Fjala e kryeministrit Edi Rama në seancën e jashtëzakonshme parlamentare:
Më në fund kemi ardhur në momentin shumë të rëndësishëm të kurorëzimit të një ideje që është në bazën e gjithë procesit të reformës në drejtësi, duke miratuar ligjin që i hap rrugë fshesës së hekurt në pallatin e drejtësisë dhe spastrimit të pallatit të drejtësisë nga të gjithë ata që e kanë marrë peng drejtësinë në këtë vend. Kanë marrë peng liri e të drejta në çdo nivel, e kanë kthyer drejtësinë në një mall që vetëm shitet dhe blihet dhe kanë penguar jo vetëm çdo qytetar në rrugën e vet për të marrë një të drejtë në kohë dhe normalisht, por një popull të tërë për t’u qeverisur nga ata, të cilët nuk kanë probleme me drejtësinë.
E faktikisht ata që i kundërvihen reformës në drejtësi, janë ata që kanë probleme me drejtësinë. Ata që bëjnë çmos për të penguar procesin e pandalshëm të kësaj reforme janë ata që me të drejtë ndjejnë çfarë vjen pas nga kjo reformë. Ata të cilët u detyruan që t’i bashkohen konsensusit në këtë sallë, për arsye se presioni popullor dhe presioni i partnerëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë ishte kolosal – dhe faktikisht muri i 94 votave u shemb mu përpara derës SHQUP-it, -habitem ose nuk habitem në fakt, pse nuk festojnë me ne një fitore tjetër.
Ne jemi gati të festojmë fitoren e tyre, njësoj si atë natë kur shumë sinqerisht, i urova Partisë Demokratike sa më shumë fitore si ajo e asaj nate dhe nuk e kuptoj pse po ndahen nga treni i fitores.
Por jam i bindur që këtë e kupton çdo shqiptar që arsyeton pak. Çdo qytetar që e ka jetuar këtë tranzicion ditë pas dite, vit pas viti, për më shume se 2 dekada dhe ka përjetuar tmerret që lidhen drejtpërdrejtë me kalbëzimin e pandalshëm në gjithë këto vite të sistemit të drejtësisë. Shqiptarët e dinë shumë mirë se kush e ka penguar sistemin e drejtësisë në gjithë këto vite që të reformohet. Kush e ka penguar drejtësinë në Shqipëri që të normalizohet dhe kush e ka penguar të drejtën në këtë vend që të institucionalizohet në jetën e përditshme të qytetarëve. Këtë qytetarët tanë e dinë shumë mirë. Këtu nuk ka shumë për të argumentuar, për të shpjeguar, për të folur dhe nuk ka shumë për të rrahur gjoksin se kush e do më shume drejtësinë, kush e do më shumë Kushtetutën, kush e do më shumë lirinë dhe demokracinë. Këtu ka vetëm një gjë për të bërë. Të votojmë këtë ligj kaq të rëndësishëm.
Të votojmë këtë ligj kaq të rëndësishëm me bindjen që dhe një herë tjetër ne i bëmë të gjitha përpjekjet për të pasur konsensus. Por duke filluar të mësojmë hap pas hapi se nuk mund të ketë një konsensus alla shqiptarçe që i bie ndesh konsensusit me partneret tanë dhe miqtë tanë ndërkombëtarë në rrugën e integrimit në BE. Integrimi në BE nuk është një menu ku merr atë që të pëlqen dhe refuzon atë ndaj të cilës je alergjik. Është një menu që ose merret e gjitha ose nuk ka absolutisht asnjë vlerë të marrësh çfarë të pëlqen dhe të lësh çfarë nuk të pëlqen.
Ne të gjithë këtu duhet të mësohemi sa më shpejt me faktin se në këtë proces nuk jemi sovran për të zgjedhur çfarë na pëlqen nga rregullat dhe normat e familjes së bashkuar europiane, por jemi të detyruar ndaj vullnetit të popullit sovran për t’ju nënshtruar të gjitha rregullave dhe normave që do të na mundësojnë të bëjmë shtet në këtë vend dhe të bëhemi pjesë e familjes europiane. Kjo vlen, jo vetëm për një reformë kaq rrënjësore dhe epokale si kjo e drejtësisë, por edhe për reforma në dukje me shumë më pak rëndësi dhe peshë, dhe për masa në dukje të tepërta, të kota, të lodhshme e të mërzitshme, ne do duhet t’i adaptohemi rregullave dhe normave të shtëpisë së përbashkët evropiane sepse është për aty ku ne jemi nisur dhe ky është vullnet i popullit shqiptar e nuk është zgjedhje e një partie apo një partie tjetër.
Prandaj, them që ta votojmë këtë ligj si shumicë duke vazhduar me koherencë të plotë të mbrojmë themelet e programit tonë qeverisës, të mbrojmë me vendosmëri dhe me fakte konkrete zotimet tona përpara shqiptarëve.
