Programet e financimit të qeverisë që promovojnë agroturizmin janë shtrirë edhe në Mirditë ku shumë banorë të kësaj zone po investojnë për të kthyer shtëpitë e tyre të vjetra në bujtina. E gërshetuar me bukuritë natyrore dhe traditën, e kanë kthyer këtë zonë në një ofertë joshëse për shumë emigrantë që të rikthehen për të investuar kursimet e tyre në vendlindje. Në një prej këtyre investimeve ishte sot Kryeministri Rama, ku puna e pa lodhur dhe mbështetja nga skemat mbështetëse për agroturizmin kanë bërë që Kola, pronar i bujtinës në Katund të Vjetër të fitojë më shumë në vendlindjen e tij sesa në emigracion.
Kryeministri Rama ftoi të gjithë qytetarët që ta vizitojnë këtë zonë, pasi oferta është fantastike me një numër në rritje bujtinash. “Ofrojnë gjithçka që e bën të bukur natyrën e traditën shqiptare e mbi të gjitha, traditën mirditore. Unë jam shumë krenar që ne i kemi dhënë mbështetje Kolës dhe të tjerëve dhe do vazhdojmë t’i japim mbështetje, që toka e të parëve të bëhet e ardhmja e këtyre familjeve. Toka e të parëve të bëhet e ardhmja e emigrantëve që janë jashtë, që kursimet t’i investojnë në këto zona të mrekullueshme ku mjafton të rilindë shtëpia e të parëve, të hapet dera, të ofrohet mikpritja, ushqimi i zonës, buzëqeshja dhe besnikëria e zonës që merr në mbrojtje çdo mik që shkel në kufirin e vet dhe e ardhmja është e sigurt. Ka shumë më tepër fitime këtu, sesa të jesh në emigracion e të punosh për të tjerët”.
Turistët në rritje vit pas viti dhe agroturizmi i kthyer në trend kanë sjellë që modele si ky të shtrihen e të mirëpriten gjerësisht nga veriu në jug.