Kryeministri Edi Rama bashkëbisedim me vajzat dhe djemtë e zgjedhur nga e gjithë Shqipëria për ekuipazhin e “Air Albania”:
Shumë faleminderit për praninë tuaj!
Më vjen shumë mirë, të kem privilegjin, që të jem i pari që shikoj së bashku të mbledhur djemtë dhe vajzat e ekuipazhit shqiptar, në kuptimin më të plotë të fjalës. E besoj që secila prej jush, secili prej jush është i frymëzuar nga kjo aventurë jete për të qenë në hapin e parë, njerëzit që do të shoqëroni rrugëtimin e qindra-mijëra e pastaj miliona e miliona udhëtarëve shqiptarë çdo vit, por edhe të huaj, duke përfaqësuar me bukurinë dhe hijeshinë, – bukuria është e vajzave, hijeshia është e djemve, – të gjitha ngjyrat e këtij vendi dhe duke qenë imazhi i këtij vendi në bordin e “Air Albania”.
Jam informuar që jeni këtu pas një konkursi jo të lehtë dhe me jo pak emocione. Ashtu sikundër, jam informuar që ju do ndiqni dhe kursin e ekselencës së “Turkish Airlines” për të marrë të gjitha mësimet e nevojshme përpara se të hipni në bord. Jam i bindur që, edhe me kostumet që po bëhen gati, do jeni konkurrues me ekuipazhet më të bukur dhe më të hijshëm të botës.
“Air Albania” është një projekt që ka një rëndësi të veçantë, sepse është e para kompani ajrore e flamurit tonë dhe e para kompani ajrore me kapital publik brenda saj, në bashkëpunim me një nga kompanitë më ekselente sot të botës bashkëkohore të aviacionit, “Turkish Airlines”. Një projekt që fillon me këmbë të mbarë, falë jush dhe sigurisht edhe falë avionëve që do të kemi në dispozicion, të cilët do të jenë të një modeli nga më të fundit dhe të cilët nuk i ka askush, të paktën në rajonin tonë.
Është një projekt i rëndësishëm në shumë aspekte. Do t’u japë shqiptarëve një pikë referimi të palëvizshme. Do të lindë dhe do të rritet, sigurisht, hap pas hapi, për t’u kthyer në një tjetër mekanizëm të motorit të ekonomisë sonë, për t’i shërbyer me standardet më të larta bashkëkohore të udhëtimeve ajrore industrisë tonë të turizmit, për të kontribuar në uljen e çmimeve, me thënë të drejtën ndonjëherë edhe marramendëse për shqiptarët, për shkaqe që dihen, por nuk dua t’ju lodh juve me ato.
Patjetër që si projekt në të ardhmen do të sjellë mundësi të reja në këtë fushë, ku ne nuk do mjaftohemi vetëm me ekuipazhin e bukurisë dhe të hijeshisë, por, siç kemi diskutuar, do të përfitojmë nga bashkëpunimi me kompaninë partnere për të kualifikuar edhe pilotët tanë, për të kualifikuar edhe teknikët tanë dhe për të pasur në një periudhë afatmesme një ekuipazh shqiptar, jo vetëm në anën e udhëtarëve, por edhe në kabinën e pilotëve dhe njëkohësisht një ekip teknik mbështetës shqiptar në tokë për të mirëmbajtur në çdo kohë dhe për t’i bërë gati për fluturim avionët e “Air Albania”.
Më vjen, po ashtu, shumë mirë që të ndaj me ju bindjen se, ky projekt është një projekt që do të kontribuojë në mënyrë të rëndësishme edhe për imazhin e vendit tonë në Europë dhe në botë, sepse ambicia jonë është që “Air Albania” të mos fluturojë vetëm në Europë, por në një kohë jo të largët, por të afërt, të bëjë dhe fluturimet transoqeanike për të çuar dhe sjellë shqiptarët dhe jo vetëm ata, por edhe vizitorët e këtij vendi në Amerikë dhe nga Amerika.
