Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama gjatë prezantimit të Projektit për Diasporën dhe Emigracionin:

Së pari, jo formalisht, por sepse e vlerësoj si tejet të frytshme punën e bërë, dua të falënderoj mikun dhe kolegun Pandeli Majko, ministër i Shtetit për Diasporën, i cili jo thjesht ka organizuar këtë tryezë kaq përfaqësuese, por ka bërë të mundur që në këtë tryezë të gjendet sot, një dokument i rëndësishëm, si pikënisje për një proces që ne kemi ambicien ta çojmë përpara dhe ta mbyllim me sukses në aspektin e vet më parësor, regjistrimin e plotë të të gjithë shqiptarëve kudo ku ata jetojnë.

Dua të falënderoj posaçërisht përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Nuk është sekret, që do të dëshironim shumë që me të njëjtën gatishmëri dhe me të njëjtin sens të interesit të përbashkët që përfaqësuesit e kësaj pjese të opozitës iu përgjigjen ftesës, të kishim këtu edhe përfaqësuesit e opozitës kryesore, Partisë Demokratike. Kjo është një ndër ato tema që s’kanë qasje as majtas, as djathtas, por kanë një qasje unifikuese kombëtare.

Falënderoj në mënyrë të posaçme, jo sepse kështu është bërë gjithmonë zakoni, përfaqësuesit e vendeve mike partnere, që janë këtu të pranishme. Kam shumë besim që eksperienca e shumëllojshme, por shumë më e pasur se e jona, e shumë prej vendeve këtu të përfaqësuara është një burim që, nëpërmjet miqve tanë të pranishëm dhe nëpërmjet strukturave të vendeve të tyre, ne do të mund ta shfrytëzojmë në funksion të këtij procesi. Një proces ku ne nuk e konsiderojmë si pikëmbërritjeje këtë të sotmen, por vetëm si fillimin e një diskutimi më të gjerë mbi një dokument serioz, që është i hapur për sugjerime, i hapur për shtesa, i hapur edhe për shkurtime.

Në këtë proces, ne vijmë me të gjithë vullnetin e mirë, por edhe me vetëdijen se jemi larg së qenit të pajisur me të gjitha dijet e nevojshme, për ta bërë procesin sa më cilësor nga pikëpamja përmbajtësore. Për këtë arsye, edhe të tjerët që janë këtu të ftuar, së bashku me miqtë në rrethin e parë të tryezës, nëse mund ta them kështu, janë këtu, sepse çmohen si pika referimi për atë çka dinë dhe për atë çka mund të japin në këtë proces, për ta plotësuar edhe boshllëkun për të cilën, ne jemi të vetëdijshëm.

Nuk ka dyshim se ky është një proces shumëplanësh dhe edhe përfitueshmëria nga ky proces për Shqipërinë mund të konsiderohet si shumë më e gjerë sesa në një, dy apo tre aspekte të vetme. Nuk diskutohet se, duke qenë se ky proces synon edhe atë çka, besoj, ne jemi të fundit që nuk e kemi plotësuar në raport me vendet që janë rreth e rrotull, apo me vendet të cilave duhet t’i ngjajmë, përfshirjen e drejtpërdrejtë të të gjithë emigrantëve shqiptarë në procesin më të rëndësishëm të vendimmarrjes në vend, përmes votës. Kjo është një arsye shumë e fortë, që asnjë parti politike e përfaqësuar në Parlament të mos mungojë në këtë proces, të mos tregojë, apo të lërë të kuptohet, ose keqkuptohet, se nuk është e interesuar për votën e shqiptarëve jashtë atdheut.

Nga ana tjetër, nëse ka në Shqipëri, për njëmijë e një arsye, që në këndvështrimin tonë nuk janë objektive, forca që kontestojnë zgjedhjet, nuk ka një ilaç më efikas sesa rritja eksponenciale e përfshirjes në proces dhe e pjesëmarrjes në votim përmes përfshirjes së shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë, të cilët janë shumë larg nga çdo lloj mundësie për t’u influencuar brendapërbrenda vendit dhe janë shumë pranë vendit, për të influencuar pozitivisht vendimmarrjen.

Natyrisht, baza e këtij procesi është regjistrimi, i cili për fat të keq u la pas dore për çerekshekulli. Premtimi për të regjistruar diasporën tonë ka shoqëruar forcat politike njëra pas tjetrës, fushatë më fushatë dhe ishte një premtim kyç i qeverisë së krijuar në vitin 2005. Por hapi i parë serioz drejt realizimit të këtij synimi madhor u hodh vetëm vitin e shkuar. Mospërfillja e autoriteteve të mëparshme është e dokumentuar. Mjafton t’ju them se Instituti Shqiptar i Diasporës, i vetmi institucion për këtë fushë, që u krijua në Shqipëri, mirë a keq, në vitin 1996, u shkri në janar të vitit 2013, pa i lënë vendin asgjëje tjetër dhe pa përmbushur në fakt, asgjë në këtë fushë. Për fat të mirë, një vit më vonë, ky institucion u riorganizua si një drejtori më vete në Ministrinë e Punëve të Jashtme, por duke pasur konsideratë të plotë, pamjaftueshmërinë e tij dhe domosdoshmërinë për ta fuqizuar strukturalisht shtetin shqiptar, në funksion të këtij procesi dhe në shërbim të kësaj teme madhore.

