Fjala e Kryeministrit Edi Rama në pritjen me personelin e shërbimeve më të mira shëndetësore në vend:
Në radhë të parë do dëshiroja që të ftoja që të vinin këtu me ne edhe protagonistët kryesorë të kësaj mbrëmjeje. Drejtoren e QSUT-së, drejtoren e spitalit të Vlorës dhe tre shefat e shefat e shërbimeve që në bazë të një vlerësimi të bërë nga Ministria e Shëndetësisë u përcaktuan si tre shërbime për t’u marrë shembull dhe për ta promovuar këtë shembull duke, nga një anë, çmuar kontributin e gjithë trupës që është në këto shërbime, por edhe duke ju ftuar të gjithëve ju këtu bëmë diçka të re, përmes vlerësimit financiar, qoftë për ju, qoftë për trupat mësimore të 10-të shkollave më të mira, të klasifikuara si të tilla nga rezultatet e Maturës Shtetërore të këtij vit, qoftë edhe për studentët e ekselencës edhe për të gjithë nxënësit me 10-ta në Republikën e Shqipërisë.
Sigurisht që nuk ju them asnjë sekret në qoftë se e ndaj me ju, më shumë si një sfidë sesa si një konstatim, reagimin e shumë qytetarëve në adresën time, në adresën e Ministrit, në adresën e Qeverisë: “Po atyre pse ju dhatë shpërblim, se ata kanë”. E kishin fjalën për ju. Është një perceptim i rëndë për të gjithë shërbimin shëndetësor në Shqipëri. Nuk është absolutisht i pabazë, por sigurisht është në të njëjtën kohë edhe një sfidë shumë e madhe për ta përmbysur si perceptim sepse siç e thotë edhe populli ynë “më mirë syri sesa nami”. E, nami i shëndetësisë është vërtetë për të mos u pasur zili.
Ndërkohë që ju e dini mirë se sa ç’është e vërtetë baza që e ka krijuar këtë nam, aq është e vërtetë që në sistemin shëndetësor nuk janë të pakët, përkundrazi, ata që punojnë me përkushtim, punojnë me profesionalizëm, punojnë edhe duke sakrifikuar. Pasi është shumë e lehtë ta thuash diçka, shumë e vështirë ta bësh dhe akoma më e lehtë të flasësh për si duhet të jetë shëndetësia dhe akoma më e vështirë ta bësh shëndetësinë si duhet të jetë, pasi përtej çfarë mund të ofrojnë njerëzit në sistem është sistemi i cili ka nevojë për një ristrukturim rrënjësor, për një reformë të gjithanshme, për kushte shumë më të mira.
Shumë nga ju këtu, unë kam nderin ti njoh edhe personalisht, kanë bërë specializime jashtë vendit, kanë punuar në klinika jashtë vendit dhe e dinë mirë se çfarë dallimi i madh është nga pikëpamja e kushteve, jo vetëm për pacientët, por edhe për mjekët, infermierët, për të gjithë njerëzit e sistemit, situata në të cilën ndodhet sot sistemi ynë shëndetësor. Sipas të dhënave të Bankës Botërore çdo vit janë 100 milionë njerëz që bien në varfëri për të paguar kostot e kurave shëndetësore.
Sfida jonë, që është sfida për një mbulim universal apo siç quhet ndryshe për shëndetësinë falas, për shëndetësinë që garanton këdo, pavarësisht se ka apo nuk ka lekë, nuk është vetëm një kërkesë për një shëndetësi më të mirë, por është një kusht për barazi, siç thotë Presidenti i Bankës Botërore, një mjek i famshëm Korean, Jim Yong Kim.
Në programin e Qeverisë mbulimi universal është një prej pikave kryesore të strategjisë sonë për shëndetësinë. Ju jeni të parët që e dini më mirë se kushdo tjetër, por sigurisht që çdo njeri me një fije logjike dhe me një ide për punën dhe për gjërat që bëhen për punë, se për të shkuar tek mbulimi universal na duhet jo vetëm të përballojmë një sërë sfidash, por dhe të bëjmë më parë disa hapa të rëndësishëm dhe themelorë. Këtë vit ne kemi hedhur hapat e parë dhe nisja me sukses, nga sa duket, e zbatimit të programit për kontrollin bazë falas për moshat nga 44 deri në 60 vjeç, është një hap që shkon në këtë drejtim.
