Fjala e Kryeministrit Edi Rama, gjatë aktivitetit për prezantimin e planit strategjik në Dogana:
Të nderuar pjesëmarrës, punonjës të doganave dhe pjesëtarë të skuadrës “Crown Agents”!
Duke filluar nga viti 1985, kur u firmos marrëveshja “Schengen” dhe shumë intensivisht pas firmosjes së marrëveshjes së Bashkimit Evropian më 1992 (Maastricht), dogana ka qenë një nga instrumentet më të rëndësishme të BE-së, në strukturimin e një hapësire lirie, sigurie dhe drejtësie.
Dogana, në fakt, përbën vetëm një nga instrumentet e vënë në funksion të kësaj hapësire dhe në shërbim komuniteteve nga qeveritë e shteteve të ndryshme të BE. Por ajo është një institucion themelor shtetëror në jetësimin e aksionit publik, që i shërben në të njëjtën kohë evropianizimit dhe sigurisë.
Pikë së pari, evropianizimit në perspektivën e bashkëpunimit e kooperimit rajonal dhe me BE; Evropianizimit, si transformim i doganës në një institucion partner të biznesit; Evropianizimit padyshim dhe për sa i përket efiçencës në kontributin e doganës, në përpjekjen e përbashkët ndërinstitucionale për të ndërtuar një shoqëri të drejtë.
Pikë së dyti, sigurisë, në kuptimin e një aktori të rëndësishëm në ndalim e trafiqeve dhe kontrabandës. Të dyja këto kufij si mure vendosur zhvillimit të vendit tonë dhe janë kthyer si vraga në fytyrën e Shqipërisë, botërisht të treguar me gisht, si vend i korruptuar.
Sigurisë, dhe në kuptimin e qenies pjesë e institucioneve që përbëjnë shtyllën e tretë të Bashkimit Evropian, asaj të kooperimit policor dhe juridik për të gjithë sferën e çështjeve kriminale.
Ajo çfarë dua të nënvizoj, me këto që thashë, është urgjenca që koha e re ka sjellë për ta riformatuar rolin dhe imazhin e këtij institucioni dhe gjithë aktorëve të përfshirë drejtpërdrejtë ose jo në aktivitetin doganor të Republikës së Shqipërisë.
Koha e re, që është vulosur me 1 milion vota për mirëqeverisjen, nuk pranon kurrsesi institucione të kohës së vjetër të keqqeverisjes, ku korrupsioni më bashkëkohor i metodave deri tek më të sofistikuarat, puqej me kushtet mesjetare të shërbimit. Kushte mesjetare si ato të doganës së Durrësit, apo të Hanit të Hotit, që unë i pashë me sytë e mi këto ditë. E po njësoj në Morinë, në Kakavijë, në Kapshticë e me radhë, që janë mishërimi më turpërues i zhvlerësimit të shtetit, i zhvlerësimit të sipërmarrjes, i zhvlerësimit të vetë qytetarit dhe i zhvlerësimit të vetë të ardhmes së këtij vendi, në çdo portë hyrëse të vendit. Ato duken si emblema të kufirit që ndan mesjetën me botën moderne, duke e lënë të parën, mesjetën këtej nga Shqipëria dhe të dytën, në largësinë e krahut, por gjithnjë të paarritshme deri më sot për çdo qytetar që jeton sot në këtë vend, dhe për çdo sipërmarrës vendas apo të huaj që punojnë në këtë vend apo me këtë vend.
Me jetësimin e një bashkëpunimi të gjerë të qeverisë, të miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të gjithë drejtuesve dhe punonjësve të administratës doganore, e së fundmi edhe të skuadrës së “Crown Agents”, dogana shqiptare duhet të bëhet me se s’bën dhe pa humbur kohë si çdo doganë evropiane një instrument financiar me natyrë sociale.
“Kufijtë ndajnë, doganat afrojnë”, ishte slogani i Ditës Ndërkombëtare të Doganave në vitin 2012, që flet qartazi për kompleksitetin e punës dhe rëndësinë që ka dogana, si një institucion, sa i marrëdhënieve ndërkombëtare, aq edhe i marrëdhënieve sociale. Mirëpo dy vjet më vonë , Dita Ndërkombëtare e Doganave e gjeti përsëri Shqipërinë në çdo doganë, keq e mos më keq, siç ka qenë prej vitesh.
