Ndërtesa e re e ujësjellës-kanalizime në Kamëz, e ngritur nga themelet, do të shënojë një standard të ri të ofrimit të shërbimeve cilësore për qytetarët e kësaj bashkie. Infrastruktura moderne ka zëvendësuar ngrehinën e rrënuar, e cila përfaqësonte sistemin e vjetruar të furnizimit me ujë, që tashmë i përket së kaluarës.
Programi i ri i Sektorit të Ujit, një iniciativë e përbashkët e qeverisë shqiptare, asaj gjermane dhe zvicerane dhe Bashkimit Europian do të mundësojë për qytetarët e Kamzës furnizimin me ujë të pijshëm dhe një rrjet të ri kanalizimesh nga i cili përfitojnë rreth 21 mijë banorë.
Në ceremoninë e inaugurimit të mjediseve të reja të Ujësjellës-Kanalizimeve në Kamëz ishte sot Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, Ambasadorin gjerman Peter Zingraf, Ambasadorin zviceran Adrian Maitre, si dhe drejtues të pushtetit lokal.
“Lancimi sot i Programit të Sektorit të Ujit mbështetet nga BE-ja me anën e një granti prej 25, 5 milionë eurosh dhe është bashkëfinancuar nga Gjermania dhe Zvicra,” – u shpreh Ambasadori Luigi Soreca, duke theksuar se “ky është një moment shumë i rëndësishëm në historinë e Shqipërisë moderne.”
Kryeministri Rama në fjalën e tij u shpreh:
“Është një nisje e mirë e javës këtu në Kamëz, ku jemi mbledhur me një grup që përfaqëson faktikisht të gjithë partnerët që ne kemi në këtë anë të botës, në Europë, BE-në, qeverinë e Republikës Federale të Gjermanisë dhe qeverinë Zvicerane, në funksion të një programi madhor dhe jetik për Shqipërinë që është furnizimi me ujë të pijshëm në të gjithë territorin, duke i dhënë fund përgjithmonë një historie, jo vetëm tre dekadash të pluralizmit, por qindravjeçare, sepse asnjëherë në historinë e këtij vendi, furnizimi me ujë të pijshëm nuk ka qenë i siguruar 100% për të gjithë qytetarët.
Sot kemi mbi 100 kantiere në territor ku punohet për sisteme të reja, për sisteme të integruara dhe në një pjesë të konsiderueshme të tyre punohet së bashku me partnerët këtu të pranishëm. Duhet patur parasysh që këto janë investime në sisteme të paprekura qysh në vitet ‘60-70-të. Edhe në ato vite, sistemet e furnizimit me ujë nuk mbulonin nevojat me ujë 24 orë në një pjesë të madhe të tyre, gjë që është mirë ta kujtojmë gjithmonë, sepse është plotësisht e mirëkuptueshme që shumëkush të thotë akoma me ujin do të merremi ne, në shekullin e 21-të, në vitin 2021.
Por merremi sepse kjo është një punë, e cila asnjëherë më parë nuk u nis nga A-ja për të shkuar tek Zh-ja. E në fakt, në periudhën e tranzicionit, shumë fonde dedikuar furnizimit me ujë të pijshëm u copëtuan nëe segmente interesash elektorale, duke mos arritur kurrë që të investohet për një vizion, për një program, për një projekt të integruar. Faktikisht kemi humbur shumë prej këtyre fondeve, përtej faktit që ka patur abuzime etj., por, në radhë të parë, për faktin që kemi lënë krejt sistemin e furnizimit të fragmentuar dhe të amortizueshëm shumë më shpejt sesa do të ndodhte normalisht.
E pra, jemi në kushtet sot, kur mund të themi se brenda këtij viti do të kemi 24 orë ujë të pijshëm në një masë të madhe të qendrave urbane të Shqipërisë. Më pas, sfida është sigurisht ky territor, Tirana, Kamza dhe bashkitë që përbëjnë atë, që de fakto është metropoli i Shqipërisë, ku investimet janë masive dhe do të duhet pak më shumë kohë për të arritur në përmbylljen e plotë të tyre.
Dua të nënvizoj që fakt shumë të rëndësishëm që, sidomos mbështetja e qeverisë gjermane dhe e qeverisë zvicerane, – patjetër edhe BE-së, por në këtë veçim kam parasysh diçka tjetër, – janë kyçe jo thjesht në aspektin e fondeve apo të ndërtimit të infrastrukturës, por në aspektin e shoqërimit të të gjithë këtij procesi me rritjen e kapaciteteve. Këtu duhet thënë shumë qartë dhe hapur se jemi akoma mbrapa, sepse në një masë të madhe, për të mos thënë 100%, ndërmarrjet e ujësjellësve në Republikën e Shqipërisë janë pjesë e problemit dhe jo e zgjidhjes, si rezultat i shpërfilljes së nevojave bazë për një ndërmarrje për të pasur kapacitete teknike dhe burime njerëzore të kualifikuar. Sigurisht ka pasur një progres edhe në këtë drejtim, por të pamjaftueshëm. Ndërmarrjet e ujësjellësit kanë qenë historikisht ndërmarrje për të punësuar në shtet militantë, krushq, kushërinj, komshinj, pa pasur parasysh se për çfarë janë krijuar dhe duhen këto ndërmarrje.