Dy sëmundjet me prevalencën më të lartë në Shqipëri dihet botërisht janë sëmundjet kardiovaskulare dhe sëmundjet tumorale dhe një prej shkaktarëve kryesorë të tyre njihet po botërisht që është duhanpirja. Zbatimi me rigorozitet i ligjit antiduhan, që më në fund, me sa duket, është në rrugën e implementimit të mbarë pas shumë tentativash të dështuara, është një prej investimeve më të rëndësishme për shëndetin dhe një prej përpjekjeve që janë shumë më tepër se kaq për ta zvogëluar gradualisht prevalencën e këtyre sëmundjeve vdekjeprurëse. Ashtu sikundër shkon në këtë drejtim edhe rritja dy herë që ne i kemi bërë taksës mbi duhanin, duke marrë mallkimet e të lidhurve si mishi me kockën me këtë ves dhe duke qenë të bindur se jo vetëm që bëjmë diçka të mirë, por se edhe ata që nuk e lënë dot brenda vetes e dinë mirë që kjo është një ndihmë në fund të fundit dhe nuk është një taksë që rritet padrejtësisht.
Faktikisht, ne e morëm mandatin në kushte që, sinqerisht, nuk ishin për t’u patur zili. E siç u përballëm me një emergjencë kombëtare horizontalisht, në të gjithë sektorët, u përballëm me një emergjencë kombëtare në fushën e shëndetësisë. Jo vetëm sepse sistemi shëndetësor perceptohej nga publiku si një prej shërbimeve shëndetësore më të korruptuara në Shqipëri, por edhe sepse i gjetëm spitalet pa ilaçe dhe gjetëm një borxh të akumuluar për furnizime të kryera dhe të papaguara, që ishte aq i lartë sa kishte mjaftuar që furnitorët të stoponin furnizimet.
U përballëm me mjekë dhe infermierë të dekurajuar në tërësi nga mosfunksionimi i sistemit dhe me një motivim shumë të ulët për të përditësuar dijet e tyre profesionale. Më shumë se 40 milionë dollarë ishin borxhet e akumuluara në kuadrin e një mali borxhesh që na kishte zënë rrugën qysh në hapat e para të qeverisjes, prej 720 milionë dollarësh, në formën e shërbimeve, kontratave të papaguara për furnizime të kryera, apo për punë të kryera, ose në formën e TVSH-së së parimbursuar.
Materialet mjekësore, barnat ishin sfida e parë e momentit dhe unë jam shumë i lehtësuar që atë moment dramatik e kaluam përgjithësisht pa tragjedira. Shumica e aparaturave diagnostifikuese, ju e dini më mirë se unë, në spitale ishin jashtë shërbimit dhe në laboratorë pothuajse mungonin plotësisht materialet për të kryer testimet e nevojshme. Investimet shtetërore, si kudo edhe në sistemin shëndetësor ishin të tëra të lëna përgjysmë dhe çmimi i branave, me një tendencë rritjeje të papranueshme vit pas viti.
Nëse më kërkohet t’i jap përgjigje pyetjes: A është sot, sistemi shëndetësor më mirë se ç’ishte në momentin për të cilin po flisja? Këtë përgjigje e jap pa as më të voglin dyshim, që: Po! Sepse siç e nënvizoi edhe Ministri, – të cilin gjej rastin ta falënderoj edhe përpara jush, por edhe publikisht, për një drejtim absolutisht në rrugën e duhur të shëndetësisë dhe për një përkushtim të posaçëm, pa orar, për të bërë bashkë me ju më të mirën mundshme në kushte të pafavorshme, – nëse duhet t’i përgjigjem pyetjes: A është shëndetësia sot aty ku duam, jo vetëm unë, por besoj të gjithë ju dhe bashkë me ju, të gjithë njerëzit brenda sistemit, nuk thonë dot “Po”. Përkundrazi, mbase ju jeni edhe më kritikë, nëse do t’ju duhet të uleni dhe të shkruani një opinion kritik për sistemin shëndetësor.
