Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

Fjala e Kryeministrit Edi Rama, në Kongresin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut:

TË NDERUAR MIQ,

Motra e vëllezër minoritarë!

I dashur Vangjel!

I dashur dhe i pavdekshmi Solis!

Shumë i nderuar miku ynë, i dërguari i Kryeministrit, koordinatori i politikës së jashtme në partinë që sot drejton Greqinë! Një parti që besoj, s’ma merrni për keq, mund të vlejë si një shembull i shkëlqyer, jo vetëm për PBDNJ-në dhe OMONIA-n, por për të gjitha forcat e ndryshme dhe grupimet e ndryshme të minoritetit, për ta kthyer PBDNJ-në në një ombrellë të të gjithë minoritarëve.

Për mua nuk është, sigurisht, hera e parë që përshëndes Kongresin tuaj. Edhe sot e bëj këtë me një kënaqësi të posaçme, sepse pavarësisht momenteve të caktuara dhe konjukturave të caktuara, që na kanë parë herë më afër e herë pak më larg, në fakt, ne kemi qenë gjithmonë pranë, sepse historikisht për Partinë Socialiste minoriteti ka qenë i afërt. Partia Socialiste, besoj, ka të drejtën të krenohet për gjithë solidaritetin që ka treguar në 25 vjet me popullin e minoritetit.

Sigurisht që, ka gjithmonë gjëra që duhen bërë më mirë. Ka gjithmonë sfida që duhen përballuar sipas kohës. Ka gjithmonë probleme, patjetër. Por, e vërteta është që një fill i gjatë dhe i pandërprerë miqësie dhe vëllazërie lidh Partinë Socialiste me minoritetin. Kjo, nuk është ndikuar nga pozicionet e ndryshme që ka zgjedhur në këto 25 vite PBDNJ-ja.

Nga ana tjetër, ka një miqësi dhe një vëllazëri që mua më lidh dhe personalisht me kryetarin e PBDNJ-së dhe këtë e provon fakti që nuk shkojmë gjithmonë mirë. Se po të mos ishim miq dhe sivëllezër patjetër që mund të kishim shkuar më mirë në një distancë diplomatike, por nuk kemi një distancë diplomatike dhe kjo është një gjë e mirë.

Dy fjalë dua t’u them pa dashur të hyj në debatin e të enjtes me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe pa dashur të bëj këtu avokatinë e të kundërtës së atyre që ai me të drejtë nga pozicioni i tij dhe i Partisë Demokratike tha. Dua ta shfrytëzoj këtë kohë dhe ju siguroj që fjalimi do jetë më i shkurtër se zakonisht, për ta rimarrë fillin aty ku e la Leonidha, tek pronat.

Leonidha solli 3 shembuj. Jam i bindur që nëse do të bënim një pyetësor në gjithë minoritetin, shembujt mund të ishin 300. Nëse do të bënim një pyetësor në gjithë Shqipërinë shembujt mund të ishin 30 mijë. Një gjë është e sigurt, që historia e pronës në këto 25 vite, është historia më e pabesueshme për një shtet që është në mes të Europës, e që është i ndërtuar mbi një kushtetutë demokratike dhe mbi një sistem demokratik.

Unë një shembull kam që i bën shembujt e Leonidhës shumë të vegjël;

I ka dalë pronari teatrit antik të Butrintit. Njësoj si t’i dalë pronari Akropolit në Athinë dhe qeveria të mos ketë të drejtën që të hapë dyert e Akropolit për dhjetëra miliona njerëz, – se nuk janë vetëm nga Greqia, apo rajoni, por janë nga gjithë bota që vizitojnë Akropolin, – një shembull paralel, kuptohet, shumë më modest, i teatrit të Butrintit që vizitohet, është vendi më i vizituar nga të huajt në Shqipëri. Pra, ka një familje që ka letra dhe që pretendon se është më antike sesa vetë antikiteti.

Çfarë të thuash më për pronat në Shqipëri dhe për batërdinë e pronave!