Patjetër që është një sfidë! Ne nuk kemi eksperiencë në këtë fushë. Sigurisht që prania e “Turkish Airlines” është një garanci e madhe, por nuk diskutohet që kjo nuk heq në asnjë mënyrë përgjegjësinë tonë si partnerë publikë në kapitalin e shoqërisë, përgjegjësinë tonë si ekip njerëzish, ku përgjegjësia juaj, nuk diskutohet, është me një peshë të veçantë, sepse roli juaj në këtë kompani do të jetë një rol i përditshëm dhe i dorës së parë dhe jeni ju që, me buzëqeshjen, mirësjelljen, elegancën, shpejtësinë, gatishmërinë e shërbimit do të bëni që njerëzit të dashurohen me “Air Albania” pa qenë e domosdoshme që të jenë vetëm shqiptarë, sepse për shqiptarët do të jetë me siguri një pikë e palëvizshme referimi, sepse është flamuri shqiptar, është avioni kuqezi, por edhe për miqtë e këtij vendi, vizitorët që do të përdorin “Air Albania”.
Është një faqe e re dhe patjetër historike për aviacionin tonë, që nuk është e vetmja në aspektin e atyre që ne duam të bëjmë për të rritur kapacitetet dhe për të shtuar mundësitë që, përmes rrugëve të ajrit, shqiptarët, turistët dhe vizitorët e tjerë të mund të zbarkojnë në Shqipëri.
Ne së shpejti do të nisim ndërtimin për aeroportin e Vlorës, që sigurisht do të jetë edhe një aeroport tjetër i “Air Albania”. Do të nisim operimin së shpejti edhe të aeroportit të Kukësit, i cili, ndryshe nga Vlora, që do të jetë një aeroport ndërkombëtar me kapacitet e ngjashme me Rinasin dhe madje edhe me disa funksione më shumë, Kukësi do të jetë një aeroport për fluturimet loë cost që do të krijojë një tjetër kategori mundësie për një tjetër kategori udhëtarësh, duke u dhënë mundësinë shumë shqiptarëve që jetojnë në Angli, që jetojnë në Zvicër, që jetojnë në Gjermani dhe që kanë shtëpitë, të afërmit, prindërit, qoftë në këtë anë, qoftë në atë anë të kufirit të Shqipërisë që të mund të fluturojnë shumëfish më lirë sesa sot dhe shumë më pranë territoreve të tyre të banimit.
Ashtu sikundër, patjetër që do jetë një mundësi edhe për shumë të tjerë, pasi Kukësi sot është shumë më pranë, qoftë Prishtinës, qoftë Tiranës dhe shumë vajza dhe djem të rinj do ta bëjnë llogarinë që do t’u bjerë më lirë nga ai aeroport.
Ne jemi në kushtet sot kur sigurisht flasim për një kompani ajrore, por flasim për një markë të re shqiptare, për një markë që do të shoqërojë vendin në një epokë kur rritja e fluksit të udhëtimeve, rritja e turizmit është eksponenciale në të gjithë botën dhe numri i turistëve në botë pritet që të dyfishohen në 10 vitet e ardhshme. Bëhet fjalë për numra marramendës si pasojë e shumë njerëzve dhe shumë vendeve të tjera që i shtohen flukseve të lëvizjes së turizmit nëpër botë.
Thënë të gjitha këto, unë do dëshiroja të dëgjoja dhe ndokënd prej jush që të thoshte eksperiencën e deritanishme dhe sigurisht mbase dhe pritshmërinë për më tutje.
