Një panoramë e gjerë mbi punët e sukseshme të bashkisë dhe hovin që ka marrë turizmi në qytetin e rilindur të Përmetit, u prezantua sot në takimin e Kryeministrit Rama me qytetarët përmetarë.
* * *
Përshëndetje të gjithëve dhe shumë faleminderit për mikpritjen! Mbase do kishte qenë mirë të kishin vendosur dhe disa karrige që të mos rrinin kaq shumë njerëz në këmbë, shpresoj që të mos lodheni dhe mërziteni deri ne fund.
Faktikisht sot ne kemi ardhur këtu për të bërë një prezantim të punës së bërë, një punë realisht e mirë, e shëndetshme, e lavdërueshme, falë në radhë të pare, lidershipit të Kryetares së bashkisë, por pa diskutim edhe skuadrës së bashkisë, dhe natyrisht edhe vëmendjes dhe mbështetjes së vazhdueshme të Mirelës, e cila nuk i ndahet gjatë gjithë kohës qarkut dhe punëve të zonës.
Kështu që, besoj që ato që u prezantuan janë një panoramë që është shumë më e gjerë në realitet dhe do duheshin orë të tëra për t’i treguar të gjitha, por që është domethënëse për faktin se pasqyrojnë një ndryshim të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm në një kontekst aspak të lehtë, një qytet i vogël me mundësi të kufizuara me një të kaluar shumë të rënduar braktisja, nga harresa për vite e vite të tëra, me një natyrë rreth e qark magjepsëse, por faktikisht të pa vënë në funksion si rezultat i mungesës së infrastrukturës, i mungesës së pikave të referimit dhe natyrisht edhe i programeve të nevojshme.
Sot, situata nuk është rozë, por pa diskutim dua ta përsëris, si në çdo gjë tjetër në këtë moment po ta krahasojmë me nga u nis puna, është si dita me natën.
Po të mbajmë parasysh se çfarë duhet të bëjmë akoma, jemi ende në të gdhirë të një dite të re sepse ka realisht shumë punë për të bërë dhe realisht kjo kohë dhe këto punë dhe këto rezultate dhe vet fakti që sot në 300 metra apo më pak rrugë që bëmë për të ardhur këtu, na ndaluan turistë në tre gjuhë të huaja, gjë që ishte e paimagjinueshme, jo 70 vjet përpara, por deri 7-8 vjet përpara na tregojnë se potenciali është i jashtëzakonshëm dhe na tregojnë që ne dimë se ku po ecim dhe dimë se ku po shkojmë.
Por ajo për të cilën unë dua të flas, nuk është thjeshtë Përmeti, por një kontekst më i gjerë që e përfshin dhe Përmetin, përfshin një fshat më të larg Përmetit, siç përfshin dhe Shqipërinë që është më e vogël se Përmeti, në raport me hartën e Europës që është përfshirë bashkë me botën mbarë në një epokë të re kërcënimesh.
Ngaqë konsumojmë shumë lajme, ngaqë jetojmë shumë midis realiteteve dhe ekraneve, qofshin ekranet e televizorëve, por më shumë ekranet e celularëve, nuk jemi në gjendje që ta perceptojmë deri në fund sesa thellë kemi hyrë në epokën e kërcënimeve, ku po flitet si pa gjë të keq përditë për mundësinë e një lufte nukleare, një gjë e pakonceptueshmederi para sesa të hynte shkurti i këtij viti. E pa konceptueshme. Flitet sikur po bëhet një diskutim për një konflikt të zakonshëm, ndërkohë që mjafton një bombë bërthamore për të zhdukur brenda 30 minutash 45 milionë njerëz, sa për të pasur një ide. E them këtë sepse ne nuk jemi fatmirësisht në zonën e nxehtë ku lufta sjell bomba, sjell vrasje, sjell plagë të rënda, por nuk jemi as jashtë zonës së luftës sepse pasojat e saj na kanë prekur dhe na prekin përditë dhe i prekin të gjithë përditë kudo ku janë me inflacionin e luftës, me krizën e madhe të çmimeve të energjisë, të cilat mjaftojnë këto së bashku për ta futur të gjithë njerëzinë në një psikologji të rënduar, të cilës patjetër i shtohet pastaj edhe gjithë helmi i përditshëm i mjeteve të komunikimit, ndërkohë që ajo që ne s’mund të bëjmë dot, është të ndalojmë luftën.