Këto tre muaj të parë të punës së doganave, në drejtimin e ri, falë punës shumë të lavdërueshme të drejtores së përgjithshme dhe të një grupi të ngushtë njerëzish në këtë drejtim të ri, janë hedhur hapat e parë në rrugën e duhur dhe kanë dalë edhe problemet akute që i tregojnë faktet dhe shifrat.
Unë nuk do të merrem me shifrat. Është e qartë që në këta tre muajt e parë, përfshi edhe muajin e katër, që është ky i janarit, shifrat flasin për një përpjekje të lavdërueshme. Por, për mua, këto nuk janë asgjë më shumë se kaq, sot që flasim. Sepse, qasja jonë ndaj veprimit të doganës nuk ka të bëjë vetëm me shifrat e një tremujori, as vetëm me zgjidhjen e problemeve akute, jo pak komplekse në fakt, në arkëtim, në deklarime të natyrës administrative, por ka të bëjë me transformimin rrënjësor të këtij institucioni, ka të bëjë me transformimin rrënjësor të kulturës së punës, ka të bëjë me transformimin rrënjësor të vijës së sjelljes, me shtetin apo me individin, të çdo doganieri.
Kjo është edhe arsyeja pse ne kemi kërkuar asistencën e “Crown Agents”. Padyshim që rezultatet e asistencës do të mishërohen në shifra, por ajo çka ne presim nga kjo asistencë, është pikërisht kontributi i paçmuar që “Crown Agents” mund të japë në transformimin rrënjësor të kulturës së punës së doganave dhe të vijës së sjelljes së çdo doganieri apo doganiereje të Republikës së Shqipërisë.
“Crown Agents”, do të ndërmarrin sipas kontratës 450 kontrolle në muaj dhe po sipas kontratë do të na ndihmojnë që të garantojmë këtë vit rritjen me 1 % të GDP-së vendit, nga të ardhurat e doganave. Por dua që ta përsëris se edhe pas kësaj ky për ne mbetet një përmirësim afatshkurtër, ndërkohë që ajo çka ne na intereson më së pari dhe ku do të fokusohemi me shumë këmbëngulje është përmirësimi afatgjatë dhe transformimi i qëndrueshëm afatgjatë i doganave të Shqipërisë. Ne nuk jemi të interesuar t’i ofrojmë askujt, as qytetarëve e as partnerëve tanë ndërkombëtarë rezultate afatshkurtra, të cilat le ta themi siç është, nuk kanë munguar as në të shkuarën, por e shkuara ka treguar se rezultate afatshkurtra të pashoqëruara me organizmin e punës transformuese nga themelet, mbeten sporadike dhe mbeten tërësisht të paqëndrueshme.
Ne jemi të vendosur tek transformimi për rezultate të qëndrueshme që kanë të bëjnë me sistemin, që kanë të bëjnë me burimet njerëzore e financiare, që kanë të bëjnë me zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.
Rrjedhimisht ne synojmë ndërtimin e një sistemi doganor si mundësi që i jepet profesionalizmit, integritetit, padyshim talentit, si një përgjegjësi që i jepet skuadrës, si një mbështetje që i jepet motivimit për të kontribuar me punë në të ardhmen e përbashkët, si partneritet ndaj biznesit dhe si bllokadë ndaj korrupsionit.
Në këtë sistem, që gjeneron një profil krejt të ri për doganën shqiptare, bëhet padyshim i domosdoshëm ripërcaktimi, me standarde evropiane, i rolit dhe profilit të punonjësit të doganës.
Këtu ka një numër të konsiderueshëm të punonjësve të doganës. Janë ende më shumë siç tha drejtorja. Por, besoj se askujt nuk i mbetet hatri, në qoftë se unë, e ndaj këtu me ju, atë që ju e dini të gjithë se, të quhesh doganier këtu në Shqipëri, nuk është ndonjë titull që të nderon, sot për sot. Fjala doganier është baraz me hajdut, sot për sot. E sigurisht, është këtu ku ne duhet të synojmë ndryshimin, për ta bërë fjalën doganier të barabartë me fjalën shërbëtor të vendit, të sipërmarrjes, të qytetarit.
