Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Nga një fushë e madhe ku grumbulloheshin mbeturina, në një park të gjelbëruar dhe ambiente sportive, atraktive sidomos për të rinjtë e qytetit të Librazhdit. Qendrës së qytetit të Librazhdit, në vazhdën e transformimit urban të saj, do t’i shtohet kështu edhe një hapësirë rekreative, që do t’i japë më shumë frymëmarrje jetës publike. Kryeministri Edi Rama së bashku me deputetin e Qarkut të Elbasanit, Taulant Balla panë nga afër zbatimin e projektit më të ri të Bashkisë për ndërtimin e një parku multifunksional në po të njëjtin vend që deri dje shihej thjesht si një fushë mbetjesh përbri lumit që sa herë dilte nga shtrati shkaktonte përmbytje në të gjithë zonën. “Këtu ishte një lemeri me plehra. Tmerr i madh. Tani është bërë mbrojtja lumore andej dhe tani është e fituar gjithë kjo hapësirë,” shprehet Kryeministri Rama, duke nënvizuar se e gjithë kjo hapësirë tashmë do kthehet në një city park. “Këtë do e kishte marrë Shkumbini, nëse nuk do ishte ndërhyrë me mbrojtjen lumore,” shtoi deputeti i Qarkut të Elbasanit, Taulant Balla. Kryetari i Bashkisë Librazhd Kastriot Gurra tha se parku i ri do ketë të gjithë elementët që i nevojiten qytetit. “Faza e parë, e kemi marrë nga qeveria zvicerane dhe qeveria austriake për disa fusha futbolli, basketbolli dhe volejbolli. Ndërkohë nga Bashkia do fillojë tani faza e dytë e financimit për ta bërë komplet park këtë, duke e mbjellë me pemë, me bar. Ndërkohë pastaj do fillojmë me gjithë sipërfaqen tjetër që është krijuar,” tha kreu i Bashkisë Librazhd, Kastriot Gurra.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.