Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Të dashur bashkëqytetarë dhe bashkëqytetare,

Koha që po kalojmë, është një luftë botërore nervash, ku kush ngurron të bëjë gjënë e duhur sot; kush ngatërron lirinë e fjalës me detyrimin për të dëgjuar dhe zbatuar cdo ditë, pa një, pa dy, këshilla të përminutshme e urdhëra të përditshëm, që në kohë normale do të tingëllonin si fjalë që vijnë nga cmendina; kush lëshohet e dorëzohet, e paguan nesër, aq shtrenjët sa nuk do të donte as t’a imagjinonte sot.

Nuk i kërkoj askujt prej jush të vihet në pozitën time sot. As ju kërkoj të kuptoni, se pse prej shumë ditësh tanimë, e kujtoj sa herë zgjohem fjaline epike te Presidentit Lyndon Johnson, kur i detyruar t’i percillte kombit nje lajm te zi, tha:

Cdo gjë që kam do t’a jepja që të mos dilja sot para jush!
Ju kërkoj vetëm të bëni durim si kurrë ndonjëherë më parë dhe të dëgjoni lutjen time, për të mirëkuptuar përmasën e jashtëzakonshme të vështirësisë që duhet të kapërcejmë!

Të bombarduar me gjithëfarë lajmesh e rrëfimesh dhe të sfiduar në nervat tuaja nga forca provokuese e zakoneve të jetës së përditshme, ju keni të drejtë të ankoheni, të mendoni se e dini më mirë këtë apo atë, të alarmoheni nga kjo apo ajo, pse u bë kështu s’u bë ashtu, keni të drejtë të mërziteni, acaroheni, hamendësoni lloj-lloj gjërash, e madje edhe të më akuzoni e të më ofendoni mua.

Por askush nuk ka të drejtë të verë në diskutim dobinë jetike të kufizimeve skandaloze që po ju imponohen të gjithëve, duke shkelur ligjin special dhe urdhëresat ekstreme, të cilat më ka rënë mua barra t’jua komunikoj, në bazë të këshillimeve me ekspertizën e praktikat e vendeve të tjera, të orientimeve të Komitetit Teknik të Ekspertëve e të vendimmarrjeve të sugjeruara nga ministrja së Shëndetësisë.

Kjo, të dashur miq, nuk do të jetë një luftë e shkurtër dhe nuk ka asnjë lidhje me një lojë kukamcefthi në rang kombëtar, të cilën mund ta mbarojmë duke u mbyllur një fundjavë apo një a dy javë të tëra në shtëpi. Askush nuk e di, askund në botë, sa mund të zgjasë kjo luftë me armikun e padukshëm, që po mbyll në shtëpi një e nga një, popujt e mbarë planetit, duke kapur gafil edhe fuqitë më të mëdha ekonomike e teknologjike të globit.

Ajo që dimë dhe që të gjithë, një e nga një, po e pranojnë dhe po i nënshtrohen pas ngurrimesh të kuptueshme e vonesash të dëmshme, është se i vetmi ilac për t’i lehtësuar plagët e mëdha dhe ulur numrin e viktimave të pashmangshme të këtij virusi, të cilit nuk i është gjendur ende ilaci, është kufizimi drastik i lirisë sonë të lëvizjes dhe distancimi deri në absurd nga njëri – tjetri.

Por nga ana tjetër, sfida e tmerrshme për vendimmrrësit dhe liderët e vendeve, është të shohin jo vetëm se si të mbyllin rrugët e komunikimit për vendin, komunitetet, familjet, e deri brenda vetë familjeve, po edhe të garatojnë që paslufta të mos jetë një e tatëpjetë pa rrugëdalje drejt humnerës ekonomike.

Sikur shërbimi shëndetësor, ushqimet, ilacet, dritat, uji, siguria, pensionet, rrogat e atyre që sot s’janë në punë po në shtëpi, (por s’mund të jetojnë muajin tjetër vetëm me ajër), të mos vareshin nga paratë që prodhon zinxhiri ekonomik i vendit, po të vinin nga qielli, atëherë me të drejtën e Zotit, unë, që më qëlloi të jem sot lideri juaj dhe që, edhe sikur të jap cdo gjë që kam, nuk i iki dot kësaj përgjegjësie, duhet të varesha nga këmbët në Sheshin Skënderbej për mosmbylljen e veprimtarive prodhuese.

