Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Kuvend:
E mora fjalën për të nënvizuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka njëri prej vendimeve që ky Parlament do të marrë sot, i cili lidhet me paketën AntiKÇK dhe konkretisht me vetë KÇK-në, pra, me organizatën kriminale që funksionon brenda organizmit të sistemit tonë të drejtësisë.
Është fakt se në këtë fazë, ku Reforma në Drejtësi po vazhdon të zbatohet dhe kur vettingu po vazhdon të pastrojë llumin nga pallati i drejtësisë, një pjesë jo e vogël e llumit, e gjykatësve dhe e prokurorëve të korruptuar, që s’kanë asnjë shans të kalojnë vetting-un dhe që e dinë edhe vetë këtë gjë, kanë hyrë në fazën e fundit të karrierës së tyre të shkurtuar nga Reforma në Drejtësi, të cilës po i vjen fundi me një përshpejtim marramendës të aktivitetit të tyre kriminal.
Është fakt që opinioni publik duhet të përballet në mënyrë të vijueshme me “aksidente” të përplasjes mes ligjit që thyhet përballë makinerisë së krimit dhe të korrupsionit në sistemin e drejtësisë, që nxjerr vendime që realisht dëshpërojnë dhe synojnë gjunjëzimin e opinionit publik, vendime të tmerrshme, që nga ato që janë bërë edhe publike, tek të tjera që nuk janë bërë publike, që nga lirimi i të dënuarve me burgim të përjetshëm për vrasje në mënyrën më spektakolare të shkeljes së ligjit nga vetë gjykatësit, deri tek tjetërsimet spektakolare të pronave me interes të madh kombëtar dhe publik në zonën e bregdetit.
Për këto arsye, ne kemi vendosur të ndërmarrim një ofensivë shembullore, si asnjëherë më parë, në të dyja anët e medaljes; në anën e medaljes që është pasqyrë e fuqisë financiare të krimit të organizuar dhe në anën e medaljes që është pasqyrë e krimit në sistemin e drejtësisë për mbrojtjen në bashkëpunim të krimit të organizuar.
Sot, faktikisht i vjen fundi pafuqisë ligjore për të reaguar në mënyrë urgjente ndaj të gjithë atyre që do guxojnë të vazhdojnë të përdorin çekiçin e drejtësisë nën togën e gjykatësit, për të ndërmarrë akte kriminale ndaj vetë ligjit, ndaj drejtësisë dhe ndaj shoqërisë.
Sot, ne i japim një fuqi të re Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, duke i dhënë mundësi Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të reagojë në mënyrë të menjëhershme ndaj vendimeve haptazi korruptive dhe kriminale të gjykatësve, duke kërkuar brenda 3 ditësh pezullimin e tyre nga detyra.
Sot, ne i japim dorë qeverisë së re të sistemit tonë gjyqësor, KLGJ-së dhe KLP-së, instrumentin e pezullimit të menjëhershëm, duke i hapur rrugë fillimit të menjëhershëm të hetimeve për gjykatësit në fjalë. Që do të thotë, këta që mendojnë se duke pritur në radhë deri kur t’iu vijë vetting-u, do kapin çfarë të kapin, do bëhet më keq se vetting-u, në momentin kur kap çfarë të kapësh do materializohet në një vendim, që do të thotë, menjëherë verifikim i figurës, menjëherë verifikim i pasurisë. E treta, të pezulluar, të verifikuar në figurë dhe në pasuri dhe të dalë nga verifikimi të njollosur, menjëherë hapjen e procesit penal dhe dërgimin bashkë me shokët prapa hekurave.
Nuk mund të ketë më në këtë vend një lojë macja me miun, ku hajdutët vazhdojnë bërtasin “kapni hajdutin”, ku kriminelët vazhdojnë bërtasin nëpërmjet medias dhe nëpërmjet politikës “kapni kriminelët” dhe ku, në këtë lojë, opinioni publik nuk di më se çfarë të besojë dhe çfarë të zgjedhë mes gjithë këtyre lumenjve me baltë që derdhen përditë.
