Kryeministri Rama ndau në mbrëmjen e sotme, gëzimin e festave të fundvitit me fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës, në një festë të organizuar enkas për ta, në qytetin e Durrësit.
Kryeministri garantoi se “qeveria do të bëjë të pamundurën që çdo anëtar i familjes së madhe të Policisë së Shtetit, të ndihet i qetë, i mbështetur, me të gjithë respektin që meriton”.
Përshëndetja e Kryeministrit Edi Rama:
Mirëmbrëma të gjithëve!
Shumë sinqerisht, është privilegj që unë të jem këtu sot, si Kryeministër i vendit dhe besoj, në emër të çdo familjeje shqiptare, në emër të çdo prindi, të çdo vajze e djali, të çdo gjyshe e gjyshi që me siguri do të donte ti përcillte familjeve dhe fëmijëve të dëshmorëve të policisë një urim nga zemra, t’ju uroj të gjithëve ju, një Vit të Ri të gëzuar. Të uroj që viti 2014 të jetë për ju një vit ëndrrash dhe shpresash të mundshme, të jetë për fëmijët një vit gëzimi dhe për familjen tuaj një vit paqeje dhe qetësie, duke iu garantuar po ashtu se ne do të bëjmë gjithçka na takon për të bërë më të mirën, që asnjë nga fëmijët e dëshmorëve të policisë të mos ndihet asnjëherë vetëm dhe çdonjëra prej nënave të tyre të ketë gjithmonë pranë dorën e shtrirë të solidaritetit tonë dhe të ndjejë në çdo hap mbështetjen e kësaj familjeje të madhe që është Policia e Shtetit.
Unë dua sinqerisht t’ju uroj dhe t’ju garantoj që me gjithë vështirësitë dhe me gjithë kushtet që nuk na lejojnë gjithnjë të bëjmë gjithçka që ne do të dëshironim të bënim, ne do të bëjmë të pamundurën për ju. Ne do të bëjmë të pamundurën që çdo anëtar i kësaj familjeje të madhe të Policisë së Shtetit, të ndihet i qetë, të ndihet i mbështetur dhe të ndihet me të gjithë respektin që meriton në dinjitetin e tij si pjesë e një institucioni që është i domosdoshëm dhe jetik për të gjithë qytetarët, për të gjithë shoqërinë, për gjithçka ne konsiderojmë vlerë të bashkëjetesës sonë, për sigurinë dhe qetësinë e gjithsecilit.
Besoj që ne arritëm që jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra t’ia japim këtë mesazh të qartë dhe të fortë të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit dhe këtë mesazh do ta forcojmë vijimësisht duke siguruar jo vetëm një trajtim të denjë financiar për secilin, por duke siguruar vijimësisht mbështetjen e domosdoshme morale, për të cilën policia ka më shumë nevojë se për çdo gjë tjetër në fund të fundit. Ne jemi angazhuar që asnjë prej nënave të këtyre fëmijëve të mos ndihet vetëm, asnjë prej nënave të këtyre fëmijëve të mos ndjejë pamundësinë për të jetuar dhe për të mbajtur fëmijët e vet me një punë. Asnjë prej nënave të këtyre fëmijëve të mos ndihet e pafuqishme në përpjekjen e vet për të bërë më të mirën për fëmijët e vet. Ky është një angazhim që ne do ta mbajmë në çdo hap dhe për çdonjërën nga nënat e këtyre fëmijëve dera jonë do të jetë gjithmonë e hapur dhe përpjekja jonë për të plotësuar çdo nevojë dhe për t’ju përgjigjur pozitivisht çdo kërkese nuk do të mungojë asnjëherë. Ashtu sikundër nuk do të mungojë asnjëherë edhe vëmendja për çdonjërin prej fëmijëve që janë këtu sot, nga më të vegjlit tek ata më të rriturit, nga ata që shkojnë në çerdhe tek ata që shkojnë në universitet apo tek ata që janë në kërkim të një pune për të vazhduar të jetojnë me rrugën e ndershme të prindërve të tyre të rënë në krye të detyrës.
Të gjithë fëmijëve këtu të pranishëm dua ti them se duhet të ndjehen shumë krenarë për prindërit e tyre të humbur dhe duhet të ndjehen po ashtu të sigurtë që edhe pse asgjë në botë nuk mund tua kthejë apo tua zëvendësojë plotësisht baballarët, asnjëherë për ta nuk do të mungojë kujdesi, solidariteti dhe mbështetja e nevojshme e shtetit përmes ministrisë së Brendshme, përmes të gjithë strukturave që janë plotësisht të vetëdijshme se ky është një amanet dhe një amanet që gjithkush prej nesh do ta nderojë me përgjegjësinë më të lartë.
Dua ta mbyll me një lajm tjetër që besoj është një lajm i mirë për ata që janë në frontin më të vështirë të punës në Policinë e Shtetit, ata që janë të angazhuar në forcat speciale dhe në forcat operacionale, për të cilët sapo kemi firmosur sot një tjetër vendim të Qeverisë, duke i hapur rrugë trajtimit special të cilitdo prej tyre që do të jetë në nevojë për kujdes shëndetësor dhe duke garantuar që për çdo vizitë, për çdo kurim për çdo operacion, për çfarëdolloj nevoje që të gjithë pjesëtarët e këtyre forcave do të kenë, në mënyrë që të garantohet plotësisht kujdesi maksimal shëndetësor i tyre, shteti do të paguajë një sigurim të posaçëm shëndetësor, një sigurim shëndetësor special, për të garantuar trajtimin me standardet dhe kujdesin më të lartë dhe më maksimal për secilin prej tyre.
Së fundi, besoj se ne më të rriturit duhet ta kuptojmë padurimin e fëmijëve për të marrë dhurata dhe për të parë dhuratat dhe kështu unë po e mbyll këtë fjalë timen, duke e mbaruar aty ku e nisa:
Me gjithë zemër, Gëzuar Vitin e Ri, shëndet dhe sa më shumë gëzime në familjet tuaja.
Më pas, festa vijoi me shpërndarjen e dhuratave të mezipritura nga fëmijët, – kontribut i punonjësve të Policisë së Shtetit nga i gjithë vendi, si dhe i donatorëve të ndryshëm.