Ajo që ne s’mund të bëjmë dot, është që ta eleminojmë inflacionin e luftës, por nga ana tjetër, ajo që ne nuk mund të shmangim dot është përgjegjësia për të lhetësuar sa të mundemi këtë barrë që rëndon mbi të gjithë, kudo. Si një flamë që u prek të gjithë edhe i prek përditë, në çdo moment që dikush fut dorën në xhep për të blerë diçka të domosdoshme, jo diçka luksi, ushqime, aty përballet me këtë flamë dhe aty ne duam dhe duhet të jemi të pranishëm aq sa mundemi.
Dhe më vjen mirë të them se sot ende në Shqipëri nuk është rritur asnjë qindarkë çmimi i energjisë elektrike për familjet dhe për biznesin e vogël, asnjë qindarkë. Por natyrisht ai konsum që vazhdon për gjithë nevojat e jetës së përditshme kushton shumë shtrenjtë më tepër sesa çfarë familjet dhe bizneset paguajnë dhe natyrisht atë e mbulojmë ne, e mbulon buxheti i shtetit, e mbulon përgjegjësia jonë karshi njerëzve dhe domosdoshmëria për të bërë atë që çdo kush do bënte në shtëpinë e vet.
Nga ana tjetër, nuk diskutohet që mbështetja financiare e bërë duke filluar nga pensionistët për të cilët për herë të parë në histori është bërë dy herë riindeksimi i pensionit, në bazë të një inflacioni që është komplet anormal duke e rritur faktikisht pensionin rreth 10 %, nuk është e mjaftueshme, për t’ia u lehtësuar në radhë të parë barrën psikologjike, peshën e rëndë të të pasurit një hije në kurriz.
Nga ana tjetër, jo vetëm për pensionistët, po për të gjithë pa përjashtim që nga familjet me ndihmë ekonomike deri te të gjithë ata që shërbejnë për shtetin dhe deri tek ata që janë me pagë minimale, ne kemi marrë masa të qëndrueshme, jo thjesht mbështetje të përkohshme siç bëmë me tre muaj përpara sezonit të verës, ndërkohë që tani të gjitha këto masa janë aty për të qendruar në vijimësi, jo për tu lëvizur përsëri.
Me buxhetin e ri që e kemi gati, do të kemi të tjera masa që aktivisht t’i qendrojmë pranë të gjithëve dhe që në mënyrë solidare dhe transparente të ndajmë mes gjithë anëtarëve të kësaj familje të madhe që janë familjes shqiptare që janë bizneset e tyre, atë që është në dispozicion duke garantuar një rishpërndarje sa më të drejtë të atyre të ardhurave që janë rritur si rezultat i rritjes së çmimeve. Shumëkush thotë, “po janë rritur të ardhurat”. Po janë rritur të ardhurat dhe falë rritjes së të ardhurave ne kemi vazhduar dhe do vazhdojmë të mbështesim familjet duke mos ua faturuar çmimin e rritur të energjisë për të cilin sot familje të tëra në vende shumë më të zhvilluara sesa i yni po hyjnë në realisht depresion. Janë të panumërta lajmet nga vendet fqinje të mbylljes së përditshme të fabrikave, të strukturave hoteliere sepse nuk arrijnë dot të paguajnë më energjinë elektrike.
