Procesi i dhënies së granteve për familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit po vijon. Sot nisi shpërndarja e granteve të meremetimit vetjak të banesave në bashkitë Mirditë dhe Kavajë, ku qytetarët tërhoqën shumën përkatëse në zyrat postare të qyteteve.
Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj ndoqën online ecurinë e procesit të shpërndarjes së granteve, si dhe të lidhjes së kontratave me qytetarët, në të dy bashkitë, përkatësisht Mirditë dhe Kavajë. Ndërsa, kryetari i Bashkisë Kavajë dhe nënkryetarja e Bashkisë Mirditë, duke bërë një panoramë të detajuar të bashkive në fjalë, informuan me shifra se 1,208 familje në Kavajë dhe 177 familje në Mirditë përfitojnë drejtpërsëdrejti pagesat e granteve për riparimin e dëmeve të shtëpive.
Kryeministri Edi Rama, duke marrë fjalën tha se po vijon shpërndarja e granteve për të gjitha familjet që janë miratuar nga këshillat bashkiakë si përfitues të granteve për meremetimet e shtëpive, ku deri tani numërohen 20.087 përfitues. Duke falenderuar drejtuesit e bashkive për punën e bërë në këtë drejtim, ai ftoi nënkryetaren e Bashkisë Mirditë dhe kryetarin e Bashkisë Kavajë, të shpjegonin ecurinë e procesit në bashkitë respektive.
“Vazhdojmë me dhënien e lekëve për të gjitha familjet që janë miratuar nga këshillat bashkiakë si përfitues të granteve për meremetimet e shtëpive. Deri tani ka shkuar në 20.087 numri i përfituesve. Ndërkohë që granti i miratuar nga buxheti i shtetit për meremetimet e dëmeve të banesave në tre nivelet DS1, DS2 dhe DS3,që konsiderohen nivele dëmtimi të riparueshme, ka arritur në 7.6 miliardë lekë, ose rreth 76 milionë dollarë. Sot ka nisur shpërndarja e lekëvë në Bashkinë e Mirditës dhe në Bashkinë e Kavajës,” – u shpreh Kryeministri.
Nënkryetarja e Bashkisë Mirditë informoi se numri i përgjithshëm i përfituesve në të gjithë bashkinë për grantin e rikonstruksionit është 177, të klasifikuar sipas niveleve të dëmeve që kanë pësuar banesat e tyre (DS1, DS2, DS3) dhe se vlera e përfituar nga kjo bashki është afro 30 milionë lekë të reja.
“Edhe në Mirditë ka filluar lidhja e kontratave me përfituesit dhe njëkohësisht, tërheqja e grantit nga filiali i postës shqiptare, dega Mirditë. Siç e shikoni edhe nga pamjet tani në këto momente vazhdon procesi i lidhjes së kontratave dhe i tërheqjes së grantit. Vlera e përfituar nga Bashkia Mirditë për grantin e rikonstruksionit është 29 milionë e 820 mijë lekë të reja. Numri total i përfituesve në të gjithë bashkinë për grantin e rikonstruksionit është 177, nga të cilët 121- DS1, 31 – DS2 dhe 25 – DS3. Deri tani janë lidhur 72 kontrata. Nga subjektet përfituese janë tërhequr 47 kontrata, 40 – DS1, 6 -DS2 dhe 1 DS3. Vlera totale e tërhequr deri në këto momente që po flasim është 5 milionë e 400 mijë leke të reja. Për disa përfitues, të cilët janë aplikantë, por janë larguan jashtë vendit për momentin, do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje, përmes autorizimit që ato mund t’u japin familjarëve të tyre, në mënyrë që dhe ato të jenë përfitues të grantit. Përsa i përket dëmtimeve të shkallës DS4, DS5 janë përfituese 118 familje. Disa familje përfitojnë nga kriteri i dy kurorave në një banesë. Gjithashtu si DS4 janë klasifikuar edhe dy pallate, të cilat në këto momente janë emoluar. Përsa