Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë një ditore në Bruksel, ku drejtoi takimin e VIII të Këshillit të Stabilizimit dhe Asociimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, ku referoi zëvendës Presidentja e Bashkimit Europian Federica Mogherini, Komisioneri për Zgjerimin Hahn, Ministri i Jashtëm Bushati, Ministrja e Integrimit Gjosha dhe Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Bregu.
Më herët, Kryeministri Rama u prit në një takim te veçante nga zv. Presidentja Mogherini dhe Komisioneri Hahn ku u diskutua kryesisht për ecurinë e reformave të ndërmarra nga qeveria Shqiptare me theks zbatimin e reformës në drejtësi dhe koordinimin e përpjekjeve për te siguruar rekomandimin e Komisionit Europian për çeljen e negociatave për anëtarësim.
Në përfundim te Këshillit të Stabilizimit dhe Asociimit ndërmjet Shqipërisë dhe BE, Kryeministri Rama, zv. Presidentja e BE Mogherini dhe komisioneri Hahn zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp:

 

Zv. Presidentja e BE Mogherini:

Ishte kënaqësi t’ju mirëpres juve dhe delegacionin tuaj këtu, në Bruksel, ku patëm një takim të shkëlqyer sot. Ky takim nuk ishte një surprizë, sepse të dyja palët së bashku kemi punuar shumë gjatë kësaj kohe. Së pari, në këtë takim nënvizuam se të dyja palët shprehëm angazhimin tonë për të përmbyllur me sukses anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Treguam gjithashtu gatishmërinë tonë, të Bashkimit Europian, për ta mbështetur Shqipërinë në këtë proces.

Dua të theksoj gjithashtu se Shqipëria mbetet vendosmërisht e angazhuar në axhendën e reformave integruese. Përshëndetëm dhe lëvduam miratimin e ndryshimeve kushtetuese të reformës në drejtësi, një nga reformat më të rëndësishme, në mos reforma më e rëndësishme e vendeve që duan të anëtarësohen. Kjo reformë shënoi një moment historik në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Jemi të bindur që kjo reformë do të jetë transformuese, sepse do të kontribuojë për të krijuar një klimë biznesi më të parashikueshme dhe transparente për investitorët dhe do të na ndihmojë që të përmirësojmë më tej marrëdhëniet tona ekonomike, të cilat janë shumë intensive dhe të mira, por që besojmë kanë akoma potencial që duhet shfrytëzuar. Për këtë arsye, për BE-në është shumë e rëndësishme që kjo reformë nisi dhe për faktin që ka mbështetje të madhe popullore. Kjo besoj, sepse shqiptarët e kanë kuptuar që kjo është në interesin e tyre dhe të vendit për të shkuar përpara. Ne besojmë se partitë politike kanë tashmë përgjegjësinë për ta zbatuar sa më shpejt reformën  në drejtësi, të cilën e miratuan në unanimitet në parlament, duke vijuar me tej me miratimin e legjislacionit përkatës për implementimin e saj, si dhe me nisjen e procedurave për procesin e vetting-ut. Ne jemi të gatshëm ta mbështesim Shqipërinë në fazën e implementimit.

Gjithashtu, gjatë këtij takimi patëm mundësi të diskutonim edhe rreth hapave të tjerë të rëndësishëm, të hedhura nga Shqipëria në lidhje me çështje të tjera si shteti ligjor, duke filluar nga lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjithë këto zhvillime pozitive, që ne i kemi njohur, mirëpritur dhe vlerësuar, do të reflektohen në punën që na pret në muajt e ardhshëm, sidomos përsa i përket Progres Raportit të radhës. Gjithashtu diskutuam jo vetëm për zhvillimet pozitive, por edhe për vendosmërinë për të vijuar me implementimin e tyre.

Më lejoni gjithashtu, të përmend dy pika të fundit, të cilat janë po aq të rëndësishme për ne. Pikë së pari, Shqipëria po vazhdon të luajë një rol shumë të rëndësishëm konstruktiv në rajon, duke nxitur bashkëpunimin midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjë që ne e vlerësojmë dhe e inkurajojmë shumë. Diskutuam gjithashtu, edhe për situatën në rajon. Vlerësoj gjithashtu, faktin që Shqipëria është në harmonizim të plotë me të gjitha politikat e jashtme dhe atyre që kanë të bëjnë me çështjet e sigurisë dhe kjo është diçka që të gjitha vendet e BE-së e vlerësojnë jashtëzakonisht.