Por ju lutem të gjithëve ta kuptoni, se të mbyllësh aktivitetin prodhues sot, është njësoj si t’i heqësh gjithë Shqipërisë pas dy muajsh, aparaturën e frymëmarrjes së drejtuar që mban në jetë një organizëm në gjendje të rëndë pas infektimit nga ky virus, i cili po sprovon jo vetëm trurin dhe trupin tonë, po vetë Shqipërinë.

Kjo do të ishte vetëvrasje e drejtuar e një populli të tërë dhe kjo nuk ka për të ndodhur! Ju thashë, kush nuk e kupton këtë apo nuk do ta kuptojë, le të më shajë e të më akuzojë sa të dojë, nuk ka problem dhe madje e mirëkuptoj megjithë zemër; mjafton që të mos shkelë rregullat që i takojnë si individ dhe unë jam i lumtur!

Ama të jemi të qartë, vendimi për mosmbylljen e aktiveteve prodhuese, nuk do të thotë në asnjë mënyrë sakrifikim i vetëdijshëm i shëndetit të atyre që duhet medoemos të shkojnë në punë! Absolutisht jo! Ne, Shqipëria, ishim të parët në Europë që mbyllëm shkollat dhe kemi qenë, në cdo hap, në rreshtin e parë të vendeve në ekzekutimin e masave shtrënguese. Por asnjë vend, asnjë ekspertizë, asnjë llogari dhe fantazi ekonomike, nuk e ka përfshirë deri më sot pjesën kritike të zinxhirit ekonomik, në planin e masave drastike të kufizimit të aktivitetit njerëzor brenda territorit. Asnjë!

As Italia, sot që flasim, nuk i ka mbyllur fabrikat; as Izraeli, që ka mbyllur në karantinë të detyruar mbi 100 mijë vetë, me masën burgim, nëse dalin jashtë, nuk i ka mbyllur fabrikat; as Franca, që nesër kalon në shtetrrethim total, pas orës 18.00 të cdo dite, nuk do të mbyllë asnjë fabrikë! Madje ne deri tani që flasim, jemi po ashtu i pari vend që mbylli totalisht transportin publik, qytetas dhe ndërqytetas në rang republike! Apo jemi ndër të paktët me sanksionet e reja për këmbësorët që hynë në fuqi nesër…

Kur Kina mbylli Ëuhanin, me 40 milionë banorë, hapi fabrika fason për prodhimin e maskave dhe sot që flasim, vendet po bëjnë të njëjtën gjë, njera pas tjetrës. Asnjë vend, as edhe një vend, nuk është gjetur i përgatitur me të gjithë sasinë e nevojshme të maskave për përdorim masiv dhe respiratorëve mjekësorë, për pacientët në gjëndje të rëndë.

Kudo është shpërndarë stoku i ashtuquajtur i “skaduar” dhe po ngrihet me shpejtësi marramendëse një industri e tërë për prodhimin e maskave, ashtu sikundër vendet kanë ndaluar qysh herët eksportet e materialeve mjekësore që duhen në përballimin e kësaj situate.
Por cfare thonë ekspertët kudo në botë, për ata që duhet të shkojnë me patjetër në punë? Masat mbrojtëse në një mjedis pune në hallkat kritike të zinxhirit ekonomik dhe zbatimi i këshillave nga vetë punonjësit, për ruatjen e distancës, si edhe larjen e duarve dhe shmangien e kontakteve fizike, funksionojnë. Ne u kemi kërkuar papushim kompanive t’i marrin masat e thjeshta, po të domosdoshme për të mbrojtur personelin dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm me ta. Kemi përcaktuar në Aktin Normativ masat speciale ndëshkuese për kompanitë që do të kapen në shkelje dhe kemi në terren grupet e inspektimit.

E di shumë mirë, nuk diskutohet, se idealja do të ishte që e nesërmja e afërt të na garantohej nga Zoti dhe asnjë frymë e gjallë të mos dilte nga dera e shtëpisë. Por Zoti na ka dhënë fuqinë e shpirtit e të mendjes, që nëse duam t’i përdorim sa e si duhet, mund të bëjmë mrekullira për njëri-tjetrin dhe vendin tonë, ndërsa punët e tjera na i ka lënë ne, njerëzve. Prandaj duhet të jemi të qartë fare motra e vëllezër, kjo është luftë dhe në luftë jemi një, po s’jemi dot të gjithë njësoj! Sepse disa prej nesh, duhet të dalin sidoqoftë sot nga shtëpia, që kur të mbarojë lufta të mos na zerë të gjithëve brenda shtëpia jonë e përbashkët. Ndërkohë, sigurisht, lufta duhet të na mobilizojë të gjithëve dhe të na vetëdijësojë se të gjithë do të japim dicka nga vetja; të gjithë do të ulim shpenzimet e zakonshme dhe do të ndryshojmë planin e ekonomisë sonë familjare përkohësisht. Sepse nuk mund të rrimë këto javë në shtëpi si në pushime të detyruara, ku hamë e pimë edhe më shumë se zakonisht, ndërkohë që shumëkujt duhet t’i gjendemi dhe të sigurohemi që të mos mbetet pa ngrënë asgjë, nëse nuk shkon të punojë për shumë ditë.