Natyrisht që atje ka paga më të larta, por dhe rritja e energjisë është shumë më e lartë. Më shkruante jo më larg se pardje, një mik nga Londra e më thoshte, “nga 100 ka shkuar 400 paund vetëm fatura për energjinë elektrike dhe ngrohje”. Ne do vazhdojmë ta mbajmë me një mburojë financiare çmimin aty ku ishte përpara se të fillonte kjo flamë. Njerëzit e kanë shumë më të vështirë të ndiejnë përmes logjikës diçka që nuk e ndiejnë përmes goditjes dhe ajo që nuk ndodh, pra rritja e çmimit, është si e mirëqenë. Disa i bien shkurt farë: “hë mo se kemi ujë, hë se kemi lumenj. Po ne s’kemi lidfhje me krizën se ne e prodhojmë vetë”. Po kjo nuk është e vërtetë. Ne në vitin më të lagësht, sikur të gjithë hidrocentralet të jenë plot, gjë që nuk është rasti prej 4 vitesh tanimë, prodhojmë vetëm 75% të nevojave. 25% tjetër s’kemi asnjë rrugë tjetër veçse ta blejmë në treg, ta importojmë dhe kur del në import aty është çmimi katastrofik që të imponon se ndryshe s’ke energji. Kur vitet janë të thata, prodhimi shkon nën 60%. Që do të thotë 40% e diçka më shumë duhet ta importosh. Me masat që kemi marrë, me investimet që po bëjmë, me diversifikimin me paanelet diellor, me projektin që është futur në proces të erës, me Skavicën e kështu me radhë, ne jemi në rrugën e duhur për të zbatuar atë që kemi thënë dhe që kemi shkruar në programin tonë: Brenda kësaj dekade Shqipëria duhet të bëhet 100% sovrane për sa i përket energjisë dhe duhet të jetë eksportuese neto. Jo më Shqipëria të blejë energji, po Shqipëria të ketë atë që i duhet për vete dhe pjesën tjetër ta shesë jashtë.
Kjo do të ketë dy faza. Faza e parë e mbulimit të këtij 25% do të jetë brenda vitit 2026 dhe do të mbetet vetëm pjesa tjetër për vitet e thata kur akoma do të na duhet të importojmë. Ndërkohë që kemi hyrë në një tjetër nivel përsa i përket edhe kontekstit rajonal sepse me riadaptimin e TEC-it të Vlorës, me përfshirjen e kompanisë amerikane që do të bëjë një investim për ta kthyer atë në një pikë të prodhimit të energjisë me gazin e lëngshëm dhe njëkohësisht me investimin për të lidhur edhe atë tubacion me tubacionin e TAP-it, ne marrim një tjetër fuqi në vitet që vijnë.
Kjo pjesa e energjisë elektrike duket më shumë si muhabet, për kuriozitet se për sa kohë nuk ekziston si fakt në faturë, shumëkush thotë kjo s’është gjë. Në fakt kjo është një gjë shumë e madhe dhe është një shpenzim shumë i madh. Shumë i madh, shumë i nevojshëm, shumë i dobishëm që ne do vazhdojmë ta bëjmë dhe për këtë arsye dhe në buxhetin e ri kemi caktuar çfarë do bëjmë për këtë që t’i qendrojmë kësaj fjale, kësaj bindje që askush të mos goditet në çmimin e energjisë elektrike.
Krmi diskutuar për vendosjen e një takse të jashtëzakonshme për prodhuesit e energjisë. Janë disa prodhues, nuk janë shumë, por janë disa të cilët e prodhojnë energjinë dhe e shesin në tregun e lirë dhe si të gjithë prodhuesit e energjisë sot në Europë dhe në botë, kanë fitime të shumëfishta që vijnë nga fati dhe nuk vijnë se kanë bërë ndonjë investim. Duke ndjekur direktivën europiane, do të vendosim një taksë të jashtëzakonshme, po nuk do e vendosim për të marrë një shumë të konsiderueshme fondesh në të ardhurat e shtetit dhe pastaj për t’i përdorur për asgjë tjetër përveçse përsëri për tua kthyer njerëzve në formën e mbështetjes financiare, duke filluar nga pensionistët, duke vazhduar në ata më në nevojë, duke u shtrirë te të gjitha familjet nëse do të jetë e mundur sepse në këtë përballje kaq të madhe me këtë lloj mostre që është inflacioni i luftës, ne duam deri në fund të jemi solidarë. Jo me fjalë, po me vepra! Gjithë ai volum të ardhurash që do të merret nga ajo taksë e jashtëzakonshme do të kthehet e gjitha në mbështetje sociale dhe në mbështetje të rezistencës të gjithë këtij populli ndaj krizës, ndaj inflacionit të luftës.
