Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Revista britanike: “Shqipëria, destinacioni surprizë për ushqimin në Europë’’

 

Bukuritë natyrore të Shqipërisë si dhe cilësia e gatimeve janë bërë sërish subjekt i artikujve të gjatë të mediave ndërkombëtare. “Conde’ nast traveler’’, është revista angleze që i ka dedikuar paragrafë të shumtë turizmit në vendin tonë ndërsa artikullin e titullon: “Shqipëria, destinacioni surprizë për ushqimin në Europë’’.

Ndërsa tregon për eksperiencat e saj në Shqipëri, gazetarja Stephane Rafanelli, rrëfen për mikpritjen e shqiptarëve, për ushqimet e shijshme të ofruara prej tyre, për llojet e ndryshme të djathrave, për turshitë apo mishin e qengjit të marinuar me rozmarinë e shegë.  

“Pavarësisht një shekulli traume të thellë kombëtare, shqiptarët ende i përmbahen besës – kodit të lashtë të nderit – për të përqafuar të gjithë të huajt’’ – shkruan ndër të tjera gazetarja duke theksuar virtytet e shqiptarit. Teksa rrëfen disa fragmente të historisë shqiptare, Rafanelli përmend edhe bashkëjetesën e mirë mes komuniteteve të ndryshme fetare në vend dhe nuk lë pa kujtuar edhe për strehimin që shqiptarët i bënë hebrenjve dikur.

Ndalesa e saj e parë është në Tiranë për të cilën shkruan se ndërthuret më së miri tradicionalja me modernen. Këto tipare e bëjnë kryeqytetin shqiptar shumë tërheqës për të huajt, sipas gazetares.

 Artikulli saktëson më tej se pas rënies së regjimit komunist, shumë emigrantë punuan e mësuam përtej kufijve për t’u rikthyer vite më pas e për të investuar në vendin e tyre. 

Përveç ushqimit të shijshëm që ka shijuar përtej malit të Dajtit, gazetarja është njohur edhe me një ndër pijet tradicionale shqiptare, me rakinë, ndërsa shkruan se teksa largohet nga zona, yjet mbi malin e Dajtit duken të fryrë e sikur shkrihen me bishtat e meteorit.

Pas Dajtit dhe Tiranës,Rafanelli viziton Lezhën, epiqendrën e lëvizjes së re ushqimore, siç e quan ajo, ku njihet me qeleshembajtës  njerëz po aq miqësoë sa edhe në kryeqytet. Përmend bukuritë përrallore të zonës me fusha të gjelbëruara por flet edhe për Liqenin e Shkodrës, Alpet dinarike, për Fishtën (fshat) e për lokalet/restorantet me famë botërore të zonës që kanë shumë për të ofruar.

Ushqim të mirë dhe të gatuar me shije gazetarja ka gjetur edhe në Luginën e Patokut e Shëngjin, ku gjithashtu janë ndërtuar një sërë restorantesh cilësore.   

Në vijim të artikullit gazetarja përcjell për lexuesin edhe një guidë udhërrëfyese për ata që duan të vizitojnë Shqipërinë; për qytetet ku mund të ndalen, për lokalet dhe resorantet që mund të frekuentojnë, për ndalesat përgjatë rivierës shqiptare; për hotelet, bujtinat e vende të tjera akomoduese por edhe çmimet përkatëse.

 

Për më shumë lexoni në:

https://www.cntraveller.com/article/albania-food

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.