Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala  e kryeministrit Rama mbajtur në inaugurimin e Zyrës së re të Punës, në qytetin e Durrësit:

Në fakt, jo për modesti, por për hir të së vërtetës, shpejtësia me të cilën kjo zyrë e re moderne pune, si një mishërim i modelit të ri të shërbimit kombëtar të punësimit, u hap,  nuk është as merita ime dhe as merita e ministrit. Ose mund të jetë pak merita  e ministrit dhe aspak merita ime, por është meritë  e një ndërveprimi që e bëri të mundur në një kohë kaq të shkurtër, për ta kthyer një hapësire të harruar, në një hapësire moderne në shërbim të qytetarëve në kërkim të një pune. Një ndërveprim, ku u përfshinë autoritetet lokale, kompanitë private, shoqatat e biznesit, që janë në fakt kontribuuesit kryesorë në hapjen e kësaj zyre të re pune të standardeve ndërkombëtare.

Duke përgëzuar ministrin dhe stafin e shërbimit kombëtar të punësimit për angazhimin  e tyre, por në radhë të parë për koordinimin që i bënë të gjithë këtyre aktorëve të tjerë, dua të falënderoj, në mënyrë të posaçme shoqatën “Bussines Albania” dhe presidentin e saj zotin Bregasi, që qysh në sekondën  e parë i është gjetur pranë me pasion kësaj nisme për transformimin rrënjësor të të gjitha rrjetit të zyrave të punës në Shqipëri. E  jo vetëm me mbështetjen morale, që edhe ajo është shumë e çmuar, por edhe duke përfshirë të tjerë komponentë të sektorit privat, për të organizuar mbështetjen direkte financiare, që siç  e tha dhe vete, na dha mundësinë që kjo punë të realizohet në një kohe rekord, pa zvarritjet e zakonshme procedurale.

Në fakt, dua që këtë përgëzim ta çoj deri në fund, duke shtuar se nuk hapim thjesht një zyrë, por krijojmë një tjetër qendër graviteti shumë të rëndësishme për të tërhequr në një pikë të vetme sipërmarrjen dhe punëkërkuesin, punëdhënësin dhe punëkërkuesin. Sepse besoj, ashtu siç e nënvizoi edhe presidenti i “Bussines Albania”, se këto zyra nuk janë të vlefshme, thjesht për ata që duan të gjejnë një punë,  por janë të barazvlefshme dhe për ata që kanë punë për të ofruar dhe nuk arrijnë dot të gjejnë  njerëzit me aftësitë dhe cilësitë që kërkon një vend i caktuar pune. E pra, në këtë aspekt, kemi shumë punë për të bërë sepse është një proces informimi, por edhe një proces edukimi me këtë mekanizëm të ri të punësimit, që i shërben reciprokisht të dy palëve, i shërben punëdhënësve, i shërben punëmarrësve. Këtu përsëri do të na duhet mbështetja e paçmueshme e dhomave të tregtisë, mbështetja e paçmueshme e përfaqësive të organizuara të biznesit, mbështetja  e paçmueshme  e autoriteteve vendore, që padyshim do të mund të na japin një vlerë të shtuar dhe të pazëvendësueshme për të garantuar që ato vende pune, të cilat janë në dispozicion të bëhen të njohura për të gjithë ata që kërkojnë një punë.

Ne kemi përcaktuar si prioritet hapjen  e zyrave të punës, në të gjithë këtë periudhë të parë të qeverisjes sonë, jo thjesht për të organizuar në kushte tërësisht të ndryshme pritjen e punëkërkuesve, por për të realizuar atë që është në fund të fundit, objektivi i tyre që të gjejnë një punë.

Duke qenë se ky prioritet është pjesë  e atyre prioriteteve që përcaktojnë edhe kornizën e punës sonë për 300 ditët e para të qeverisjes, gjej rastin të nënvizoj se këto zyra pune, në fakt janë pika ku kryqëzohen disa politika dhe prioritetet tonat.

Me anë të tyre, qyteteve më të mëdha të vendit, por në të njëjtën kohë qyteteve që janë dhe qendra qarqesh apo rrethesh, ju jepen në dispozicion hapësira moderne ndërveprimi që sjellin në një platformë të përbashkët qytetarin, biznesin dhe qeverinë. Kështu dhe biznesi vet do të marri vetvetiu një përmasë të re si aktor social dhe jo vetëm si aktor i zhvillimit në rrugën  e sipërmarrjes.

Punëkërkuesi do të ketë mundësinë që jo vetëm të kërkojë punën e duhur dhe ta gjejë atë kur cilësitë që ai ofron përputhet me cilësitë që kërkohen nga punëmarrësi, por do të ketë edhe një ndihmë direkte, të personalizuar, nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit në këto zyra pune.

Ndërsa qeveria do të bëjë praktikisht, atë që ministri ka bërë vijimisht gjatë gjithë kësaj periudhe, garantimin e këtij ndërveprimi në funksion të interesit reciprok të të dyja palëve, të punëdhënësve dhe të punëmarrësve.