Por padiskutim, kjo nga ana tjetër nuk do të thotë se ata që kanë një rrogë për të marrë në fund të marsit në ato hallka të ekonomisë që janë këputur përkohësisht, do t’i lemë në dorë të pronarëve të sipërmarrjeve private. Në asnjë mënyrë!
Sipërmarrjes nuk mund t’i delegohet mandati i solidaritetit shoqëror, që zgjedhësit e këtij vendi, i’a kanë dhënë qeverisë që unë drejtoj dhe ma kanë besuar mua vetë, kur kanë shënuar kryqin në krah të emrit tim në fletën e votimit. Atë kryq unë e kam mbajtur në cdo ditë të rrugës që kemi bërë së bashku, me mirënjohje, përkushtim dhe vetëdijen e plotë se nuk është asgjë tjetër, po privilegji për të mbajtur barrën më të madhe në familjen shqiptare, e për të mos ju lënë kurrë vetëm, pa bërë kurrë asnjë dallim mes atyre që më kanë dhe atyre që nuk më kanë votuar. Prandaj, konkretisht, ne do të kemi shumë shpejt, brenda kësaj jave planin e garancisë financiare për pagat e të gjithë atyre ndër ju, që ju përgjigjët thirrjes për luftë, duke lënë punën për t’u futur në llogoren e shtëpisë suaj.

Motra dhe vëllezër,
keni dëgjuar këto ditë nëpër televizione, kaq miliardë do japë Amerika e kaq miliardë do japë Gjermania, kaq miliardë dha Italia e kaq miliardë po jep Franca! Nuk po hyj këtu edhe tek ato që keni dëgjuar e do të dëgjoni përditë nga ata që s’kanë asgjë në dorë dhe që e kanë kollaj t’ju japin nënë e babë! Ata ju’a kam lënë juve t’i gjykoni sot dhe të mos i harroni nesër, për të gjitha cudirat që ju thonë, pa pasur jo gjë në dorë, po as një minimum ndërgjegjeje në këtë luftë, ku nuk bëhet politikë mes partive e lehaqenieve mediatike, po zhvillhet një betejë, pëllëmbë për pëllëmbë, mes një populli të tërë dhe një armiku të padukshëm që i kanoset njerëzve tanë më të dashur, më të moshuarve e më të dobtëve fizikisht mes nesh.

Ne jemi Shqipëria, ne nuk jemi as Gjermania e as Franca dhe nuk i kemi as miliardat e tyre, as ekonomitë e tyre, po kemi këtë shtëpinë tonë të vogël në lagjen më të varfër të Europës, ku po bëjmë gjithcka mundemi për Shqipërinë e fëmijëve tanë nesër. Prandaj sot nuk mund t’i lejojmë vetes në asnjë mënyrë të bluajmë kockën e ekonomisë tonë, duke harruar se pas një muaji, a dy muajsh, a tre muajsh, ky armik që ka hyrë mes nesh do shporret dhe ekonomia duhet të jetë aty, në shërbim të jetës normale. Dhe nëse tani të gjithë jemi të përqëndruar me plot të drejtë tek vetja, familja, shëndeti ynë, ju lutem të mos e harrojmë se nuk jemi të gjithë në shtëpi pasi kemi lënë punën! Sepse disa nga ne, jo pak, janë cader apo ne shtepite e botes me qerane qe ne, une dhe ju u paguajme, pasi kanë humbur shtëpinë! Kjo që na ka rënë është shumë herë më e tmerrshme se tërmeti që na ra në nëndor, por atyre që u ra catia mbi kokë, nuk mund dhe nuk do t’u themi ah, ndjesë, po ju do prisni tani, se ne nuk e nisim dot Rindërtimin e shtëpive tuaja, se lekët që kishim për ju na i mori Corona! Corona pa Corona, ne do të nisim rindërtimin e shtëpive, shkollave, spitaleve dhe qendrave shendetesore, sapo Corona të shporret nga shtepia jone e përbashkët, Shqipëria!