-Përshëndetje të gjithëve! Unë quhem Joleza dhe jam pjesë e ekuipazhit dhe pjesë e familjes së madhe që është kompania “Air Albania”. Fillimisht në emër të kolegëve dhe në emër të të gjithë shqiptarëve ju falënderojmë për këtë mundësi, për këtë lindje të një kompanie të re të aviacionit dhe ju premtojmë se vërtet do përfaqësojmë dhe do shërbejmë me profesionalizëm. Do përfaqësojmë kombin tonë shqiptar në mënyrë dinjitoze, me dashuri dhe me mikpritje, ashtu siç na karakterizon ne si popull. Ashtu siç është edhe një shprehje që, “shqiponjat janë krijuar për të fluturuar”. Faleminderit që i latë të lira këto shqiponja për të përfaqësuar denjësisht kombin shqiptar dhe për të prekur sa më shumë kombe dhe për t’u thënë ejani në vendin tonë. Nderojmë personalisht dhe në emër të kolegëve punën tuaj dhe për gjithçka tjetër që është duke ardhur, përmes jush. Faleminderit!
–Përshëndetje të gjithëve! Unë quhem Françesko dhe vij nga Malësia e Madhe. Së pari, dua t’ju falënderoj juve personalisht për mundësinë që na keni dhënë të gjithë ne të rinjve nga çdo anë e Shqipërisë të marrim pjesë në këtë konkurs dhe të bëhemi pjesë e familjes së madhe “Air Albania”. Së dyti, pa harruar gjithashtu dua të përshëndes edhe stafin e “Alb Control”, i cili na ka suportuar dhe na ka mbështetur gjatë gjithë kësaj jave për çdo procedurë që kemi kaluar. Në emër të të gjithë këtij stafi, dua t’ju premtoj që do jemi imazhi më i mirë i kësaj kompanie, i të gjithë Shqipërisë anembanë botës duke shërbyer në mënyrën më të mirë të mundshme.
–Përshëndetje zoti Kryeministër! Njoftimin e pashë pikërisht nga Facebook. Sapo e pashë, mu duk shumë interesante ideja e një kompanie shqiptare dhe me logo shqiptare. Unë jam nga Fieri, aplikova online. Na telefonuan, erdhëm dhe u munduam të paraqiteshim sa më denjësisht. Jemi sot këtu me një motiv shumë të fortë, të bëjmë punën tonë sa më mirë e të vijmë me dëshirën më të madhe për të fluturuar dhe punuar me shqiptarë.
Kryeministri Edi Rama: Ju flisni shqip dhe anglisht sipas nevojës?
-Sigurisht, edhe ndonjë gjuhë tjetër plotësuese.
Kryeministri Edi Rama: Shqip dhe anglisht si fillim, pastaj me italianët që nuk dinë anglisht, ne dimë italisht, nuk ka problem.
-Përshëndetje të gjithëve! Unë vij nga Kruja, banues në Tiranë prej shumë vitesh. Ishte shumë eksperiencë e bukur aplikimi për këtë punë për shkak se brenda një kohe shumë të shkurtër m’u desh të organizoja gjithçka, intervistën dhe të përballeshim me një staf që nuk ishin të paktë në numër dhe me kritere shumë të forta. Megjithatë, sikurse dhe ju e shprehët, secili nga ne ka diçka që i siguroi atë staf përzgjedhës që këta ishin njerëzit e duhur. Është eksperiencë shumë e bukur që jam i sigurt do të na shërbejë të gjithëve ne dhe absolutisht do të çojë përpara edhe emrin e kompanisë dhe duke patur parasysh që ne jemi edhe imazhi i kompanisë.
-Përshëndetje! Jam Klea, unë kam pasur eksperiencë në aviacion. Nuk ngurrova asnjëherë për të aplikuar tek “Air Albania” dhe jam shumë e gëzuar që kam mundësinë të fluturoj për kompaninë e parë shqiptare në partneritet me “Turkish Airline” që u shpall kompania më e mirë në Europë. Është një krenari shumë e madhe. Kam edhe një pyetje për ju. Kush mendon se do të jetë destinacioni më i preferuar nga Tirana?
Kryeministri Edi Rama: Përpara se sa të përgjigjem, përgjigje që nuk duhet ta merrni për të sigurt sepse do jetë improvizim, pasi kjo është diçka që e dinë shumë më mirë drejtuesit e projektit që i studiojnë destinacionet. Duke qenë se nga 4, dy janë nga Fieri që folën, atëherë i bie që Fieri ka gjetur rastin që të kapi ajrin meqë detin e ka zënë Vlora. Atyre u mbetet gjithmonë vetëm rruga e detit.