Nga ana tjetër, ne do të bëjmë çmos që rritjen e pagave ta vahdojmë në mënyrë të qëndrueshme. Ta vazhdojmë në mënyrë të qëndrueshme për të vazhduar të stimulojmë sa më shumë, jo vetëm njerëzit që punojnë në sektorin publik, por edhe ata që punojnë në sektorin privat. Kemi bërë dy herë rritje të pagës minimale dhe do ta rrisim përsëri e përsëri, pagën minimale, në mënyrë që edhe sektori privat të vijë e të bashkohet.
Thënë të gjitha këto, ne duam që të vazhdojmë të investojmë, duam që t’i vazhdojmë punët sicc bëmë në kohën e pandemisë. Kemi patur rimëkëmbjen më të shpejtë sesa të gjitha projeksionet dhe planet më optimiste, pikërisht sepse ne vazhduam të investojmë, pikërisht sepse ne nuk i ndaluam punët dhe ne duam të vazhdojmë të investojmë kudo, edhe këtu.
Po i thosha sot Almës dhe Mirelës që kur kam ardhur këtu 5 apo 6 vite përpara, këtu kishte 1 a 2 hotele dhe ai hoteli i Vasos ishte hotel ku vinin dhe qëndronin ata që i sillte rruga për punë nga institucionet në Tiranë, me një përqindje okupimi 5-10-15 apo maksimumi 20% dhe familja e Vasos vetëm mbijetonte.
Sot isha me legjendën e Përmetit, Gaz Cacin, e më tha “Nuk vjen dot në Përmet për fundjavë dhe ta gjesh dhomën, pa e prenotuar përpara, gjej ndonjë kushëri a të njohur që të shkosh të flesh në shtëpinë e tij se nuk ka asnjë dhomë në asnjë nga hotelet, bujtinat dhe guesthouse”. Kjo është e vërtetë. 1000 shtretër sot për infrastrukturën e mikpritjes në Përmet, plot. Edhe në fundjavën që lamë pas është vërtetë një rezultat për t’u mbushur me optimizëm dhe për të pasur shumë më tepër kurajo dhe vendosmëri sepse kjo është rruga dhe sicc dukej e pamundur që kjo të ndodhte, mund të duket sot e pamundur që të ndodhë që nesër, në fakt është ajo që do ndodhë, që në këtë vend magjik, ekonomia e agroturizmit do jetë një ekonomi, e cila do i japë të ardhura, do i japë punë dhe do t’i japë kënaqësi, jo disa dhjetëra, por qindra e qindra familjeve.
Jo vetëm kaq, por do të sjellë jo 60 mijë vizitorë e turistë, por 200 mijë, 250 mijë, 300 mijë, ja këtu, në Përmet se nuk do mblidhen të gjithë tek sheshi, por do të shtrihen të gjithë nëpër një territor që është i qëndisur, sic thotë ajo fjala “Nga Zoti për telha”, si me dorë.
Nga ana tjetër, po të shikojmë sot disa të dhëna shumë të thjeshta, do të shikojmë që në Shqipërinë reale gjërat janë shumë më ndryshe nga Shqipëria që duket nga ekranet dhe kanalet e portaleve, të cilat kujdesën në mënyrë skrupuloze që t’i tregojë njerëzve sa më shumë arsye për t’u helmuar dhe për të thënë “Ky vend nuk bëhet”!