Dy raste që përmendi Lenonidha, ku shfaqen pronarë që nuk kanë asnjë provë për ekzistencën e trungut të familjes së tyre në zona të caktuara, veçanërisht në zonat e bregdetit, e papritur e pakujtuar kthehen në posedues të dhjetëra e qindra hektarëve, është treguesi i dhimbshëm dhe më kuptimploti i mungesës së drejtësisë dhe një sistemi drejtësie që e ka kapur për fyti këtë vend, jo sot, por që sot është bërë një sistem që kërcënon drejtpërdrejtë liri dhe të drejta dhe që tregton në mënyrë të përditshme liri dhe të drejta.

Sot jemi në kushtet kur duhet të bëjmë një zgjedhje, një zgjedhje shumë të qartë, që në këndvështrimin tonë shkon përtej partive politike dhe që padrejtësisht është përshkruar dhe komentohet çdo ditë sikur është një zgjedhje për fatin e politikanëve; çfarë do ndodhë me politikanët në rast se kalon Reforma në Drejtësi.

Ndërkohë që, pyetja që duhet të bëjë kjo parti është; çfarë do ndodhë me problematikën e pronave, meqë kjo është një problematikë qendrore për partinë tuaj, një problematikë qendrore për popullin e minoritetit, në rast se nuk kalon Reforma në Drejtësi.

Mund të bëjmë shumë hamendësime, por nuk besoj se ka një mendje të arsyeshme që të thotë se po nuk kaloi Reforma në Drejtësi gjërat do ndryshojnë për mirë për njerëzit e zakonshëm, që zvarriten 57 apo 59 seanca tha Leonidha në një rast, por ka rekorde, me qindra seanca në 20 e kusur vite të familjeve që nuk arrijnë dot të marrin pronën e tyre dhe që përballen me pronarë që disponojnë në mënyrë të padrejtë tapitë mbi pronën e stërgjyshërve të tyre, pra të atyre që zvarriten dhe me gjykatës që bëjnë pazare.

A mund të ndodhë që të shkosh në gjykatë, të kërkosh një mollë dhe gjykatësi të japë 3 mollë?! Është një rast konkret, flagrant, me një tjetër pronë. Bëhet fjalë për qindra hektarë, ku subjekti i interesuar paraqitet në Gjykatë në mënyrë tërësisht të padrejtë, bazuar mbi një manipulim dokumentesh, duke pretenduar në një nga vendet më të bukura të bregdetit 50 hektarë që aktualisht, përpara se gjykata të marrë vendim, janë pronë e shtetit dhe gjykatësi i jep 300 hektarë. Si ndodh kjo?! Ti pretendon 50, gjykatësi thotë, “Jo se e ke pak, do të jap 300”. Arsyeja është shumë e thjeshtë, sepse gjykatësi shfrytëzon interesimin e subjektit dhe e fton atë në një bashkëpunim, “ta shtojmë sipërfaqen, kjo tokë pa zot është, se e shtetit është dhe pastaj ti mos merr 50, merr 150 dhe 150 të tjerat po i marr unë”.

Pyetja që bëj unë për të gjithë ju dhe për të gjithë njerëzit e arsyeshëm në këtë vend është:

Si mund të çmontohet ky sistem?

Si mund të zmbrapset kjo hordhi prokurorësh dhe gjykatësish të kthyer në sipërmarrës që tregtojnë drejtësi?

A mund ta bëjnë këtë partitë politike në parlament?

Unë mendoj që partitë politike mund të jenë kontribuues në këtë proces, por nuk mundet dot të jenë në origjinë të këtij procesi. E kush është origjina e procesit?

Ne kemi kërkuar që në fillim. Unë e kam kërkuar me këmbëngulje në të gjitha kancelaritë europiane dhe në SHBA, që, nëse ne duam të kemi në Shqipëri një pushtet gjyqësor real, që të japë drejtësi pa parë se sa i gjatë je në strukturën sociale, se si e ke emrin, se sa para ke, se më kë je i lidhur, por ke të drejtë s’ke të drejtë, ne duhet që të gjithë prokurorët dhe gjykatësit e këtij vendi t’i kalojmë në skanerin e një radiografie etike dhe profesionale.