Nuk e di kush do jetë destinacioni, por kam bindjen që Air Albania, në një kohë të shpejtë do të bëhet pika më e rëndësishme e referimit për udhëtarët shqiptarë dhe patjetër që në një afat të mesëm do të jetë kompania ku të gjithë do shohin si mundësinë e parë.
Kjo është sfidë e madhe, pasi sigurisht kompania, e thashë, do të lindë e do të rritet hap pas hapi. Do të filloj me disa destinacione dhe do të varet shumë nga puna juaj patjetër do të varet shumë dhe nga menaxhimi, për të fuqizuar kompaninë me më shumë të ardhura dhe për të investuar më shumë që të kapim më shumë destinacione.
Besoj që natyrshëm Italia është destinacioni më i frekuentuar dhe duke qenë se kompania do të ketë Italinë një nga pikat e veta të para ku do të zbarkojë, patjetër që do të tërheqë shumë, por kam përshtypjen që një destinacion ku ka shumë lëvizje dhe ku mbase do të ketë shumë konkurrencë mes shqiptarëve do jetë Londra, mes shqiptarëve në Itali dhe shqiptarëve në Angli besoj. Mbase, nuk e di. Nuk jam fare i sigurt që po them gjëra që janë të sakta, por meqë u pyeta, do jap përgjigje se bashkëqeverisje është kjo.
-Përshëndetje, unë jam Malvina, me origjinë jam nga Mirdita, banuese në Tiranë. Gjithashtu ju jam mirënjohëse në emër të të gjithë kolegëve dhe të gjithë shqiptarëve për këtë linjë të re. Eksperiencë personale në aviacion nuk kam. Unë kam mbaruar Menaxhim – Biznes.
Kryeministri Edi Rama: Si e more vesh që u krijua kjo mundësi?
Edhe unë e mora vesh nga Facebook, ishte diçka tërheqëse sepse e kisha menduar edhe më përpara teksa udhëtoja dhe shihja njerëz që ishin pjesë e aviacionit, ishte diçka që më pëlqente dhe mjaft tërheqëse. Mendova të aplikoj dhe ja ku jam këtu.
Kryeministri Edi Rama: Nuk e di a e dini ju, nëse e dini është normale, nëse nuk e dini po ju them një sekret, se vetëm ne jemi këtu dhe ata që na ndjekin në ERTV nëpërmjet Facebook-ut, por falë një raporti miqësor, personal me një ndër stilistët më të mëdhenj sot të botës, unë arrita që të bëj të mundur që kostumet tuaja, – ato të vajzave janë të jashtëzakonshëm por të të gjithëve, – ti bëjë Ermanno Scervino. Kështu që do jeni të veshur nga Ermanno Scervino. Ermanno Scervino ka veshur edhe skuadrën kombëtare të Italisë dhe nuk është faji i tij që ata nuk u kualifikuan për finalet e kampionatit botëror, por ishin në fakt me veshjet e tij në kampionatin europian.
Ata janë dy partnerë dhe kur iu thashë, e pritën me shumë interes dhe me shumë kuriozitet. Mu bë shumë qejfi që kur u thashë: “do ta bëni falas”, më thanë, “nuk ka problem, patjetër”. Nuk e di a i keni parë veshjet, por të jeni të sigurtë që kur t’i provoni, jo vetëm do ndiheni mirë ju, por do ndihen shumë mirë të gjithë ata që do udhëtojnë me ju.
-Përshëndetje!, jam Eda, vij nga Tirana. Ashtu si të gjithë këtu, edhe unë njoftimin e pash në faqen tuaj të Facebook-ut, aplikova dhe kalova normalisht fazën e intervistës, atë të matjes, por tek peshimi pata një problem të vogël, se jam 3 kile nën peshë, por që jam zotuar ti marr. Rregullat janë rregulla, respektohen deri në detaje.
