Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama u kthye sot në Tiranë, pas vizitës në New York në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në një prononcim, Kryeministri e konsideroi këtë vizitë, një mundësi për të konstatuar evoluimin që roli i Shqipërisë ka sjellë në imazhin e vendit.

“Besoj që këtë herë, me plot të drejtë mund të ndjehemi mirë për faktin që ishte sa një mundësi për të shprehur mendimet tona, aq edhe një mundësi për të konstatuar evoluimin që roli i Shqipërisë dhe politika jonë e jashtme kanë sjellë në imazhin e vendit tonë. Jemi respektuar posaçërisht. Unë këtu bëj një krahasim me dy vjet më parë, kur unë isha në OKB, këtu në New York, sapo ishte formuar qeveria. Jemi vënë në kushtet ku na është dhënë mundësia të flasim dhe të japim kontributin tonë dhe jemi vlerësuar realisht për çka Shqipëria ka bërë në këtë periudhë kohe dhe për çka ne kemi kontribuuar në këtë sesion kaq të posaçëm, për faktin se në sesionin e radhës u ra dakord edhe për axhendën e zhvillimi të 15 viteve të ardhshme.”

Nga përfaqësimi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Kryeministri veçon dy momente në fjalën e tij para Asamblesë; thirrjen për njohjen e Kosovës nga të gjitha vendet anëtare dhe zhvillimin e një Karte Globale vlerash për të rinjtë.

“Përsa i përket Kosovës besoj që jo thjesht sepse ky është një detyrim i patjetërsueshëm për këdo që përfaqëson Shqipërinë në çdo forum ndërkombëtar, por edhe sepse në fazën në të cilën ndodhet sot rajoni, njohja plotësisht e Kosovës dhe integrimi i saj në Kombet e Bashkuara do të ishte një shtysë e madhe për procesin e paqes dhe ndërveprimin rajonal dhe do të ishte një gjë shumë e mirë dhe për vetë Serbinë. Unë e pashë të udhës të këmbëngul në këtë tezë.

Nga ana tjetër, përsa i përket Kartës Globale është një ide që është pritur jashtëzakonisht mirë dhe kjo më ka inkurajuar ta përsëris që ne të bëhemi bashkë me vendet e tjera. Por ne do ta fillojmë këtë si Shqipëri, për të përfshirë në kurrikulën e sistemit tonë arsimor një kartë vlerash, që do të thotë një kartë ku të gjithë fëmijët, edhe më të rinjtë, të njihem me domosdoshmërinë dhe të kuptojnë domosdoshmërinë e respektimit të fesë së tjetrit, të identitetit të tjetrit, të ngjyrës së tjetrit, të historisë së tjetrit e kështu me radhë. Kuptohet, kjo kërkon një artikulim më të detajuar dhe më të gjerë dhe ne kemi filluar punën për këtë.”

Në New York, Kryeministri Rama pati një takim edhe me diasporën shqiptare në Amerikë. Kryeministri flet për iniciativën më të re, organizimin e Samitit të parë të Diasporës.

“Ne jemi angazhuar prej më shumë se një viti në një projekt bashkëpunimi me Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar të Harvardit dhe pjesë e këtij projekti është edhe diaspora. Gjatë këtij viti kemi punuar për të identifikuar një qasje të re ndaj diasporës, duke konsideruar edhe opinionet, vlerësimet, gjykimet dhe paragjykimet e mundshme në diasporë lidhur me Shqipërinë, gjë për të cilën kemi bërë dhe një anketë shumë profesionale me e diasporën shqiptare në Amerikë. Mbi këtë bazë kemi vendosur të organizojmë një Samit të parë të Diasporës, ku do të ftojmë njerëz nga e gjithë diaspora shqiptare në Amerikë ose Europë, njerëz me kontribute të kahershme, njerëz me kontribute të reja, njerëz të sferave të ndryshme, për të bërë një diskutim të madh kombëtar, për të parë se çfarë mund të bëjmë sëbashku lidhur me marrëdhënien dhe ndërveprimin me diasporën.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.