Sic ju kam njoftuar, kisha një bisedë telefonike me Presidenten e Komisionit Europian, zonjën e nderuar dhe miken e cmuar të familjes sonë, Ursula von der Leyen. Biseda u shty për në orën 19.30 me kërkesën e sjellshme të Presidentes, e cila merret me mend lehtë, se cfarë mbingarkese ka. Por njëra arsye, pse dua të bisedoj me të është së pari që t’i kërkoj, se përtej kësaj situate financiarisht të jashtëzakonshme për Bashkimin Europian, fondet që BE-ja premtoi në Konferencën e Donatorëve, nuk do të ndryshojnë destinacion. Sepse plani ynë për Rindërtimin, as nuk shtyhet, as nuk ndryshon. Madje sot, pikërisht sot që flasim, ne kemi nxjerrë edhe thirrjen publike për tenderin ndërkombëtar të shkollave, 7.9 miliardë lek, pra 7.9 milionë dollarë pa TVSH, për 59 shkolla të reja, 8 konvikte që do të ndërtohen nga e para në Universitetin Bujqësor dhe 4 konvikte të reja në qytetin studenti. Këto dhe 8.7 miliardë për shtëpitë që tanimë janë të shpallura prej disa ditësh, bëjnë plot 16.6 miliarde lek ose 160 milionë dollarë, të cilat kjo qeveri as nuk do t’i lëvizë nga destinacioni, as nuk do t’i lerë pa paguar në kohë, edhe sikur të gjithë donatorët të na thonë, ndjesë, ju’a kemi, po tani kemi Coronën. Padiskutim që arsyeja tjetër e bisedës me Presidenten, është e domosdoshmëria jetike e rajonit tonë që në përballimin e luftës me Corona virusin, Bashkimi Europian të mos e përjashtojë Ballkanin Perëndimor, pra edhe Shqipërinë si vend i këtij rajoni, nga perimetri i eksporteve të materialeve e të pajisjeve mjekësore. Në përpjekjen e duhur dhe legjitime, për të unifikuar proceset e brendshme të tregtisë së mallrave që lidhen me shëndetësinë, duke kërkuar të adresojë atë që përmenda më lart, segmentimin e vendimmarrjeve të vendeve anëtare për eksportin e maskave, respiratorëve, etj., Bashkimi Europian nuk mund dhe nuk duhet në asnjë mënyrë, ta përjashtojë Ballkanin Perëndimor nga aksesi tregtar në këto mallra kaq esenciale për shëndetin e popujve tanë. Pas bisedës dhe në rast se do të nevojitet, ne si qeveri e Shqipërisë kemi përgatitur një nisëm rajonale, për adresimin e njëzëshëm të kësaj nevoje në drejtim të Bashkimit Europian.

Të dashur bashkëqytetarë e bashkëqytetare, ndjesë që do të bëhem shumë i bezdisshëm në këtë luftë fati i së cilës varet nga forca e nervave dhe ku durimi, kjo cilësi jo e spikatur e jona si popull, do të testohet rëndë ditë pas dite, por ju lutem bëni durim! Nuk do ta kemi të lehtë. Nuk do të zgjasë një javë. As dy. As tre. Duhet të mësohemi me faktin se askush nuk e di sa do të zgjasë. Por nëse ka një gjë që e dinë të gjithë me siguri absolute është se sa më shumë të durojmë sot, aq më pak të dhimbshëm do ta kemi bilancin e kësaj lufte të poshtër dhe aq më pak të vështirë do ta kemi ringritjen ekonomike pas luftës.

Bëni durim dhe kini besim, sa më të vetëdijshëm të jemi për dobinë e kësaj vuajtjeje kolektive, familjare, individuale, aq më të pranueshme do ta kemi pas saj, rrugën e lehtësimit; si individë, si familje, si popull dhe si vend. Unë kam shumë besim dhe durimin ju e dini, e kam shumë të stërvitur, prandaj kini besim dhe kur humbni durimin merruni me mua;-) Kështu stërvisim dhe forcojmë njëri-tjetrin!

Zoti i shqiptarëve është i madh dhe na dhëntë të gjithëve forcën që na duhet për ta fituar këtë luftë, duke e bekuar pa kursim Shqipërinë!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.