Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në shpërndarjen e 1001 lejeve të legalizimeve falas në Tiranë:

Mesa duket edhe organizmi sot është bërë për t’ju kujtuar që PD ju ka lënë gjithë këto vite ne diell. Është dita e fundit që jeni në diell. Do të merrni legalizimet falas dhe do të jeni nën çatinë e pronës suaj të patundshme.

Sa për atë që tha Erioni katundarë dhe qytetarë, unë si katundar i Dajtit e mbështes plotësisht. Edhe ne në Dajt mezi po presim të bashkohemi me Tironën, si gjithë të tjerët dhe të bëhemi të barabartë me ata që sot janë pjesë e bashkisë.

Përpara se sa të kalojmë në dhënien e lejeve, janë 1001 leje legalizimi falas, që gjenden në këto dosje dhe që do të shpërndahen sot për të gjithë ata që janë sot këtu të pranishëm.

Dua të them vetëm pak fjalë lidhur me procesin.

Është e habitshme se si ata që kishin 8 vjet kohë, madje tani janë bërë 10 vjet kohë, sepse kanë dhe bashkinë akoma, shkojnë tek njerëzit e zonave informale dhe thonë: “Ju mashtroi Edi Rama. Ju mashtruan socialistët, sepse nuk ju bënë asnjë legalizim falas”, ndërkohë që të gjitha legalizimet janë falas. Në vend se ju të rrinit duke kërkuar Shabën, që kishte ikur në drejtim të paditur dhe të mbani radha për të paguar lekë dhe të prisnit nëpër qoshe se kush do të vinte t’ju kërkonte lekët shtesë, jeni të gjithë dëshmitarë që prej 18 muajsh janë vajzat dhe djemtë e ALUIZNI-t që ju vijnë derë më derë.

Jeni të gjithë dëshmitarë që ndërkohë që keni paguar para me një herë e me dy herë, mbi dorë e nën dorë dhe keni marrë vetëm diellin mbi kokë. Sot merrni, lejen e legalizimit falas.

Këta që ju morën për budallenj gjithë ato vite, që ju thoshin “Votoni për ne, se po të vijë Edi Rama do t’ua prishi të gjithë shtëpitë dhe do ju kthejë andej nga keni ardhur”, si ka mundësi që vazhdojnë prapë ju marrin për budallenj, si ka mundësi që vazhdojnë prapë ju kujtojnë si dele, që mund t’i marrin dhe t’i çojnë në vathën e Saliut. Si ka mundësi që gënjejnë në mënyrë kaq të trashë dhe ju dinë edhe më të trashë se sa gënjeshtrat e tyre.

Këtë pyetje, në fakt nuk ja u bëj të gjithëve. Këtë pyetje ja u bëj atyre që i kanë votuar dhe që i votojnë dhe që do i votojnë, atyre që jua japin votën symbyllur, duke harruar që vota është në fakt, mënyra që njerëzit e zakonshëm i imponojnë se kush do të qeverisë dhe se si do të qeverisë.

Shumë njerëz në këto aktivitete të legalizimit falas, kur vijnë marrin lejen e legalizimit thonë: “Faleminderit Artan Lames! Faleminderit ty”,- më thonë mua. Por çfarë nderi po ju bën ju Artan Lamja bashkë me mua?! Ne po bëjmë detyrën. Në fakt faleminderit iu duhet thënë të gjithë atyre qytetarëve dhe qytetareve që në 23 qershor votuan që në detyrë të vijmë ne, që dimë të bëjmë detyrën. Ky është rasti për të kuptuar se çfarë mund të ndodhë me votën. Kur voton në drejtimin e gabuar mbetesh në diell, po kape dhe ndonjë pikë ujë, je mirë. Kur voton në drejtimin e duhur merr atë që kërkon me votën tënde. Ky është rasti konkret.

Tani edhe pak shifra.