Reforma, nga njëra anë, është shembja e strukturës që kemi. Struktura që kemi nuk funksionon. Është tërësisht e kapur dhe tërësisht e korruptuar. Kjo është e qartë. Por nga ana tjetër, ne mund të bëjmë në letër një strukturë të re. Pra, mund ta shembim shtëpinë e vjetër dhe mund të ndërtojmë një shtëpi të re për sistemin e drejtësisë. Por a mundet që pastaj thjesht t’i marrim t’i transferojmë banorët e shtëpisë së vjetër, ata që e bënë shtëpinë rrënojë, në shtëpinë e re, pa i kaluar më parë në një sitë, në një filtër, në një skaner etik dhe profesional? A mund të vijnë prokurorët dhe gjykatësit e sotëm, pasi ne miratojmë Reformën në Drejtësi, miratojmë ndryshimet e Kushtetutës së vendit, miratojmë ligjet që e bëjnë atë të zbatueshme dhe të hyjnë, apo të mbeten në sistem sikur asgjë s’ka ndodhur, pa dhënë më parë llogari për pasurinë e tyre.

Ka gjykatës në Shqipëri që kanë të deklaruara 18 shtëpi.

Ka gjykatës në Shqipëri që justifikojnë pasuritë e tyre si dhurata të motrës nga Australia, të vjehrrës nga Amerika, të krushkut nga Zelanda e Re, e kështu me radhë. Mbase, këtyre u ka rënë fati që në çdo kontinent të kenë nga një motër, të kenë nga një krushk, të kenë nga një vjehrrë. Por, a mundet këta të vazhdojnë të shërbejnë në sistem pa provuar më parë se krushqit janë të vërtetë, se vjehrrat janë të vërteta, se motrat janë të vërteta dhe se jo vetëm janë të vërteta, por i kanë pasur mundësitë financiare në vendet e tyre ku jetojnë si emigrantë, për t’i bërë këta pasunarë. Kjo nuk mundet, në këndvështrimin tim! E para.

E dyta, ministri i Brendshëm, përpara disa kohësh, i ka dorëzuar Presidentit të Republikës 100 raste vrasësish, përdhunuesish, grabitësish me dhunë të cilët janë kapur në përsëritje të krimeve, pasi më parë janë liruar si të pafajshëm nga gjykatësit. Tani, këta gjykatës, a duhet të japin llogari se pse “x” vrasës, “y” përdhunues, “z” grabitës me armë, e kështu me radhë, i kanë nxjerrë të pafajshëm, apo jeta vazhdon. Vendimet e tyre janë sovrane dhe ata mund të vazhdojnë dhe të na nëpërkëmbin, duke i dhënë shkelmin përfundimtar dhe për 20 vitet e ardhshme shpresës së madhe që ka krijuar ky popull, që Reforma në Drejtësi do të shënojë kthesën dhe që Shqipëria më në fund do të hyjë në një rrugë që brenda një 10-vjeçari do ketë një sistem drejtësie që do të funksionojë normalisht. Unë mendoj që kjo nuk mundet.

Kush mund ta gjykojë secilin nga këta?

Kush janë këta persona që do t’i zgjedhin partitë me vende të rezervuara, duke krijuar një KQZ të drejtësisë, që do gjykojë shapin dhe sheqerin? Të njomin dhe të thatin. Këta nuk ekzistojnë! Këta nuk ekzistojnë për sa kohë partitë do t’iu veshin nga një xhaketë e do t’u thonë, “ti je i imi, shko atje e do mbajmë kontakte bashkë se si do procedosh kur t’i vijë radha Gjinit, Gjonit, Prengës, Lekës, Vangjelit, Vasilit, e kështu me radhë”. Nuk mundet!

Atëherë, kush është propozimi ynë? Ne jemi partia më e madhe, por jemi dhe shumica qeverisëse dhe ne nuk duam të kemi duart në këtë sistem.

Propozimi ynë është që, këtë trupë të cilën do ta besojmë, sigurisht, nëpërmjet parlamentit për të gjykuar gjykatësit e prokurorët, pra për të gjykuar integritetin dhe vlerësuar pasurinë e tyre, duhet ta bëjmë të mundur në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me operacionin ndërkombëtar, me një mekanizëm të ngritur nga Bashkimi Europian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si një mekanizëm i besueshëm arbitrimi.