Ne jemi të vendosur që vitin e ardhshëm të kryejmë regjistrimin, përkon edhe simbolikisht me Vitin e Skënderbeut, por në të gjitha rastet është një detyrë që ne kemi marrë përsipër dhe besojmë, kështu siç jemi organizuar, do t’ia dalim ta realizojmë gjatë vitit të ardhshëm, të paktën në masën më të madhe.

Synimi ynë është që në Samitin e Dytë të Diasporës të kemi realisht një rezultat konkret në fushën e regjistrimit të shqiptarëve jashtë atdheut, ashtu sikundër të arrijmë të materializojmë disa prej masave kryesore, që i vlejnë kësaj reforme të rëndësishme dhe që janë të përshkruara në dokumentin e paraqitur nga Ministri i Shtetit.

Edhe nisja e unifikimit të shërbimeve konsullore mes Shqipërisë dhe Kosovës i shërben po kësaj teme dhe racionalizon po këtë qasje. Diaspora është e përfshirë si element kyç në Strategjinë tonë për zhvillimin e vendit, “Strategjia 2015-2020”. Unifikimi i politikave tona, së bashku me shtetin e Kosovës dhe bashkëhartimi i projekteve të dedikuara për diasporën është një domosdoshmëri, që lidhet me atë çka e kupton çdo mendje e arsyeshme, se nuk mundet që t’i ndajmë shqiptarët jashtë kufijve të këtyre dy shteteve në dy entitete të ndryshme.

Programi Kombëtar Intershipeve, i hapur për të gjithë të rinjtë shqiptarë kudo ku ndodhen nëpër botë, është vetëm njëri prej programeve që ne duam të zhvillojmë në funksion të këtij projekti kombëtar.

Edhe zbatimi i projektit të Konsullatës Dixhitale, me 36 shërbime tërësisht të dixhitalizuara; edhe organizimi i vetë Samitit të Diasporës, si një institucion i ri përbashkues, ku shqiptarët mund të gjejnë kanalet e nevojshme për të komunikuar për çështje dhe fusha të ndryshme; edhe marrëdhënia e re e shtetit me diasporën që do të mishërohet në ngritjen e një Këshilli të Diasporës Shqiptare, janë pjesë e së njëjtës përpjekje.

Ky Këshill do të jetë një organizim qendror bashkëpërfaqësimi. Ai do të diskutojë dhe sugjerojë lidhur me aspektet që ndërthuren në bashkëpunimin mes politikës shtetërore dhe të gjitha organizatave, apo përfaqësive të ndryshme të diasporës shqiptare. Në këtë strukturë do të punojnë sëbashku institucionet e shtetit dhe ato institucione që janë konsoliduar në vite, si shprehje vullnetit të shqiptarëve në Diasporë, për të qenë të organizuar në bazë grupesh me tematika, apo me qasje të ndryshme.

Këtu nis edhe përpjekja për të kuptuar sëbashku, si mund ta ndërtojmë në mënyrë më të përshtatshme, duke pasur parasysh edhe eksperiencën e së shkuarës, por edhe eksperiencat e vendeve të tjera, Agjencinë Kombëtare të Diasporës. Kjo Agjenci do të jetë një pikë referimi lidhur me politikat kombëtare, por edhe me prurjet që detyrimisht shteti ynë duhet t’i mbledhë në funksion të politikëbërjes, në tërësi dhe në funksion të integrimit në procesin politik dhe në proceset e zhvillimit ekonomik e social të vendit, në veçanti.

Ne besojmë shumë se Regjistri i Diasporës nuk është thjesht një çështje numërimi dhe çështje votimi, por shumë më tepër se kaq. Ai i ofron Shqipërisë, edhe një bazë të dhënash për kapacitetet e burimeve njerëzore në çdo lëmë dhe krijon një mundësi të re për të shfrytëzuar dijen shqiptare, që sot është tërësisht e decentralizuar dhe nuk ka vetëm një qendër, nuk ka vetëm Shqipërinë, por gjendet e shpërndarë aty ku janë vendbanimet e shqiptarëve jashtë atdheut, të cilët kontribuojnë në vende të ndryshme me dijen dhe me eksperiencën e tyre.