Sot, bëhet një vit që ka filluar punën zyra e ALUIZNI-t, sepse u deshën 6 muaj për të gjetur njëherë ku ia u kishin lënë ato dosjet që me demek kishit bërë gati ju bashkë me ata dhe për të sistemuar zyrat, raftet, aty ku thuhej që ishte një Drejtori e Përgjithshme, por që në fakt ishte një magazinë pa inventar. Në një vit, ALUIZNI ka bërë atë që nuk u bë në tetë vite të marra së bashku. Faktikisht, po marrim vetëm objektet mbi të cilat janë bërë matjet dhe për të cilat u përgatit dokumentacioni.

1maji 2014 – 1maji 2015, 92 mijë objekte. Në tetë vjet PD-ja 42 mijë objekte. 50 mijë objekte më shumë, të përditësuara pas matjes, sesa ata. Në tetë vjet laj-thaj, shpëlaj, hekuros nxirr në fushatë. Pastaj laj prapë, thaj prapë, prapë në fushatën tjetër, po ky muhabet. Në 8 vjet, bënë 21 mijë e 700 legalizime. Ne në vetëm një vit kemi bërë 25 mijë legalizime.

Sot, jemi këtu sepse arrijmë në numrin 27.300 me legalizimet e kryera gjatë kësaj periudhe duke përfshirë edhe disa legalizime të bëra para një vjeçarit. Prandaj, parafytyrojeni vetë, ne me këtë ritëm, shkojmë pa asnjë merak vitin e ardhshëm në 40 mijë legalizime. Brenda mandatit ne legalizojmë një pjesë dërrmuese të shtëpive në zonat informale, falas. Le të marrim Tiranën pak, se Tirana është edhe më interesante.

Në tetë vjet, 4503 legalizime dhe jo legalizime shtëpish. Shumë pak shtëpi, shumica biznese dhe mes atyre bizneseve një pjesë e konsiderueshme biznese të ndërtuar në pronat më të rëndësishme publike, si ato që ishin ndërtuar krah për krah me universitetin, si ato që ishin ndërtuar mu në mes të rrugës, në rrugën që shkon për Elbasan.

Megjithatë, po i numërojmë të gjitha 4503 legalizime, me lekë, mbi dorë dhe nën dorë. Në një vit operim 5846 legalizime nga ana e ALUIZNI-t drejtuar nga Artan Lamja.

Si përfundim, për këtë pjesën e shifrave, janë 60 mijë ndërtime për të cilat përpara 7 vitesh u futën nën një nen, që duke konsideruar vepër penale ndërtimin, i përjashtonte nga legalizimi, ndërtimet e bëra pas 15 janarit 2009. Çfarë ndodhi? Ndodhi ajo që ndodh sa herë që marrin në dorë ata, këtej e fusnin në listë si vepër penale, këtej shkelnin syrin dhe thonin: “Vazhdoni se s’ka problem, se hani, pini e këndoni sa të jetë Lala Gjoni.” Por tani që Lala na la shëndenë, janë 60 mijë ndërtime pa leje, që hynë në këtë kategori. Ne kemi marrë nismën që edhe për këto ndërtime të marrim një hap ligjor në parlament dhe të nisim procesin e legalizimit, sepse tanimë ne kemi siguruar se nuk ka më ndërtime pa leje ashtu siç ndodhte. Të gjithë e dinë se kush ndërton pa leje, vazhdon rrugën për atje, ku unë s’po e përmend, sepse thonë po e përmend shumë. Por ama, ata që kanë ndërtuar një shtëpi në zonat informale, ne nuk mund t’i lëmë më në diell dhe asnjërin nuk do ta lëmë rrugëve, qoftë socialist, qoftë demokrat, qoftë çfarëdo. Ne nuk i ndajmë qytetarët, të cilëve u shërbejmë, në socialistë dhe demokratë. Ky është edhe qari i demokratëve, ia fusin kot votës, fitojmë ne, u shërbejmë dhe atyre. Qari i tyre, se po të kishin ngelur në dorë të votës së tyre, do të vazhdonin të ishin akoma me ata që e bënë Shqipërinë copë-copë. Ikën dhe sot shkojnë në çdo plagë që kanë hapur vetë dhe kujtojnë që populli shqiptar është budalla dhe thonë ‘shihni ç’po bëjnë këta’.