Nga ana tjetër, zyrat e punës do t’i shërbejnë tejkalimit të një dobësie të tregut të punës. Tejkalimit të asaj dobësie të tregut të punës që përbën një faktor themelor në tre aspekte: Së pari, në luftën me varfërinë; Së dyti, në aktivizimin e burimeve njerëzore të vendit dhe së treti, në zhvillimin e vetë tregut të punës.

Nëse do të arrijnë të plotësojnë qëllimin dhe synimet e tyre, zyrat e punës do të jenë drejtpërdrejt kontribuuese në të tria këto aspekte, në qasjen dhe përmirësimin ndaj të tria këtyre aspekteve.

Inkurajimi që sot, ne i bëjmë punëkërkuesve dhe punëkërkuesve të të gjithë niveleve të arsimit, që t’u drejtohen zyrave të punës, do të shkojë paralelisht me inkurajimin që ne do t’u bëjmë në vijimësi sipërmarrësve që t’u drejtohen zyrave të punës.

Por besoj që zoti Bregasi preku një element që meriton të jetë në vëmendjen tonë, që, nëse për punëkërkuesit, informimi dhe stimulimi i adresimit të problemit të tyre tek zyrat e punës është një punë e përditshme e qeverisë dhe e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, për punëdhënësit me siguri është me vend që të kërkohen dhe mekanizma të mirë përcaktuar, në kuadrin e organizimeve të tyre të ndryshme, por edhe në një kuadër më të gjerë, mbase ligjor, për ta garantuar lidhjen e drejtpërdrejt të çdo biznesi me Shërbimin Kombëtar të Punësimit.

Së fundi, dua ta mbyll pa dashur ta fsheh kënaqësinë që vetëm përpara pak ditësh, ne kishim një realitet tërësisht tjetër, të një zyre pune që ishte çelur në një apartament që dikush ia kishte shitur shtetit, apo që shteti ia kishte blerë dikujt, për arsye që të dyja palët i dinë vetë, por që si rezultat kishte dhënë një strofull të fshehur brenda pallateve, në fund të një rruge qorre, ku me siguri gjithçka mund të prisje, por vetëm punë nuk mund të prisje. Sot, vetëm në një kohë kaq të shkurtër, ne kemi këtë zyrë të re pune për një qytet kaq të rëndësishëm për zhvillimin dhe kaq të rëndësishëm për tregun e punës, sa ç’është qyteti i Durrësit.

Ky është vetëm fillimi. Ne do të fillojmë hap pas hapi, në të gjitha qytetet e Shqipërisë, por gjithmonë jo duke pasur parasysh thjesht sesi të plotësojmë çdo qytet të Shqipërisë me një zyrë pune, por sesi në ndërkohë nga çdo zyrë pune të dalin përditë njerëz që hyjnë të papunë dhe dalin me një mundësi të re për punë.

Sfida jonë për punësimin është një sfidë e jashtëzakonshme, por është një sfidë që ne jemi të bindur se do ta fitojmë. Dhe do ta fitojmë jo duke e kthyer shtetin në punëdhënësin më të madh, por duke e vendosur qeverinë në dispozicion të punëdhënësve dhe të punëkërkuesve dhe duke arritur të krijojmë përmes këtyre pikëtakimeve dhe përmes politikave shumë të qarta të stimulimit të investimeve që sjellin punësim, të mekanizmave që sjellin punësim, të ndërveprimeve që sjellin punësim, kushtet që cilido që sot ka diçka për të ofruar për të marrë një vend pune, të ketë mundësinë që ta gjejë këtë vend pune.

Zyra e Tiranës ka një jetë shumë të shkurtër, akoma s’ka mbushur muajin dhe praktikisht, ne jemi dëshmitarë se marrja në punë nga sipërmarrja përmes asaj zyre ka filluar të funksionojë dhe të japë çdo ditë rezultate. Janë rezultate ende shumë modeste në shifra, në krahasim me rezultatet që ne presim dhe për të cilat do të luftojmë, por janë rezultate të mjaftueshme për të kuptuar që nëpërmjet rrjetit të ri të zyrave të punës, ne vëmë në dispozicion të qytetarëve një instrument që deri dje ekzistonte vetëm në letër, ndërsa sot e më tutje do të bëjë të mundur që kërkesat për punë të mos mbeten vetëm në letër. Ju faleminderit.

 

****

 

Një zyrë  e re pune, tërësisht moderne, hapi dyert sot, për qytetarët e Durrësit. Kjo zyrë  e ndërtuar në një kohë rekord dhe e pajisur sipas të gjitha standardeve bashkëkohore, vjen për qytetarët si një premtim i mbajtur, menjëherë pas inspektimit që  kryeministri  bëri pak ditë më parë në Zyrën e vjetër të punës së këtij qyteti.

Kryeministri tha se zyrat e punës në të gjitha qytetet do të ofrohen si  hapësira moderne ndërveprimi që sjellin në një platformë të përbashkët qytetarin, biznesin dhe qeverinë.

“Nuk hapim thjesht një zyrë, por krijojmë  një tjetër qendër graviteti shumë të rëndësishme për të tërhequr në një pikë të vetme sipërmarrjen dhe punëkërkuesin.-, vlerësoi kryeministri.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.