Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama dhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen, morën pjesë këtë pasdite në ceremoninë hapëse të vitit të parë akademik, të Kolegjit të Europës në Tiranë, në kampusin, i cili mban emrin e politikanit të shquar francez, ish President i Komisionit Europian, Jacques Delors.

Rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini,  e pranishme në ceremoni tha se interesi i të rinjve për të studiuar në këtë kolegj ishte shumë i lartë. “Vitin e kaluar ishim këtu, në të njëjtin vend, në Samitin e Ballkanit Perëndimor, ku përuruam zyrën tonë dhe çfarë është më e rëndësishme çelem pranimet për studentët që do të aplikonin në degën e Kolegjit të Europës në Tiranë. Patëm 241 aplikime, kryem 122 intervista dhe përzgjodhëm 32 studentë, nga 21 kombësi, të cilat sot janë pionierët e parë që promovojnë Masterin e artit për transformimin europian e integrimin këtu në Tiranë, në Kampusin Jacques Delors.”

Hapja e kampusit të Kolegjit të Europës në Tiranë, është një tjetër gurthemeli në rrugëtimin e përafrimit me standardet europiane, pasi ngre në një tjetër nivel sfidën për ndërkombëtarizimin e universiteteve tona dhe hap sigurisht, një horizont të ri edukimi për të rinjtë tanë.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Do të përpiqem që të shmang fjalën e gjatë që më kanë përgatitur njerëzit e mi dhe tashmë më duhet të gjej pak dhe ku është fillimi.

Megjithatë është pa asnjë dyshim se fillesa është Ursula dhe dua të shpreh një falënderim mjaft të thellë nga zemra për të që ka qenë një mike e palëkundur, e dashur dhe e vërtetë për Shqipërinë dhe për rajonin tonë. Ursula, dua të garantoj që ky është një investim i mirë sepse për miqtë ne shkojmë përtej së mundurës dhe madje mund edhe të vrasim, kështu që jeni politikania europiane më e sigurtë që ekziston.

Nga ana tjetër, e di që Federica e di që ajo që po them është e vërtetë. Federica filloi dhe u përpoq fort të bënte atë çfarë Ursula përfundoi, që do të thotë të ulte Shqipërinë në tryezë për të nisur bisedimet e anëtarësimit dhe nuk ishte shumë vjet më parë kjo, por ishte një Europë tjetër.

Sot, ne kremtojmë këtë moment të jashtëzakonshëm të takimit me studentët dhe profesorët e Kolegjit të Europës ballë për ballë vetëm dy vjet pasi kjo ide u hodh këtu në Tiranë kur zhvilluam Samitin midis BE dhe Ballkanit Perëndimor dhe për standardet e BE, dy vjet nga ideja deri tek realizimi është një arritje mjaft e madhe.

Gjithçka nisi nga një bisedë midis meje dhe Presidentes von der Leyen dhe është një shembull që mund të përdoret për të treguar se ç‘gjë e jashtëzakonshme do të ishte nëse gjermanët e shqiptarët janë bashkë në Bashkimin Europian për të përshpejtuar shumë gjëra së bashku. 

Askush nuk do ta kish besuar që kjo do të ndodhte brenda një kohe kaq të shkurtër, por ja që ndodhi. Unë nuk besoj në rastësi. Për mua, nuk është rastësi që Kolegji e çel kampusin pikërisht në momentin kur Shqipëria çeli bisedimet për anëtarësim për grup kapitullin e parë të “Acquis” duke filluar pjesën më të vështirë të procesit për t’u bërë anëtare e BE.

Është një tjetër shenjë shumë e fortë për mua që tashmë yjet e Shqipërisë janë në vijë të drejtë dhe që rruga jonë drejtë anëtarësimit është bërë tanimë e pandalshme, por nuk ka kohë më të mirë sesa tani për të pasur në Tiranë këtë grup studentesh, të cilët do të jenë të trajnuar më së miri për BE, por dhe për Ballkanin Perëndimor e që do të t’i shërbejnë të ardhmes së të dyjave bashkë.

Pashë videot e kolegëve tuaj studentë dhe sinqerisht u ndjeva pak keq për ta. Bryzhi përplot me shi, Natolina plot me borë, shihni këtu! Dhe është vetëm fillimi, nuk keni parë ende asgjë.