Po si nuk bëhet ky vend, në qoftë se në këtë vend, ne sot punojmë dyfishin e tokës bujqësore që punonin deri 6-7 vite përpara?
Si nuk bëhet ky vend, në qoftë se ne sot eksportojmë 1 dhe importojmë vetëm 3, kur vjen puna tek ushqimet ndërkohë që 6-7 vite përpara eksportonim 1 dhe importonim 7, importonim 8, importonim 9?
Si nuk bëhet ky vend në qoftë se edhe në një periudhë aq të vështirë sa periudha e pandemisë, eksportet tona bujqësore kanë vazhduar të rriten?
Fakti që importet kanë vazhduar të ulen tregon që në tregun vendas ka gjithmonë e më shumë prodhim vendas.
Të gjithëve iu them “A ju kujtohet kur merrnim rrugët nëpër Shqipëri, deri para 6-7 vite përpara, që ishin të gjitha rrugët mbushur anash me ato tezgat e drurit me fjerë e me fruta, perime e zarvazate rrugëve”? Ku janë ato? Pse nuk ka më?
Sepse prodhimi sot nuk del më rrugëve për t’u shitur.
Prodhimi sot shkon në pikat e grumbullimit.
Prodhimi sot shkon në pikat e përpunimit, të cilat duhen edhe më shumë, patjetër, janë vetëm në fillime këto të dytat ndërsa sistemi i pikave të grumbullimit sot është një sistem i tillë që nuk lë mall të dalë e të shitet në rrugë.
Ah po, ka raste që shikojmë fermerë që nxjerrin mollët apo qershitë e i hedhin demostrativisht, duke u ankuar që shteti nuk bëri të tijën. Do të ishte e vërtetë kjo në rast se jo shumë por 100kilometra më tutje nuk do kishim eksportet më të suksesshme bujqësore të mollëve dhe të qershive, në të njejtin vend që quhet Shqipëri, njëri në jug-lindje e tjetri në veri-lindje, njëri del dhe i hedh në rrugë se thotë “Nuk mi blen njeri”, tjetri i shet me trefish, katërfish, pesëfish e cmimit të tregut jashtë. Pse?
Sepse i pari nuk është informuar që ajo lloj molle nuk funksionon, duhet ndërruar. Që ajo lloj qershie nuk e merr tregu.
E dyta, edhe në rast se funksionon, nuk funksionon më tek pull, por funksionon duke u bashkuar. Pra, janë eksperienca që po krijohen në Shqipëri dhe që na bëjnë të besojmë plotësisht se ne do ta ccojmë brenda kësaj dekade eksportin bujqësor shumë më lart secc e kemi sot.
Atëherë, cila është zgjedhja jonë sot? Zgjedhja jonë sot është të besojmë tek gurët që kemi vënë në themelet, të cilat nuk po dobësohen por po forcohen. Ka plot e plot të dhëna por nuk dua tiu lodh me të dhëna; dua vetëm tiu them që nuk ka asnjë rrugë tjetër për ta bërë këtë vend përvec punës, punës, punës dhe durimit, durimit, durimit.
E di që durimi është një mall që gjendet gjithmonë e më me shumë vështirësi, e di që ende sot mundësia për të marrë dicka shumë më shpejt dhe atë diccka për ta pasur shumë më shumë se këtu është shumë afër, jemi në mes të Europës, por nuk ka asnjë shkop magjik përvecc të vërtetës dhe punës, asnjë tjetër.
Në ndërkohë që, gjithë kjo punë e bërë këtu flet vetë dhe flet shumë mirë. Përmeti është një vend i vogël.
Unë kam qenë kryetar bashkie dhe është shumë e vështirë të drejtosh një qytet të madh, por është edhe më e vështirë të drejtosh një qytet të vogël për shumë arsye dhe në një qytet të vogël, në një realitet që nuk është aspak e lehtë, janë hapur rrugët për të marrë frymë lirisht, janë hapur rrugët për të parë të ardhmen këtu. Janë dyfishuar, edhe më shumë se dyfishuar çmimet e shtëpive. 5-6 vjet më parë në Përmet nuk shisje dot një shtëpi se nuk ta blinte njeri. Për çfarë ta blinte? Që të vinte e të rrinin me Vason që për vete s’kishe njerëz për të mbushur çerekun e dhomave?