Jo vetëm kaq, por ndërmjet e ujësjellësit, për shkak të keqmenaxhimit konstant në dekada janë ndërmarrjet me më shumë borxhe në republikë. Nëse marrim tërësinë e borxheve që kanë ndërmarrjet e ujësjellësit, të akumuluara në vite e që një pjesë e tyre vazhdojnë t’i akumulojnë, – a thua se janë në mallin e babës, – sasia e borxheve është më e madhe, sesa sasia e borxheve të trashëguara të OSHEE-së, kur ne nisëm reformën.
Kjo nuk mund të vazhdojë kështu.
Ndërmarrjet e ujësjellësit nuk mund të jenë gjë tjetër, veçse ndërmarrje me kapacitete të plota në infrastrukturë dhe në burime njerëzore që e garantojnë këtë shërbim. Në këtë aspekt kemi shembuj shumë domethënës pozitivë, si rezultat i qeverisë gjermane dhe zvicerane, që, përveç parave, kushtëzojnë investimin, në kuptimin më të mirë të fjalës, me kapacitetet për ta vënë atë në punë dhe për të siguruar që investimi të mos shkojë dëm, siç kanë shkuar një masë e madhe investimesh të bëra në ujësjellës-kanalizime, sidomos në vitet ’90-të dhe 10 vitet e para të viteve 2000.
Besoj që një investim që arrin në total 125,6 milionë euro, si rezultat i bashkimit të forcave e fondeve mes BE-së, qeverisë gjermane, qeverisë zvicerane dhe qeverisë shqiptare, është një investim masiv që nuk mund ta meritojë që të mbetet në duar të paafta, të mbetet në shtratin e inkompetencës, indiferencës dhe të një vije sjelljeje të vjetër që ka krijuar shumë kosto për financat dhe për qytetarët.
Reforma e ujit, e cila në letër është shumë e qartë, ka nevojë për një shtytje të re përpara. Ndërmarrjet e ujësjellësit nuk mund të jenë ndërmarrje që mbahen me miell hua. Dhe me miell hua këtu kam parasysh thesin e buxhetit të shtetit. Taksapaguesit e çdo bashkie nuk kanë asnjë kusur që të paguajnë për të mbajtur një ndërmarrje ujësjellësi në një zonë tjetër, për shkak të keqadministrimit dhe inercisë të këtyre dekadave. Nga ana tjetër është e domosdoshme që të hyjmë në fazën e integrimeve të këtyre sistemeve, për t’i bërë ato cilësore dhe fitimprurëse. Nuk ka pse të kemi gjithë këto ndërmarrje ujësjellësi që funksionojnë veç e veç. Duhet të kemi aksionerë që funksionojnë së bashku, brenda një ndërmarrjeje. Nuk ka pse të ketë ujësjellës edhe Kamza, edhe Vora, edhe Tirana, edhe Kavaja, edhe Rrogozhina etj., të copëzuar. Mund të bashkohen dhe të gjithë së bashku janë aksionerë. Kjo nuk do të thotë që të mbyllen këto zyra e të hidhen në rrugë njerëzit që punojnë. Do të thotë që ndërmarrja të bëhet ndërmarrje, të bëhet kompani, të bëhet biznes në shërbim të qytetarëve e jo një kope me thithëlopa që fryhen me borxhe në kurriz të qytetarëve.
Duke i falënderuar nga zemra për prezencën të tre përfaqësuesit e këtyre entiteteve jashtëzakonisht të rëndësishme partnere dhe duke nënvizuar se prania ime këtu, që zakonisht nuk i kam shumë qejf këto inaugurimet përgjithësisht, është për të forcuar këtë partneritet dhe për të çuar përpara këtë proces. Unë dëshiroj t’ju uroj të gjithëve punë të mbarë dhe besoj se me kushtet e reja të krijuara, gjithë ekipi i ndërmarrjes së ujësjellësit të Kamzës do të jetë më i motivuar dhe më shumë akoma në shërbim të qytetarëve të kësaj bashkie, ku nuk ka rëndësi fare sa vota marrim ne, por ka rëndësi që epoka e ndërmarrjes së ujësjellësit që ishte magazinë për flamujt e partisë dhe repart për mitingje është një epokë që i përket së shkuarës.
Shumë faleminderit!