Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në interpelancë në Kuvend:

 

Kam marrë një kërkesë për interpelancë urgjente nga zoti Nardi, zoti Vangjel dhe disa zotërinj të tjerë, ndër të cilët edhe lexuesi i interpelancës, zoti Beni.

Por mesa duket, urgjenca nuk ka asnjë lidhje me çështjen për të cilën jam thirrur këtu, me urgjencë. E them këtë, sepse kërkesa me shkrim për interpelancë ka një premisë logjikisht të gabuar, nuk po e quaj gënjeshtër, sepse në fakt, premisa është e gënjeshtërt, e cila tregon minimalisht se zoti Nardi, zoti Vangjel dhe zotërinjtë e tjerë, përfshirë dhe zotin Beni, në rastin më të mirë nuk kanë asnjë njohuri për procesin e integrimit, pra, janë të paditur lidhur me këtë proces, siç doli edhe nga parashtrimi që sapo bëri zoti Beni.

Ja pse e them këtë;

Në kërkesën për interpelancë shkruhet shprehimisht: “Këshilli i Ministrave të BE-së nuk vendosi asnjë datë për hapjen e negociatave, për shkak të mospërmbushjes së 5 kritereve.”

Nuk duhet të jesh specialist i integrimit, mjafton të kesh pak haber nga procesi, madje edhe po të mos kesh haber, mjafton të lexosh përpara se të vish këtu, për të kuptuar që sa citova është një shprehje elokuente e paditurisë së grupkërkuesve të interpelancës. Sepse, e para, askush nuk priste një datë nga Këshilli Europian, madje as vetë Komisioni Europian që ka bërë rekomandimin pozitiv me kusht, ashtu sikundër edhe ne që kemi qenë shumë të qartë më parë për kushtin në fjalë, që ishte dhe mbetet një:

Fillimi i zbatimit të ligjit të Vetting-ut.

Këtë tani e dinë të gjithë shqiptarët, edhe ata që s’janë këtu në sallë nga krahu opozitës, përveç të madhit Sali dhe këtyre të vegjëlve të oborrit të kësaj opozite të dëshpëruar, të mbushur me mllef, të fryrë me vrer, të cilët sot janë mbledhur bashkë për të bërë një interpelancë;

Ka një kusht të vetëm:

Vetting-u!

E këtë kusht e kanë thënë shumë shkoqur edhe Komisioneri Hahn, edhe Shefja e Diplomacisë Europiane Mogherini, edhe Presidenca e BE-së përmes Ministrit Lajcak, edhe Ambasadorja e BE-së në Tiranë në një intervistë një orë, ku nuk bëri asgjë tjetër vetëm përsëriti e përsëriti: Vetting-u. Edhe Ministri për Çështjet Europiane i Francës dhe jo më larg se dje, edhe Sekretari i Shtetit për Çështjet Europiane i Gjermanisë  tha “filloni zbatoni ligjin e Vetting-ut, që ne të konsiderojmë çeljen zyrtare të negociatave”.

Atëherë, për çfarë është thirrur kjo interpelancë urgjente?! Se këtu nuk mund t’i justifikojmë këta me përkthim të gabuar, pasi s’ka as mundësi të përkthesh gabim, përveçse kur, ose nuk ke lexuar, siç mund të jetë rasti, ose nuk do të kuptosh.

Normalisht, zotërinjtë duhet ta dinin se Këshilli Europian nuk ka dalë fare me konkluzione këtë vit për politikën e zgjerimit dhe kjo nuk ka të bëjë me Shqipërinë, por ka të bëjë më veton që Austria vendosi për rastin e Turqisë, e cila është bashkë me vendet e tjera aspirante pjesë e paketës së zgjerimit. Pavarësisht se Këshilli nuk doli me konkluzion, pati një deklaratë të Presidencës së BE-së.

Duke i justifikuar në padijen e tyre dhe duke mirëkuptuar mllefin që të err sytë, siç i’a ka errur dhe zotit Vangjel, edhe zotit Nardi, edhe zotit Beni, atëherë le t’i qëndrojmë thjeshtë dhe vetëm atyre që janë të shkruara e që përsëri është e pamundur t’i përkthesh gabim deri në këtë pikë të hallit, sa të vish këtu dhe të akuzosh qeverinë e Shqipërisë, siç bëjnë vetëm oborrtarët e opozitës sonë, të mëdhenj apo të vegjël, pse nuk ka datë.

