Në sheshin e madh të qytetit, vijoi takimi i hapur i Kryeministrit Edi Rama me fierakët për gjithçka është bërë dhe do të vijojë të bëhet në përpjekjen për të përballuar sa më mirë e më lehtë sfidat që solli vala e luftës.
* * *
Mirëmbrëma të gjithëve dhe faleminderit shumë, shumë faleminderit. Është vërtete kënaqësi e posaçme të vish këtu në Fier dhe të jesh kryetar i Partisë Socialiste. Është një kënaqësi që vetëm dy vetë e kanë provuar, Fatos Nano dhe unë. Shumë faleminderit dhe më vjen shumë mirë që ne sot këtu kemi shumë gjëra për të treguar, kemi kaq shumë arsye për tu motivuar dhe njëkohësisht kemi kaq shumë për të bërë akoma me bindjen që na takon ne t’i bëjmë.
Unë nuk dua të zgjatem në pjesën e Fierit sepse Armando bëri një pasqyrë të përmbledhur sepse ka akoma shumë gjëra të tjera dhe jam i bindur që ka shumë ndër ju që jo të gjitha këto që u shfaqën i dinit, sepse ne jetojmë në një kohë kur e keqja, gënjeshtra, sajesa, fabrikimet kanë marrë gjithmonë e më shumë hapësirë dhe kur e vërteta është tkurrur në një cep dhe mjafton t’ju them këtë: Sot ne synojmë dhe po e ndjekim çdo ditë sesi po shkojnë eksportet bujqësore me dëshirën që të arrijmë ta mbyllim vitin me gjysmë miliardi euro eksporte bujqësore. Ndërkohë që kur e nisëm këtë rrugëtim sëbashku, Shqipëria mezi eksportonte 120, 130 milionë euro. Këto eksporte bujqësore që mund të shkojnë që këtë vit gjysmë miliardi dhe që ne duam t’i çojmë në 1 miliardë brenda këtij 10 vjeçari, janë frut i punës së jashtëzakonshme të njerëzve në fshat. Janë frut i rritjes së konsiderueshme të kapaciteteve të fshatit. Janë frut i faktit që sot ne, Shqipëria, punojmë dyfishin e tokës bujqësore që punonim përpara 7-8 vitesh, janë frut i një pune kolosale për të çuar ujin në parcelë. Ju e patë këtu dhe e keni parë, e keni prekur në njësitë administrative të Fierit sesa shumë toka ishin djerrë jo se nuk donin njerëzit të punonin por sepse kanalet ujitëse ishin bllokuar prej dekadash. Mirëpo e gjithë kjo po të hapësh televizorët, as që nuk figuron fare. Po të hapësh televizorët, fshati shfaqet vetëm kur del ndonjë maniak kur vret, gjë që ndodh në të gjithë botën, apo kur dalin hera herës grupe te vigla që hedhin produktet. Hedhin molët diku, qepët diku, derdhin qumështin diku, këto dalin menjëherë në televizor dhe askush nuk kujtohet që jo shumë larg nga ai vendi ku hidhen molët ka shumë të tjerë që mollët i mbledhin dhe i eksportojnë sepse e keqja zë vend. Duke bërë që të gjithë ata që nuk e kanë idenë fare se nuk i ka çuar rruga, nuk i ka çuar jeta, nuk i ka çuar puna se çfarë bëhet sot në fshat, të thonë që në fshat njerëzit po vdesin për bukë. Të thonë që fshati është zbrazur dhe s’ka më njeri. Të thonë që Shqipëria nuk prodhon më, të thonë që në Shqipëri hahen vetëm plehra, të thonë që çdo gjë që hahet në Shqipëri të helmon dhe të bën për vdekje. Kjo është njëkohësisht e ushqyer në mënyrë të përditshme nga opozita e rublave, nga çorba e rublave, nga ai grupim që i ka bërë shumë dëme Shqipërisë në vijim, por që tanimë po demaskohet komplet. Në një kohë kur e gjithë bota, bashkë me botën e gjitha Europa, bashkë me Europën edhe Shqipëria, bashkë me Shqipërinë edhe Fieri, bashkë me Fierin edhe fshati më i largët i Fierit, janë prekur drejtpërdrejtë nga lufta, nga dora e padukshme, por shumë e egër e inflacionit të luftës.
Dhe ndërkohë që ne, qeveria shqiptare bëjmë gjithçka mundemi, jo gjithçka duam, por gjithçka mundemi për t’i lehtësuar njerëzit, këta janë shfaqur më egër se kurrë në një përpjekje skandaloze, të turpshme, në një përpjekje që shkel çdolloj kufiri njerëzëllëku për të nxitur konflikt, për të nxitur rrëmujë, për të çuar deri në gjakderdhje.