Kryeministri Edi Rama: Mendoja që ishte problem mbipesha, por që qenka problem edhe nënpesha, tani e mora vesh. Nëse do të marrësh tre kilogramë, për sa kohë?
-Një javë…
Kryeministri Edi Rama: Jemi vonë, është e premte sot se mund të kishim provokuar një seancë të jashtëzakonshme parlamenti që të haje nga stresi pa e pasur mendjen dhe të merrje tre kilogramë. Ndërkohë që të tjerët po thonin “jam nga këtej apo jam nga andej”, dëgjova që në krah kam kënaqësinë të kem një vajzë nga Tropoja.
–Përshëndetje të gjithëve unë quhem Sonila dhe vij nga Tropoja. Pak a shumë, si të gjithë njoftimin e pash tek adresa juaj e facebook-ut. Aplikova dhe të them të drejtën gjatë procesit të intervistës isha shumë komode. Bëmë edhe testim psikologjik dhe gjithashtu edhe testimin me matjet. Unë u ndjeva shumë mirë, shumë e lumtur që shqiptarëve po ju jepet kjo mundësi dhe ndihem vërtetë me përgjegjësi shumë të madhe dhe mjaftueshëm e motivuar për të çuar përpara këtë gjë shumë të mrekullueshme për të gjithë shqiptarët.
Kryeministri Edi Rama: Kjo duhet të ketë marrë shumë pikë në intervistë! Na e konfirmon dot njeri? Pra ka dalë e para me 97 nga 100 pikë? Megjithatë ki parasysh një gjë, që duhet çdo ditë të fitosh sepse nuk mjafton të kesh dalë i pari një herë, se të kalojnë të tjerët. Çdo ditë është ditë e re dhe pikët që ke marrë nuk quhen, fillojnë pikët nga e para.
Shumë faleminderit prej jush! Sinqerisht më vjen shumë mirë që ju takova, më vjen shumë mirë që projekti po ecën. Objektivin që kemi vënë nuk e themi sepse është një objektiv shumë ambicioz dhe i shpejtë për të ngritur zogun e parë në ajër, por po punojmë shumë. Të gjithë po punojnë shumë dhe të tjerët që janë të angazhuar në këtë projekt sepse kërkon shumë bashkëpunim ndërinstitucional edhe mes nesh. Kam parë projektet e zyrave, besoj që edhe ajo oda mikpritëse e “Air Albania” do të jetë perfekt. Kështu që sëbashku do të bëjmë çmos që të jemi vlerë e shtuar sepse patjetër që fluturimi fillon nga avioni.
Avionët i kemi absolutisht më të mirët që do të kishim parë në ëndrrën që nuk do kishim guxuar ta shikonim, por njerëzit janë vlera e shtuar që mund të bëjnë që projekti të eci edhe përtej parashikimeve për nga realizimi i objektivave dhe nga tejkalimi i objektivave ose mund të bëjnë që larg qoftë, projekti të ngeci.
Por unë, duke ju parë të gjithëve ju, sinqerisht nuk mendoj që projekti rrezikon të ngeci kështu që do merrem me shumë vëmendje, me shumë kujdes për çdo detaj edhe me ministrat e përfshirë edhe me ekipet teknike që të mos jenë ata shkaktarë, që edhe ata të jenë në lartësinë tuaj.
Pasnesër ju niseni për të marrë gjithë atë volumin e dijeve të para që të jeni gati. 3 javë në Stamboll, në një nga qytetet më të bukura të botës. Lum si ju! Atëherë, rrugë të mbarë, “safe flight” dhe ju mirëpresim kur të ktheheni të trajnuar dhe asnjëra nënpeshë. Kujdes nga mbipesha në Stamboll. Besoj që do jetë një ditë fantastike kur të jemi të gjithë bashkë në pistë për të kremtuar fluturimin e parë.
Shumë faleminderit!