I tregojnë shqiptarëve varfërinë dhe thonë se e ka fajin qeveria; i tregojnë shqiptarëve papunësinë dhe thonë se e ka fajin qeveria; i tregojnë shqiptarëve gjithfarë lloji zullumesh që i bënë ata dhe gjithfarë lloj plagësh që u hapën nga ato zullume dhe thonë e ka fajin qeveria. A thua se, para 18 muajsh, në Shqipëri nuk kishte varfëri, në Shqipëri nuk kishte papunësi, në Shqipëri nuk kishte probleme dhe të gjitha problemet erdhën kur erdhën në qeveri socialistët dhe progresistët. Por, nuk i ha njeri ato. Kush i ha, i ha se ka qejf t’i hajë. Mirë nuk i bëjnë, por po të dojë t’i hajë, t’i hajë.

Ne do të vazhdojmë në drejtimin e duhur, me vendosmëri, sepse Shqipëria po merr kthesën dhe po hyn në rrugën e rimëkëmbjes ekonomisë, sociale dhe kulturore. Sepse Shqipëria po merr kthesën falë reformave që ne po bëjmë. Reformat nuk janë as festa, nuk janë as gjasme. Reformat janë operacione të vështira dhe ju e dini mirë që nuk ka prind që do ta fusë fëmijën e vet në operacion, por kur bëhet fjalë për një betejë mes jetës dhe vdekjes, mes të mirës dhe të keqes për trupin e fëmijës, prindi e çon në operacion fëmijën, jo për ta torturuar, por për ta shpëtuar. Nuk ka prind që i jep fëmijës, me dëshirë, ilaçe të hidhura, që do ta hidhërojë shijen e fëmijës, por nuk a prind që të thotë ‘jo nuk po i jap ilaç se është i hidhur, po i jap karamele dhe ta shtyjmë me karamele’, siç u shty 8 vjet me karamelet e Saliut. Në fund, rezultoi se të gjithë sektorët e jetës ishin të përfshirë nga një kancer që po e asfiksonte Shqipërinë. Mjafton të shikojmë energjinë. Gjysma paguante, gjysma nuk paguante dhe te gjysma që nuk paguante, më shumë se gjysma vidhte dhe “o burra ta shtyjmë”. U shty, u shty dhe u shty, derisa u shtymë të gjithë buzë gropës.

Sot, jemi shumë krenarë që reforma jonë, e mirëkuptuar nga mbi 80% e shqiptarëve, – kështu thonë të gjitha anketat tona, – dhe e mbështetur nga 300 mijë konsumatorë, që në vetëm 5 muajt e fundit kanë lidhur aktmarrëveshjet dhe kanë filluar të shlyejnë borxhet, na ka sjellë shenjën e parë të rilindjes së sektorit. Për herë të parë në muajin prill, OSHEE ka dalë me fitim. Për herë të parë!

Çfarë do të thotë që të dalë OSHEE me fitim? Do të thotë që OSHEE të fillojë të marrë veten e të mos kërkojë nga lekët e çerdheve, nga lekët e kopshteve, nga lekët e shkollave, universiteteve dhe spitaleve, nga lekët që i duhen komunitetit për të mbushur gropën e atyre që vjedhin. Pra, nga lekët e atyre që paguajnë taksa për të mbushur gropën e atyre që nuk paguajnë as energjinë. Këto para janë investime që u kthehen përsëri njerëzve. Prandaj, kush paguan energjinë, jep një kontribut patriotik për ta nxjerrë Shqipërinë një herë e mirë nga një idiotësi, në kuptimin e vërtetë të fjalës, nga një vetëvrasje, nga një akt që nuk ia bën një popull vetes së vet, përveçse kur qeveriset nga njerëz të verbër e të papërgjegjshëm, që duan vetëm pushtetin e tyre, nga akti i vjedhjes së vetvetes.

