Në prag të festave të fundvitit, më të mirët e futbollit shqiptar për vitin 2023 u vlerësuan dhe nderuan me çmime në një mbrëmje gala të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, ku merrnin pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, Presidenti i Republikës Bajram Begaj, Presidenti i FSHFArmand Duka, si dhe personalitete të fushës së sportit, futbollistë e trajnerë, dashamirës të sportit etj.
Gjatë mbrëmjes, Kryeministri Rama së bashku me Presidentin Begaj i dorëzoi trajnerit të skuadrës kombëtare Sylvio Mendes Campos Júnior dekretin e dhënies së shtetësisë shqiptare.
“Tradita është që unë flas gjatë, Presidenti flet shkurt, sot e kemi ndryshe. E mirëkuptoj Presidentin (Armand Duka) që si biznesmen e ka mendjen vetëm tek lekët, po unë nuk jam këtu me lekë në fakt, as me vezë. Po jam këtu me privilegjin për të thënë dy fjalë dhe dy fjalët që dua të them kanë të bëjnë me nevojë për të përgëzuar me gjithë zemër edhe njëheherë të gjithë ata që e mundësuan këtë sukses të jashtëzakonshëm për Shqipërinë dhe për t’i falënderuar, po ashtu. Dhe përgëzimin dua ta filloj nga pak më larg, dua ta filloj nga Gianni De Biasi, i cili është njeriu që na tregoi se kjo nuk është një ëndërr e pamundur. Dua ta vazhdoj me Edy Rejan, i cili mori përsipër të drejtojë skuadrën tonë kombëtare, duke u bërë në një farë mënyre ura mes dy sukseseve dhe dua ta mbyll me Silvion për të ndaluar vetë, një sekondë këtu. Sot duam që së bashku dhe falë Presidentit, tju deklarojmë qytetar shqiptar” – u shpreh kryeministri Rama, teksa lexoi më pas dekretin për dhënien e shtetësisë.
Gjithashtu Kryeministri i dorëzoi kapitenit të skuadrës kombëtare Elseid Hysaj e nëpërmjet tij gjithë lojtarëve, pasaportat diplomatike.
“Kur skuadra jonë kombëtarë u kualifikua në europianin e tetë viteve më parë, ne i dhamë të gjithë sportisteve, trajnerëve pasaportat diplomatike, mirëpo nuk u kualifikuan pas 4 vjetësh dhe pasaportave diplomatike iu dogj afati. Tani është koha për ta vënë pasaportën diplomatike me afat dhe nga kjo sigurisht do të përfitojnë edhe shumë ndër lojtarët që e kanë për herë të parë pasaportën diplomatike, si ambasadorë të shtetit shqiptar. Ambasadorë të denjë për të cilët ne jemi shumë krenar dhe thirra kapitenin sepse ishte mosbesues deri në fund që do të merrte pasaportën sot, normal se kujton se unë jam si të tjerët që kur them fjalën mund mos ta mbaj. Tani do e mësoj edhe ky që unë, atë që them e bëj. Kjo është pasaporta. Këtu ke pasaportat e gjithë skuadrës, po t’i marri presidenti që të jenë në duar të sigurta, se ti mund t’i humbësh nga gëzimi që more tënden.” – u shpreh Kryeministri Rama.