N J O F T I M P Ë R A P L I K I M
PËR FUNKSIONIN E KRYETARIT DHE TË NËNKRYETARIT TË KOMITETIT PËR PAKICAT KOMBËTARE
Në mbështetje të ligjit nr.96/2017, “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë” dhe të vendimit nr.286, datë 10.5.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e procedurave të përzgjedhjes së kryetarit, nënkryetarit dhe anëtarëve të Komitetit për Pakicat Kombëtare”, procedura përzgjedhëse për kandidatët për kryetar dhe nënkryetar të Komitetit për Pakicat Kombëtare bëhen çdo 4 vjet, dhe jo më vonë se 3 muaj pas përfundimit të mandatit, nëpërmjet një procesi të pavarur, transparent dhe gjithëpërfshirës.
Procedurat e hapura publike të konkurrimit bëhen nga Kryeministria, bazuar në pikën 4, të nenit 20, të ligjit nr.96/2017, “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”.
Në përfundim të mandatit të kryetarit dhe të nënkryetarit të Komitetit për Pakicat Kombëtare inkurajojmë kandidatët për aplikim.
Shpallja për aplikim do të jetë e hapur për një afat 30-ditor.
Kandidatët për kryetar dhe nënkryetar të KPK-së duhet të plotësojnë këto kritere:
- Të jenë persona që u përkasin pakicave kombëtare, sipas përcaktimit në pikën 2, të nenit 3, të ligjit nr.96/2017, “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”;
- Të jenë personalitete të shquara, me kontribute të spikatura në fushën e mbrojtjes së të drejtave të pakicave kombëtare;
- Të kenë eksperiencë pune jo më pak se 10 (dhjetë) vjet në fushën e mbrojtjes së të drejtave të pakicave kombëtare.
- Dokumentet që duhet të dorëzohen janë, si më poshtë vijon:
- Kërkesë për aplikim;
- Kopje e letërnjoftimit;
- Curriculum vitae në gjuhën shqipe (secila faqe e firmosur);
- Dokumente të diplomimit (të noterizuara) si dhe dokumente të përvojës në fushat e kërkuara;
- Dokument që të provojë vjetërsinë në profesion;
- Formular të vetëdeklarimit (të plotësuar e të firmosur), në zbatim të ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar;
- Formular të aplikimit (të plotësuar e të firmosur) për informim për zyrtarët përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta, në zbatim të ligjit 45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
(Deklarimi i rremë sjell përjashtimin nga çdo procedurë e mëtejshme e konkurrimit dhe përgjegjësi penale, sipas legjislacionit në fuqi.)
Afati i dorëzimit të aplikimit, deri më 28 shkurt 2021.
Dokumentet e aplikimit për kryetar dhe nënkryetar të Komitetit të Pakicave Kombëtare të dorëzohen në adresën, si më poshtë vijon:
Adresa: Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.1, 1000
Tiranë, Shqipëri
Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm
Tel.: 00355 4 22 77 401