E patë se çfarë ndodhi tani në fund. Vdiq një i ri për një arsye që tanimë është e shpjeguar qartësisht nga prokuroria, nga mjekësia ligjore, nga policia dhe sapo doli lajmi, pa pritur asnjë ekspertizë, pa pritur asnjë rezultat, pa pritur asnjë prononcim të institucioneve, doli hiena e madhe dhe bashkë me të dhe hienat e vogla dhe filluan ta shqyenin kufomën nëpër televizorë. Duke kërkuar që njerëzit të ngrihen sepse policia vrau një tjetër të ri. Si mund të ndodhë kjo? Si mundet të përdhunohet një i vdekur në këtë farë feje dhe si mund të bëhet kjo në një kohë kur ky vend, ky popull, ky shtet është nën presionin e një lufte që nuk ka sjellë këtu bomba, nuk ka sjellë këtu presionin për t’u bërë refugjat dhe për të ikur sic ikin nga lufta 7 milionë ukrainas, por ka sjellë inflacionin e luftës. Një mostër që nuk ke fare se ku ikën se sa herë do fusësh dorën në xhep për të blerë diçka, do të kapë dorën dhe do të thotë: Dua pjesën time.
Kur ra tërmeti u vranë për fat të keq disa dhjetëra njerëz, humbën jetën. Disa mijëra e mijëra familje humbën shtëpinë, të gjithë u ndjen keq, u solidarizuan, ishte nevoja për të lëvizur fonde nga projekte të ndryshme, edhe rruga e Semanit që ishte e sapofilluar u ndërpre sepse duheshin ndërtuar shtëpitë. Por ama, pjesa dërrmuese nuk u prek drejtpërdrejtë. Kur ra pandemia shumëkush humbi jetën, shumë e shumë të tjerë provuan vuajtjet, por shumica dërrmuese nuk u prek. Dhe pandemisë mund t’i shmangeshe duke u mbyllur në shtëpi kurse inflacionit të luftës nuk i shmangesh dot sepse nuk rri dot pa ngrenë derisa të mbarojë lufta. Do dalësh, do blesh dhe në momentin që do blesh do ta ndjesh. Në këtë kohë kaq të vështirë sigurisht që ka 1001 arsye për t’u çuar, për të kritikuar, për të akuzuar, për të bërë gjithë përpjekjet në emër të një alternativë tjetër. Si t’ja bëjmë me energjinë elektrike? Por nuk mund në asnjë mënyrë të shkosh deri në pikën që të kërkosh revolucion, që të kërkosh përmbysje, që të kërkosh sherr, që të kërkosh konflikt, që të kërkosh luftë brenda për brenda këtu me policinë, me institucionet. Pse? Duke shpifur për një viktimë. Ky është kulmi. Dhe ata që i shkojnë prapa këtyre hienave duhet t’i bëjnë pyetje vetes: çfarë shqiptarësh janë këta? Çfarë lidhje kanë këta kur marrin përsipër të pranojnë këtë lloj makabriteti, këtë lloj poshtërie, këtë lloj ndyrësie si një instrument pushteti, si një instrument politik. Si munden pastaj të pretendojnë që kanë flamur, që kanë fe, që kanë atdhe, që kanë besim, si mundet? Dhe kujt më shumë sesa atij që ka vënë bastin atje në Kremlin i interesojnë këto poshtërsi? Askujt. I interesojnë shqiptarëve që votojnë kundër nesh, kundër Partisë Socialiste s’ka sesi t’i interesojë. Atyre iu intereson njësoj si të gjithë shqiptarëve të tjerë që të mos iu rritet energjia elektrike. Atyre ju intereson që inflacioni të mos shkojë me 2 shifra e të mos bëhet 20% siç po bëhet avash, avash në disa vende të tjera të rajonit, ndërkohë që këtu është rritur, është problem, po është më pak se 10% sepse ne nuk e kemi prekur energjinë elektrike.
Atyre i intereson çfarë po bëhet me fëmijët e tyre, me shkollat e fëmijëve, me studentët, pensionistët me të gjitha ato që kanë të bëjnë me jetën e përditshme, dhe për interesin e tyre bujrum, le të bëjmë debat. Bujrum, le të ballafaqohemi sesi bëhet më mirë, por të marrim kufomat e fataliteteve njerëzore e t’i shqyejmë përpara ekraneve, kamerave, mikrofonëve për të helmuar dynjanë, të shërbyer nga ekrane që janë pasqyra të deformuara totalisht të realitetit për interesat e pronarëve të tyre që nuk dalin në ekran, por që duke e nxirrë komplet ekranin, duke mos dhënë as 10% të të vërtetave të ditës nëpër lajme, duke i fryrë gënjeshtrës në vijimësi, kërkojnë të mbarojnë punët e tyre duke shantazhuar qeverinë, ministrat, kryetarët e bashkive për të marrë tendera e gjëra që nuk itakojnë, kontrata qirash që nuk i paguajnë, legalizime lejesh të shkelura që duhen anuluar e konfiskuar. Këta janë shumica e pronarëve që fshihen mbrapa ekraneve në ata televizorët, me ato frëngjitë që hapen që në mëngjes e helmojnë gjithë miletin.