Sot është vështirë të blesh një shtëpi sepse gjithnjë e me shumë njerëz e kuptojnë që “më mirë mbaje”, nëse s’ke mundësi të investosh sot, do kesh mundësi të investosh nesër, por po investon në një pasuri vlera e të cilës shtohet. Po si po shtohet vlera e pasurisë? Sot të gjithë ata dhe janë të gjithë nga veriu në jug, që jetojnë në zonat ku Rilindja Urbane ka bërë që hapin e parë dhe pastaj ku të tjerë mbrapa po hedhin hapa të tjerë, janë dyfish e trefish më të pasur, përsa i përket pasurisë së tyre të patundshme.
Ka shumë e më shumë vlerë një shtëpi e blerë para 5 vjetësh në Vlorë, në Fier, në Korçë e në Durrës e me radhë se s’po them Tiranën që po e po, vlen sot shumë më tepër. Atëherë a nuk është kjo një arsye për të parë që e ardhmja është këtu?
Sigurisht, e ardhmja është këtu, por për ta ndërtuar edhe të ardhmen këtu, duhet edhe durim shumë i madh, sepse me një agroturizëm, me një bujtinë ku ti investon ato para që përndryshe u jep atyre trafikantëve për të kaluar kanalin atje në Angli, dhe me pjesën tjetër që ty ta japin financimet e ndryshme, ti bën një biznes ku në shtëpinë e gjyshit tënd, stërgjyshit tënd fiton shumë më tepër sesa çdo fitosh atje, në rast se atje do bësh punë të ndershme, pavarësisht se në të zezë apo në të bardhë dhe këtë gjë po e provojnë ata, të cilët e kanë bërë dhe po vazhdojnë ta bëjnë, dhe këtu në Përmet ka plot shembuj fantastikë.
Ndërkohë që, sikur të mos mjaftonte inflacioiini i luftës së Putinit, kemi edhe opozitën e rublave. Historia e tyre me rublat është një histori më e gjerë se ajo që dimë për të cilën tani janë futur në një sherr se kush e dinte, kush i kishte paratë, kush s’e dinte ndërkohë që kur ajo doli në shesh, e mbani mend mirë që të gjithë u hodhën përpjetë për të thënë që s’kemi asnjë lidhje, ky s’ka asnjë lidhje etj etj.
Papritur tani po mundohen të thonë se kush ka e kush nuk ka lidhje, por çdo dardhë që e ka bishtin prapa, edhe kjo dardhë e ka bishtin prapa dhe nuk është aspak rastësi që edhe ajo historia e asaj rezolutës së turpit me trafikimin e organeve, e cila i ka vënë një stampë turpi, padrejtësisht në ballë, jo luftëtarëve të UÇK-së, po popullit shqiptar, kombit shqiptar sepse na identifikojnë të gjithëve ne me atë histori si njerëz barbarë që trafikojmë edhe organe njerëzish kur janë duke luftuar për lirinë e tyre.
Nuk është rastësi që delegacioni shqiptar atje u nda dhe që piëkrisht ata, që dje ishin në pushtet, votuan pro atij turpi, siç s’është rastësi edhe kjo më vonë, siç nuk është rastësi edhe gjithë mënyra se si edhe në një situatë si kjo, kërkojnë vetëm të hedhin më shumë benzinë në një zjarr që e ka ndezur një armik, i gjithë popujve që duan të jetojnë në punën e tyre, në lirinë e tyre, në vendin e tyre dhe që nuk dua të preken nga askush që është më i madh, që është më i fortë.
