnë, i ka ftuar skuadra e platformës.
Në bashkinë e Librazhdit kemi pasur një sërë rastesh, janë vetëm dy prej tyre.
– Problemi im për punën e pensionit kishte një vit e më shumë që nuk e zgjidhja dot dhe arrita brenda 10 ditësh, e realizova dëshirën time. Ju faleminderit dhe i uroj gjithë popullit, votën t’ia japim Edi Ramës.
– Përshëndetje! Faleminderit për bashkëqeverisjen. Unë kisha një problem me OSHEE-në, prej 6 muajsh. Pas ankimit tim, problemi im u zgjidh.
Kryeministri Edi Rama: Tani, dy raste ishin këto, një pensionist që kushedi sa kohë ka pritur për të adresuar problemin e pensionit. Unë kam pasur rastin të takoj çdo javë që bëjmë ato eventet në kryeministri, një apo dy pensionistë që kanë mbetur me vite në pritje për llogarinë e gabuar të pensionit apo për mosdhënien si duhet të pensionit dhe ka mjaftuar vetëm që të gjejnë rrugën, ose vetë, ose me nipin dhe me mbesën, ose nëpërmjet telefonit, ose tek zyra e njësisë administrative, ose tek posta, të shkruajnë hallin e tyre, 3 minuta dhe brenda 10 ditësh kanë marrë të gjitha lekët e munguar të llogarisë së pensionit dhe u është vendosur pensioni në shumën e duhur.
Tani, ndokush mund të thotë që kjo është një gjë e vogël për ne që e dëgjojmë, por është gjë e madhe për atë pensionistin dhe këto gjërat e vogla me peshë të madhe për njeriun e zakonshëm janë ato që sot janë para syve tanë dhe janë në vëmendjen tonë çdo ditë. Në çdo mbledhje qeverie kur mbarojnë vendimet e tjera ne shikojmë raportimin e çdo ministrie për si është përgjigjur njerëzve të zakonshëm. Nuk ka nevojë si përpara, jo gjej kushëri, jo jep lekë, jo ku të kap deputetin po e kapa dot, – se ju jeni me fat, se ju keni deputet që e kapni dhe nuk e lëshoni, por nuk janë të gjithë deputetët si Taulanti dhe harroje pastaj ata deputetët e kohës së kaluar – dhe merr zgjidhje. Po kështu tek OSHEE, po kështu tek ALUIZNI tek Hipotekat, e kështu me radhë. Deri më sot, se unë nuk e them dot kurrë që në Shqipëri nuk kemi probleme me korrupsionin, por ashtu siç po luftohet korrupsioni në këto vite të qeverisjes sonë dhe sidomos nga mandati për të qeverisur pa të tjerë në prehër e deri më sot, nuk është luftuar kurrë më përpara. Janë mbi 600 drejtues dhe punonjës të zyrave të shtetit që janë larguar nga puna se nuk i janë përgjigjur si duhet një njeriu të zakonshëm. Se kanë parë atje një njeri të moshuar, ikën thënë “ik o xhaje se kam punë”. Ik xhaje se ke punë?! Jo, xhajës i zgjidhet problemi, do ikësh ti nga puna. Kjo është rruga jonë dhe ne në këtë rrugë do vazhdojmë sepse për këtë punë na e keni dhënë mandatin që të ushtrojmë pushtetin tuaj. Pushteti nuk është i imi. Unë kam zyrën kam dhe detyrën më të lartë për ta ushtruar pushtetin që buron nga vota juaj dhe për të bërë më të mirën e mundshme.
Sot pashë lindjet në bashkinë e Librazhdit. Janë 63 nëna që kanë lindur deri sot që flasim, sot për bebet ne japim një bonus që është 8 fishi kur janë fëmijë të vetëm, 16-fishi kur janë binjakë dhe 24 fishi kur janë trinjakë, krahasuar me çfarë ishte deri vitin e kaluar sepse sot kemi më shumë mundësi dhe këto mundësi të krijuara ne i vëmë në dispozicionin tuaj dhe kështu në të tëra drejtimet.
Sot, fëmijët tuaj deri në klasën e pestë librat i kanë falas. Do t’i bëjmë falas deri në klasën e nëntë deri në fund të mandatit. Tani, si ta lëmë ne këtë unë në mes, të mos i marrin ata librat falas deri në 2021 se kemi hallin e Luli dhe Monikës? Çfarë halli kanë ata? Asnjë hall nuk kanë ata. Ata duan tepsinë. Tepsi nuk ka. Ne po luftojmë çdo ditë që tepsinë ta çojmë për skrap. Kemi akoma shumë halle dhe probleme me tepsinë se unë e kam thënë përpara dhe e them dhe sot, sëmundja e tepsisë nuk ishte vetëm e tyre, na kishte prekur dhe ne. Patjetër, kemi dhe ne njerëzi që nuk e meritojnë besimin tonë dhe tuajin dhe do t’i heqim të gjithë. Kush do të rrijë në një zyrë aty, falë besimit tuaj, duhet që ta shpërblejë besimin tuaj, ndryshe do iki, por kjo nuk është diçka që bëhet sot për sot, kjo është luftë e përditshme.
Ne sot e kemi përgjysmuar tarifën që paguani ju për fëmijët që i çoni në shkollë, në universitet. Edhe kur fëmijët janë me 5, por këta të 5-6, të mësojnë mirë, se vitin tjetër nuk ka më qoftë tek daja. Të mësojnë mirë ose nëse nuk bëjnë dot universitetin, të shkojnë të marrin një shkollë profesionale e të bëhen të zotët e vetes me një zanat se nuk do paguani ju, nuk do paguajmë ne taksat që të përgjysmojmë tarifat atyre me 5.