Çdo punonjës i kësaj administrate duhet të bëhet një kujdestar i zellshëm i partneritetit të shtetit me biznesin, në një atmosferë në të cilën punonjësi i administratës doganore, doganieri apo doganierja, duhet të mishërojë integritet, përgjegjshmëri, padyshim profesionalizëm dhe transparencë. E mbi të gjitha duhet të rrezatojë qytetari apo shqip “njerëzillëk”, në komunikimin me sipërmarrësin, në komunikimin me qytetarin. Kjo e fundit, le të jemi të vërtetë me njeri-tjetrin, mund të ishte më e para, që mund të vihej në jetë, është me e vështira për t’u vënë në jetë, në kushtet kur i gjithë sistemi është i kalbur dhe kur kultura e institucionit është jo kultura e shërbimit, por kultura e rrëmbimit.
Padyshim që “roli i kujdestarit”, në një lidhje sa sociale aq ekonomike, nuk mund të luhet nëse nuk luhet në skuadër dhe nëse nuk krijohen kushtet që mundësojnë, rritjen e standardeve dhe të përformancës së çdo individi, së çdo kolektiviteti brenda sistemit të përgjithshëm të punonjësve të doganës.
Si pjesë e skuadrës, që ka detyrimin të krijojë kushtet në fjalë, qeveria në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të administratës doganore do të sigurojnë:
1- Transformimin e mjediseve të aktivitetit doganor, duke nisur nga puna menjëherë për ato projekte të munguara që do të na japin mundësinë të garantojmë edhe financimet përkatëse, që brenda 4 viteve të gjitha pikat doganore të Shqipërisë, të mos kenë asnjë dallim nga pikat doganore të një vendi evropian.
2- Gjithëpërfshirjen në vendimmarrje që ndikon drejtë për drejtë punën e punonjësve dhe punën e doganës në tërësi.
3- Angazhimin e administratës doganore në trajnime intensive dhe të vazhdueshme, si dhe në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare;
4- Përfshirjen në nisma sociale;
Së fundi, e mbi të gjitha, garantimin e komunikimit të pandërprerë mes doganës dhe biznesit.
Më lejoni që idenë e institucionit të doganës me natyrë sociale dhe të profilit social e kulturor të doganierit, si punonjës i kësaj administrate, ta ilustroj me një shembull. Ka shumë, por një po ju sjell. Në 2010-ën, në Lojërat Olimpike të Vankuverit kanë marrë pjesë si sportistë 19 doganierë francezë, tre prej të cilëve kanë marrë edhe medalje dhe janë kthyer në punë, pastaj, në doganë. Parafytyroni tani doganierin shqiptar duke vrapuar më shumë se 100 metra dhe duke marrë edhe medalje në një aktivitet ballkanik. Parafytyroni doganierin shqiptar duke bërë maratonë, dhe me radhë.
E mos mendoni që kur flas për figurën e doganierit kështu, e harroj se të njëjtin reputacion, ndoshta edhe më të keq, ka edhe politikani, po e marrim si figurë. Kështu që jemi të gjithë në një anije, nga ku duhet të dalim të gjithë dhe duhet të marrim me not rrugën për të dalë në bregun tjetër, se përndryshe, mirë që jemi të mbytur vetë, por do mbysim të gjithë shoqërinë në këtë anije, në qoftë se nuk ndryshojmë kulturën e punës e të sjelljes, të gjithë sëbashku. Për këtë jemi këtu.
Nga ana tjetër, nuk ka asnjë dyshim, se kushtet që i ofrohen kolegëve tuaj në vendet e BE-së, por edhe të rajonit, janë shumë më të mira se ato që u janë ofruar në vite punonjësve të administratës tonë doganore, në çdo aspekt. Edhe pse kjo nuk përbën pastaj një justifikim për t’ju përgjigjur me kilogramë shtesë këtyre kushteve dhe për të pasur ekipin doganor me mesataren e peshës më të lartën në botë.