Buxheti i parë i yni, buxhet, siç e dini, i hartuar në kushte emergjence dhe në kushtet e një katrahure financiare ishte më i madhi për shëndetësinë në 10-të vitet e fundit dhe 9.1 % më i lartë se ai i një viti më parë dhe 92% e borxheve janë shlyer. Në ditët e ardhshme, jo në vitet e ardhshme, as në vitin e ardhshëm, por në ditët e ardhshme, në ditët e fundit të vitit buxhetor, gjithë detyrimi do të likuidohet. As më shumë e as më pak, por rreth 40 milionë dollarë nuk janë më në kurrizin e sistemit.
Në 2014-n u realizua një furnizim i plotë dhe i vijueshëm i spitaleve me barna dhe materiale mjekësore dhe u shtuan 189 barna, në krahasim me vitin 2013. Sasia e furnizimit ishte 1.5 herë më e lartë dhe deri në dyfish për mjekimin e sëmundjeve tumorale. Shumë skepticizëm ndeshëm në kohën kur shkruanim programin, nuk flas vetëm për skepticizmin e palëve të tjera politike, që është fiziologjik për një demokraci, por flas për skepticizmin edhe mes jush, kur konsultoheshim për programin lidhur me uljen e çmimeve të barnave dhe me heqjen e TVSH-së për barnat. Faktikisht, sot jemi në kushtet kur është provuar se heqja e TVSH-së dhe një regjim i ri administrimi i procesit, qoftë të blerjes, qoftë edhe të përdorimit të barnave, ka sjellë ulje të konsiderueshme të çmimeve. Ne jemi shumë të vendosur që të arrijmë që në Shqipëri të mos ketë mw asnjë ilaç që është më i shtrenjtë sesa në vendin e origjinës. Lista e barnave të rimbursueshme është pasuruar me 55 ilaçe të rinj. Nga ana tjetër, sigurimi dhe funksionimi në vijimësi i pajisjeve biomjekësore të vendosura më në fund në kapacitet të plotë punë dhe në regjim kontratash me mirëmbajtje afatgjatë, është një garanci që sistemi mund të mbajë thellimin e reformave dhe mund të performojë më mirë.
Janë 10-të paketa pa pagesë, të financuara 100 % nga Qeveria, falas, që kanë nisur të zbatohen jo vetëm në spitalet shtetërore, por edhe në ato jopublike. Paketat përfshijnë shërbimet bazë të kardiokirurgjisë, të nefrologjisë, të kardiologjisë dhe të implantit koklear. E gjetëm sistemin pa autoambulanca. Kemi sot një rritje kapaciteti me 20 autoambulanca. Kemi një helikopter të ri të Urgjencës Mjekësore. Kemi një skaner të ri në Spitalin e Traumës. Një rezonancë të re magnetike në Spitalin e Traumës. Angioegrafin e ri për QSUT-në dhe për spitalin rajonal të Shkodrës. Janë shtuar dy mamografë të lëvizshëm dhe një listë relativisht e gjatë me EKG, me spirometra, me Echo zemre, me pajisje të provës kardiake, me inkubatorë të ri në maternitetin e Tiranës, me respiratorë dhe monitorë të rinj në reanimacionin e Spitalit të Traumës dhe aparatura të reja laboratori në maternitetin “Mbretëresha Garaldinë”. Laborator në spitalin rajonal të Durrësit, Fierit dhe Vlorës. Dhe vendosja e një pajisje të re për analizën e markuesve tumorale në QSUT-ë. Përsëri, ju lutem juve, por i lutem në radhë të parë atyre që na dëgjojnë, askush nuk duhet të mendojë se duke i renditur këto, unë mendoj, apo ne së bashku me Ministrin mendojmë që është bërë ndonjë hata e madhe, apo se është arritur pika ku ne të dalim para shqiptarëve dhe me krenari të themi ne ja dolëm tani në spitalet tona, në rrjetin e shërbimit tonë shëndetësor, ju keni atë që prisni. Megjithatë ofrimi i më shumë ekzaminimeve në 3 spitalet me dimension kombëtar, rreth 200 % më shumë ekzaminime imazherike në QSUT-ë, 20 % më shumë ekzaminime kimike dhe