Ama atyre që janë me ndihmë ekonomike, nga familje me ndihmë ekonomike, ua paguajmë të gjithë tarifën 100% dhe atyre që janë me 9-10, 100% dhe të dy palëve u japim edhe bursë. Ata që janë me prindër invalidë, 100% dhe bursë, e kështu me radhë. Dhe si tani? T’i lëmë këto përgjysmë dhe çfarë? T’i japim bursë Lulit dhe Monës? Çfarë burse duan ata? Mona njëherë nuk ka nevojë për bursë se është doktore e shkencave horoskopike. Sheh filxhanë, sheh letra, sheh yje, sheh dhe lexon tek sytë e tjetrit, çfarë i duhet bursa? Unë nuk kuptoj dhe çfarë i duhet pushteti. Në fakt unë e kuptoj, e kuptoni dhe ju, por më mirë mos merremi me këtë punë.
Kemi filluar një program të madh me BE për mbështetjen e bujqësisë. Dalin dhe thonë, nuk ka mbështetje. Nuk ka mbështetje? Kemi mbështetjen më të madhe financiare për bujqësinë, me projektet përkatëse patjetër dhe do vazhdojmë të mbështesim të gjithë ata që jetojnë në fshat dhe që duan t’i kthejnë shtëpitë në bujtina për agroturizëm se jo të gjithë kanë mundësi të prodhojnë dhe të eksportojnë apo të bashkohen me tregjet e mëdha, por ama të gjithë kanë mundësinë që shtëpinë e tyre, mes bukurive natyrore dhe këtu ka plot rreth e rrotull, ta kthejnë në bujtinë dhe të vijnë turistët atje dhe të dalin nga varfëria me mikpritjen dhe si tani? Do e ndërpresim këtë ne që t’i gjejmë punë turistëve që sjell Luli nga Vora dhe nga Kamza? Jo! Jo vetëm që nuk do t’i gjejmë punë atyre, por ata do t’i heqim nga puna në 30 qershor me votën e të gjithë popullit. Në 30 qershor.
Edhe diçka në fund, se thonë ne nuk hyjmë në zgjedhje. Merak i madh shumë! Nuk hyni ju në zgjedhje? Mos hyni, ne zgjedhjet do t’i bëjmë, me këdo që do hyjë, por edhe po të mos hyjë njeri fare, ne jetojmë në demokraci. Këtu rendësi ka të mos pengohet njeri të hyjë në zgjedhje, por jo t’i marrësh me zor njerëzit t’i fusësh në zgjedhje. E provuam një herë. E morëm Lulin me zor. Ia dhamë të gjitha çfarë kërkoi. Na dha fjalën që po humbi do rrijë urtë dhe nuk do dali ta bëjë Shqipërinë leckë në veshët e në sytë e të huajve, por nuk e mbajti fjalën dhe nuk ka se si e mban fjalën ai sepse është mësuar t’i marri gjërat qyl, por qyl Lul mund të marrësh vetëm qofte tek gjyshi Sali. Edhe ai qoftet i ka dixhitale. Qyl më nga ne nuk ka. Jeni të zotë, dilni atje, fitoni. Nuk jeni të zotë, rrini në rrugë dhe këndoni. Këndoni atje, në rrugë. Ne nuk kemi asnjë minutë për të humbur dhe asnjë ditë për të qëndruar në vend numëro e jo më të kthehemi mbrapa e të presim ata që i kemi lënë tek fundi i urës. Jo, kjo nuk ka për të ndodhur. Hyjnë ata në zgjedhje apo nuk hyjnë në zgjedhje, ne do vazhdojmë drejt dhe do hyjmë në zgjedhjet e 30 qershorit dhe do të fitojmë nëse ata janë në zgjedhje, më shumë se sa kemi sot bashki.
Nëse ata nuk janë në zgjedhje, do t’i marrim përsipër të gjithë bashkitë dhe do qeverisim shumë më mirë edhe për ata që ua kanë dhënë votën dhe u kanë parë vetëm sherrin se hajrin nuk ia panë kurrë këtyre. Kurrë! Më tregoni një qytet më tregoni një bashki që këta e morën në dorë dhe e ndryshuan. Më tregoni vetëm një, më thoni këtu ishte keq dhe u bë mirë. Nuk keni çfarë më tregoni fare se i kam parë vetë. Edhe me zor duke i dhënë dhe fondet, me zor edhe duke i mbështetur, me zor dhe duke ia bërë gati dhe prapë jo, nuk duan gjëra të bukura, duan vetëm sherr, vezë, bojë. Nuk duan gjë tjetër. Edhe bojën, e duan të zezë. Të paktën të merrnin bojëra të bukura, ia japim bojëra të bukura. Nuk i duan, duan të zezë. Vetëm boja e zezë i duket bojë serioze dhe merr bojë dhe hidhe nëpër ministri dhe “ooo” të gjithë. Nuk e di.
Shumë faleminderit dhe mos e harroni asnjëherë kujtdo që ju del përpara dhe ju thotë “jo kështu, jo ashtu”, i kemi mundur me Saliun dhe me shtetin e kthyer në hordhi. Merre me mend tani Lulin, Monën dhe ata të lodhurit e tepsisë që dalin vërdallë nëpër rrugë se thonë do bëhet deti kos, do gjej dhe unë një lugë. Nuk ka! Deti kos nuk do bëhet dhe lugë për ta nuk do ketë!
Shumë faleminderit!