Fjalë e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e homazheve në nderim të dëshmorit të atdheut Simon Gjeta, të rënë në krye të detyrës:
Shumë të dashur familjarë të dëshmorit të atdheut, Simon Gjeta!
Të afërm, miq dhe të njohur të tij!
Simon Gjeta dha jetën e tij për të mbrojtur jetën e një qytetari tjetër, i cili ishte pre e një sulmi të armatosur prej një të afërmi të tij.
Simoni u vra teksa po trokiste në emër të ligjit, në derën e shtëpisë së dikujt, i cili në vend të respektimit të traditës shekullore të shqiptarit për të çelur derën, zgjodhi të vrasë trokitësin, në pragun e shtëpisë së tij.
Pasditja e 3 tetorit ishte ajo e një dite të shtunë, kur shumë njerëz rendin pas halleve apo argëtimeve të tyre, por ndryshe nga shumica e njerëzve të tjerë, në 3 tetor, Simon Gjeta, ashtu si gjithë jetën e tij në karrierë, rendi drejt halleve të të tjerëve. Edhe këtë të shtunë, ai nuk ishte në shërbim të vetes. Edhe kjo e shtunë nuk ishte për të një fundjavë e zakonshme, si për gjithë të tjerët. Sepse Simon Gjeta dhe gjithë kolegët e tij nën uniformën e Policisë së Shtetit nuk kanë dot, kurrë, një jetë tërësisht për veten. Por ai edhe jetën e dha për të mbrojtur jetën e të tjerëve.
Mësova që Simoni e filloi jetën e tij profesionale në shërbim të atdheut, të cilit sot i është dëshmor, në vitin e mbrapshtë 1997. Pikërisht, atëherë, kur jo pak shqiptarë, mbase të gjithë shqiptarët, e kishin humbur shpresën dhe besimin tek shteti dhe kur shumë ndër ta braktisnin detyrën, ai zgjodhi t’i bashkohej Policisë së Shtetit në ditët e veta më të zymta, duke treguar qysh në krye të herës se ishte i vendosur me mish e me shpirt në rrugën që iu ndërpre përgjithmonë të shtunën e kaluar.
Largimi nga jeta i Simonit është një humbje e madhe për familjen padyshim, për miqtë dhe të afërmit e tij padyshim, por padyshim, edhe për Policinë e Shtetit shqiptar dhe për shoqërinë tonë, e cila ka kaq shumë nevojë për modelin e njeriut në detyrë, që ishte Simon Gjeta.
Pa asnjë dyshim, gjaku i tij nuk do të bëhet ujë, por do të shërbejë për të plazmuar më tutje, shpirtin, zemrën dhe mendjen e një Policie Shteti të rilindur, e cila me mbështetjen e palëkundur të qeverisë shqiptare do ta thyejë plotësisht fuqinë që krimi akumuloi ndër dekadat e tranzicionit dhe që po e shohim të dobësohet dita-ditës.
Por po ashtu jam i bindur që Policia e Shtetit, e cila po rritet përditë, jo vetëm falë mbështetjes së vendosur që po merr përditë e më shumë nga shoqëria dhe padyshim, falë mbështetjes së palëkundur që po merr nga qeveria, por edhe falë këtyre sakrificave të jashtëzakonshme, si sakrifica e Simonit apo ajo Ibrahim Bashës disa kohë më parë, do të rritet dhe dot t’i këpusë të gjitha fijet politike, ekonomike, financiare dhe mbi të gjitha gjyqësore, që e kanë ushqyer dhe vazhdojnë ta ushqejnë krimin.
Fitorja e luftës ndaj krimit dhe rivendosja përfundimtare e pozicioneve natyrale mes shtetit dhe krimit është sa e vështirë, aq e sigurt. Sot ka edhe një arsye më shumë, që është po aq e thjeshtë, sa ç’ishte e thjeshtë jeta e Simon Gjetës. Sepse, kur Policia e Shtetit nuk është e tradhtuar, siç ishte deri dy vjet më parë dhe kur në këtë luftë qeveria ia krijon Policisë së Shtetit të gjitha mundësitë për të përballur njerëzit e thjeshtë të këtij vendi, si Simoni, Ibrahimi dhe të gjithë kolegët e tyre, të cilët aq sa janë të zakonshëm, aq janë dhe të jashtëzakonshëm për faktin se nuk luftojmë për qëllime të errëta personale me kriminelë nga më të regjurit deri tek më ordinerët, nga ata që janë të armatosur me çekiçin e gjykatësit deri tek ata që janë të armatosur me armët vrastare, nuk ka asnjë dyshim që fitorja anon për ditë e më shumë nga shteti dhe nga shoqëria.
Kjo arsye e thjeshtë është një arsye e madhe. Arsyeja e madhe forcës morale të atyre që i shërbejnë me nder të tjerëve dhe që janë pakrahasimisht më shumë sesa ata, të cilët e çnderojnë funksionin që kanë, apo sesa kriminelët që në përpjekjet e tyre çnderojnë ligjin dhe shoqërinë.
Sidoqoftë më lejoni ta mbyll me një fjalë që besoj i shkon më së miri këtij momenti. Fjalës së gjeneralit George Patton, i cili thotë: “Është gabim i madh të mbash zi për njerëzit që vriten në krye të detyrës. Në vend të zisë për ta, ne do të falenderojmë Zotin që njerëz të tillë jetuan ndër ne dhe edhe për ne”.
I paharruar qoftë kujtimi i dëshmorit Simon Gjeta!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të Policisë së Shtetit!