biokimime, po ashtu edhe 36 % më shumë në ekzaminime imazherike në Spitalin e Traumës, 43 më shumë ekzaminime klinike dhe biokimike po në Spitalin e Traumës, apo 200 % më shumë ekzaminime imazherike në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe me radhë, janë shenja të mira. Nuk janë arritje, por janë hapa drejt arritjes që duam për të vendosur gjithë sistemin shëndetësor dhe shërbimin tonë shëndetësor në një bazë të re. Po kështu, më kujtohet se kur kemi vizituar spitalin e Kavajës, përpara se ne të merrnim detyrën, jemi gjendur në kushtet e një mjedisi sureal. Një spitali i rikonstruktuar, ku s’kishte asnjeri. Sepse pjesë të tëra të spitalit nuk ishin në punë. Dhe mbi të gjitha, pajisjet nuk dinte askush t’i përdorte. S’ishin ndezur asnjëherë. E njëjta gjë me spitalin e Bajram Currit. Sot janë vendosur në funksionim dhe praktikisht janë realizuar, qoftë në spitalin e Kavajës, qoftë në atë të Bajram Currit, mbi 100 ndërhyrje. Kemi një Shërbim të ri Urgjence në spitalin rajonal të Vlorës dhe të Kukësit. Kemi një Shërbim të ri të Pediatrisë në Vlorë. Një shërbim që është edhe këtu i pranishëm, si një nga shërbimet më të mira që jepen në sistemin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë. Kemi një Kabinet të ri të Kimioterapisë në Durrës dhe po punojmë për kabinete të reja për kimioterapinë në spitalet e Korçës, Vlorës, Elbasanit dhe të Shkodrës, plus në spitalin e “Shefqet Ndroqi”.
Nuk po vazhdoj me çfarë është investuar dhe çfarë është ndërtuar, lista është e gjatë, por tërësia e gjithë këtyre gjërave është e pamjaftueshme për të thënë që ne kemi arritur. Por besoj është e mjaftueshme për të thënë që sistemi ka filluar të funksionojë, me problem të mëdha, me ritme që ndryshojnë nga një shërbim në tjetrin, edhe brenda një spitali, me mangësi ende të konsiderueshme, megjithatë me një pamje të qartë që tullat që po vendosen, po vendosen me rend dhe mbi bazën e një plani të qartë.
Përsëri këtu, përfitoj nga rasti që ta përgëzoj Ministrin, sepse është pa asnjë dyshim merita e tij e veçantë që ka arritur të krijojë kushtet për të mbledhur eksperiencat, për të mbledhur opinionet, për të mbledhur edhe vështrimet kritike brenda sistemit dhe për të sintetizuar në vazhdimësi një projekt që është shumë i madh, por që gjënë më të rëndësishme ka hapat që duhen hedhur njëri pas tjetrit.
Kemi nisur me një proces interesant, – e them dhe e shpjegoj pse e them interesant, – të monitorimit antikorrupsion të 44 spitaleve dhe 150 shërbimeve spitalore të vendit. Kemi angazhuar një numër të konsiderueshëm studentësh dhe të rinjsh për ta bërë këtë monitorim antikorrupsion në kushte tërësisht të pavarura nga menaxhimi i spitalit, apo nga menaxhimi i shërbimeve. Rezultatet e para janë interesante, sepse tregojnë që perceptimi i përgjithshëm për shëndetësinë, që është shumë i rëndë, nuk është i njëjti me shprehjen aty për aty të opinionit, sepse opinioni shprehet në mënyrë të fshehtë, i atyre që sapo e kanë marrë shërbimin. Shprehja e drejtpërdrejtë e opinionit në mënyrë të fshehtë të atyre që e kanë marrë shërbimin është shumë më inkurajuese sesa perceptimi. Në janar hyn në fuqi një sistem i ri i monitorimit të korrupsionit në shëndetësi, të cilin ne e kemi adoptuar bazuar në një histori suksesi në një vend tjetër, jo europian, që pastaj është kthyer në një mekanizëm të monitorimit të korrupsionit në shumë vende.