E di shumë mirë që e kemi jo shqetësuar, por e kemi tronditur krimin e organizuar në palcë me ofensivën e Operacionit Forca e Ligjit. E di shumë mirë që krimi i organizuar dhe burimet e tij financiare janë investuar për të krijuar sa më shumë keqkuptim dhe mjegull. E di shumë mirë që në studio televizive ka njerëz të paguar nga krimi i organizuar, për të bërë avokatin e krimit të organizuar, duke folur në një formë që është e paperceptueshme, për të relativizuar aktet e njerëzve që kanë vënë pasuri duke vrarë, e kanë kthyer gjakun e pafajshëm në rrugët e Shqipërisë për 30 vjet në para; për njerëz që kanë shfrytëzuar barbarisht vajza të familjeve të varfra dhe të familjeve të zakonshme të këtij vendi, për t’i çuar në rrugët e prostitucionit, duke bërë para me nderin e jetën e tyre; për njerëz që kanë helmuar gjakun e të rinjve, duke futur drogë dhe që kanë marrë pjesë intensivisht në rrjetet e krimit të organizuar ndërkombëtar, duke transportuar drogë lart e poshtë dhe që janë të dënuar nga drejtësia ndërkombëtare, apo deri dhe nga drejtësia e lodhur shqiptare për vepra të këtyre niveleve; për njerëz që kanë njollosur në vijimësi Shqipërinë dhe patjetër kanë njollosur në vijimësi të gjithë politikanët shqiptarë, ku, në asnjë mënyrë, kurrë nuk kam për ta pranuar dhe s’mund ta pranojmë se jemi të gjithë njësoj, natyrisht ka pasur, ka politikanë të lidhur me krimin, por janë pikërisht ata që janë të lidhur me krimin që flasin më shumë për se si krimi është i lidhur me politikën.
Ofensiva që po bëjmë nuk është një lojë, nuk është as një nga aksionet e radhës, por është një operacion që e fut thikën mu në zemër të krimit të organizuar, duke goditur atë që krimi i organizuar e ka të shenjtë: pasurinë.
Çuarja në burg e këtyre njerëzve është njësoj si çuarja për studime pasuniversitare jashtë shtetit profesorët. Në burg, këta njerëz vazhdojnë – jo këtu, po kudo, – me veprimtaritë e tyre dhe kalojnë në sallën e regjisë, të mbrojtur nga muret e shtetit, të ushqyer nga shteti dhe duke përfituar nga lidhje të gjithhershme kudo, që nga SHBA në Europë, edhe në Shqipëri brenda për brenda sistemit të burgjeve, për të pasur komunikim normal dhe për të drejtuar nga burgu operacionet fitimprurëse.
Kështu që, burgu për këta nuk mjafton!
Këta duhen zhveshur nga pasuria e paligjshme!
Operacioni do të bëjë pikërisht këtë, do t’i zhveshë nga pasuria e paligjshme, ajo e deklaruara dhe do t’ua bëjë të pamundur që të riciklojnë pasurinë e padeklaruar, që patjetër është më e madhe se ajo e deklaruara, do ua bëjë të pamundur që me makina sfiduese të vërtiten lart e poshtë, duke i bërë karshillëk shtetit, duke i bërë karshillëk komunitetit, duke ua bërë të pamundur që të shkojnë dhe të hapen sediljesh nëpër lokale, ku vajza e djem, studente e studentë duan të kalojnë një mbrëmje të paqme dhe janë të detyruar të jetojnë nën presionin e syve, të duarve dhe të fjalëve të këtij llumi.
Llum si ky ka në të gjithë botën. Llum si ky ka në mes të New York-ut, ka në mes të Parisit, në mes të Berlinit, por është jo mbi tokë, nën tokë. Këta që kanë guxuar dhe u është bërë e mundur që të hapen si vaji në lakra në mbitokën shqiptare do t’i fusim nën tokë dhe lufta me ta do vazhdojë, ne mbi tokë, ata nën tokë. Jo të dyja palët mbi tokë dhe s’merret vesh, kush është i pari kush është i dyti, shteti apo këta.