Gjithsesi, ajo që dua të nënvizoj, pa u zgjatur më shumë këtu, është për të thënë se çfarë kuptohet me “doganier apo doganiere” dhe me doganë në Bashkimin Evropian dhe sa larg është kuptimi i këtyre termave në Bashkimin Evropian me kuptimin e këtyre termave në Shqipëri. Në Shqipërinë që synon të integrohet në Bashkimin Evropian.
Dhe sfida jonë është që kuptimin e këtyre termave ta përafrojmë përditë, çdo ditë, intensivisht e me këmbëngulje, dhe ta barazojmë në vlerë statusin e doganierit dhe doganieres, në raport me statusin që ky profesion e ky shërbim ka në vendet normale, në vendet e BE-së. Dhe jam i bindur se përbërja e skuadrës së “Crown Agents”, një skuadër ndërkombëtare me lojtarë nga të gjitha vendet, që nuk është se kanë prodhuar futbollistë të mëdhenj, por me siguri prodhojnë cilësinë më të lartë ndaj qytetarit në botë, do të ndihmojë që edhe skuadra e doganës shqiptare të rrisë cilësinë e shërbimit dhe t’i përafrohet si profil skuadrave të doganave të Bashkimit Evropian.
Nga ana tjetër, dua të nënvizoj domosdoshmërinë që, pa humbur kohë me justifikime legjitime për kushtet e vështira, institucioni vetë, falë kontributit të gjithsecilit, të transformohet nga një mekanizëm i dyfishtë shkatërrimi, – që nga njëra anë është mësuar të funksionojë si zhvatës i biznesit dhe nga ana tjetër është detyruar të funksionojë si ushqyes i makinerive elektorale të partive, dhe nga ana tjetër i është kthyer kështu pengesë punës e suksesit të bizneseve dhe rrjedhimisht, ekonomisë së vendit, duke trajtuar biznesin me kategori: klientët e pushtetit dhe mishi për gjuetinë e shtrigave të pushtetit, – të kthehet në një kantier të modernizimit të shtetit.
E në këtë aspekt, besoj se kjo qeveri është garancia e parë që askujt nuk i kërkohet të tolerojë askënd jashtë binarëve të ligjit dhe askujt nuk i kërkohet që t’i hidhet në qafë kurrkujt për llogari të “pushtetit të Maliqit”.
Ky është një rol që ne e kemi marrë, ky është një rol që Drejtorja e Përgjithshme e ka marrë, ky është një rol që drejtimi i ri i doganës e ka marrë, ky është një rol që çdokush që punon në administratën doganore duhet ta marrë ose përndryshe nuk ka vend në administratën doganore.
Dhe është kënaqësi të shohësh, për të mos thënë vetëm njërën anë të medaljes, angazhimin e Drejtores së Përgjithshme dhe drejtuesve të rinj në administratën doganore. Është burim shprese për të nesërmen, jo të pasnesërmen, por të nesërmen, që do të thotë shumë më shpejt sesa mendojmë kur flasim për nesër, kooperimi midis doganës dhe “Crown Agents”, që në konsideratën time janë një vlerë e shtuar, e paçmueshme, në përpjekjen tonë të përbashkët për transformim rrënjësor dhe rezultate të qëndrueshme të doganës shqiptare.
Roli i doganës shkoi përtej doganës, sepse është një rol i padiskutueshëm për të zhvilluar ekonominë legale, për të luftuar me atë informate, për të kontribuar në sigurimin e asaj konkurrence të lirë dhe të asaj klime besimi, pa të cilat ne nuk mund të kemi rritje të investimeve në Shqipëri dhe as mund të pretendojmë të kemi optimizmin e domosdoshëm që i duhet biznesit, për të menduar për të ardhmen, pa u trembur nga çfarë e pret në të sotmen.
Roli i doganës është esencial në mbrojtjen e konsumatorit dhe në luftën me trafiqet dhe me krimin e organizuar.
Të gjitha këto janë arsye plus për të kuptuar qoftë rëndësinë jetike që kanë doganat për mbarëvajtjen e shtetit dhe të shoqërisë, qoftë dhe rëndësinë jetike që ka transformimi që ne duhet t’u bëjmë sot doganave.