Është një mekanizëm i thjeshtë, përmes shërbimit të telefonisë celulare që merr nga çdo pacient që del, apo nga çdo person që merr një shërbim dhe del nga spitali, një opinion. Përsëri, në testimet e para që janë bërë, se po testohet sistemi, vlen ajo që thashë, shprehja e opinioneve të drejtpërdrejta dhe të atyre që sapo e kanë marrë shërbimin është shumë më inkurajuese sesa perceptimi. Madje për mua personalisht, do ta ndaj me ju, ka qenë më shumë sesa inkurajuese, ka qenë shpresëdhënëse të lexoja të gjitha opinionet e shprehura nga qytetarët. Ku jam ndjerë mirë kur kam lexuar konsiderata, kuptohet jo nga të gjithë, por ka pasur dhe shprehje konsideratash me emër për mjekë apo për infermiere që ju kanë shërbyer. Konsiderata, të dhëna në mënyrë aspak hipokrite, sepse sistemi është i tillë që garanton privatësinë dhe nuk vendos në pozitë të vështirë askënd. Dhe për më tepër, nuk kanë pasur më asnjë nevojë që të shprehen pozitivisht, apo të shkojnë përtej shprehjes pozitive që “mirë, dakord, çka”, duke vlerësuar me emra dhe me mbiemra mjekë dhe infermierë.
Ministri foli për investimet. Ne duam që Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ta kthejmë në modelin rrezatues të rilindjes së sistemit shëndetësor. Unë jam i bindur që ne do t’ia dalim ta realizojmë këtë. Nuk e harroj që përpara zgjedhjeve e kam shprehur dhe vazhdoj ta kemi bindjen që kur ne të mbarojmë detyrën për kaq vite sa na ka caktuar vullneti i popullit sovran, pra në vitin 2017, unë kam shumë dëshirë që në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” të mund të bëjmë një krahasim jo me shifra, as me përqindje, por me gjendjen faktike të spitalit dhe me konsideratat autentike të atyre që shërbejnë në atë spital.
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është një laborator për këdo që do të donte të bënte një raport të tranzicionit spitalor në Shqipëri. Është një spektakël që i ka brenda që të gjitha. Mjafton të ecësh nëpër korridore dhe të shohësh sesi ndryshojnë pllakat edhe brenda një korridori, sepse ka mbaruar një tender deri tek mesi, ku ka filluar tenderi tjetër është pllakë tjetër, pastaj lartësitë e dyerve dhe kështu me radhë, për të kuptuar shumë më tepër se kaq. Nga ana tjetër, mënyra sesi ka evoluar gjatë këtij viti kjo Qendër dhe mënyra sesi në disa pika të tjera, Spitali i Vlorës është një pikë tjetër ku mund ta shikosh ndryshimin konkretisht dhe faktikisht, janë arsye të forta për të qenë të inkurajuar. Investimet do të jenë të mëdha vitin e ardhshëm për shëndetësinë, për Qendrën Spitalore Universitare
“Nënë Tereza”, ku synimi ynë është që ta përmbyllim brenda tre viteve të ardhshme të gjithë projektin e famshëm që nuk u realizua kurrë.