31 studentë nga 22 kombësi të ndryshme që kanë këtë bekim të jashtëzakonshëm për t’u mbledhur së bashku në një fole të Europës që ndodh të jetë e vendosur në pjesën më të shndritshme të Ballkanit Perëndimor, është vërtetë diçka që duhet ta jetoni çdo minutë dhe të thithni gjithçka dhe jo vetëm pjesë të saj dhe duke thënë që duhet të merrni gjithçka, do të kishte dhe shumë gjëra që do doja t’i përmendja, por merrni gjithçka, jo vetëm të fitoni më shumë njohuri për BE, për të drejtën, për ligjet e BE apo për shërbimin e jashtëm të BE, por edhe të merrni njohuri për frymën, për kulturën, për traditën, për historinë e këtij rajoni sepse herët më shumë se vonë do të jeni shumë të nevojshëm sepse njerëzit në Bruksel duhet të dinë më shumë nga ato çfarë ka brenda dhe kush më mirë se ju mund t’i thotë këto.

Në fakt ka gjëra, të cilat njerëz në Ballkanin Perëndimor e kanë të vështirë t’ia shpjegojnë miqve tanë në perëndim. Dua të them që nga përvoja ime Europa dhe Bashkimi Europian shoqërojnë shumë me dhimbje, të bërtitura, por nuk ka vend më të mirë. Kur u ktheva në Luksemburg javën e kaluar një gazetar më pyeti nëse kishim një plan B. Nëse Europa dhe Bashkimi Europian do të ktheheshin tek mënyra e vjetër, por a mund të ketë një plan B ndaj BE. Nuk e besoj se të kesh një plan B kundrejt BE do të thotë të kesh një plan B kundrejt lirisë individuale. Nënkupton të kesh një plan B kundrejt sundimit të ligjit, nënkupton të kesh një plan B kundrejt demokracisë funksionale. Nëqoftëse je gati ta negociosh këtë gjë atëherë mund të kesh një plan B, një plan C, një plan D por unë besoj që kjo A, B, C që e bën BE projektin më të pabesueshëm që mendja politike ka imagjinuar dhe ka guxuar ndonjëherë të ngjizë është i pa negociueshëm. Nuk ka asnjë rrugë tjetër, nuk ka asnjë vend tjetër ku mund të jeni të sigurte për veten, për fëmijët, për fëmijët e fëmijëve ku ata do të kenë këto tre gjera thelbësore: lirinë individuale, sundimin e ligjit dhe demokracinë  funksionale dhe po e di ndonjëherë e di, demokracia ngjan sikur nuk funksion mirë, por për hir të kësaj të shkosh kundër BE, duke parafytyruar dhe parashikuar një të ardhme të nesërme jashtë BE është thjeshtë pa kuptim.

Kështu ju uroj të gjithëve suksesin që po kërkoni. Ju garantoj të gjithë lumturinë që Shqipëria pret me padurim t’ju japë jashtë klasave sepse brenda klasave nuk është Shqipëria e pranishme, është BE-ja. Klasat, orët mësimore do të jenë më të mërzitshme, ndërsa jashtë do të jetë më pak, por kombinimi është më i miri sepse është BE-ja dhe do t’ju le me këtë. Çdo gjë që ju zemëron apo ju bën të pavendosur apo të zhgënjyer në raport me BE-në duhet të shërbejë, jo për të luftuar apo për t’ju bashkuar betejave kundër BE-së, por të shërbejë për të luftuar mbrapsht për të pasur një BE më të mirë.

Faleminderit! 

 

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen: Kryeministër Rama, i dashur Edi!

Rektore Mogherini, e dashur Federica,

Por mbi të gjitha, të dashur studentë!

Vërtetë që dita e sotme është një fillim i ri, një fillim i ri për të gjithë ju.

Miq të rinj, një qytet i ri, ëndrra të reja, por kjo ceremoni është shumë më shumë sesa thjesht fillimi i një viti të ri akademik në një Kampus të ri sepse Kolegji i  Evropës është shumë më shumë sesa një universitet i thjeshtë. Kur kontinenti ynë ishte shkatërruar pas Luftës së Dytë botërore,  një grup pionierësh evropianë, krijuan një ide vizionare; pse të mos ndërtojmë një akademi për të krijuar udhëheqësit e ardhshëm të Europës që do ta bashkojë Europën, një brez të ri për një fillim të ri dhe kjo ishte një nga ato tullat e para të integrimit europian, pra përpara qymyrgurit dhe çelikut e gjitha në fakt filloi me një kolegj dhe pastaj pas 40 vitesh, kur ra perdja e Hekurt ishte dhe vetë i madhi Jacques Delors, i cili mori hapin e duhur.