i përket ndërtimit të banesave të reja në Mirditë janë miratuar dy zona zhvillimore. Zona zhvillimore e parë është një sipërfaqe prej 36 mijë e 500 metër katrorë, diku në periferi të qytetit të Rrëshenit. Në këtë sipërfaqe kanë deklaruar pëlqimin për t’u akomoduar rreth 70 familje nga zonat e thella të Bashkisë Mirditë. Është parashikuar që në këtë sipërfaqe të ndërtohen 32 banesa individuale dhe tek tjetra parashikohet të ndërtohet një banesë kolektive, duke qënë se sipërfaqja nuk është e mjaftueshme për ndërtimin e banesave individuale. AKPT ka filluar procedurën e hartimit. Për këtë process, nga zyra e urbanistikës janë vënë në dispozicion të gjitha informacionet e kërkuara. Deri tani janë hartuar dokumentet, planvendosja, rrjeti i strukturës inxhinierike, plani i përdorimit të tokës, planimetria e objekteve. Përsa i përket zonës zhvillimore 2, planifikohen të ndërtohet një ndërtesë për dy pallatet që janë dëmtuar, në mënyrë që nga lartësia e pallatit të përfitohen më shumë pjesë të hapsirës në qytet. Për grantet e rikonstruksionit jemi në procesin e lidhjes së kontratave dhe mendoj që brenda javës të përfundojmë lidhjet e kontratave dhe kalimin e grantit tek përfituesit,” – përfundoi nënkryetarja e Bashkisë së Mirditës.
Ndërsa përsa i takon Kavajës, kryetari i kësaj bashkie u shpreh se po vazhdohet “me lidhjet e kontratave nga dita e premte e javës së kaluar. Vazhdojmë dhe sot shpërndarjen e granteve në të dy postat Kavajë. Pastaj do të vazhdojmë me katër njësi, duke bërë në 6 njësi shpërndarjen e granteve. 331 familje përfitojnë për dëmtimet e nivelit DS1; 420 familje përfitojnë për dëmtime të nivelit DS2 dhe 457 familje janë përfitues për dëmtime të nivelit DS3. Fondi që ka përfituar Bashkia e Kavajës është 3 miliardë e 666 milionë lekë të vjetra. Në shtëpi individuale do të akomodohen 133 familje. Aktualisht në Kavajë janë 7 pallate që do të rindërtohen, ku dy janë në Golem, si dhe dy shkolla që do të ndërtohen nga fillimi në Golem dhe një konvikt. Pastaj kemi 9 shkolla të tjera në rikonstruksion të plotë. Procesi vazhdon normalisht. Deri në mëngjes kemi qënë me 208 kontrata të lidhura. Kemi bërë njoftimet tek të gjithë qytetarët dhe po i marrin pjesë-pjesë për arsye të COVID. Cilido qytetar që paraqitet, ne e mirepresim dhe i bëjmë lidhjen e kontratës.”
Në përfundim, Kryeministri bëri një përmbledhje të qytetarëve përfitues të deritanishëm në bashkitë e prekura nga tërmeti. “Për të bërë një përmbledhje, sot që flasim kemi 1513 përfitues në Bashkinë e Shijakut, 771 në Bashkinë e Kamzës, 1651 në Bashkinë e Kurbinit, 177 në Bashkinë e Mirditës, 350 në Bashkinë e Rrogozhniës, 1208 në Bashkinë e Kavajës, 809 në Bashkinë e Vorës, 2086 në Bashkinë e Krujës, 3000 në Bashkinë e Tiranës, 7449 në Bashkinë e Durrësit, 1073 në Bashkinë e Lezhës. Janë 20087 familje në total.”
Ndërsa Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj tha se shifra mendohet të shkojë në 24 mijë familje në 11 bashki. Ndërsa shuma do arrijë në 83-85 milionë dollarë. “Është një premtim i mbajtur. Janë vetëm grante, pra, cash në duart e familjeve vetëm me këtë program. Gjithashtu janë 143 shkolla, të gjitha në proces ndërtimi, projektimi, ose tenderimi përfundimtar.”
Newsroom
Mirditë dhe Kavajë, nis dhënia e granteve të meremetimit vetjak të banesave