Nga ana tjetër të garantojmë një shërbim urgjence që të jetë në një standard krejt tjetër. Por përsëri e përsëri, vlen e njëjta gjë, mund t’i bëjmë muret dhe sallat vërtetë siç duhet, mund t’i pajisim vërtetë siç duhet, por në fund fare cilësia e shërbimit varet përsëri nga “A”-ja, nga aty ku ka filluar historia e mjekësisë, nga mjeku dhe nga raporti i mjekut me pacientin. Për këtë arsye, të njëjtën gjë që ne po bëjmë me sistemin arsimor, do të fillojmë ta bëjmë vitin e ardhshëm me sistemin shëndetësor. Pra, do të fillojmë testimin dhe kreditimin e gjithë profesionistëve të sistemit shëndetësor. Nuk do të mbajmë në spitale dhe në sistem asnjë profesionist që nuk merr kreditë e duhura nga testimi. Që do të thotë, nga njëra anë t’i japim mundësi të plotë njerëzve që të jenë në duart e duhura, por nga ana tjetër, ti japim duarve të duhura mundësinë që të mos bëhen si këmbët e dhisë. Siç kanë qenë këto vite. Që pranë një Profesori të nderuar, apo një infermiere me eksperiencë të jetë një mjek që vetëm bluzën e mjekut ka se nga mjekësia nuk merr vesh fare, apo një infermiere që e kanë futur aty për t’i dhënë një punë, por që nuk dallon agën nga gozhda.
Në fund, do ta mbyll me autonominë spitalore që është kura intensive për të cilën ka nevojë sistemi, për t’i kthyer spitalet në ndërmarrje model, me pjesëmarrjen direkte të trupës mjekësore në vendimmarrje. Për t’i kthyer spitalet nga struktura që vazhdojnë funksionojnë si në kohën e komunizmit dhe vazhdojnë varen nga Ministria e Shëndetësisë, njësoj si në kohën e komunizmit, pavarësisht se kanë kaluar njëzetë e ca vjet, në struktura kompetitive autonome. Ku nuk është Ministria, apo një zyrë investimesh aty, apo një zyrë tjetër që përcakton se çfarë duhet blerë sot dhe çfarë duhet blerë nesër, por janë mjekët, trupa e mjekëve që bashkërendon nevojat, bashkërendon kërkesat dhe bashkërendon prioritetet dhe vendimmarrjen në funksion të një shërbim, ku mjeku që shërben në një shërbim publik të mos ndjehet në asgjë i diskriminuar në raport me mjekun që shërben në shërbimin privat.
Për ne duhet të vlejë e njëjta gjë!
Njësoj si me arsimin e lartë, njësoj si me sistemin arsimor parauniversitar, ne duam që shërbimi shëndetësor të ketë profesionistët më të mirë që ka vendi. Nëse ka 9 mijë sot, nga këta 9 mijë askush të mos jetë atje për të marrë rrogën, apo për të marrë ryshfetin, por të jetë atje sepse vërtet është një nga 9 mijë më të mirët.
Ju uroj nga zemra sukses! Uroj me gjithë shpirt që së bashku të mund t’i japim mjekut atë autoritet që i mungon prej kohësh, siç i mungon prej kohësh pedagogut, siç i mungon prej kohësh mësuesit e mësueses, siç i mungon prej kohësh policit. Se një shoqëri ku mësuesi, mjeku dhe polici nuk kanë autoritet është një bashkësi në dorë të Zotit.
Tani do të dëshiroja ta thyeja protokollin për t’ia kaluar fjalën për të thënë çfarë dëshirojnë dhe zonjat e zotërinjtë që padrejtësisht janë mbrapa kurrizit tim dhe fatkeqësisht, janë mbrapa një kurrizi që pothuajse i mbulon komplet. Që nuk është e drejtë, sepse në fund të fundit janë këta njerëz të nderuar sot që kanë bërë të mundur që këto shërbime të dallohen nga të tjerat. Por edhe për një arsye tjetër, që sa herë kemi mundësi ti japim zë dhe figurë protagonistëve real të betejës, për të përmirësuar institucionet, për të përmirësuar shërbimet.
Sigurisht edhe për një arsye të fundit, që ta ndajmë pak ekranin se nganjëherë më kujtohet ajo koha kur thoshin “më je bërë si Rikard Larja” dhe kam frikë se po ju bëhem edhe unë si Rikard Larja, duke më parë përditë në televizor. Rikardin e shihnim tek ai filmi “Duel i heshtur” që jepej dy herë në javë, ndërsa mua më shihni tek dueli i fjalëve që vazhdon përditë.
Faleminderit shumë edhe njëherë tjetër, dhe shumë respekte!