Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

“Lungomare+” po merr dita-ditës formë përfundimtare, me plazhin e kombinuar natyral dhe urban e një sërë atraksionesh e shërbimesh të tjera. Vazhdimi i Lungomares deri në pjesën e tunelit të Ujit të Ftohtë do të ofrojë një ndërthurje shërbimesh për qytetarët dhe pushuesit. Pishina olimpike, pishina e fëmijëve, parkingu nëntokësor, shëtitorja e pishave, si edhe njësitë e reja të shërbimit për pushuesit do të krijojnë një standard të lartë shërbimi.

Kryeministri Rama, bashkë me kryebashkiakun e Vlorës Dritan Leli përshkuan në këmbë gjatësinë prej më shumë se 1 kilometër të vazhdimit të Lungomares, ku punimet vazhdojnë pa ndërprerje. “Shëtitorja thuajse ka përfunduar në 95% të saj. Kanë filluar të mbillen pishat e reja. Ka përfunduar mbjellja e 20 pemëve të para e do vazhdojë deri në fund, ku do të jetë një shëtitore e mbuluar me hijen e 100 pishave. Ndërkohë kemi rreth 6000 metra katrorë sipërfaqe plazhesh të krijuara. Përveç plazheve natyrale që krijohen si pasojë e ndërhyrjes së infrastrukturës janë dhe plazhet e tjera që janë përshtatur”, – tha Leli.

Investime të tilla jo vetëm shtojnë turistët, por edhe i japin një shtysë të re ekonomisë së zonës. Këtë gjë e konfirmoi edhe kryebashkiaku i Vlorës, kur nënvizoi se: “përpara këtij investimi, në këtë territor, çmimet e banesave ishin të një niveli mesatar, ndërkohë që sot thuajse janë trefishuar,”.

Kryeministri vlerësoi punën e bërë në këtë pjesë të Vlorës, teksa u shpreh se “nuk ka të krahasuar me atë tmerr që ishte”. Pjesë integrale e “Lungomare+” është edhe parkimi nëntokësor, punimet për të cilin kanë filluar.​

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.