Bisedimet rreth procesit të integrimit në Bashkimin Europian qenë pozitive, ashtu sikurse edhe puna që po vazhdon në aspektin e politikës së jashtme, në atë rajonale, prandaj dhe e nisa duke thënë që takimi i sotëm ishte shumë i mirë dhe për këtë falënderoj Kryeministrin Rama dhe delegacionin që e shoqëron.

 

Kryeministri Edi Rama:

Shumë faleminderit Federica, për praninë sot!

Për ne do të thotë shumë, sepse tregon vendosmërinë e angazhimit tuaj në këtë bashkëpunim intensiv, gjë që ju e nënvizuat shumë qartë gjithashtu në fjalën në parlamentin tonë.

Faleminderit zoti Komisioner për kontributin tuaj të rëndësishëm në këtë moment të rëndësishëm të vendit tonë, që bëri që unë të jem i pranishëm sot, në këtë takim të Këshillit të Stabilizim-Asociimit, ku u konfirmua angazhimi i Bashkimit Europian dhe Shqipërisë për të ecur përpara dhe për të bashkëpunuar më ngushtë në çuarjen më tej të reformave madhore që janë ndërmarrë.

Unë mirëprita vlerësimin nga ana e Bashkimit Europian në lidhje me progresin e qëndrueshëm për 5 prioritetet kryesore dhe për mbështetjen e rëndësishme për reformën në drejtësi. Siç e kam thënë përpara, dua të shpreh besimin tim se, nëse zbatimi i vazhdueshëm i reformave kryesore dhe kryesisht reformës në drejtësi është një bazë për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, reforma që ka kaluar është një bazë solide për të marrë rekomandimin. Unë besoj fort se vlerësimi nga ana e Këshillit të Stabilizim-Asociimit dhe miratimi në korrik i një sërë amendamentesh kushtetuese për një reformë të thellë dhe gjithëpërfshirëse në sistemin e drejtësisë është një argument shumë i rëndësishëm për të ecur përpara dhe për të dhënë rekomandimin për vendin, që të përgatisë bisedimet për anëtarësim.

Përsa i përket Këshillit, jam shumë i lumtur për rezultatet e takimit të sotëm dhe për faktin se miratimi i ligjit për vetting-un e prokurorëve dhe gjyqtarëve është mirëpritur si një hap i rëndësishëm për zbatimin  reformës në drejtësi. Ne ramë dakord që është jetike për të ecur përpara me zbatimin e mëtejshëm të reformës.

Nga ana tjetër vlerësoj shumë që Bashkimi Europian e ka vlerësuar faktin që Shqipëria ka ndërmarrë hapa të mëtejshëm në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, si edhe në lidhje me çështjen e të drejtave të njeriut dhe reformën në administratën publike. Por të gjithë e dimë se reforma në drejtësi është një bazë solide për hapjen e negociatave për anëtarësim, ashtu sikurse ajo do të hedhë themelet për punën e mëtejshme që do të ndërmerret në kuadrin e negociatave, kapitujt 23 a 24, si dhe do të ketë një efekt transformues në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Njëkohësisht dua të nënvizoj qartë që për ne është jetike që të kemi një rekomandim pozitiv dhe për të përgatitur së bashku, duke treguar hap pas hapi në procesin e zbatimit, që jemi të gatshëm sa më shpejtë për të hapur negociatat.

Reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme, sepse ka të bëjë me zbatimin e 5 prioriteteve për hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Ne shprehëm angazhimin e qeverisë për të vazhduar të bëjmë çdo përpjekje të mundshme për të ndjekur axhendën e reformës në frymën e bashkëpunimit.

Po aq e rëndësishme ishte edhe shkëmbimi i pikëpamjeve tona në lidhje me zhvillimet në rajon. Këshilli i Stabilizim-Asociimit përgëzoi rolin proaktiv të Shqipërisë në ruajtjen dhe promovimin e stabilitetit rajonal, si edhe mirëpriti forcimin e angazhimit të Shqipërisë për të vazhduar dhe nxitur një angazhim konstruktiv, bashkëpunim rajonal dhe marrëdhënie të mira fqinjësore.