E dinë të gjithë se që nga marrja e rekomandimit nga Komisioni Europian në nëntor ishte shumë e qartë dhe e kam thënë unë, e ka thënë Ministri i Jashtëm, e ka thënë Ministrja Integrimit, e kemi thënë të gjithë sëbashku se pa nisur zbatimi i ligjit të Vetting-ut, nuk ka datë dhe nuk ka si të ketë datë, sepse ky është kusht. Çfarë date kërkojë këta që vijnë këtu!

Këta duan të ndryshojnë fatin e tyre në datën e zgjedhjeve të ardhshme, duke ardhur këtu dhe duke na kërkuar neve llogari, për një datë që nuk e kanë haberin se çfarë është. Por, nuk është ky keqkuptimi më i madh i kësaj urgjence, e cila është në fakt, vetëm urgjenca e tyre, që të vijnë këtu të bëjnë garë me të madhin Sali se kush jashtënxjerr më shpejt baltën e mllefit dhe të dëshpërimit. Një garë e etshme për të ardhur dhe për t’ia mveshur qeverisë sonë të gjitha të zezat, pa parë dhe padashur të shikojnë realitetin e thjeshtë të gjërave.

Keqkuptimi më i madh këtu është se lidhin datën me pesë kriteret. Në fakt, edhe këta janë pjesë e të njëjtës përpjekje të dëshpëruar; Jo, nuk është një kusht, janë pesë; Jo pesë, janë gjashtë, në fakt janë shtatë, por po të llogarisim edhe kanabisin bëhen 17.

Në fakt po të qe për zotin Vangjel, për zotin Nardi dhe për zotin Beni, unë duhet ta mbyllja këtu. Por i’a vlen jo për këta, por për publikun, të shpjegohet edhe një herë se pesë prioritete kyçe nuk janë kushte, por janë pesë kritere që askush nuk ka pritur që Shqipëria t’i përmbushë në mënyrë shteruese deri në mbledhjen e Këshillit. Janë pesë kritere që do të na shoqërojnë jo vetëm gjatë gjithë negociatave, por me gjasë edhe pas anëtarësimit. Pse?

Sepse sot, Rumania dhe Bullgaria që janë anëtare të Bashkimit Europian, ndryshe nga të gjithë vendet e tjera anëtare janë të detyruara të presin çdo vit një raport nga BE. Raporti bëhet pikërisht për një ndër kriteret kyçe; ligjshmëria. Po këtë nuk mund ta dinë këta që shkruajnë, por nuk lexojnë, këndojnë vetveten, por s’dinë të këndojnë asgjë nga ato për të cilat flasin. Nuk kanë nga ta dinë, as zoti Nardi, as zoti Vangjel, as zoti Beni, se që në vitin 2011 ka ndryshuar qasja e Bashkimit Europian ndaj procesit të zgjerimit, duke imponuar pikërisht këto kritere.

Ka 9 vjet Rumania dhe Bullgaria që janë anëtare dhe vazhdojnë presin raportin sa kanë avancuar në implementimin e reformës në drejtësi. 9 vjet!

Ndërkohë që ka një tabelë Komisioni Europian, që është lehtësisht e krahasueshme, midis gjithë vendeve të rajonit tonë, ku përfshihen Mali i Zi që është duke negociuar, Serbia që është duke negociuar dhe Shqipëria që nuk ka filluar ende të negociojë dhe ajo tabelë tregon as më shumë e as më pak, se sot, Shqipëria, për shkak të reformave që ka bërë, është absolutisht në të njëjtin nivel. Madje po t’i referohemi Reformës në Drejtësi dhe po të shikojmë raportet përkatëse për Malin e Zi dhe për Serbinë në disa aspekte, për ne, procesi i negociatave që lidhet me kapitujt 23, 24, që janë kapituj e drejtësisë, është praktikisht i filluar në pikëpamje të implementimit të kërkesave të procesit.

E për të ardhur tek përkthimi mot a mot i asaj që kanë thënë Komisioni Europian dhe Presidenca e Bashkimit Europian, – jo Këshilli siç e keni shkruar ju aty, duhet ta mësoni se Këshilli nuk ka nxjerrë konkluzione – Komisioni thotë: “Shqipëria ka vazhduar të bëjë përparim të qëndrueshëm drejt përmbushjes të të gjithë pesë prioriteteve kyçe për hapjen e bisedimeve për anëtarësim.”