Ai preu shiritin e kampusit të Natolinit në Poloni për të nxjerrë një brez të ri udhëheqësish në Europën qendrore dhe lindore, por siç thuhet, gjërave të mira t’u hapim derën dhe kur vijnë, ato vijnë treshe; pas Bryzh, pas Natolinit ja ku jemi tani në vendin e tretë, në kampusin e Tiranës dhe edhe njëherë jemi në një moment historik për Europën dhe sërish, familja jonë po përgatitet për ribashkimin e saj, një bashkim në të cilin do të bëhen bashkë të gjithë popujt që jetojnë ndërmjet Detit të Zi dhe Adriatikut.

Për shembull, thjesht javën e shkuar negociatat për anëtarësim të Shqipërisë për t’u bërë pjesë e BE, kanë hyrë në një fazë të re. Së bashku ne hapëm grup-kapitullin e çështjeve ‘’themeloreve’’ dhe e diskutuam dhe thamë që ‘’nëqoftëse bëjmë punë shumë të mirë, atëherë të gjitha grup-kapitujt do të hapen dhe mund të hapen deri në fund të vitit të ardhshëm dhe kjo është fantastike’’. Dhe pikërisht në këtë moment deçiziv, të rëndësishëm që qyteti i bukur i Tiranës i uron mirëseardhjen Kolegjit të Evropës.

Ky qytet është pararoja e integrimit evropian dhe ju të dashur studentë, ju jeni udhëheqësit e Europës së sotme dhe të nesërme. Sivjet kjo ka për të qenë  një dritare për të ardhmen tuaj, për një të ardhme në të cilën shtetet e Ballkanit Perëndimor më në fund do të jenë anëtare me të drejta të plota të Bashkimit Europian. Ashtu siç ndodhi edhe pas vitit 1989, historia evropiane po lëviz, por ama ka diçka të re kjo epokë në të cilën po jetojmë tani sepse atëherë në 1989, ndjesia që patëm ishte sikur bashkimi i kontinentit tonë ishte i paevitueshëm sepse ishte një nga ato forcat e pandalueshme të historisë të cilën brezi im e quajti “Era e Ndryshimit” dhe a mund ta ndryshojë apo ta ndalojë kush erën, ketë erë ndryshimesh, sepse sot kjo erë ndryshimesh po fryn këtu, por jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në Ukrainë, Moldavi, Gjeorgji dhe gjithandej në kontinentin tonë, por ka edhe erëra të tjera që fryjnë në drejtime të kundërta; drejt ndasive, nacionalizmit, shtypjes.

Rusia ka hyrë në Ukrainë pikërisht për faktin se Ukraina dëshironte të bëhej pjesë e Bashkimit Evropian dhe fundjavën e shkuar ne Moldavi ne pamë në fakt ndërhyrjen e madhe të Rusisë në referendumin e atij vendi për të ardhmen e tyre europiane. Pra këto forca po punojnë gjithë kohës për të destabilizuar vende të cilat zgjedhin Europën dhe sa herë ka ecuri, progres drejt pajtimit apo integrimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, janë ata që sjellin në vëmendje konfliktet e vjetra. Ky është realiteti i sotëm dhe me këtë do të duhet të përballet brezi juaj i europianëve të rinj. Atëherë si do të duhet të reagojë Europa ndaj këtij realiteti të ri? Unë besoj që ne do të duhet të jemi edhe më shumë pro aktivë se ç’kemi qenë në të shkuarën. Të rrimë duarkryq thjesht nuk është më opsion dhe kjo është e vërteta themelore të cilën duhet ta përdorim për çdo veprim që ne kryejmë sot. Ose do të bëjmë hapa pas, ose do të bëjmë hapa përpara dhe unë e di që brezi juaj këtu në Ballkanin Perëndimor dëshiron të bëjë hapa përpara. Shumica prej jush keni lindur pas luftërave të viteve 1990. Ju jeni më të lidhur me të lidhur me Europën se çdo brez tjetër. Ju besoni fort tek Europa dhe për këtë arsye ju meritoni ta dini që edhe Europa beson tek ju.

Ne besojmë se ju do të jeni qytetarët e Bashkimit tonë Europian dhe se ju do të sillni energji të reja, entuziazëm të ri në familjen tonë. Ky rajon është shtëpia e shumë prej jush e kaq shumë talenteve, kaq shumë të mirash, pasioni dhe po të doni prova për këtë, thjesht shikoni këtë qytet të mrekullueshëm që ju ka mirëpritur të gjithëve sot. Tirana është e gjallë, gjallëron me jetë dhe nuk është çudi që tërheq mendje kaq të ndritura sa tuajat. Është një qytet i ri, me shumë larmi, është i lidhur me shumë vende të tjera, me aeroportin që po rritet më shpejt në të gjithë Europën, është në fakt edhe parajsë për artistët dhe për novatorët  dhe për çfarë më kanë thënë, jeta e natës është super fantastike.