Për këtë arsye, ne besojmë shumë që vitet e ardhshme, ne do të kemi shumë më tepër mundësi të financojmë bashkitë e reja, se do të çlirohemi vit pas viti nga kjo barrë e tmerrshme. Ne jemi të bindur që brenda ciklit 5-vjeçar, të planit tonë strategjik, për ta kthyer sektorin e energjisë nga një gropë që hante të gjitha kursimet e shqiptarëve, në një burim fitimi për Shqipërinë dhe shqiptarët. Sepse, ne jemi vendi i dytë më i pasur në Europë me burime natyrore hidrike dhe me potencial hidroenergjitik, nga ato burime ne të pasurohemi, jo të varfërohemi. Këto mund të thosha për të gjithë sektorët dhe për të gjitha reformat. Nga lufta kundër krimit. Këtë 4-mujor, kemi regjistruar numrin më të ulët të vrasjeve në historinë 20 vjeçare të vendit. Sigurisht që vrasje ka pasur, ka dhe do të ketë. Por, ambicia jonë është që Shqipëria të jetë në mesataren europiane dhe nën mesataren e Rajonit. Do ta shikoni kur të jemi në fund të mandatit dhe të bëjmë llogaritë, do ta kemi realizuar apo jo objektivin.

***

1001 të tjera certifikata legalizimi falas u shpërndanë sot në Tiranë. Ata që nga sot fituan të drejtën e plotë mbi banesën e tyre kishin aplikuar prej vitesh, kishin kryer edhe pagesën, një pjesë e tyre edhe dy herë. Sot një ëndërr e përmbushur dhe një premtim i bërë realitet.

Ecuria ndër vite e këtij procesi flet qartë përse legalizimi i ndërtimeve në zonat informale ishte kthyer në një proces kaotik, selektiv dhe abuziv. Pas ristrukturimit të plotë të ALUIZNI-t u arrit që vetëm në një vit të kryhej më shumë se dyfishi i legalizimeve të bëra në tetë vjet, sëbashku, të qeverisjes së shkuar. Në 8 vjet u bënë 21 700 legalizime, në vetëm një vit u bënë 27 300 legalizime. Vetëm në Tiranë, në tetë vjet u realizuan 4503 legalizime, ndër të cilat shumë pak shtëpi, shumica biznese. Në një vit u kryen 5846 legalizime.

Qytetarët rrëfyen historitë e tyre në përpjekjen e gjatë për të marrë certifikatën e legalizimit shumë prej të cilave të ngjashme, vite pritjesh dhe premtime të ripërsëritura. Me mirënjohje, falenderuan Kryeministrin për premtimin e mbajtur dhe ekipin e ALUIZNI-t për punën e kryer. Ndërsa Kryeministri vuri theksin në faktin se vendi tashmë ka marrë kthesën në drejtimin e duhur dhe se për drejtimin e duhur duhen edhe njerëzit e duhur në krye të punëve të qyteteve të vendit.

“Shihni Tiranën. Ka njeri në Tiranë të thotë çfarë u bë në këto katër vjet, qoftë edhe gabim, qoftë edhe keq? Të thotë një gjë, u bë kjo, u vu kjo tullë, shtrembër po u vu. Më tregoni një punë? Kam dëgjuar që dalin dhe thonë 200 projekte. 200 projektet e këtyre në Tiranë janë si ato 10 mijë kilometrat rrugë që kishte bërë Saliu, nga të cilat asnjë rrugë e çuar deri në fund. Të gjitha së bashku ishin shumë larg nga 10 mijë kilometrat. Edhe Rruga e Kombit kërkon përsëri financim për t’u përfunduar, sepse si të gjitha punët e këtyre e fillojnë rrugën të gjerë, e përfundojnë të ngushtë, me i marrë në qafë njerëzit, duke i përplasë të gjithë te fundi i rrugës. Prandaj, njerëzit duhet të zgjedhin shumë thjeshtë, kush na çon në drejtimin e duhur, për ato që kërkojmë; për të pasur lagje më të pastër, lagje më të gjelbëruar, ujë 24 orë në shtëpi, transport normal, argëtim për fëmijët e me radhë të tjera dhe kush na mban këtu ku jemi. Nëse ky që s’bëri asgjë është më i miri që kanë ata, llogarit tani se si janë ata që vijnë mbas tij. Jam i bindur që Erioni është kandidati më i plotë, më i duhur dhe për drejtimin e duhur,” u shpreh ndër të tjera Kryeministri Rama gjatë bisedës me ata të cilët sot morën në duar lejen e legalizimit falas.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.