Komisioni thotë: “Reforma e administratës publike ka vazhduar të zbatohet në mënyrë të vazhdueshme. Puna drejt krijimit të të dhënave të qendrueshme lidhur me hetimet proaktive, ndjekjen penale, të dënimeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka vazhduar dhe vazhdon.”

Komisioni, duke e marrë në konsideratë progresin e mësipërm në përmbushje të prioriteteve kyçe dhe në varësi të progresit të besueshëm dhe të prekshëm në zbatimin e Reformës nw Drejtësi dhe në mënyrë të veçantë të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, – Vetting-u, pra kushti, – rekomandon hapjen e negociatave.

Përsa i përket pesë prioriteteve, të cilat këta as nuk i dinë kush janë; E para, Reforma në Administratën Publike vijon të përvijohet si një sukses i qendrueshëm dhe me rezultat të dukshëm pozitiv, – thotë Komisioni. E nuk po zgjatem ta lexoj të gjithën.

Ndërsa kur flet për Reformën në Drejtësi, ripërsërit zbatimin e plotë të reformës, kryesisht të ligjit të verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve etj., pra, Vetting-u.

Lufta kundër korrupsionit, dëgjojmë këtu çdo të enjte si zotin Sali, si zotin Beni, si zotin Vangjeli, që vijnë dhe e tregojnë Shqipërinë, një diktaturë të korruptuar afrikane. Por çfarë thotë Komisioni?

Komisioni thotë: “Në luftën kundër korrupsionit, në mënyrë të qendrueshme njihet një trend pozitiv në vite në krijimin e historikut të rezultateve të goditjes së këtyre veprave kriminale.”

Vijmë tek lufta kundër krimit të organizuar. Çuditërisht Komisioni, ndryshe nga zoti Nardi, ndryshe nga zoti Vangjeli, ndryshe nga zoti Beni, ndryshe nga zoti Saliu, thotë: “Arritje në kuadër të goditjes së krimit të organizuar, veçanërisht në goditjen e trafikut të drogës, duke vlerësuar modernizimin e vazhdueshëm të Policisë së Shtetit.”

Vazhdojmë me kriterin ekonomik. Edhe për këtë kriter, vendi vlerësohet për progresin e kryer në zhvillimin e ekonomisë së tregut, funksionale. Progresi shënohet në përmirësimin e balancës buxhetore, luftën kundër informalitetit, reformimin e sektorit të energjisë elektrike, rritje ekonomike e përshpejtuar dhe situatë e tregut të punës e përmirësuar.

Sesa indulgjencë ka Komisioni Europian, kur vjen puna për ekonominë, pyesni zotin Vangjeli, t’ju thotë se çfarë i bënë Greqisë dhe çfarë i bëjnë çdo vendi tjetër, kur vjen puna tek ekonomia.

Në deklaratën përfundimtare, – deklaratë të cilën nuk e kanë lexuar këta, – thotë: “Vendet anëtare mirëpresin hapat e mëdha të Shqipërisë, duke nënvizuar progresin e qendrueshëm që ka bërë vendi ynë në lidhje me pesë prioritetet.”

Këta duan datë, por kanë hallin e datës së zgjedhjeve se aty kujtojnë se do shkojnë krenarë, duke treguar sa thasë me baltë i kanë hedhur këtu qeverisë dhe duke bërë garë me Saliun se kush hedh më shumë baltë këtu. Aq shumë sa nuk dallohet më kush është zoti Beni, kush është zoti Saliu, kush është zoti Vangjeli, kush është zoti Nardi, se të gjithë bashkë janë thesi me baltë në krah dhe “o burra të enjteve, se na e merr radhën Saliu”. Do vijë edhe Saliu dhe do vazhdojë ato që tha zoti Beni.

Shqipëria,  – thotë Komisioni – ka bërë një progres që duket qartë  për të tretin vit radhazi, por edhe krahasuar me vendet e rajonit që janë pjesë e paketës së zgjerimit. Më tutje, vendet anëtare të BE-së mbështesin rekomandimin e Komisionit Europian për fillimin e bisedimeve, pra, për dhënien e datës, me mirëkuptimin që Shqipëria do të fillojë të zbatojë ligjin e Vetting-ut. Çfarë doni më shumë ju!

 

Doni datë? Të fillojmë të zbatojmë ligjin e vetting-ut.

 

Doni datë? Këtu keni kohë të merreni me mua, keni kohë të merreni me qeverinë. Drejtojuni anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që sot kanë në dorë të hapin rrugën për të marrë datën.

