Deklaratë e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për masat e marra për mbarëvajtjen e ndeshjes së ekipit kombëtar të futbollit, në kuadër të turit eliminator për Kampionatin Europian të Futbollit:
24 orët e ardhshme janë një sprovë e rëndësishme, jo vetëm për Kombëtaren tonë, por për çdo qytetar, sado, pak apo shumë, të interesuar për futbollin dhe jo vetëm.
Policia e Shtetit dhe të gjitha institucionet ligjzbatuese janë totalisht të angazhuara, për të garantuar që ndeshja e nesërme të jetë një festë qytetarie, e denjë për Shqipërinë dhe për çdo qytetar shqiptar, këtu në vend apo jashtë Shqipërisë dhe sigurisht për Kombëtaren tonë.
Në këtë kuadër, Policia Kufitare ka marrë masa në çdo pikë kufitare për monitorimin e kalimit të të gjithë shtetasve, veçanërisht të atyre që udhëtojnë për të parë ndeshjen e nesërme.
Është shkëmbyer informacion intensiv me partnerët në rajon dhe Bashkimin Europian, ashtu siç është shkëmbyer informacion me Federatën Shqiptare të Futbollit, UEFA-n dhe FIFA-n, për hartimin dhe monitorimin e listës së personave, të cilën kanë precedentë të mëparshëm për akte të dhunshme ose akte huliganizmi gjatë aktiviteteve sportive.
Kjo listë, tani që flasim është në dispozicion të Policisë Kufitare dhe të të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit në terren, për moslejimin e hyrjes në Republikën e Shqipërisë, e në rast se kanë hyrë më parë, apo jetojnë në vend, për monitorimin konstant dhe në të gjitha rastet, për ndalimin e hyrjes në mjediset e stadiumit Elbasan Arena dhe mjediset afër tij.
Strukturat e luftës kundër krimit në të gjithë vendin do të jenë të angazhuara për monitorimin dhe ndjekjen e çdo informacioni që ka të bëjë me cenimin e mbarëvajtjes së aktivitetit të nesërm sportiv.
Agjentë civilë do të jenë në të gjitha ambientet ku do të ketë grupime njerëzish dhe tifozësh, në akset rrugore, por edhe brenda stadiumit.
Forcat e rendit dhe Policisë Rrugore në të gjithë Shqipërinë janë tërësisht të angazhuara për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në çdo mjedis publik, si dhe monitorimin e të gjitha akseve rrugore në të gjithë vendin, por në mënyrë të veçantë në të gjitha akset që të çojnë në Elbasan dhe në stadiumin Elbasan Arena.
E gjithë struktura e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, RENEA dhe Njësia Antiterror, është angazhuar në gatishmëri të plotë që nga sot, për të parandaluar çdo kërcënim të prishjes së rendit publik, në mbështetje të strukturave të tjera të policisë, si dhe në gatishmëri për të ndërhyrë kudo që do të evidentohet një cenim real i rendit dhe sigurisë publike.
Janë marrë masat maksimale për garantimin e sigurisë edhe për ekipin mik. E në këtë kuadër, një pjesë e Repartit RENEA, bashkë me një pjesë të Policisë së Shtetit është e angazhuar ekskluzivisht për këtë qëllim.
Në tërësi, për garantimin e ndeshjes nesër, duke filluar në fakt që nga sot, do jenë të angazhuara mbi 2300 forca policie, kryesisht në Tiranë dhe Elbasan, ndërkohë që do të jenë në dispozicion të gjitha mjetet dhe infrastruktura që disponon Policia e Shtetit.
Pavarësisht njoftimeve të herëpashershme të Policisë së Shtetit për masat e marra, të detyrueshme për mbarëvajtjen e ndeshjes së nesërme, sfida më e madhe është angazhimi i të gjithëve ne, të gjithë bashkë, për të dhënë një shembull të vlerave dhe qytetarisë që kanë shërbyer dhe shërbejnë si themelet tona historike, mbi të cilat jemi ngritur dhe zhvillohemi sot si shoqëri.
E nesërmja është vetëm një ndeshje futbolli.
E pavarësisht emocioneve për Kombëtaren tonë, ndeshja më e rëndësishme është ajo që zhvillohet jashtë fushës.
Në qoftë se në fushë do të luajnë 11 lojtarët e skuadrës tonë dhe 11-shja e skuadrës mike, jashtë fushës së blertë kemi të gjithë një rol dhe një detyrë për të luajtur.
Çdo qytetar, i ndërgjegjshëm për rëndësinë dhe detyrën që kemi për të dhënë një shembull qytetarie, ka një rol në përpjekjen tonë të përbashkët, për të garantuar që kjo ndeshje futbolli të jetë realisht vetëm kaq; Vetëm një ndeshje futbolli, e kësisoj, një festë sportive, e denjë për Shqipërinë dhe skuadrën tonë.
Federata, trajneri, Kombëtarja jonë është impenjuar që në fushë të fitojë loja, të fitojë futbolli. Jashtë fushës, ndeshja jonë më e rëndësishme, sfida jonë më e madhe është të bëjmë gjithçka është e mundur për t’i dhënë Kombëtares sonë, festën e qytetarisë dhe pasqyrën më të mirë të vlerave me të cilat është edukuar secili prej nesh, në çdo familje nga jugu në veri.
Ndaj është e detyrueshme të përpiqemi të gjithë bashkë, për të mbrojtur mbi të gjitha vlerat tona, pa lejuar që emocionet e sportit të kthehen në një kërcënim për qytetarinë dhe vlerat tona.
Brenda fushës do fitojë sigurisht futbolli dhe loja. Por fitorja më e madhe është ajo jashtë fushës. Për vlerat tona si shoqëri e denjë për t’iu bashkuar vlerave të familjes së madhe të Bashkimit Europian. Dhe çdonjëri prej nesh ka një rol kyç për të luajtur.
Ndaj dua ta shfrytëzoj këtë rast për t’i bërë thirrje çdo qytetari, të bashkëpunojë me Policinë e Shtetit, të informojë për çdo gjë që mund, qoftë edhe largësisht, të kërcënojë atmosferën e festës para, gjatë dhe pas ndeshjes së nesërme, e mbi të gjitha që mund të kërcënojë vlerat tona, që i mbrojmë vetëm duke u angazhuar të gjithë bashkë, maksimalisht.
Në këto 24 orë kemi mundësinë të tregojmë veten dhe fuqinë e qytetarisë dhe vlerave tona, duke mbështetur Kombëtaren dhe duke respektuar skuadrën mike, por mbi të gjitha, bashkë me Kombëtaren, duke mbështetur Shqipërinë dhe vlerat tona si shqiptarë.
Faleminderit.