Shumëkush, edhe nën ndikimin e propagandës të ushqyer edhe nga këta, edhe nën ndikimin e propagandës së ushqyer nga ata që s’janë këtu në Parlament, që ikën nga Parlamenti dhe që e kthyen këtë Parlament në një mejhane dhe politikën shqiptare në një arenë ku “jemi të gjithë njësoj” dhe që bënë çmos për ta lidhur, duke e përsëritur çdo ditë, PS-në dhe qeverinë tonë me krimin, bëjnë që njerëzit, jo të gjithë, disa njerëz të thonë “pse merreni me këta?” “Pse u kujtuat sot?” “Pse kaq vonë, keni 7 vjet”. Në fakt nuk kemi 7. Kemi 6 vjet e gjysmë, se unë i numëroj që nga dita që kemi hyrë në zyrë, se çdo ditë, për ne është e çmuar për punën që bëjmë. Dua t’ju them të gjithëve, se kjo që po bëjmë sot nuk bëhej dot dje, se kur thonë shteti, duhet të kuptojnë që shteti është qeveria, shteti është Parlamenti, shteti janë edhe gjykatat, por nuk janë të gjitha bashkë. Duhet të kuptojnë se shtet është edhe policia, por Policia e Shtetit është vënë nën akuzë, në mënyrën më të padrejtë, në pjesën më të madhe të kohës, jo sepse nuk i ka kapur këta, por sepse këta nuk janë dënuar kurrë, apo janë dënuar me shumë vonesë, apo janë dënuar, janë liruar, apo, pasi janë dënuar, janë kapur përsëri, janë liruar në sallë dhe kanë ribërë përsëri krimin.
Me kë ta bënim ne këtë, s’po them në 2013-ën, as në 2015-ën, as në 2017-ën, po them vjet? Kujt t’ia çonim ligjin special? Kujt t’ia çonte Policia e Shtetit dosjet e pasurive të deklaruara të këtyre xhagajdurëve, që mirë që morën peng njerëz, mirë që vranë njerëz, mirë që shkatërruan jetë vajzash, mirë që lundruan mbi drogë, por morën peng përmes xhagajdurëve të politikës edhe debatin politik në Shqipëri, duke e kthyer në një debat skandaloz, në një debat të neveritshëm, në një debat të ulët, në një debat të poshtër, në një debat pa pikën e lidhjes me arsyen pse jemi zgjedhur këtu, me të njëjtat fjalë: “krimi-krimi-krimi”; “kriminelët-kriminelët-kriminelët”; “vrasës-vrasës-vrasës” e të gjitha këto me radhë. Duke e zhytur përmes këtij debati të gjithë politiken shumë nën nivelin më të ulët, që normalisht ajo mund të arrijë edhe në një vend tjetër në momente të caktuara, sepse ajo që ne e kemi pritur me padurim, për të realizuar këtë ofensivë, ka qenë pikërisht mundësia për të çuar dosjen e verifikimit të këtyre pasurive në një adresë të saktë.
Cila ishte adresa për të çuar dosjet deri vjet? Prokuroria e Përgjithshme? Cila? Prokurorët e pavetuar, që, duke përfituar edhe nga ndryshimet në sistemin e drejtësisë dhe nga fakti që akoma s’iu ka ardhur radha e vetting-ut, kanë ngatërruar decentralizmin e sistemit me qendërzimin total të kompetencës kriminale në duart e tyre? Kujt?
Tek cili do ta çonte prokuroria dosjen e secilit prej këtyre, që sot, opinioni publik po e sheh, ne, jo vetëm s’kemi asnjë lidhje, por kërkojmë t’i lidhim njëherë e mirë?
Tek cilët gjykatës? Tek ata që janë bashkëpunëtorë të këtyre?
Ka një ligj Shqipëria prej shumë vitesh, një ligj shumë më të ashpër për pasurinë kriminale sesa ligji special, ligjin Antimafia. Shikojini rezultatet e ligjit Antimafia në të gjithë këto vite. Qesharake! Shikojini sesi përmes ligjit Antimafia, jo vetëm nuk janë dënuar pjesa më e madhe e këtyre, por kanë mundur të pastrojnë pasurinë, sepse nga kontrollet përmes ligjit Antimafia, pasuria e tyre marramendëse iu ka dalë e pastër.
Si ka mundësi që të mos kuptohet kjo dhe si ka mundësi të mos shikohet nga një pjesë e njerëzve që kjo është betejë që nuk ka kufij politikë! Kjo është betejë që nuk ka rëndësi fare se kush po e bën, që nuk ka rëndësi fare se a e ke votuar ti forcën politikë që po e bën, që nuk ka rëndësi fare se kush do t’i marrë meritat e kësaj që po bëhet, por që ka rëndësi për familjen e çdo njeriu të zakonshëm, pavarësisht se për kë voton, ka rëndësi për familjen e çdo emigranti që është matanë detit dhe që këtu ia marrin pronën sy për sy dhe kush ia merr? Ia marrin këta.