 

Doni datë ju? Në qoftë se doni datën për të çelur negociatat, – se datat tjera, mos u mërzisni, përpara i kemi, do t’ju shikojmë të gjithëve juve bashkë, kur të ballafaqohemi me popullin, – ejani këtu dhe minimumi, të paktën në këtë çështje, mos gënjeni se keni boll fusha ku gënjeni sikur këndoni. Të paktën këtu mos gënjeni, të paktën këtu mos u tregoni shqiptarëve broçkulla, sepse e para, nuk ka shans që shqiptarët t’i hanë këto broçkulla dhe e dyta, në këtë garën tuaj se kush i hedh më shumë baltë qeverisë, jeni vetëm duke tretur njëri-tjetrin.

 

Në mbyllje, vendet anëtare kanë bërë dhe një gjë tjetër, zoti Beni. E kanë nxjerrë Shqipërinë veç, jashtë pranverës 2018-të që është lënë si afat për të rikonsideruar gjithë paketën e zgjerimit dhe kanë thënë se presim në çdo moment që Komisioni të rikthehet me një raport, ku t’i thotë Këshillit “ligji i Vetting-ut ka filluar të zbatohet. Zbatimi i deritanishëm është i mjaftueshëm, ju lutem jepni datën”.

 

Doni datë? Kjo është data. Për të tjerat këtu do të jemi!

***

Zoti Nardi, e kuptoj që ke shumë të drejtë të jesh i zhgënjyer. Herë tjetër mos ia delego leximin e mendimeve të tuaja zotit Beni, sepse e sheh që të lë në baltë. Edhe zoti Vangjel ka të drejtë të jetë i zhgënjyer! Ju mund të çuditeni, unë nuk çuditem.

Një pyetje dua t’ju bëj juve që e dëgjuat dhe gjithë atyre që na dëgjojnë. Sikur të mos kishit figurën dhe zërin, çfarë dallimi kishte nga Saliu, zoti Beni?

Saliu ka gjithë jetën këtu, që thotë frikacak. Por sot, zoti Beni shkoi edhe më përpara, përdori atë shprehjen e Saliut, “jua them unë”. E keni dëgjuar Saliun, kur thotë “e dini ju këtë? Jua them unë!” dhe pastaj, kur i ngec mendimi,  bën “e pra”. Edhe këtë si Saliu.

 

Në fakt, një gjë është për t’u sqaruar. Ai thotë se u them shqiptarëve dembelë. Dembel i kam thënë vetëm zotit Beni, se dembel – dembel,  vetëm zotin Beni kam njohur.

 

“Të gabosh është njerëzore”, – thotë një fjalë e mençur, por “të insistosh në gabim është djallëzore.” Këtu prapë janë njësoj, edhe zoti Saliu, edhe zoti Beni. Më vjen keq për zotin Vangjeli dhe për zotin Nardi, të cilët sot deshën të flasin për integrimin nëpërmjet zotit Beni, por do kishte që shumë më mirë origjinali sesa kopja. Midis të dyve, Saliu të paktën është punëtor, zoti Beni është dembel, të lë në rrugë.

 

Ndërkohë që zoti Beni e harron që ishte kjo qeveri, e cila i dha vendit statusin e kandidatit në Bashkimin Europian. U dha nga Komisioni Europian, rekomandimi që Shqipëria të miratojë tre ligjet dhe të çelë dhe negociatat. Çfarë tha Këshilli Europian atëherë?

 

Nuk tha këtë që thotë sot Këshilli Europian, zbatoni Vetting-un dhe ejani prapë me raport, por futi edhe krimin e organizuar, edhe korrupsionin etj.. Kush e futi Shqipërinë në këtë fazë të re? Kush i’a dha Shqipërisë statusin? Ia dhanë reformat tona. Më kujtohet që vetë zoti Beni më ka bërë një kompliment të madh, kur Shqipëria mori statusin e vendit kandidat, vetëm ti tha mund t’ia dilje kësaj. Mohoje tani!

 

* * *

Jozefinw, je e vetmja qysh se Komisioni Europian bën raporte për Shqipërinë, që ke dalë në raport me emër. Je me emër në Raport-Progresi të Komisionit Europian si problem, në kohën kur drejtoje Kuvendin e Shqipërisë. U bëre problem europian, me mënyrën banale sesi e drejtoje Kuvendin. Je me emër!

