Fjala e Kryeministrit Edi Rama në inaugurimin e “Pazarit të Ri” në Tiranë:
Duke menduar për ditën e sotme, po lexoja disa gjëra për Tiranën e vjetër dhe gjeta një përshkrim që i bënte një gazetë, në vitin 1900 e ca, kësaj zone: “Nëse bën një xhiro nga këto anë, e sigurt që qerpikët e tu do të mbulohen me pluhur”.
Më pas, po ky vëzhgim bëhej për “Pazarin e Ri” edhe në një të përditshme shqiptare të viti 2014.
Vetëm dy vjet më parë, këtu ishim akoma 100 vjet më parë. Në një zonë ku secili përpiqej të mbijetonte në tezgën e vet, i rrethuar nga pluhuri, duke ecur përmbi pusetat e hapura, duke përballuar baltën, mizat, insektet dhe bërrylat e njëri-tjetrit.
Sot mund të shikojmë këtu se çfarë fuqie ka vota. Çfarë fuqie ka pjesëmarrja e të gjithëve në procesin e qeverisjes së komunitetit, duke bërë zgjedhjen e duhur!
Parafytyroni si do ishte sot, këtu, sikur në vitin 2015, Bashkia e Tiranës mos të ishte kthyer nga një konvikt me një dhomë të madhe gjumi, ku gërhiste kryetari i bashkisë, në një shtëpi të përbashkët të komunitetit, ku mendohet ditë-natë për njerëzit, për zonat, për familjet, për fëmijët, për të moshuarit dhe ku ditë-natë bëhen projektet e transformimit të madh që ka rifilluar.
Ju e dëgjoni dhe e thoni shpesh sa e lodhshme, sa e mërzitshme, sa stresuese dhe sa e pistë është politika. Prireni shpesh të besoni që jo vetëm nuk ia vlen të merresh me politikë, por nuk ia vlen as t’i ndiesh erën dhe jo më të shkosh të votosh, se “të gjithë janë njësoj.”
Si qenkan të gjithë njësoj!
Si është njësoj, kjo çadër këtu, me çadrën atje?
Si janë njësoj këta njerëz të zakonshëm, që sot fillojnë punë këtu në kushte fantastike, për të ushqyer me punën e tyre të ndershme familjet dhe ata të tjerët, disa qindra metra larg, që u thonë të papunëve mblidhuni me ne, që të mbajmë në punën gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar.
Gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar që ia kanë nxirë jetën këtij vendi, më shumë sesa politikanët dhe që kanë përfituar nga politikanët e korruptuar, për të ndërtuar një pushtet, i cili nuk është pushteti që shihni çdo ditë në televizor, që shihni çdo ditë në studiot televizive në debate. Nuk është pushteti për të cilin flasin ata që mblidhen aty, çdo natë si fallxhore dhe bëjnë analistin dhe opinionistin. Është pushteti që e ka marrë zvarrë këtë popull dhe e ka bërë drejtësinë “pazarin e vjetër”, ku drejtësia nuk jepet sipas nevojës, po shitet e blihet si peshku, domatet, patatet, rrushi dhe gjithçka tjetër që tregtohet këtu.
Ky projekt është një projekt i udhëhequr me frymëzim, vendosmëri dhe mbi të gjitha, me një vullnet të jashtëzakonshëm prej kryetarit të bashkisë, në radhë të parë. Unë e di shumë mirë çfarë do të thotë të prishësh gjëra të vjetra, për të ndërtuar gjëra të reja dhe sa e vështirë është në fillim për njerëzit, që të bëhen pjesë e një projekti që në fund të ditës është për ta.
Të gjithë duhet ta kuptojnë sot se janë ata, njerëzit e zakonshëm, që thjesht dhe vetëm me pjesëmarrjen dhe votën e tyre kanë vendosur që ky projekt të realizohet kështu siç u realizua. Nëse njerëzit do të kishin vendosur ndryshe, ne nuk do të ishim këtu, sot dhe “Ditën e Verës” në këtë Pazar do ta festonin mizat, mushkonjat dhe insektet e tjera, bashkë me njerëzit që do të kalonin mes gropave dhe do të përballonin pluhurin, zhurmën e rrëmujën, për të marrë apo shitur diçka.
Ky është ndryshimi i madh mes nesh dhe atyre që qëndrojnë atje në mes të bulevardit dhe vazhdojnë marrin rroga nga paratë e taksave tuaja. Ndërkohë që këta njerëz që fillojnë punë këtu sot, do të marrin rroga nga puna e tyre dhe do të paguajnë taksa, për të vazhduar në pjesë të tjera të Tiranës, me projektet tona.
Siç është ky Pazar kaq i bukur dhe me një atmosferë kaq të gëzueshme, ju siguroj që do të jenë edhe 20 shkollat e reja që ne do të ndërtojmë sëbashku me Bashkinë e Tiranës. 20 shkolla të reja, puna për të cilat nis së shpejti dhe i japim fund njëherë e mirë historisë së turneve, historisë së klasave të mbipopulluara, historisë së fëmijëve që shkojnë në shkollë dhe të prindërve që i çojnë atje, duke shpenzuar gjithë kursimet e tyre, por që nuk arrijnë të kenë ato kushte që kanë sivëllezërit dhe simotrat e tyre jashtë Shqipërisë.
Kjo është ajo për të cilën ne jemi këtu. Këto janë ato për të cilat ne jemi të gjithë sëbashku. Qëllimi ynë i përbashkët, i yni, i imi, i Erionit, i Saimirit, i Tinës, i Milvës dhe i të gjithëve me radhë dhe i të gjithëve juve që jeni këtu është të ndërtojmë Tiranën dhe Shqipërinë e gjeneratës tjetër.
Shumë Faleminderit!
* * *
Pazari i Ri është hapësira më e reja dhe tërheqëse e Tiranës, ku ndërthuret tradicionalja me të renë. E konceptuar si një hapësirë multifunksionale, Pazari i Ri gjatë paradites do të shërbejë për funksionin e tij bazë që është pazari dhe gjatë orëve të pasdites si një mundësi argëtimi dhe kulinarie tradicionale. Nga sot, Pazari i Ri mirëpret 308 biznese dhe 1007 të punësuar.
Rikualifikimi urban i sheshit “Avni Rustemi” përbëhet nga 4 elementë kryesorë: Markata e Mishit dhe Peshkut, Markata e Gjelbër, sheshi rekreativ dhe 12 fasadat përreth Pazarit të Ri. Gjithashtu është bërë dhe ndërhyrje e plotë e sheshit në hyrje të Pazarit të Ri, ku janë ribërë trotuaret dhe rrugët, ndërsa është shtuar gjelbërim me bli, ullinj e pisha dhe ndriçim i tij.
Markata është sjellë në origjinën e saj, ku lexohen qartë elementët arkitektonikë dhe struktura e saj. Në tërësi, ajo përmban 25 njësi shërbimi duke i dhënë asaj edhe karakter multifunksional. 70% e tyre janë biznese ekzistuese dhe 30% e tyre janë biznese të reja, nga modelet më të mira tradicionale në Tiranë.
Sheshi rekreativ është rivitalizim i një prej pjesëve më problematike që ka pasur ky Pazar. Janë restauruar edhe ndërtesat tradicionale të zonës, si dhe janë ndërtuar ambientet e nevojshme moderne për tregtarët, e shoqëruar kjo me një hapësirë pedonale.