Shikojini se çfarë po heqim me zonat për të rindërtuar në Durrës. Me mijëra dhe dhjetëra-mijëra katrorët e pasurisë publike, e tokave që, kur i sheh në hartë, duken bosh dhe që në pamje të parë duket sikur janë akoma të shtetit, futesh nëpër labirintet e hipotekës dhe gjen aty lloj-lloj dumrash e rrumrash e stërrumrash e stërdumrash, që janë bërë pronarë me hektarë.
Atëherë, çfarë është kjo që po bëjmë?
Kjo që po bëjmë është që po marrim një risk real, në kushtet kur sistemi i drejtësisë është ende “fragile”, por në kushtet kur këtë risk që ky operacion mund të mos dalë me sukses, kemi arsye të besojmë se do ta mitigojmë, pasi kemi SPAK-un që sapo ka filluar punën. Është rastësi që kjo koincidon me SPAK-un? Aspak. Është absolutisht e përputhur. SPAK-u ka lindur për këtë. SPAK-u është aty që të bëjë këtë dhe ne kemi kaluar një ligj që i jep policisë në dorë dy gjëra shumë të rëndësishme:
Së pari, që të veprojë mbi një listë të mbyllur. Që do të thotë që – se dëgjoj selektivitet, çfarë selektiviteti? – lista është mbyllur pasi subjektet e këtij ligji special janë njerëzit e dënuar për një numër veprash, që janë veprat më të rënda, të cilëve nuk iu hapet një hetim penal sot, por iu bëhet një verifikim i pasurisë që nuk i është bërë kurrë dhe iu thuhet shumë thjesht, kjo është pasuria e regjistruar në emrin tënd apo të familjarëve të tu, sepse ka dhe familjarët ligji. E dyta, i jep instrumentin tjetër, që nuk është policia, nuk është as prokuroria që duhet të provojë se kjo pasuri buron nga krimi, por janë këta që duhet të provojnë që kjo pasuri nuk buron nga krimi, pra, kalon barrën e provës tek ata.
Shumë e thjeshtë. Ke vrarë, ke trafikuar njerëz, vajza, drogë, armë? Ke bërë dënimin apo je duke bërë dënimin? Jetojmë në demokraci. Gjithsekush ka të drejtën të rehabilitohet, një krim i bërë, sado i rëndë, nuk mund të të ndjekë mbrapa edhe pasi ti e mbaron dënimin, por duhet të na thuash këto që vure nga krimi, si i ke vënë? A të takojnë, apo nuk të takojnë? Je i lirë, po vepron në kushtet e lirisë dhe të ekonomisë së tregut, je dënuar, e ke kryer dënimin, por ti do gëzosh ato që të takojnë, nuk mund të gëzosh ato që nuk të takojnë.
E për ta çuar pak më tutje, ka një tjetër zhurmë të madhe nga ata që e kundërshtojnë dhe në këtë rast nuk flas as për xhagajdurët e politikës, sipas të cilëve, KÇK-a jemi ne, pra, ne jemi ata që po luftojmë, ne jemi ata që jemi objekt i luftës. Kjo është kontradiktë në objekt, siç do të thoshte avokati. Nuk po flas as për xhagajdurët e studiove televizivë, disa prej tyre, të cilët dihet, paguhen për të bërë këtë gjë që bëjnë, por po flas për njerëz të zakonshëm, që thonë pse nga këta, pse nuk e filloni nga vetja? Pse nuk e filloni nga Surreli? Pse nuk e filloni nga X dhe Y?
