Në Bashkinë e Kavajës, njësitë individuale të familjeve që u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit janë tanimë në kantier dhe ambicia është që të gjitha këto familje ta presin vitin e ri nën çatinë e re e me kushte shumë më të mira se ato që kishin para fatkeqësisë së 26 nëntorit.
Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj ishte në kodrat e Golemit për të parë nga afēr ritmin e punës në shtëpinë e Ademit, i cili bashkë me familjen e tij humbën shtëpinë e ndërtuar në vitin 1966. Në këtë zonë do të ndërtohen gjithsej 19 njësi individuale, ndërsa në të gjithë bashkinë e Kavajës janë mbi 140 njësi individuale që po ndërtohen e do të ndërtohen.
“Terrenet nuk janë të gjitha njëlloj. Ky është terren tejet i vështirë e megjithatë puna po ecën me shpejtësi. Në krye të gjashtë javëve, Ademi dhe familja e tij do të futen në shtëpi, ashtu siç kemi premtuar për mbi 3400 familje, deri në fund të këtij viti. Një pjesë e mirë e familjeve që kanë humbur shtëpitë në tërmetin e 26 nëntorit të vitit të kaluar, pra njësitë individuale, do të futen në shtëpitë e tyre, të festojnë vitin e ri në shtëpitë e reja”, – tha Ahmetaj.
Puna për rindërtimin e banesave individuale ka nisur paralelisht edhe në njësitë e tjera, Luz, Helmas, Synej dhe në qytetin e Kavajës, ndërsa vijojnë me ritme të shpejta punimet për rindërtimin e infrastrukturës në dy zonat e reja zhvillimore, Kavajë dhe Golem. Ahmetaj gjithashtu shtoi se për njësitë kolektive puna do të fillojë menjëherë në fund shtator – fillim tetor, në të gjithë zonat e dëmtuara nga tërmeti.
Ministri i Shtetit për Rindërtimin gjatë këtyre ditëve ka inspektuar ecurinë e punimeve edhe në Xhafzotaj, Shijak, Maminas, Kodër Kashar, Baldushk dhe në çdo fshat apo qytet të vendit, i cili u prek nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit të vitit të kaluar, për t’u siguruar që punimet do të mbarojnë në kohën e duhur dhe me cilësinë e duhur.