Kryeministri Edi Rama vizitoi sot Panairin me prodhime bujqësore dhe blegtorale vendase, i çelur në Sheshin Nënë Tereza, me pjesëmarrjen e prodhuesve dhe kultivuesve nga qytete të ndryshme, njëkohësisht përfaqësues të kompanive shqiptare që zotërojnë aktualisht tregje të rëndësishme.
I shoqëruar nga Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca, Kryeministri Rama pa nga afër shumëllojshmërinë e produkteve cilësore të ekspozuara në stendat e panairit nga fermerët, përfitues të skemave mbështetëse për bujqësinë, falë të cilave kanë rritur ndjeshëm prodhimet dhe eksportin.
Kryeministri shijoi disa prej produkteve karakteristike dhe inkurajoi fermerët në aspektin promovues të punës së tyre. “Do të bëjmë një katalog të të gjitha produkteve tona të eksportit dhe do kemi bërë një plan për të shtrirë në disa tregje që janë shumë interesante, por që nuk kemi akses akoma. Do ta bëjmë shumë shpejt këtë gjë. Do të bëjmë një udhëtim promovues. Në nivelin e lartë politik e kemi të zgjidhur, tani do ta fusim në nivelin teknik. Puna është se bujqësia shqiptare po prodhon aq shumë, por disa njerëz nuk e dinë fare këtë.” – theksoi Kryeministri, teksa siguroi se mbështetja për bujqësinë mbetet një prioritet i qeverisë.