Së fundmi, jo zyrtarisht, por me zemër, dëshiroj të falënderoj Federikën, Komisionerin Hahn për mbështetjen e jashtëzakonshme që kanë dhënë për Shqipërinë, në përpjekjen e rëndësishme për të arritur hapin e parë madhor, reformën në gjyqësor, që ishte reformë kushtetuese. Jam absolutisht i bindur që pa ndihmën e tyre, pa ndihmën e BE-së, pa ndihmën e SHBA-së, nuk do të ishim sot këtu, për të treguar këtë arritje të rëndësishme që na bën krenar për atë që kemi bërë, por me besim për atë që mund të bëjmë të gjithë së bashku, në të ardhmen e afërt.

Faleminderit!

 

Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn:

Faleminderit!

Do doja të filloja pikërisht aty ku Kryeministri ndali. Është e rëndësishme të kuptojmë që  reforma në drejtësi ishte një arrite e jashtëzakonshme, por është gjithashtu e rëndësishme të kuptojmë se qëllimi kryesor nuk është që të arrini sa më parë në Bashkimin Europian, por t’u shërbeni qytetarëve shqiptarë, duke u dhënë atyre atë çka presin. Më shumë se 90% e shqiptarëve e kanë kërkuar dhe pritur këtë reformë. Ndaj kontributi i Bashkimit Europian është një vlerë e shtuar dhe tregon se kur jemi më pranë dhe ndihmojmë njëri-tjetrin, së bashku mund të arrijmë shumë gjëra, kryesisht në interes të qytetarëve shqiptarë.

Ashtu siç diskutuam sot në Këshill, duhet të kuptojmë që reforma në sistemin e drejtësisë, miratimi i ligjeve të nevojshme dhe ndryshimeve kushtetuese kanë qenë vetëm hapi i parë dhe tani duhet të fillojmë me zbatimin e kësaj reforme. Kjo është më e rëndësishmja. Dhe ne duhet ta ndjekim nga afër se si kjo reformë do të zbatohet.

Le të shpresojmë që fryma e 22 e korrikut, kur u votua kjo reformë me unanimitet, të vijojë edhe me implementimin e saj. Ne jemi të vendosur t’ju mbështesim në këtë frymë, që ju të përmbushni angazhimin tuaj për të zbatuar tërësisht reformën, por, ashtu sikurse u tha, edhe çdo gjë që ka lidhje me prioritetet kyçe. Të gjithë ju, sidomos politikanët shqiptarë, duhet ta shfrytëzoni këtë moment të rëndësishëm për të vazhduar më tej me hapat e tjerë të nevojshëm, të cilët sigurisht do të vlerësohen nga ana jonë.

Reforma në drejtësi pritej nga të gjithë qytetarët, sepse ata presin një përmirësim të kushteve të jetesës së tyre. Nëse ju e zbatoni me sukses reformën, do të krijoni një klimë të besueshme biznesi, duke rritur besimin tek investitorët dhe kjo të rrisë investimet, punësimin dhe mirëqenin e shqiptarëve.

Dhe një herë, përgëzime për gjithçka keni arritur!

 

 

Pyetje-përgjigje:

Një pyetje për Komisionerin. Në fillim të nëntorit pritet të ketë një rekomandim pa kushte apo me kushte për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe nëse do të ketë kushte, cilat do të jenë ato? Do kenë të bëjnë me zbatimin e reformës në drejtësi, me reformën e çështjeve që kanë të bëjnë me financimin e zgjedhjeve nga ana e partive? Pra, cilat janë këto kushte, nëse do të ketë?

Komisioneri Hahn:

Fillimisht kemi mbajtur shënim vendimin dhe kjo do të reflektohet në Progres Raportin tonë për Shqipërinë. Besoj se kemi qenë të qartë për faktin sesi e lexojmë këtë vendim, por është pak herët për të bërë një deklaratë përfundimtare. Kjo është pikërisht detyra e Progres Raportit dhe ju e kuptoni se ne kemi nevojë për shumë konsultime të brendshme, për të dhënë një vlerësim të arsyeshëm në interesin e të gjithëve ne. Por besoj se Përfaqësuesja e Lartë e bëri të qartë se, ashtu sikurse dhe unë, ne jemi plotësisht të angazhuar për të hedhur hapa pozitivë përpara, por ky ritëm duhet ruajtur dhe duke pasur parasysh arritjen pozitive me reformën në drejtësi, duhet të siguroheni që ajo të mos mbetet vetëm në letër, por do të bëhet dhe realitet.