Jemi i pari koalicion qeverisës që nga viti 1992 që e kemi shkruar në program. Hapeni programin e lexojeni reformën në drejtësi. E këtu në këtë tribunë janë bërë shumë përqeshje, janë bërë shumë ironi, janë thënë shumë marrëzira se si mund ta shkruanim ne në program kur reforma donte 94 vota. Ndërkohë që sot jemi në një pikë nevralgjike të programit të realizuar dhe kemi kaluar dhe testin e shumicës kushtetuese, me 140 vota.
Tani, se pse ju nuk vazhdoni dot të bëni sikur e doni reformën në drejtësi, se pse ju nuk vazhdoni dot të bëni sikur kontribuoni për të përmirësuar draftet e njëpasnjëshme, se ka të tjera mbrapa, të kësaj reforme, – kjo është sa e lehtë për tu kuptuar, aq dhe për të ardhur keq. Nuk ju lë, s’mund t’ju lërë dot, ajo që keni thellë në barkun e shtëpisë suaj dhe që ju pengon të parafytyroni një Shqipëri ku çdo gjykatës, çdo prokuror do ta ketë të pamundur të vazhdojë të ushtrojë profesionin e tij nëse nuk përmbush kushtet e parapara në këtë ligj dhe ku çdo politikan sado i madh, sado legjendar, sado historik, do ta ketë të pamundur t’i shmanget përballjes me drejtësinë duke përdorur gjuhën e kërcënimeve, duke përdorur zhargonin e përçarjeve dhe duke i bërë thirrje direkt apo indirekt një pjese të Shqipërisë që të urrejë pjesën tjetër të Shqipërisë.
Kjo politikë e vjetër, e degjeneruar dhe degjeneruese për Shqipërinë e gjithë këtyre viteve e ka gjithmonë e më shumë siç thotë populli, kufirin tek thana. Dhe thana që vë kufirin, për t’i qëndruar deri në fund fjalës së popullit, është reforma në drejtësi dhe një nga pjesët thelbësore të saj është ligji që miratojmë sot. E shqiptarët sot, përtej gjithë çfarë flasim këtu, duhet ta kenë shumë të qartë që këtu në këtë sallë, ka një shumicë e cila është e gatshme t’i përgjigjet thirrjes e t’i nënshtrohet vullnetit të tyre për të goditur në zemër, sistemin e korruptuar të drejtësisë dhe për të flakur jashtë sistemit të gjithë të inkriminuarit e maskuar si prokurorë dhe si gjykatës, si dhe një pakicë, e cila kapet dëshpërimisht si i mbyturi pas fijes së barit, duke dhënë këtu gjithfarësoj arsyesh të mosarsyes për të vazhduar të jemi nën thundrën e kësaj strukture të organizuar kriminale që është ajo që mban peng me maskat e prokurorëve dhe gjykatësve sistemin e drejtësisë.
E për çudi, nuk po e dëgjoj më fjalën Venecia. Ndoshta ngaqë keni kaluar shumë kohë në ujë, se e keni dhe traditë që rrini gjatë në ujë në kohën e verës edhe pse nuk kemi pasur njoftime për rekorde të reja të llokoçitjes në ujë nga mosdija e notit, por po ju citoj komisionin e Venecias për ligjin që miratojmë sot.
Këto masa, pra masat për të fshirë nga sistemi, me një fshesë të hekurt të gjithë ata të cilët janë bërë ferrë fushës së të drejtës në Shqipëri dhe e kanë penguar Shqipërinë të çlirohet nga padrejtësia, jo vetëm janë të justifikuara – thotë komisioni i Venecias, – por janë të nevojshme, që Shqipëria të mbrohet nga korrupsioni. Pra njësoj si të thuash që Shqipëria të mbrohet nga ky armik, që e ka në prehër, i cili nëse nuk trajtohet sot me këto masa drastike, mund ta shkatërrojë plotësisht sistemin gjyqësor. Këtu Venecia ka gjuhën e vet që në fakt, është pak më e zbutur se sa gjuha e të vërtetës.
Sistemi i sotëm gjyqësor në Shqipëria është i shkatërruar. E gjithë skema, – vazhdon Komisioni i Venecias, – është më e qartë dhe jep garanci më të mira për individët që mund të preken nga vlerësimi, që të preken, të përvëlohen se nuk do t’i marri malli shqiptarët për asnjërin prej tyre, e nuk do t’i vijë keq asnjë shqiptari që u prekën apo u përvëluan këto ferra që e kanë bërë të pamundur marrjen e drejtësisë në Shqipëri për kaq shumë vite dhe dhënien e drejtësisë për ndokënd që vjen këtu e vazhdon mban fjalime i bindur se nuk do vijë kurrë dita.
Dita do vijë. Drejtësia vonon, por nuk harron, thotë populli!
* * *
Prononcim i kryeministrit Edi Rama pas përfundimit të seancës parlamentare dhe votimit të ligjit për vetting-un:
-Zoti Rama si i bie, e keni votuar pa konsensus?
