Fjala përshëndetëse e Kryeministrit Edi Rama në mbrëmjen falenderuese për delegacionet e mbi 150 vendeve të botës, të cilat e zhvilluan Kongresin Zgjedhor të Federatës Botërore të Peshëngritjes në Shqipëri:
I nderuar president dhe i dashur vëlla Muhamed,
Ju përmendët Mehmet Pashën si themeluesin e Egjiptit të sotëm dhe folët fjalë të bukura dhe të mira për Tiranën, por ju jeni Mehmet Pasha i Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes dhe me emrin që keni ju dhe me atë titull që ju mbani, jam i sigurt që Federata e Peshëngritjes do të gëzojë ditët e saj më të bukura.
Ne bashkë jemi takuar përpara disa kohesh, nuk keni qenë president në atë kohë, as Pasha, por Tirana, Shqipëria ju solli fat dhe jam vërtet shumë i kënaqur sepse Shqipëria i solli fat edhe zevrnfed presidentit, mikut tonë të dashur Pirro Dhimës, i cili e filloi rrugëtimin e vetë drejt yjeve pikërisht këtu, në Shqipëri ku ai shkëlqeu si një yll i vërtetë në botën e peshëngritjes dhe tani po ndihmon Amerikën që të shkëlqejë. Është drejtori i Federatës Amerikane të Peshëngritjes dhe për herën e parë në histori, amerikanët morën një medalje të artë në sportin e peshëngritjes. Kjo e gjitha ka të bëjë me Tiranën, me Shqipërinë dhe unë jam shumë i nderuar që gjendem këtu me ju sonte dhe që ju ofroj juve këtë vend të mrekullueshëm të pallatit të mbretit dhe t’ju them që është i vetmi pallat mbretërish në të cilin një mbret nuk ka fjetur as dhe një natë të vetme sepse kur u përfundua së ndërtuari pallati, mbretit ju desh të largohej.
Kjo është një gjë e mirë për të gjithë sepse të gjithë të ftuarit këtu mund të ndjehen mbretër dhe mbretëresha dhe kjo është mikpritja jonë që të ftuarit të ndjehen si mbretër dhe mbretëresha.
Ju thatë që ne jemi pikërisht kërthiza e botës sepse është shumë e lehtë për të ardhur këtu nga të gjitha anët e globit dhe jam dakord me ju, por është e rrezikshme për ne që të mendojmë në këtë mënyrë pasi kemi vuajtur shumë, pasi mendonim se kemi qenë më të mëdhenj se çfarë ishim në të vërtetë. Kështu që duhet të jemi me këmbë në tokë e të punojmë fort.
Më duhet të them gjithashtu se peshëngritësit tanë janë vërtet frymëzim sepse ata kanë patur mundësinë të tregonin që edhe nga një vend fare i vogël si Shqipëria, dalin talente me punë të madhe e duke punuar fort, sepse kjo bën diferencën. Dëshiroj t’ju them i dashur Muhamed dhe dëshiroj t’ju them të gjithëve ju këtu miq të nderuar që ne ndjehemi vërtet të nderuar dhe krenarë që kemi mikpritur dhe është organizuar në Shqipëri ky kongres kaq i madh dhe i rëndësishëm, por kjo nuk do të kishte ndodhur pa presidentin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.
Miku ynë, Elezi ishte aq i paduruar dhe aq shumë i angazhuar e i përkushtuar për ta bërë të gjithë këtë organizim në mënyrën më të mirë të mundshme sa ai ka bezdisur çdo ministër, çdo zyrtar dhe madje ka kërcënuar dhe qeverinë duke thënë që në rast se ndonjë nga anëtarët e kongresit do kishin edhe problemin më të vogël me vizat, atëherë ne do të na duhej që të përballeshim me të gjithë muskujt e anëtarëve të Federatës së Peshëngritjes dhe sigurisht që kjo nuk mund të ndodhte, kështu që ne lëvizëm me shpejtësinë më të madhe të mundshme. Në rast se dëshironi të keni një vend ku të mos përdorni fare viza, ky vend është Shqipëria. Ju keni ardhur një herë në këtë formë. Ne e vërtetuam që nuk kryet ndonjë akt terrorizmi, as ndonjë vepër penale, përkundrazi ju ishit të mrekullueshëm. Ishit të ftuar të mrekullueshëm kështu që herën tjetër mjafton një autorizim nga Mehmet Pasha, i botës së peshëngritës dhe ejani në Shqipëri kur të dëshironi për të pushuar. Ejani në aeroport, thoni “unë jam me Mehmet Pashën” dhe s’do ketë nevojë as për pasaporta dhe as për gjë tjetër sepse ne na ka ardhur në majë të hundës kjo botë me kufij, me dyer që mbyllen, me viza me certifikata. Këtu gjërat janë të thjeshta. Këtu miqtë janë Perëndia!
Dëshiroj që në mbyllje t’ju them që kjo gjë nuk është aspak diçka thjesht poetike, por kjo në fakt bazohet te Kushtetuta jonë e parë, Kanuni i parë i shqiptarëve, ligjet e para të shkruara për shqiptarët kur paragrafi i parë në të thotë që “shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut”. Pikërisht “Halelujah” dhe sa i përket Zotit dhe meqenëse Zoti nuk ka ardhur, atëherë miqtë janë vetë zoti. Ju jeni të gjithë miq, kështu që shijojeni statusin e Perëndisë deri kur të ktheheni në vendet tuaja, pastaj do të keni problem me qeveritë tuaja të cilat ndoshta nuk e kanë peshëngritjen ndonjë pasion kaq të madh sepse janë të dobët.
Edhe një herë shijojeni Tiranën, shijojeni Shqipërinë! Shpresoj të kënaqeni dhe Zoti bekoftë Mehmet Pashën dhe Federatën Ndërkombëtare të Peshëngritjes!