 

Një pyetje për zonjën Mogherini. Cila është klima në Këshill? A mund Shqipëria të shpresojë se negociatat do hapen përpara zgjedhjeve të ardhshme?

Zv. Presidentja e BE-së Mogherini:

Nuk dua të paragjykoj vendime që Këshilli do të marri pas rekomandimit. Këtu ka një sekuencë që duhet respektuar, jo vetëm në lidhje me detyrimet institucionale, por edhe përsa i përket urtësisë politike. Por dua të them se vjet, Këshilli deklaroi, – ndoshta e keni, ose do ta keni pas pak deklaratën tonë të përbashkët, – se reforma në drejtësi mbetet kyçe për avancimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Kjo ishte deklarata e Këshillit vjet dhe duke theksuar faktin se kjo ishte kyçe për hapjen e negociatave dhe faktin se në verë, reforma në drejtësi u votua në parlament në mënyrë unanime, është e qartë se ka një drejtim politik që ne e njohim. Pra, nuk mund të paragjykoj vendime të Këshillit, por ne e cilësuam reformën në drejtësi kyçe dhe ajo filloi me një votë impresionuese në verë, duke treguar vendosmëri dhe kurajo politike.

Gjëja e dytë që dua të them është se në pranverë iu drejtova parlamentit shqiptar, ku diskutimet ishin akoma të ndezura, jo vetëm sepse kjo ishte kyçe për BE-në, por edhe sepse ishte e rëndësishme për popullin shqiptar dhe besoj se në fund, të gjitha institucionet, të gjitha forcat politike në Shqipëri treguan urtësi, vendosmëri dhe kurajo politike për t’u përfshirë në një proces të vështirë, me votë unanime. Pak përpara përmenda përgjegjësinë që këto parti dhe këto institucione kanë për të përmbushur pritshmërinë e popullit shqiptar, në lidhje me faktin se reforma do të zbatohet. Nëse do të shohim të njëjtin nivel vendosmërie, kurajoje dhe angazhimi, besoj se do të vazhdojmë më tej në këtë rrugë pozitive.

 

Një pyetje për Kryeministrin Edi Rama. 3 vite më parë, ju u treguat optimist se Shqipëria do të ishte pjesë e BE-së brenda 10 viteve. A e keni ende këtë bindje?

Kryeministri Rama:

Dua të them diçka për këtë çështje, nëse do të ketë apo jo kushte. Nuk besoj se ka jetë pa kushte nën çatinë e BE-së. Dua t’ju kujtoj se një shtet i madh vendosi të dalë, pikërisht sepse ndihej shumë i kushtëzuar. Për ne nuk përbën ndryshim, sepse rekomandimi nuk është stacioni i fundit, por vetëm një sinjal i fortë se vendi mund të vazhdojë rrugën drejt stacionit të fundit dhe gjatë kësaj rruge, të gjithë e dimë se do të hasim shumë kushte që do na duhet të plotësojmë, të respektojmë dhe me të cilat do na duhet të jetojmë.

Ndërsa për sa i përket dëshirës sime për të qenë anëtarë me të drejta të plota në BE brenda 10 viteve, jam i bindur që do të jemi, nëse BE do të vazhdojë të jetë aty. Mundet që të bëhemi anëtarë edhe më shpejt. Çdo gjë mund të ndodhë.

 

Zoti Kryeministër, a keni një kalendar të qartë për reformën elektorale, duke pasur parasysh se në vitin 2017 do të ketë zgjedhje të përgjithshme në Shqipëri dhe do të bazohen këto zgjedhje në një kod të ri elektoral? Dhe e dyta, si po vijon procesi i dekriminalizimit në Shqipëri dhe pse një kryetar bashkie me precedentë penalë si Roshi është akoma në detyrë?.

Kryeministri Rama:

Pikë së pari nuk ekziston asnjë raport i shërbimeve inteligjente italiane ose gjermane për plantacionet me kanabis, sa për ta sqaruar këtë në fillim. Lufta kundër drogës po vijon çdo vit në drejtimin e duhur. Jemi duke punuar ngushtësisht me policinë italiane dhe të dhënat tregojnë se në këtë drejtim ka pasur vetëm progres. Përsëri, siç tregojnë dhe faktet, përhapja e kultivimit nuk është diçka e re, por një histori e gjatë, e cila edhe pse me ngadalë po shkon në mënyrë të qëndrueshme drejt fundit, vit pas viti.