Qarkullim i lirë dhe siguri e garantuar për të gjithë në rrugën e lirisë së konkurrencës dhe të barazinë para ligjit, janë dy fjalë kyçe për doganën, që e përkufizojnë vetë misionin, që ka të bëjë me kohezionin social dhe me integrimin e brendshëm dhe me jashtë të vendit. Janë dy fjalë që tregojnë origjinalitetin e patjetërsueshëm të punës së doganës në lidhje me zbatimin me përpikëri të rregullave e ligjit, por pa dekurajuar qarkullimin në lidhje me garantimin e rendit ligjor, pa dekurajuar zhvillimin.
Doganat evropiane, se folëm më parë, nuk kanë qenë gjithmonë kështu siç janë sot, institucione me një rol kompleks dhe me një profil social, me procedura të thjeshtëzuara dhe të modernizuara, me burime njerëzore të pastra e super të kualifikuara. Nuk e di sa nga ju e kanë parë një film që titullohej “Asgjë për të deklaruar” dhe që fokusohet në një pikë doganore franko-belge. Mund t’ju them se më ka rënë rasti ta shoh, se edhe Evropa ku duam të integrohemi, edhe dogana e doganierët evropianë, që sot i shohim me admirim, e kanë kaluar këtë komedinë tonë, me doganierë që nuk janë fare atletikë dhe që janë armiqësorë me palën përballë, që janë dyshues, madje torturues, me këdo që ju del përpara dhe që do të kalojë traun. Nga ajo kohë e filmit në fjalë, roli i doganës në BE ka evoluar rrënjësisht dhe jo vetëm për shkak të lirisë së qarkullimit, por edhe për shkak të zhvillimeve ekonomike dhe teknologjike, të cilave shtetet e BE-së i janë adoptuar për të mbrojtur qëndrueshmërinë e mirëqenies së tyre. Sepse dogana, në fund të fundit, është mbrojtësja më e parë e qëndrueshmërisë së mirëqenies së një vendi.
Ajo çfarë na duhet ne tani është që t’i përgjigjemi kësaj sfide. Sfidës së mbrojtjes së qëndrueshmërisë së motiveve, të zhvillimeve dhe të rezultateve që në shenjat e para duken mjaft pozitive, por që në asnjë mënyrë nuk duhet që të na gënjejnë, duke menduar se do të shkojnë duke u rritur vetë.
Duke shprehur bindjen se në një kohë më shkurtër nga ç’e mendojmë dogana do të ketë një profil të ri, nëse arrijmë të kemi çdo punonjës të saj si pjesë aktive e një skuadre për transformimin e doganës, dhe duke sugjeruar në fund që Drejtorja e Përgjithshme të mos harrojë të ndërrojë kostumet aktuale të doganierëve, – se ato vetëm kostume përfaqësuese të një dogane që është në mes të Evropës nuk janë, – madje duke e siguruar Drejtoren se ne do ta mbështesim fuqimisht që ta fillojë nga kjo dhe që këtë vit doganierët të pajisjen me kostumet e duhura, qoftë për dimër, qoftë për verë, unë ju uroj të gjithëve shumë sukses dhe shpresoj shumë që skuadra e doganës të funksionojë si një skuadër e vërtetë kombëtare, në çdo pikë ku ajo ka aktivitetin e vet. Dhe, mbi të gjitha, të mos harrojë se nuk e ka ngarkuar njeri të jetë në sulm kundër bizneseve, por është në sulm kundër trafiqeve dhe kontrabandës. Dhe nuk e mirëkupton askush nëse do të jetë në mbrojtje të privilegjeve dhe korrupsionit, por duhet të jetë në mbrojtje të bizneseve dhe të çdo lirie e të drejte, që çdo qytetar gëzon, kur troket në portin e vendit të tij.
Faleminderit shumë. Suksese punonjësve shqiptarë të doganës dhe suksese edhe skuadrës ndërkombëtare që na është bashkëngjitur. Kam bindjen se shqiptarët që ia gjejnë ilaçin çdo gjëje nuk do të gjejnë dot kushërinj finlandezë, nuk do gjejnë dot kushërinj letonezë, nuk do gjejnë dot kushërinj anglezë dhe kështu, të paktën, do të shpëtojmë nga faturat që konsultohen me kushërinjtë.