Tërmeti i 26 nëntorit e goditi fort Bubqin, por plani i ri zhvillimor për këtë zonë do ta kthejë atë në një pol të ri modern, me organizim infrastrukturor shumë herë më të mirë se sa ai që tërmeti shkatërroi. Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministrja e Kulturës Elva Margariti, ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe nga kryetari i Bashkisë Krujë, Artur Bushi, inspektuan zonën e punimeve në Bubq, ku plani për çeljen e kantierit të rindërtimit është në fundqershor – fillimkorrik.
“Pjesa në hyrje të Bubqit kthehet në një pol, me polici, postë dhe qendër shëndetësore dhe në anën tjetër do të kemi pjesën e tregut, të shërbimeve dhe godinat, të cilat aktualisht shërbejnë për shërbimet ndaj komunitetit, do të përfshihen dhe në një treg. Kjo do jetë qendra e re administrative, një treg lokal për të pasur mundësi dhe banorët që nga parcelat bujqësore gjithë produktet t’i sjellin në treg ku të ketë dhe produkte lokale”, – u shpreh ministrja Margariti. Ndërkohë edhe shkolla e zonës, e cila ka patur dëmtime të mëdha është shembur dhe do të rindërtohet, duke u bërë pjesë e integruar e gjithë ndërhyrjes.
“Shkolla zgjerohet në funksione. Ka qenë një shkollë e mesme e bashkuar, kthehet në një qendër komunitare. I shtohet dhe pjesa 9 vjeçare. Hapësira e shkollës ka qenë e integruar me planin e detyruar vendor. Shtohen funksione të reja, do të ketë palestra si jashtë dhe brenda. Kthehet në qendër komunitare që do të thotë se pasditeve ka funksione të shtuara, që të munden edhe banorët të vazhdojnë të sjellin fëmijët e tyre, të ketë biblioteka dhe hapësira ku mund të kalojnë pjesën pas shkollore”, – theksoi ministrja e Kulturës.
Me qendrën e re urbane që do të krijohet falë projektit të rindërtimit, fëmijët do të kenë më shumë hapësira rekreacionale. Kryebashkiaku i Krujës nënvizoi se falë këtij projekti përfitojnë 250 familje. Ministrja Margariti vuri në dukje se “këtu janë të gjitha copëza që nuk ishin të lidhura me njëra-tjetrën dhe krijon zemrën e re rezidenciale ku arrijmë të akomodojmë jo vetëm banorë këtu, por për të krijuar atë model që kemi thënë që banorët, të cilët vijnë këtu, ruajnë parcelën e tyre bujqësorë më larg dhe kanë mundësinë që dhe në tregun lokal që nëse do fuqizohet akoma më tepër, duke marr rëndësinë e produktit lokal, kthehet fare mirë edhe në atraksion për qytetet e mëdha që ka afër”.
Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj informoi se deri të dielën, bashkia përfundon vlerësimin final të përfituesve që nga DS1 deri në DS4. Sakaq Kryeministri konfirmoi dhe një herë se “do t’i ndërtojmë të gjitha shtëpitë e do fillojmë punimet edhe këtu dhe në zonat e tjera, kështu që dhe pak durim e gjithçka do jetë siç e kemi thënë”.
Newsroom
Ndryshim rrënjësor i infrastrukturës së Bubqit