Përsa i përket reformës elektorale, nuk kemi pse të miratojmë një Kod të ri Zgjedhor, por do na duhet vetëm të ndryshojmë Kodin ekzistues në bazë të raportit të Misionit të OSBE/ODHIR-it nga zgjedhjet e kaluara. Jemi të gatshëm ta bëjmë këtë dhe do ta bëjmë në një dialog të hapur dhe konstruktiv me opozitën.

Ndërsa në lidhje me dekriminalizimin, ashtu siç e quani ju, dua të them se ligji ka kaluar, zbatimi është në lëvizje dhe tani i përket institucioneve që me ligj janë përgjegjëse për zbatimin e tij, që të merren me këtë proces. Shteti ligjor është i tillë për të gjithë, ndaj u përket institucioneve që të vendosin për këdo. Në Shqipëri kemi një shprehje: “U mbars mali dhe polli një mi”, që në lidhje me këtë ligj do të thotë që ajo që dukej një mal shtatzënë, në të vërtetë ishte një mi.

 

Për Komisionerin Hahn dhe Përfaqësuesen e Lartë; A jeni të shqetësuar për nivelin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar në Shqipëri? Sepse Raporti i Transparency International tregon se sot Shqipëria ka nivelin më të lartë të korrupsionit në rajon. Përveç kësaj, shqetësuese mbetet dhe situata për drogën në vend. Ka një raport të inteligjencës italiane dhe gjermane, ku thuhet se në Shqipëri ka 363 plantacione kanabis, disa prej të cilave mbrohen nga persona të armatosur, dhe se disa kultivues kanë lidhje me policinë.

Zv. Presidentja e BE-së Mogherini:

Krimi i organizuar, korrupsioni, përfshirë gjithashtu edhe lufta kundër drogës, padyshim janë çështje që duhet të zgjidhë jo vetëm Shqipëria, por ajo që unë shoh është  vendosmëria e madhe për t’i zgjidhur këto çështje dhe ashtu siç e përmendi dhe Kryeministri, puna në këtë drejtim po vazhdon. Mbetet angazhim i përbashkët për ta përmirësuar këtë situatë. Gjithashtu, kjo çështje nuk është e rëndësishme vetëm për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por kryesisht për vetë Shqipërinë dhe qytetarët e saj, të cilët kanë të drejtën e plotë që të jetojnë në një vend të çliruar nga një fenomen që ka qenë shumë problematik në të kaluarën dhe siç e shohim, trendi po shkon në drejtimin e duhur.

Komisioneri Hahn:

Mendoj se reforma në drejtësi është shumë vendimtare, është baza dhe nuk bëhet fjalë vetëm për miratimin e saj, por sidomos për zbatimin. Ndaj dhe ne presim të ndërmerren veprime vendimtare për të kryer hetime proaktive. E dimë se në rajon policia ka qenë gjithnjë e mirë, por ka pasur probleme në gjyqësor. Pas hetimit, do të vijoni me procedimet dhe pastaj dënimet. Dhe rezultatet do shihen pikërisht këtu. Sepse ne kemi parë disa gjyqe dhe vendime, por për disa peshq të vegjël ose të mesëm, por do shpresoja që të shikonim dhe peshq të mëdhenj dhe vetëm atëherë do mund të themi se ka arritje domethënëse në këtë sektor. Por kjo s’ka të bëjë vetëm me Shqipërinë dhe rajonin, por haset kudo. Por përsa i përket Shqipërisë, duhet të shohim se reforma në drejtësi do të vihet në zbatim.

Për Kryeministrin Rama. Sipas jush, pse është në interesin e BE-së të çelë negociatat me Shqipërinë? Cili është qëllimi i vizitës suaj?

Kryeministri Rama:

Përpara disa kohësh ishte e rëndësishme për Ballkanin të ishte pjesë e BE-së dhe jo po kaq e rëndësishme për Europën që të përfshinte Ballkanin. Ndërsa sot besoj se është po aq e rëndësishme për BE-në që të përfshijë Ballkanin, aq sa është e rëndësishme për Ballkanin të jetë pjesë e BE-së, për një arsye shumë të thjeshtë, e cila është kryefjala e jetës publike të BE-së: Siguria. Një Europë më e sigurt do të thotë një Europë që ka përfshirë dhe Ballkanin dhe që nuk e lejon këtë rajon të mbetet një zonë gri, ku të tjerët mund të hyjnë dhe të marrin pjesën e tyre të tortës. Pra, nga pikëpamja strategjike, Bashkimi Europian ka nevojë për Ballkanin, që të jetë më e sigurt.

