Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Replikë e kryeministrit Edi Rama për reformën e ndihmës ekonomike, në seancën e sotme parlamentare:

 

Si fillim, vendimin e qeverisë së mëparshme të vitit 2012, me gjithë sistemin e pikëzimit jo transparent, sipas jush, të miratuar në vendimin tuaj të qeverisë.

Nga ky sistem pikëzimi i miratuar prej qeverisë së Sali Ramë Berishës, ne kemi hequr televizorin me ngjyra, frigoriferin dhe bolierin. Këto të treja i kishit ju në sistemin e pikëzimit të miratuar me vendim qeverie. Me atë vendim qeverie është kaluar në proces pas ratifikimit të marrëveshjes me Bankën Botërore, për reformën e ndihmës ekonomike.

Si të gjitha reformat që tentuat, por nuk i bëtë kurrë, kjo është një reformë që filloi në qershor të 2014-ës, duke u pilotuar në 3 qarqe: Elbasan, Tiranë dhe Durrës, ku, nga procesi i pilotimit dhe zbatimi i kësaj skeme, rezultuan, as më shumë e as me pak, por 19700 deklarime të rreme d.m.th, subjekte abuzive që merrnin ndihmën ekonomike nga ju dhe që nuk meritonin ta kishin.

Më pas, çfarë po bëhet?

Kanë kaluar 2 vjet nga procesi i pilotimit dhe jemi në fazën e shtrirjes së të njëjtës skemë në të gjithë Shqipërinë.

Nëse ju doni të protestoni për Fluturimin, – quhet kështu, – nga Përrenjasi që deri në dhjetor 2017 përfitonte ndihmën ekonominë dhe është pronar i një vile, vazhdoni protestoni!

Nëse doni të vazhdoni të protestoni për Gëzimin nga Kamza, i cili është pronar i kësaj vile dhe zotëron 2 autovetura, vazhdoni protestoni!

Nëse doni të protestoni për Josifin nga Fieri që ka në pronësi 3 makina të modeleve të fundit, – këtu janë të dhënat e makinave, – vazhdoni protestoni!

Nëse do të protestoni dhe për Dragushin nga Korça që merrte 1 milion lekë në muaj pagë dhe nga ana tjetër vraponte për të marrë ndihmën ekonomike, vazhdoni protestoni.

Këto nuk janë 4 raste, këto janë mijëra raste.

Nga ana tjetër, më duhet t’ju them që ka një fond të posaçëm për të cilin e ftoj kryetarin e Partisë Demokratike, që në bashkëpunim me Xhelal Mziun, t’i akomodojë brenda skemës së ndihmës ekonomike ata të cilëve nuk shkon t’iu qajë hallin, por shkon t’ua marrë vuajtjen dhe t’ua nxjerrë në televizion për interesat e tij, sepse janë 6% e fondit që i kanë bashkitë dhe me këto 6% mund të adresojnë bashkitë vetë të gjithë ato raste.

Ndërkohë që, e vetmja bashki që deri më sot ka bërë ekzaktësisht këtë veprim është Bashkia Vlorë, ku janë konstatuar 700 deklarime të rreme dhe ku, duke shfrytëzuar fondin e vënë në dispozicion, i cili nga 3% ka shkuar në 6%, janë riintegruar 85 familje të gjykuara nga bashkia si subjekte të ndihmës ekonomike.

Tritan, ne nuk krahasohemi me kohën e Zogut, ne thjesht jemi këtu përballë zogjve të kohës, që jeni ju dhe fluturoni si korbat mbi çdo gropë që hapët, duke kërkuar llogari prej nesh.

Vazhdoni fluturoni, por ta mësojnë njerëzit se, ju jepnit 38 milionë dollarë për ndihmën ekonomike. Ne japim 48 milionë dollarë.

Subvencioni juaj për energjinë, për ujin, për librat e për kështu me radhë, ishte minimal.

Ju e kishit nivelin e ndihmës ekonomike mesatarisht 29 mijë lekë. Ndërkohë që mesatarja jonë është 50 mijë lekë.

Ju keni arritur t’iu jepni ndihmë ekonomike familjeve 6 mijë lekë të vjetra dhe e konsideronit ndihmë ekonomike.

Ndërkohë që na u mërzitët, pasi vini këtu, nuk lini fjalë të fjalorit të ulët të gjithës shqipe pa përdorur, u shqetësuat se ju thashë zogjtë e korbave.

Jeni zogjtë e korbave që fluturoni mbi çdo gropë që e keni hapur vetë, mbi çdo plagë që e keni hapur vetë, mbi çdo problem që e keni lënë vetë pa zgjidhur dhe tani bashkohuni mbi qiellin e SHQUP-it dhe bëjini thirrje Dragushit, Fluturimit, Josifit dhe të gjithë atyre të cilët humbën të drejtën për të fituar në kurriz të të varfërve ato çka nuk iu takonin.

Nga ana tjetër, për ta mbyllur, ka një të dhënë shumë të rëndësishme në të gjithë këtë proces: 70% e aplikantëve të përjashtuar nga kjo skemë janë në moshën 24-45 vjeç, plotësisht të aftë për punë.

Nga ana tjetër, ka një ligj i cili e detyron Shërbimin Kombëtar të Punësimit që gjithkujt që është i aftë për punë t’i ofrojë një punë.

Deri tani, vetëm në pak ditë gjullurdi që është bërë, 1211 njerëz kanë shkuar në dyert e zyrave të punës. Ka të regjistruar mes tyre si punëkërkues. Ka nga ata që refuzojnë të regjistrohen si punëkërkues.

E pra, kush është i aftë për punë dhe kujt i ofrohet një punë dhe refuzon ta marrë atë punë, nuk meriton asnjë cent nga kontributet e përbashkëta të shqiptarëve prej ku del edhe ky fond solidariteti.

Së fundi, mezi e pres mocionin për debat.

Unë isha gati që sot, por, siç e patë, këta nuk ishin gati.

Këta duan të bëjnë një fluturim nëpër Shqipëri si tufë zogjsh për t’ ulur mbi çatinë e çdokujt ku mund të nxjerrin ndonjë fotografi, apo ndonjë video dhe të pozojnë me varfërinë, si përfaqësuesit e të varfërve.

Ndërkohë që ne do vazhdojmë të reformojmë Shqipërinë, do vazhdojmë të bëjmë shtet dhe do vazhdojmë të ndajmë qartë të gjithë ata që duan të punojnë nga ata që duan të vegjetojnë.

Kush do të vegjetojë nuk ka për të marrë asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.