Sot, ne jemi po ashtu të vetëdijshëm, se jo vetëm ka ardhur koha, – koha ka ardhur me kohë, – por se ka një interesim gjithmonë e më të ndjeshëm të diasporës për të investuar në Shqipëri. Një anketim i realizuar nga Universiteti i Harvardit me 1000 shqiptaro-amerikanë ka zbuluar se ata do të investonin 25 milionë dollarë, nëse do të ekzistonte një rrugë e sigurt dhe nëse ata do ta besonin këtë rrugë. Llogaritë bëjini vetë, duke e projektuar këtë shumë në të gjithë përmasën që ka diaspora shqiptaro-amerikane. 100 prej tyre janë shprehur të gatshëm të investojnë të paktën 100 mijë dollarë, nëse do të kishin një mekanizëm efikas për investimin e këtyre fondeve.

Pra, edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe social, diaspora është një burim i pashfrytëzuar dhe sot, ne besojmë që janë pjekur kushtet, jo thjeshtë nga nevoja jonë, por edhe nga interesimi i diasporës, për të hedhur një hap të ri, natyrisht, duke strukturuar mekanizmat dhe duke gjetur rrugët që ky hap të materializohet me investime direkte te diasporës në Shqipëri.

Sigurisht që ka dhe një aspekt tjetër, ndër shumë të tjerë, që është ai i përpjekjes që shteti shqiptar, kjo qeveri ka bërë dhe po vazhdon të bëjë për pensionet, duke pasur parasysh një numër të konsiderueshëm emigrantësh shqiptarë, tanimë të interesuar në vende të ndryshme që të lidhet kjo marrëveshje. Faktikisht kemi bërë disa marrëveshje. Natyrisht që pjesën e luanit e ka Greqia dhe Italia. Diskutimet kanë nisur.

Edhe në vizitën e fundit në Itali kemi marrë një informacion inkurajues nga grupi i deputeteve italianë, që po merren me këtë çështje, në bashkëpunim me dikasterin përkatës në qeverinë italianë. Ka një progres. Nuk është një temë e lehtë, bëhet fjalë për shuma të mëdha, por shpresojmë dhe besojmë se më herët se vonë, kjo çështje do të zgjidhet. Të paktën nga vizita e fundit jemi jashtëzakonisht të inkurajuar, sepse kemi parë progres konkret në këtë drejtim.

Edhe me Greqinë është një diskutim i nisur. Sigurisht që kërkon durim, kërkon kohë, pasi për të dyja këto vende bëhet fjalë për pjesën e luanit. Edhe përfitimi që kanë shqiptarët jashtë atdheut nga këto marrëveshje të bëra që nga Kanadaja deri në Belgjikë e me radhë, që, tanimë, duke qenë pjesë e atyre diasporave, janë të përfshirë në skemën e sigurimit të pensioneve.

Ne e besojmë shumë këtë projekt.

Ne besojmë shumë që bëhet fjalë për një potencial të jashtëzakonshëm dijeje dhe zhvillimi. Ne besojmë shumë që koha e humbur mund të na shërbejë për të vrapuar dhe për të mos e marrë këtë proces me hapa të ngadaltë, sepse jemi të bindur që eksperienca ekziston dhe është e shumëllojshme dhe shumë e pasur. Mjafton që të jemi majftueshmërisht të vullnetshëm, për të mësuar nga eksperienca e vendeve të tjera, që nga vendet fqinje, të cilat i kanë kaluar dhe i kanë strukturuar përpara nesh mekanizmat për të pasur një ndërveprim më aktiv me diasporën, deri te vende të tjera më të largëta, por shumë mike, – kam parasysh këtu Izraelin që ka modele të shkëlqyera në këtë aspekt, apo edhe vende të tjera. Ne nuk i dimë të gjitha dhe sigurisht do të gjendemi përpara eksperiencash të tjera, të panjohura, që mund të jenë tejet te vlefshme.

Shumë faleminderit për këtë organizim edhe për këtë prani të shumëdëshiruar!

Më lejoni ta mbyll me një ndër shumë gjërat e mençura që ka thënë një emigrant profesionist, që ishte Faik Konica: “Historia mëson se të gjithë ndryshimet e mëdha kanë pasur përherë në themelin e tyre dy faktorë: emigrantët dhe një elitë të vogël, e lindur apo intelektuale brenda vendit”. Besoj që të dy këta faktorë, sot, në Shqipëri janë të pranishëm dhe mjafton vullneti dhe këmbëngulja jonë për ta materializuar këtë proces, duke krijuar një kuadër të ri marrëdhëniesh mes Shqipërisë-Kosovës dhe të dyjave bashkë me shqiptarët, që jetojnë jashtë shteteve të tyre.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.