Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Engjellush Hysenllari është kryefamiljari i një familje me 6 fëmijë në fshatin Sovjan të Korçës. Familja e tij jeton në një banesë dydhomëshe, thuajse të rrënuar. Në shtëpinë e familjes Hysenllari ishte Kryeministri Edi Rama, sëbashku me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu. Familja e Engjellushit trajtohet me skemën e ndihmës ekonomike, ndërsa thotë se kujdeset edhe për 3 fëmijët e të vëllait, i cili u aksidentua pak kohë më parë, duke i lënë ata pa baba.

Për të dalë nga kjo gjendje e vështirë, Kryeministri premton se do të gjendet mundësia për ta ndihmuar familjen, jo vetëm me ringritjen e shtëpisë, por edhe për t’i krijuar mundësi punësimi kryefamiljarit, i cili ka një eksperiencë prej 14 vitesh në ndërtimin e veprave të mëdha infrastrukturore, si dhe mundësi trajnimi profesional për vajzat e mëdha që kanë mbaruar arsimin e mesëm të përgjithshëm. Kryeministri thekson se shumë shpejt shtëpia e zotit Hysenllari do të riorganizohet nga e para, në mënyrë që dimri t’i gjejë në një godinë të re.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.