Dhe i fundit, ky komunikim është i rëndësishëm edhe për një arsye tjetër, se nuk është komunikim që ne e bëjmë në fushatë elektorale, sigurisht zgjedhjet nuk janë larg, por ne këtu nuk jemi për të kërkuar vota. Alma këtu nuk doli për të kërkuar vota. Ne këtu jemi për të ndarë me njerëzit disa gjëra që mendojmë që vlejnë në frymën e komunitetit, në frymën e bashkësisë, në frymën e familjes. Një familje, e cila duhet të jetë bashkë, jo që të gjithë socialistë e demokratë, kundërshtarë e jo kundërshtarë, në nivelin e popullit po flas, nuk flas për rublat. Rublave nuk kemi çfarë ju bëjmë ne. Ka pas qenë një kompleks rubla-çorba, këta janë rubla-çorba. Flas për njerëzit. Të jemi bashkë, nuk do të thotë që të bëhemi bashkë e të votojmë të gjithë njësoj. Jo. Do të thotë që të mirëkuptohemi për disa gjëra që nuk janë opinione, janë fakte. Sot, bota, Europa, vendi ynë, Përmeti, fshati më i largët i Përmetit janë nën agresionin e një lufte, që ne as nuk e kemi planifikuar, as nuk e kemi filluar, as nuk e ndalojmë dot dhe të një inflacionii lufte, të cilin ne duhet ta përballim dhe për të cilin ne, dhe në këtë rast, jo populli, po qeveria, ka detyrën të bëjë gjithçka. Po të bëjë gjithçka, duke patur parasysh të sotmen dhe të nesërmen. Të bëjë gjithçka duke patur parasysh që çfarë ndajmë sot, njësoj si një shtëpi, të na lejojë që të vazhdojmë edhe nesër në atë shtëpi, jo t’i vëmë flakën shtëpisë se mos kemi më mundësi ta mbajmë në këmbë dhe nga ana tjetër pavarësisht situatës së vështirë, për të parë që gjërat e mira po bëhen. Janë shumë më tepër gjërat e mira që po bëhen sesa gjërat e këqia, që ndodhin qoftë për shkak të gabimeve, qoftë për shkak të fajeve, ne nuk jemi të përsosur. Kush e pretendon këtë, kërkon në adresë të gabuar.
Pra, ka shumë gjëra të mira që po bëhen. Shqipëria del në një klasifikim që nuk e kemi bërë ne. Është klasifikimi i Kombeve të Bashkuara, është raporti i Zhvilimit Digjital të Vendeve Anëtare te OKB dhe për shërbimet publike, online, pra përmes internetit, Shqipëria del e teta, në vendin e 8-të në Europë. Në vendin e 19-të në botë. Tani, janë ata që thonë se e paskeni blerë dhe këtë, janë të tjerë që thonë, këta janë përralla. Janë të tjerë që thonë, po mirë mo, si ka mundësi këta të jenë përpara këtij e përpara atij? Ka mundësi. Ka shumë mudnësi pikërisht kur vjen puna tek bota digjitale. Një nga problemet e mëdha që kanë vendet e zhvilluara, në zhvillimin digjital është se kanë makineri shtetërore, struktura jashtëzakonisht të përsosura në llojin e tyre. Pra është njësoj si të lësh një super kamion për të marrë një super veturë të shpejtë. Dhe është njëkalim që, kurse kur je në këmbësor, e ke më të thjeshtë. Pse Estonia? Estonia nuk ekzistonte fare, është e para. Finlanda është sot, Estonia e dyta, po Estonia doli e para. I la prapa me Gjermani e me Angli e me Francë, pse? Një vend I vogël
Pse? Një vend i vogël. Sepse pikërisht sepse se nuk pati nevojë të ndërrojë një makineri të madhe, ta adaptojë për të kaluar në formë tjetër, por shkoi direkt në një formë tjetër dhe këtë tani ta jep mundësi