Po vetëm mos rrini shumë vonë nëqoftëse në mëngjes do të keni klasa. Pra, Ballkani Perëndimor mund të japë kontributin e vet shumë të madh për të ardhmen e Bashkimit Europian dhe Bashkimi Europian mund të japë kontributin e vet për të ardhmen e këtij rajoni. Atëherë le ta bëjmë këtë realitet. Ka ardhur koha që të ecim përpara me shpejtësinë maksimale. Ky ka qenë objektivi im, ky ka qenë synimi im që prej  fillimit të mandatit tim 5 vjet më parë. Bashkimi ynë Europian nuk është thjesht destinacioni i udhëtimeve tuaja, por ne jemi edhe bashkudhëtarët tuaj.

Kjo është logjika e planit të rritjes për Ballkanit Perëndimor. Për shembull, çdo reformë që miratojnë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor do të sjellin investime të reja nga ana jonë.

Tashmë u bë 1 vit që nga momenti që ne ju njoftuam të gjithëve që do të kemi një plan rritjeje për Ballkanin Perëndimor dhe rezultatet duken qartë. Ballkani Perëndimor do të bëhet pjesë e zonës unike të pagesave në euro. Gjithashtu ju do të keni mundësinë të dërgoni para, siç e thashë, do të ketë një rrjet të ri me startup-e, do të jetë një aleancë barnash por edhe korridoret e transportit, siç për shembull Korridoret Blu për në Itali  e shumë më shumë se kaq.

Po pse janë të gjitha këto gjëra kaq të rëndësishme? Sepse kjo gjë jo vetëm që do të përshpejtojë rritjen ekonomike të rajonit por do të thotë që edhe popujt e Ballkanit Perëndimor do të fillojnë ta përjetojnë Bashkimin Europian me jetën e përditshme, pra e ardhmja juaj evropiane fillon sot dhe kjo më sjell dhe tek arsyeja që bën të jemi të gjithë së bashku në këtë kampus të ri. Ju jo vetëm që do të mësoni për Europën, po ju do ta jetoni Europën dita-ditës. Unë e di që ju vini jo vetëm nga vende të Ballkanit Perëndimor, por edhe nga vende të tjera të Europës. E di që ju po studioni së bashku sepse do të jeni në fakt udhëheqësit e ardhshëm të Bashkimit Europian.

Ky vit do të jetë vërtet special, i veçantë. Jo vetëm për ato gjëra që ju do të mësoni për institucionet europiane, por edhe për ato gjëra për njëri-tjetrin. Ju do të krijoni miqësi të cilat do të zgjasin për gjithë jetën tuaj. Do të ndërtoni një rrjet, i cili do të formësojë jo vetëm jetën tuaj personale, por edhe atë profesionale. Kjo përvojë thjeshtë ka për t’ju ndryshuar të gjithëve ju, por ajo mund të ndryshojë edhe të ardhmen e Bashkimit tonë Europian sepse kështu është ndërtuar gjithë Europa dhe një nga themeluesit e kolegjit Denis de Rougemont, ka shkruar dhe e citoj atë. “A mundet Europa që jetë thjeshtë vetëm një treg ose thjeshtë një aleancë. Jo! Europa duhet të jetë komuniteti i të gjithë europianëve, i vendeve të tyre, i problemeve të tyre, i kujtesës së tyre, i aspiratave të tyre të formësuara nga shekujt e një historie të përbashkët dhe mijëvjeçar të kulturave tona të përbashkëta. Europa e vërtetë përbëhet nga popujt që e jetojnë atë dhe nga ëndrrat e shpresat e tyre”.

Ndërsa tani bëhet fjalë për aspiratat tuaja, për shpresat tuaja. Historia e Europën është shkruar jo vetëm në sallat e mëdha të samiteve e traktateve dhe shkruhet jo vetëm atje, por edhe në ato klasa në të cilat do të formësohet brezi i ri europianeve dhe kapitulli tjetër, kapitulli i radhës është një kapitull që do ta shkruani ju.

Atëherë më lejoni që t’iu uroj vit super fantastik në Kolegjin e Europës në Tiranë dhe rroftë Europa!

Faleminderit shumë të gjithëve!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.