Unë e kuptoj shumë mirë. Do ta kuptoja edhe më mirë në rast se ne nuk do ishim në këtë situatë, klithmën ku vajti sovranitetit ynë, se si mundet ndërkombëtarët të fusin hundët në punët tona. Po ne, besoj, jemi të gjithë këtu të vetëdijshëm, që, nuk është BE-ja që po troket këtu në Shqipëri e po thotë duam të bëhemi anëtarë të Shqipërisë. Është Shqipëria që troket në BE dhe thotë duam të bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian. Po të shikojmë reformat e drejtësisë në të gjitha vendet, që nga Polonia, deri tek Rumania e tek Kroacia,- që janë të fundit që hynë,- janë reforma të bëra në harmoni të plotë me Bashkimin Europian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pyetini qytetarët e Kosovës, çfarë vlerësimi kanë për pushtetin gjyqësor në Kosovë? Do habiteni! Një vlerësim pozitiv. Sigurisht ka probleme, por nuk bën vaki në Kosovë, nuk ndodh në Kosovë, nuk imagjinohet në Kosovë që të shkosh dhe të paraqitesh si pronar i tempujve dhe i vendeve të trashëgimisë kulturore dhe të fitosh edhe gjyqin. Apo të shkosh dhe t’ia marrësh pronën tjetrit më një gjykatës të korruptuar. Pse? Sepse, në bazë të sistemit të ngritur në Kosovë qëndron bashkëpunimi i ngushtë, pikërisht me operacionin ndërkombëtar në sistemin e drejtësisë.

Sigurisht Kosova ka një histori tjetër, ne kemi një histori tjetër. Por historia jonë është e tillë që na imponon një zgjedhje shumë të qartë. Jam i bindur se nëse do të pyesnim secilin këtu në sallë dhe do të pyesnim çdo shqiptar të arsyeshëm që procesin e radiografimit të gjykatësve dhe prokurorëve është më mirë ta bëjë një KQZ e sistemit të drejtësisë me përfaqësues të partive, apo ta bëjë një trupë e përzgjedhur nga parlamenti, por e para seleksionuar nga mekanizmi i Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përgjigja do të ishte 99% kjo e dyta. Kjo është pika kyçe.

E në fund, e dëgjuat dhe dëgjoni përditë 88-ta, 88-ta, deri para vitit të ri ishte 55-a, 55-a, tani është 88-ta, 88-ta. Ne kemi dhënë konsensus për të siguruar pjesëmarrjen e partive në përzgjedhjen e komisionit të Vetingut, por jo me vende të rezervuara. Kemi negociuar dhe vazhdojmë të negociojmë duke propozuar e propozuar formula të ndryshme që garantojnë proporcionalitet në pjesëmarrje, por jo vende të rezervuara, jo të ndajmë gjykatësit në tanët dhe të kundërshtarit dhe pastaj ta bëjmë komisionin e Vetingut, si KQZ-në e 2011-ës, që të rrijë e të kërkojë gjykatësit e duhur në kutitë e gabuara. Këtë s’mund ta bëjmë.

Kjo është vija ndarëse. Nuk është vija ndarëse që e kemi përcaktuar ne, që e kam përcaktuar unë. Është një vijë ndarëse që ju e shikoni, ndan jo Partinë Socialiste me Partinë Demokratike. Ndan shumicën dhe parterët tanë strategjikë, aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, që janë bashkautorë të draftit të ndryshimeve kushtetuese, me pozicionin e Partisë Demokratike.