Zv. Presidentja e BE-së Mogherini:

Lidhur më këtë dua të them 3 gjëra. Siguria padyshim, por sepse është Europa. Ka të bëjë me të gjitha vendet që janë në kufi me vendet e BE-së. Ndaj kemi nevojë që stabiliteti dhe paqja të kenë rrënjë në BE. E dyta, ndajmë të njëjtën gjeografi, ashtu sikurse na tregoi kriza e refugjatëve. Sepse duke ndarë të njëjtën gjeografi, duhet të ndajmë dhe disa politika për të menaxhuar atë çka ndodh në rajonin që bashkëndajmë nga pikëpamja gjeografike. E treta, por jo më pak e rëndësishme për qytetarët europiane, është ekonomia. Investimet që na lidhin me vendet e Ballkanit Perëndimor, me Shqipërinë në veçanti, janë shumë të rëndësishme dhe potenciali që duhet shfrytëzuar është akoma shumë i madh. Pra, këto 3 sektorë që unë përmenda do të kenë përfitime reciproke për Shqipërinë dhe BE-në.

 

Takimi i tetë i Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së

Deklaratë e përbashkët për shtyp

Këshilli i Stabilizim Asociimit (KSA) ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian mbajti takimin e tij të tetë më 8 shtator 2016.

KSA u ndal në Raportin 2015 të Komisionit për Shqipërinë, i cili konkludoi se vendi ka shënuar progres të mëtejshëm drejt përmbushjes së kritereve politike për anëtarësim dhe, në përgjithësi, progres të qëndrueshëm lidhur me pesë prioritetet kyçe për hapjen e negociatave për anëtarësim.

KSA u ndal në konkluzionet e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të 15 dhjetorit 2015, të cilat njohën angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë në agjendën e reformave. Në këtë kontekst, Këshilli theksoi se reforma në drejtësi mbetet kyçe për të avancimin e mëtejshëm të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE dhe mund të ketë gjithashtu rol transformues për reforma të tjera.

KSA konfirmoi se Shqipëria ka ruajtur një ritëm përgjithësisht të qëndrueshëm në zbatimin e masave të reformave në administratën publike. BE-ja përshëndeti miratimin unanim në korrik të një sërë ndryshimesh kushtetuese, për një reformë të plotë e gjithëpërfshirëse të sistemit të drejtësisë.

KSA vlerësoi miratimin e fundit të ligjit për verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara për zbatimin e reformës në drejtësi. Është thelbësore që të vijohet me zbatimin e shpejtë të kësaj reforme. BE-ja gjithashtu përshëndeti hapat e mëtejshëm të ndërmarrë nga Shqipëria në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe në çështjet e të drejtave të njeriut.

KSA përshëndeti pjesëmarrjen e vazhdueshme dhe aktive të Shqipërisë në nismat dhe organizmat rajonalë në Evropën Juglindore, marrëdhëniet e saj të fqinjësisë së mirë dhe qëndrimin konstruktiv rajonal. BE-ja vlerësoi rolin e Shqipërisë si partner pro-aktiv dhe konstruktiv në rajon dhe theksoi rëndësinë e përfshirjes së saj për një angazhim pozitiv në Ballkanin Perëndimor përmes arritjes së marrëvshjeve dypalëshe dhe nxitjes së mëtejshme të bashkëpunimit rajonal. BE-ja ritheksoi se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe stabiliteti rajonal janë elemente thelbësore të procesit të Stabilizim-Asociimit.

KSA përshëndeti linjëzimin e plotë të Shqipërisë me vendimet e Këshillit të BE-së dhe në fushën e Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë.

Takimi u kryesua nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Delegacioni i BE-së u drejtua nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë / Zëvendës Presidentja e Komisionit Evropian, Federica Mogherini. Komisioneri për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat për Zgjerim, Johannes Hahn, përfaqësonte Komisionin Evropian. Delegacioni shqiptar përfshinte Ministrin e Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, Ministren e Integrimit Europian Klajda Gjosha dhe Kryetaren e Komisionit Parlamentar për Integrimin Europian, Majlinda Bregu, si përfaqësuese e opozitës.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.