-I bie që sot kasta e të korruptuarve dhe të inkriminuarve në sistemin e drejtësisë e ka marrë mesazhin të qartë. Ashtu sikundër shqiptarët kanë marrë një tjetër konfirmim të vullnetit të patundur të kësaj shumice për t’i dhënë më në fund këtij vendi drejtësinë e munguar, e mohuar për kaq shumë vite, për t’i dhënë fund një historie të turpshme që ka njollosur keq Shqipërinë, por që ka demoralizuar keq popullin shqiptar për vite të tëra, – të drejtësisë së kthyer në mall që shitet ose që blihet.
Sot ne kemi miratuar ligjin bazë të një ngrehine të tërë ligjesh që do të ndërtohet hap pas hapi duke i hapur rrugë fillimit të procesit të zbatimit të reformës në drejtësi, pasi nuk mundet të kemi sukses në këtë proces historik që do të kërkojë vite, po qe se nga ngrehina që shembëm kushtetutshmërisht me votën e ndryshimeve kushtetuese, do të transferojmë që të gjithë në pallatin e ri të drejtësisë. Kjo do të thoshte dështim. Ndërkohë, ata që do të transferohen nga ngrehina e vjetër në pallatin e ri të drejtësisë, pra në godinën e re kushtetuese do të jenë ata që do të kalojnë procesin e skanimit për të gjitha ato kritere që parashihen në këtë ligj, që nga kapacitetet profesionale, tek integriteti profesional dhe patjetër tek pasuria e tyre.
-Zoti Rama në ndërgjegjen tuaj politike a do ju rëndojë mungesa e opozitës në votimin e këtij ligji?
-Unë nuk e di nëse ka mbetur në këtë vend, – se jashtë këtij vendi nuk ka mbetur njeri, por nëse ka mbetur në këtë vend – dikush që mundet të vazhdojë të besojë në shprehjen e vullnetit të kësaj opozite për të mbrojtur Kushtetutën, për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e njeriut dhe nëse ka mbetur njeri që vazhdon beson se kjo është një opozitë që vërtet kërkon të reformojë drejtësinë dhe që kjo është një opozitë që ka gjësendi tjetër përveçse politiken e saj të vjetër të dëshpërimit, të pengimit, të zvarritjes dhe sigurisht në rastin e drejtësisë, politikën e diktuar nga një frikë e shpjegueshme prej vetë drejtësisë.
Jo vetëm që nuk ka vend për të pasur ndonjë vrasje ndërgjegje, siç e quajtët ju dhe ju mirëkuptoj, por përkundrazi ka vend për të thënë se kjo shumicë e cila i kishte votat për të kaluar ndryshimet kushtetuese edhe pa opozitën, e priti opozitën deri në fund, pranoi të negocionte dhe të modifikonte sëbashku me opozitën çka ishte e modifikueshme, pa shkelur vijat e kuqe të përcaktuara nga procesi dhe në produktin e ndryshimeve kushtetuese dhe po ashtu edhe në këtë proces të vazhdimit më tutje me ligjin e vetting-ut deri në fund kemi qenë të gatshëm për të bërë çdo gjë për të afruar palët.
Opozita ka bërë atë gjë që di të bëjë gjithmonë, të bëjë sikur do dhe në fakt të tregojë që nuk do. Kjo është një reformë që nuk ndalet. Nuk është e tillë sepse kështu dua unë, nuk është e tillë sepse kështu do një shumicë qeverisëse, nuk është e tillë sepse kështu do një koalicion kaq i madh qeverisës që është sot në sallën e Parlamentit, por është e tillë sepse kështu do populli shqiptar.
Çdo përpjekje për ta ndalur, çdo përpjekje për ta deformuar në qëllimin dhe thelbin e saj, është e destinuar që të dështojë siç dështuan të gjitha përpjekjet për ta penguar në emër të konsensusit dhe siç ndodhi me krijimin e një konsensusi të imponuar nga faktorë krejtësisht jashtë fuqive të opozitës, të popullit shqiptar, të partnerëve ndërkombëtarë, 94 votat faktike dhe nga vullneti deri në fund i shumicës për ta pasur edhe opozitën pjesë në këtë proces.
Nuk e kemi menduar kurrë procesin, si një proces që duhej bërë pa opozitën, por e kemi menduar si një proces që duhet bërë me opozitën mundësisht, por nëse opozita s’do, patjetër edhe pa opozitën.
A besoni zoti Kryeministër se ky ligj i kaluar sot e kalon testin e Gjykatës Kushtetuese?
-Nuk jam unë që duhet të pyetem për këtë. Më mirë të mos përgjigjem sepse pastaj mund të them atë që mendoj në rastin e Gjykatës Kushtetuese.
Ju faleminderit edhe juve sot!
Është një moment shumë i rëndësishëm sepse sot ka kaluar një ligj themelor që ne e kemi kërkuar me këmbëngulje që në ditën e parë që kemi nisur këtë reformë. Një ligj i cili do të garantojë që reforma të jetë e thellë, cilësore dhe të jetë e qëndrueshme në kohë. Një ligj që do t’i tregojë drejtimin e duhur të gjithë atyre që qëndrojnë padrejtësisht brenda pallatit të drejtësisë dhe e kanë çuar drejtësinë në drejtim të paditur për kaq shumë vite.