Sepse nuk jemi ne që duhet të bëjmë këtë. Mund ta kontrolloj unë pasurinë time?! Unë pasurinë time dhe të gjithë ne pasurinë tonë e deklarojmë qëkur kemi hyrë në këtë rrugë. Ka një ligj që na detyron ta deklarojmë. Edhe një numër i caktuar zyrtarësh janë subjekt i deklarimit të pasurive, e deklarojnë dhe deklaratat e pasurisë sonë të përvitshme janë në një dosje në inspektoratin e deklarimit të pasurive. Inspektorati i Deklarimit të Pasurive është aty për të kontrolluar pasuritë tona. Është një institucion i pavarur. E bën mirë, nuk e bën mirë, kjo është një çështje që mund ta diskutojmë, por nuk është policia që duhet të kontrollojë pasuritë e politikanëve, apo të gjykatësve. Nuk është qeveria, larg qoftë, që duhet të kontrollojë pasuri politikanësh apo gjykatësish, sepse nuk jemi në vitin 1945, jemi në vitin 2020. Këto janë çështje ekskluzive të institucioneve të pavarura dhe të drejtësisë së re e të pavarur që ne po ndërtojmë. Shumë njerëz, gabimisht mendojnë se historia e marrëdhënieve të dyshimta me ligjin e gjykatësve dhe prokurorëve, që i përjashtoi vetting-u, ka mbaruar aty. Shumë njerëz mendojnë, pse, kjo ishte? Sepse kanë kujtuar se vetting-u të fut në burg. Jo, vetting-u nuk është gjykatë që të çon në burg. Vetting-u është një proces që vendos ti je në rregull, i ke duart e pastra për të marrë çekiçin e për t’i rënë çangës kur jep vendim, apo i ke duart pis. Nëse i ke duart pis, del nga sistemi. Sistemi i ri duhet të jetë me njerëz që ato duar i kanë të pastra dhe pastaj, ata njerëz me duar të pastra do t’i thërrasin këta me duar të pista e do t’i thonë edhe gjykatësve, ka ardhur dita tani, të provosh se pasuritë që nuk ia justifikoje dot Komisionit të Vetting-ut, i ke bërë me djersën e ballit, përndryshe, jo vetëm që nuk të takojnë, por nuk je më për të fjetur në shtëpi për një periudhë kohe të caktuar, do shkosh të flesh me shokët, me ata të cilët ke bërë pasuritë në bashkëpunim.
Natyrisht, unë e kuptoj padurimin e shumë shqiptarëve për të parë në burg njërin e tjetrin, nuk po ua përmend emrat, se emrat dihen, ndër kolegë tanët dhe kolegë kam parasysh jo vetëm të njërës parti, por dhe kolegë të opozitës, ose të qeverisë së mëparshme. Por kujt ia kërkojnë këtë?
E si mund të bëhet kjo, përveçse duke i dhënë Shqipërisë në dorë një instrument që nuk e kontrollojmë ne, pra, që nuk është shprehje e vullnetit të qeverisë për të luftuar me kundërshtarin sot, nesër apo pasnesër, në emër të drejtësisë dhe në emër të pastërtisë. Ky do ishte fundi. Imagjinoni të mi lini mua në dorë, të merrem unë me ju, sikur të isha polic, gjykatës, apo prokuror. Ata që dolën nga këtu, nuk do ishin në shtëpi sot, por shyqyr Zotit nuk jemi në atë sistem dhe prandaj detyrat e secilit janë të ndara, fuqitë e secilit, sado të mëdha të jenë individualisht, duhet të kanalizohen aty ku i kanalizon sistemi demokratik. Kjo është një gjë që do ta kuptojnë njerëzit.
Unë do doja që Reformën në Drejtësi ta kishim bërë sa hap e mbyll sytë, siç bëjmë një koment në Facebook, kur shkruajnë “po nuk e fute mren filonin, je dhe ti si filoni”. [Kuptohet, po e them në tironce për të nderuar parafolësin e parafolëses.] Është e pamundur që të funksionojë kështu. Reforma në Drejtësi në Shqipëri është realizuar kaq sa është realizuar, besojeni ose jo, por mjafton të krahasoni me vende që sot janë në Bashkimin Europian, shumë më shpejt sesa në vende të tjera. Sot që flasim, ka vende në Bashkimin Europian që vazhdojnë me Reformën në Drejtësi, vende që hynë në Bashkimin Europian e nuk e kishin bërë akoma reformën në drejtësi.