teknologjia digjitale, nuk kalon nga një makine shkrimi tek një tjetër por kalon direkt nga e folura tek celulari, ja kjo është, pa kaluar në të gjitha fazat e tjera. Dhe ne kemi arritur aty sepse kemi investuar shumë dhe kemi investuar shumë për të hequr një pjesë të barrës së tmerrshme të gjithë qytetarëve që ishte ajo e radhave. Tani u harruan ato. U harrua që për të paguar faturën e Cez-it duhet të rrije në radhë, në shi, në diell, madje duhet të jepje dhe bakshish që të futeshe pa radhë që të paguaje. U harruan gjithë ato radha në lloj lloj zyrash sepse ska më radha në lloj- lloj zyrash sepse s’ka më sportele. Sepse sot është bërë realitet ajo që thamë, shtetin do ta kesh në xhep për të marrë dokumentet. 95 % të shërbimeve sot merren në rrugë digjitale. U harruan. U harrua gjithë ajo para, gjithë ajo kohë e gjithë ai korrupsion. Sot janë pa lek, s’takon fare njeri, s’pret askënd në radhë, çon kërkesën, merr atë që kërkon. Çfarë është kjo, është progres apo është si sot më keq s’kemi qenë ndonjëherë. Patjetër që është progres. Na sulmuan? Patjetër që na sulmuan se po të ishim akoma te sportelet nuk do kishin se ku të na kapnin dhe të na sulmonin se ishim të sulmuar vet. ishim vetë të sulmuar ccdo sekondë nga kthetrat e një shteti të marrë fund që i linte njerëzit nëpër radha për të marrë certifikatë dhe “ik se skam letër”, “ik se s’ka bojë printer”, “ik se kam vjehrrën pa qejf”. Kush do na sulmonte? Kurse sot jemi të zhvilluar në këtë fushë, por jemi dhe të prekshëm patjetër, por ama sulmi nuk ia arriti qëllimit sepse përsëri shërbimet u kthyen dhe jeta dhe puna vazhdojnë. E kam plot shembuj të tillë, por do ta mbyll me një shembull. Më tregoni dot mua ju se mbase unë nuk e gjej dot, një media pro qeveritare sot në Shqipëri, një televizor që ju e hapni dhe nuk shikoni nga 95% të kohës deri në 95% të kohës, jo kritika, por te shara, shpifje, sajesa. Se s’po flas për portalet, nuk me shqetëson kjo, më shqetëson diçka tjetër, kur thonë që
media këtu nuk është e lirë. Këtu media është jo e lirë, por është e shfrenuar dhe nuk kemi asnjë qëllim dhe s’kemi për te bërë asnjë përpjekje, për të vënë askënd në asnjëlloj kontrolli, këta të gjithë bashkë i kemi mundur disa herë, do t’i mundim prapë, jo për veten tonë edhe jo si një ndeshje basketbolli apo volejbolli, por sepse Shqipëria, Përmeti, edhe fshati me i largët atje ka nevojë për ne dhe ne jemi këtu për të gjithë ata që kanë nevojë ta ndjejnë veten gjithmonë e më shumë zot në vendin e tyre, ta ndjejnë veten gjithmonë e më shumë se e ardhmja ndërtohet në vendin e tyre dhe kjo nuk është propagandë, këto nuk janë parrulla.
Ky është një fakt, të cilin kush ka sy për ta parë dhe natyrisht kush ka durim për ta kuptuar dhe kush e di se çfarë ndërtohet me punë kërkon kohën e vjet mjafton të bëjë 200 metra rrugë këtu te pedonalja dhe të dëgjojë që nuk flitet vetëm shqip, por fliten disa gjuhë në 200 metra.
Pse? Sepse po ndodh ajo që deri para disa vitesh as mund të imagjinohej. Vijnë nga ana e anës turistë në Përmet. Më shumë do të vijnë dhe kështu me shumë e më shumë do prodhohet këtu, do punohet këtu, do mikpritet këtu, do shitet këtu, do fitohet këtu dhe do ndërtohet këtu e ardhmja dhe kur them këtu flas për Përmetin dhe flas për të gjitha pjesët e Shqipërisë që janë një magji e vërtetë. Faleminderit!