Deklaratat para takimit në Moskë, të Kryeministrit Edi Rama, në cilësinë e Kryetarit të OSBE-së dhe Ministrit të Jashtëm të Federatës Ruse, Sergey Lavrov:
Ministri Lavrov: I nderuar Zoti Kryeministër, Kryetar në detyrë i OSBE-së!
Jemi të lumtur t’ju urojmë mirëseardhjen në kryeqytetin e Rusisë. E vlerësojmë përpjekjen tuaj për t’u këshilluar me Federatën Ruse, duke marrë në konsideratë që ju po drejtoni OSBE-në për vitin 2020. Dihet që situata e marrëdhënieve globale është mjaft e ndërlikuar, gjë që ndikon edhe tek OSBE-ja. Fatkeqësisht, ajo që ka më shumë avantazh në OSBE tani është retorika sulmuese, si dhe përpjekjet për të nxehur polemikat, në vend që të përpiqemi të gjejmë një bazë konstruktive gjithëpërfshirëse për dialog.
Në këtë situatë, personi drejtues në detyrë është shumë i rëndësishëm dhe ai duhet e mund të krijojë kushtet e nevojshme për një punë konstruktive dhe jam i lumtur që në fjalët tuaja publike si kryetar i OSBE-së, ju keni treguar që keni këtë qasje dhe ne do t’ju mbështesim plotësisht këtu.
Patjetër që sot do të kemi edhe mundësinë të shkëmbejmë agjendën dypalëshe dhe besoj se do të kemi një takim frytdhënës.
Kryeministri Rama: Faleminderit Zoti ministër! Me lejoni t’ju them se vij në Moskë pas 15 vitesh që nga vizita ime e parë si kryetar i bashkisë së kryeqytetit, këtë radhë si kryetar në detyrë i OSBE-së dhe do filloja duke ju komplimentuar të gjithëve ju në këtë qytet, megjithëse e di që është puna e kryebashkiakut, por ndryshimet janë absolutisht të mahnitshme.
Po, keni të drejtë, jetojmë në kohë të paqeta dhe është e qartë se siguria në rajonin tonë është shumë delikate. Kërcënimet ndërkombëtare po bëhen gjithmonë e më të komplikuara dhe njerëzit e gjendur në mes konfliktesh po vuajnë pasojat. Për shkak se njerëzit vuajnë duhet të gjejmë përditë sa më shumë të mundemi motivimin e mirë për të nxituar dialogun e qëndrueshëm, bashkëpunim të sinqertë dhe përpjekje të besueshme, për t’iu përmbajtur dhe për të zbatuar angazhimet tona ndërkombëtare.
Më lejoni të ripërsëris atë që kam thënë që në fjalën time të parë si kryetar në detyrë që, megjithëse OSBE-ja është themeluar para 45 vitesh, parimet e saj të integritetit territorial, sovranitetit, të drejtave dhe lirive të njeriut mbeten po aq aktuale sa ishin ditën e parë. Duke vendosur sigurinë dhe njerëzit të parën, mendoj që ne të gjithë mund të përpiqemi të bëjmë më shumë dhe le të shpresojmë që më e mira do të vijë.
Sërish ju falenderoj për mikpritjen dhe për këtë mundësi. E di, siç e dinë të gjithë që Rusia është anëtar kyç i një sërë formatesh të negociatave që kanë si qëllim të adresojnë konfliktet në zonat ku OSBE vepron dhe vij këtu me besimin se ju dhe vendi juaj i mrekullueshëm do të përdorni ndikim tuaj në këto formate, për të ecur sa më shumë të jetë e mundur drejt paqes aq të domosdoshme. Do ta mbyll duke ju thënë sa u trondita kur vizitova zonat e konfliktit në Donbass dhe sa e dhimbshme ishte të shihja kaq shumë njerëz, pavarësisht nga kombësia, që vuanin pa asnjë dallim moshe, nevojash, njerëz nga e gjithë zona në përpjekje për të mbijetuar edhe një ditë. Në emër të tyre i bëj thirrje të gjithëve të bëjmë më të mirën tonë, duke përfshirë edhe ne si mediatorë.
Faleminderit Zoti minister!
Faleminderit të gjithëve!