Natyrisht që kjo kërkon kohë, se nuk bëhet fjalë për të ndërtuar shtëpitë pas tërmetit. Është një proces mekanik dhe ai kërkon kohën e vet, por ne do bëjmë çmos, ta bëjmë sa më shpejt. Që do të thotë, do bëjmë çmos që të gjithë ata, të cilët kanë humbur banesën e tyre individuale, ne t’i kemi në shtëpi për vitin e ri, në fund të këtij viti. Do bëjmë çmos. Do donim shumë që, siç po bëjmë këtë, të kishim bërë edhe gjykatat, edhe prokuroritë dhe brenda një viti të kishim të gjithë sistemin në këmbë. Kjo është teorikisht e pamundur, është përtej fuqive njerëzore të një qeverie, cilado qoftë dhe një shumicë cilido qoftë parlamenti. Është e pamundur sepse këtu bëhet fjalë për të ngritur një nga kolonat themelore të shtetit dhe bëhet fjalë për ta ngritur jo mbi një tokë të virgjër, por pasi shembet kolona e vjetër dhe pastrohen gërmadhat e asaj kolone, që janë gjithë këta KÇK-ja. Gërmadha që vazhdojnë të bëjnë viktima dhe nuk ka operacion shpëtimi tjetër, përveç këtij. Kush do mendojë se i erdhi dita të marrë një thes me para me idenë që vetting-un nuk e merr, por kap ça të kap e liro nga burgu këtë që ka dënim të përjetshëm, pavarësisht se e ka të formës më të prerë të mundshme, por nga një juridiksion lokal në një periferi të Tiranës, mund t’i bie çekiçit dhe le të iki të bëjë çfarë të dojë. Po, mund ta bëjë, por brenda 3 ditësh do pezullohet e pas 3 ditësh do t’i fillojë një vetting, që vetting-u zyrtar që e njohim me këtë emër është lule; verifikimi i figurës, verifikimi i pasurisë, nga të gjitha institucionet. Aty pastaj do hyjnë të gjitha institucionet e do sjellin gjithë informacionet për këtë lloj gjykatësi apo gjykatëseje e pas këtij verifikimi nuk do shkojë në shtëpi, por do shkojë në prokurori, në SPAK. Nga SPAKU-u në gjykatë speciale e nga gjykata speciale, tek shokët.
Nëse ky operacion do të jetë i suksesshëm, duhet të kuptoni shumë mirë që të gjithë ju dhe të gjithë ata që më dëgjojnë, Shqipëria do të jetë krejt tjetër. Nëse ky operacion do të jetë i suksesshëm, do të bëhet ndarja e madhe mes botës së paligjshmërisë e botës së ligjit, që sot janë të ndërthurura me njëra – tjetrën në çdo hapësirë publike. Unë nuk mund t’i “kryqëzoj” kryetarë bashkish nëpër periferi, që u hapet dera me shqelm dhe u hyn një me 7 vrasje në kurriz e u thonë dua ta menaxhoj unë ujësjellësin. Është historia e botës që e tregon këtë, është historia e Italisë fqinje që e tregon këtë. Nëse sot, Italia fqinje është në një tjetër vend, në një tjetër pozicion, në një tjetër epokë në raport me mafien. Kjo erdhi vetëm nga e njëjta gjë që po bëjmë ne sot, goditja e pasurisë, marrja e katër rrotave dhe lënia me dy këmbë në tokë dhe pastaj, ngritja në krah me gjithë të dyja këmbët dhe çuarja përpara drejtësisë, jo më për krimin, por për pastrimin e produkteve të krimit.
Këto janë procese që duan kohën e tyre. Thashë, shyqyr Zotit nuk jemi në ’45-n, sepse njeriu është i krijuar për t’ju përshtatur sistemeve. Sistemet janë ato që e mbajnë njeriun lidhur. Njeriu nuk e kthen dot një sistem në një tjetër. Sistemi e merr njeriun dhe e bën në 7 forma të ndryshme. I kam parë gjithë heronjtë e disidencës të pas pilafit, i kam parë të gjithë ata që pas pilafit vazhdojnë dhe sot flasin për Enver Hoxhën, për komunistët, për vrasjet, sot akoma, se akoma nuk i ka dalë frika si bashkëpunëtorë në nivele të ndryshme. Kur e shoh naltmadhninë që vjen këtu, del këtu e flet, naltmadhnia harron që ne “tironsit” e kemi njohur njëri-tjetrin edhe para ’90-s. E harron naltmadhina këtë, që na e tregoi Tironën e vet sikur ishte vatra e heroizmit antikomunist me atë në krye. E harron naltmadhnia që unë e kam njohur dhe në atë kohë. Je i mirëkuptuar, jo të gjithë e nxjerrin menjëherë lepurin, ke kohë. Edhe foltorja e Parlamentit të shërben. E vetmja gjë për të cilën ti dhe ju mund të garantoni, janë që mustaqet tuaja nuk preken, asgjë tjetër.