Tani, më falni, si është e mundur që SHBA dhe BE mbështetkan kapjen e sistemit të drejtësisë nga Edi Rama! Si mund ta bëjnë? Kush është një mendje e arsyeshme që mund ta hajë këtë lloj përralle me një gogol që do kapë sistemin e drejtësisë?! Si mundet ta kapë, – jo Edi Rama sot, por cilidoqoftë kryeministër dhe ciladoqoftë shumicë, – këtë sistem, në rast se nuk i ka duart në sistem! Ne nuk po themi se ne jemi shumica dhe ne duhet të kemi vendimmarrje dhe opozita nuk duhet të ketë vendimmarrje. Ne po themi: Jo! Shumica dhe opozita nuk duhet të transformojnë këtë proces në një proces-pazar dhe të ndajnë me parcela gjykatësit dhe prokurorët, duke ndarë paraprakisht me parcela anëtarët e komisionit që do bëjnë radiografinë e këtij procesi.

Konsensus është një fjalë që shpërdorohet dhe po ju them nga eksperienca ime, populli thotë mirë: “Kush flet shumë për një gjë, i mungon ajo gjë”. Aty ku flitet shumë për konsensus, mungon pikërisht vullneti për konsensus, sepse konsensusi kërkon dy palë, nuk bëhet me një palë dhe nuk bëhet nëse njëra palë propozon dhe pala tjetër thotë jo, jo, jo.

Unë jam dakord, i takon shumicës që të jetë më e hapur dhe të jetë më aktive dhe ne e kemi bërë këtë, vazhdojmë e bëjmë përditë, edhe dje, edhe sot. Sot që është e shtunë, propozo-propozo- propozo dhe përgjigja është 88-ta-88-ta. Si është e mundur që 88-ën gjithë bota, jo vetëm ne, e lexon ndryshe dhe vetëm PD ka një lexim tjetër.

Unë po bëj pyetje, nuk po jap përgjigje se nuk dua ta kthej këtë Kongres mikpritës në një arenë debati me kryetarin e grupit parlamentar të PD-së, por e vërteta është kjo miqtë e mi;

Në 21 korrik përcaktohet fati, jo i një ligji të zakonshëm, apo i një reforme të zakonshme, por fati i një gjenerate. Kjo është e vërteta! Kush thotë diçka tjetër, ka arsyet e veta, nuk po i diskutoj këtu. Përcaktohet fati i një gjenerate! Të mos votosh për t’i detyruar partitë të bëjnë një hap mbrapa dhe për t’i hapur rrugë një procesi të monitoruar ndërkombëtarisht.

Në fund të fundit, çfarë është sovraniteti? Ne monitorohemi nga Bashkimi Europian për çdo gjë. Çfarë janë negociatat me Bashkimin Europian? Dhjetëra e dhjetëra kapituj ku ata të vënë përpara dhe të thonë: “Ja çfarë duhet të bësh ti! Ne të monitorojmë. Po nuk i bëre, s’ke punë me ne!” Sepse po pranojmë të hyjmë në një familje. S’mund të themi ne: “Duam të jemi dhe pjesë e familjes, por ne jemi dhe sovranë dhe bëjmë me kokën tonë.” Aq më pak pastaj nuk mund t’i themi Bashkimit Europian që, “ne shqiptarët kemi shpikur edhe anglishten dhe ne e lexojmë më mirë çfarë thotë Venecia, sesa e lexoni ju”. Këtë s’ia themi dot, nuk e pretendojmë dot këtë gjë. Ne kemi shpikur shumë gjëra, po anglishten me siguri nuk e kemi shpikur ne. Nuk mund të pretendojmë të drejtën e autorit në mënyrën si lexojmë ne raportin e Venecias të cilin të gjithë të tjerët e lexojnë në një mënyrë të caktuar, vetëm Partia Demokratike e lexon ndryshe.

Besoj që kongrese, konferenca, seminare, debate, sesione, legjislatura për të qarë hallet e pronarëve, për të qarë hallet e të varfërve, për të qarë hallet e atyre që iu mohohen të drejtat, iu mohohen liritë, ne mund të bëjmë pafund. Por në qoftë se duam ta adresojmë realisht problemet që kanë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi ne duhet të bëjmë Reformën në Drejtësi dhe do t’u japim mundësi njerëzve që të jenë të barabartë me ne të gjithë dhe ne të gjithë të barabartë si gjithë të tjerët, përpara prokurorit dhe përpara gjykatësit.

Përndryshe ne s’kemi bërë asgjë.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.