Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Media zviceriane promovon bukuritë natyrore shqiptare/ “20 Minutes”: Saranda, ndër 5 vendet për t’u frekuentuar edhe në shtator 

 

Shqipëria dhe mrekullitë natyrore të saj vijojnë të tërheqin vëmendjen e mediave ndërkombëtare. “20 Minutes”, e përditshmja zviceriane në variantin e saj frankofon, një ndër më të të ndjekurat në Zvicër, e liston Shqipërinë ndër 5 vendet e para për t’u frekuentuar gjatë muajit shtator.

Media zviceriane promovon bukuritë e bregdetit shqiptar, duke përmendur kryesisht Sarandën dhe Ksamilin, dhe u sugjeron lexuesve të saj, të vizitojnë këtë vend për të shijuar detin edhe gjatë muajit shtator.

‘Saranda është një qytet port në jug të Shqipërisë. Duke marrë rrugën që të çon në Ksamil, një fshat simpatik në një gadishull, mund të shihni Korfuzin nga larg. Vendi është pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit. Edhe më në jug, vizitoni (qasje me varkë) dy ishuj të vegjël ndër të cilët edher Tongon’’ – përshkruan gazeta bukuritë e jugut shqiptar.

Artikulli promovues i “20 Minutes” nis me fjalët: “Diell, kuzhinë e shijshme, bukuri piktoreske dhe çmime të përballueshme. Këto pika janë bërë për të shijuar fundin e verës’’, ndërsa më tej vijon:

‘’Koha e kthimit në shkollë nuk ka ardhur ende! Shtatori është, në shumë mënyra, një nga periudhat më të mira të vitit për të shijuar pellgun e Mesdheut. Pas valës së të nxehtit, temperaturat mbeten mjaft të buta për not, kuzhina është e shijshme, vala e madhe turistike ka kaluar dhe çmimet po bien. Këto janë pesë destinacione evropiane për t’u vizituar’’.

Në këtë artikull, Shqipëria kryeson listën e 5 vendeve për t’ u vizituar në vjeshtë, duke lënë pas Hyères (France), Stambollin në Turqi, Algarve (Portugali) dhe Kalabrinë në Itali.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.