Tani sa herë merr fjalën, thua “ishim më mirë, kur ishim më keq” dhe i kërkon llogari kësaj qeverie për të gjitha plagët dhe pasojat e rrënimit të keqqeverisjes tuaj. Flet këtu për varfërinë, a thua se varfëria lindi në 2013-n! Ndërkohë që po t’i referohesh fakteve, patjetër që Shqipëria ka varfëri, por faktet dhe raportet e organizmave ndërkombëtare flasin për një trend rënës të varfërisë, nuk flasin për rritje të varfërisë.

Patjetër që Shqipëria ka papunësi, por faktet dhe raportet e organizatave ndërkombëtare flasin për rritje të punësimit, nuk flasin për rritje të papunësisë.

Patjetër që Shqipëria ka nevojë për një rritje ekonomike edhe më të lartë, por faktet flasin ndryshe. Shifrat e përputhura me organizatat financiare ndërkombëtare thonë që në vitin 2013, ekonomia rritej midis 0 dhe 1%, sot rritet midis 3.3 dhe 3.5%. Po njoftoj të gjithë oborrtarët e kësaj opozite të dëshpëruar e të mbushur me mllef e me vrer, se përpara mbylljes së vitit do të lançojmë një program të ri investimesh dhe objektivin tonë për ta çuar rritjen ekonomike mbi 5%, ne do ta bëjmë realitet. Mbi 5%!

Më tregove Angela Merkel. Ndërkohë që në 3 vite rresht janë bërë 3 takime zyrtare, një në Tiranë dhe dy në Berlin, të nivelit më të lartë.

Të lutem, jeni sot të gjithë ju, botërisht të njohur si “lost in translation”! Jeni të gjithë të humbur në përkthim! Përktheni gabim dhe me përkthime të gabuara doni t’i mbushni mendjen shqiptarëve se ishin më mirë, kur ishin më keq!

Ne nuk i’u themi shqiptarëve, çohuni në këmbë dhe brohorisni për ne. E po qe puna për çfarë duam të arrijmë, unë jam më i pakënaquri, në raport me të gjithë ata që kanë diçka në dorë, përfshirë dhe ju. Por, po qe puna për të bërë krahasime me nga faqja e zezë nga ku u nisëm me sot, në asnjë sektor nuk ka krahasim të mundshëm. Nuk bëhet dot krahasimi.

Më e bukura apo më e trishtuara është që ju vini këtu dhe nuk keni asnjë reflektim, asnjë alternativë të re, zero ide, zero projekt, zero skuadër, zero lidership! Çfarë i’u ofroni shqiptarëve? U thoni të kthehemi aty ku ishim, se ishim më mirë, kur ju ishit më keq. Pra, kur shqiptarët ishin më keq, ishin më mirë!

Megjithatë vazhdoni bjerini fyellit, me të vetmen vrimë hapur qw keni dhe këtu do jemi, shumë shpejt, përgjigjen do ta merrni prapë nga shqiptarët. Do e merrni nga ata, të cilëve vini këtu dhe i’u qani hallet. Gjykimin final e bëjnë prapë ata dhe nuk do të pinë ujë, fare, historitë tuaja “jo i bletë, jo s’i bletë, jo kriminelwt, jo këta”. Këto janë të gjitha dokrra hini. Në fund janë shqiptarët që do të thonë fjalën e tyre. E kam thënë edhe herë tjetër, pas zgjedhjeve të tjera do jeni më pak. Do jeni më pak, sepse kështu meritoni.

Keni tre vjet e kusur që jeni ulur këtu dhe asgjë e re. Zero! Histori të vjetra, shpifje që riciklohen, akuza që përsëriten, gënjeshtra që trumbetohen, një gjë të re, shqiptarëve nuk ua thatë. Edhe në atë palo program që keni bërë publik keni kthimin prapë aty ku ishin. Prapë, taksa më e lartë për ata që fitojnë më pak, taksa më e ulët për ata që fitojnë më shumë, prapë te historitë e vjetra.

Nuk kthehet mbrapa Shqipëria. Ju nuk e ndaloni dot Shqipërinë të vazhdojë të bëjë përpara me të gjitha sfidat, me të gjitha mundimet, me të gjitha vështirësitë, me të gjitha të metat. Nuk ka Shqipëria asnjë alternativë tjetër. Ju jeni të gjithë një kosh njerëzish të rënë nga vakti, që meritoni vetëm vaktin që fitoni duke ardhur këtu dhe duke bërë baltë e vetëm baltë. Jeni komplet të humbur në përkthim dhe rruga juaj është një rrugë që nuk ka lidhje fare me rrugën e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.