Po e vërteta është e vërtetë. Punët janë punë e faktet janë fakte. Fakti është që sot, askush nga ju në shtëpinë tuaj nuk e ndjen krizën e çmimit të energjisë. Në çdo faturë të çdo familje pavarësisht se për kë voton, të gjitha familjet shqiptare, mesatarisht 20% i paguajnë familjet dhe 80% i paguan qeveria çdo muaj, e jo që nga fillimi i luftës, po që nga fillimi i rritjes së çmimit në tregun ndërkombëtar. Ne nuk e prodhojmë të gjithë energjinë që na duhet për nevojat tona. Shqipëria nuk e prodhon. Përralla që ne kemi ujë, që kemi dhe për këtë arsye ne e bëjmë vetë energjinë e nuk kemi fare nevojë për të tjerët e nuk kemi lidhje me luftën, vjen pikërisht nga këto burime që ushqejnë injorancën, padijen e gjithçka negative për të ushqyer urrejtjen, mllefin inatin.
Ne prodhojmë 75% në ditën më të mirë. E dita më e mirë është dita kur Shqipëria ka shi mjaftueshëm gjatë gjithë vitit, që gjithë hidrocentralet mbushen plot.
25% të tjerat duhet të dalim e t’i blemë në tregun ndërkombëtar e aty përballemi me çmime katastrofike. Këto çmime nuk mundet t’ia u faturojmë pensionistëve, familjeve shqiptare, bizneseve të vogla. Nëse sot ju në dyqane keni çmime të rritura, po të rrisnim edhe energjinë e bizneseve të vogla, çmimet do të ishin njësoj si në vendet e tjera të rajonit ku janë rritur shumë më tepër.
Ne po punojmë për të shtuar burimin e energjisë, po ndërtojmë parqet e mëdha fotovoltaike. Njëri është në kantier në Karavasta, tjetri është në fillim të rrugës të ndërtimit në Spitallë të Durrësit. Jemi shumë afër fillimit të prodhimit të anijeve që erdhën dhe të transformit të TEC-it famëkeq të Vlorës në një terminal me gaz të lëngshëm dhe Skavica është në rrugë për tu ndërtuar. Ne do të arrijmë atë që kemi premtuar që brenda këtij 10 vjeçari do të jemi 100% sovranë dhe nuk do të kemi nevojë të blemë energji jashtë, po vetëm do të shesim. Po kjo kërkon kohën e vet, ndërkohë që lufta është sot, inflacioni është sot, problemet dhe natyrisht unë e kuptoj shumë mirë që njerëzit nga qeveria nuk duan thjesht t’ju shpjegojë si është situata, po duan që t’i ndihmojë që ta përballojë situatën. Për këtë arsye kemi indeksuar dy herë pensionet. Nuk kemi bërë atë që realisht pensionistët meritojnë, për çfarë i kanë dhënë këtij vendi, nuk ka qeveri që e bën, por kemi bërë aq sa kemi mundur dhe do vazhdojmë të bëjmë atë që mundemi e pavarësisht vështirësive, përsëri pensionistëve do t’u japim bonusin e tyre të posaçëm në fillim të dhjetorit e ta kenë për muajin dhjetor e ta kalojnë vitin e ri pa qenë të tmerruar nga pesha e inflacionit.
E dini kujt i janë rritur pagat më shumë në këtë kohë lufte?! Pedagogëve, 15%. 7% ja u rriti qeveria, siç ua rriti mësuesve, punonjësve të policisë, një pjesë e punonjësve ia rriti edhe 15%, po vetëm pjesës së policëve bazë, siç ua rriti dhe të tjerëve, të gjithë administratës, ua rriti edhe pedagogëve. Pedagogët janë pjesë e një sistemi të universitetit që ka dhe autonominë e vetë, të drejtë të shfrytëzojë të ardhurat e veta dhe i rritën e nga vetja 8, i vajti 15. Duan edhe më shumë. Më falni, po si mund të kërkohet kjo në këtë kohë. Një rritje më e madhe sesa rritja më e madhe kur ndërkohë të gjithë ne duhet të shohim sesi të bëjmë edhe më shumë për ata që kanë më shumë nevojë, për pensionistët, për familjet me ndihmë ekonomike, për nënat që kanë nga 2 e 3 fëmijë, që janë me ndihmë ekonomike. E atyre ja kemi dyfishuar dhe kemi bërë shumë mirë e kështu me radhë për gjithë të tjerët. Si mundet që zjarrfikësve ne tja rrisim 7%, jo se s’duam tja i rrisim 70, po se 7% kemi mundësi për këto tre muaj dhe do tja u rrisim menjëherë për vitin e ardhshëm sepse hidhen në zjarrin ku lëkurën, e pedagogët duan më shumë.
Unë nuk them që ata apo askush tjetër, të gjithë meritojnë të kenë më shumë, po gjërat bëhen sipas mundësisë. Mundësitë rriten me punë, puna kërkon kohën e vetë. Shikoni çfarë kemi bërë në Fier, e prapë ka akoma zona të qytetit që kanë nevojë për ndërhyrje sepse kishte dekada të tëra që nuk bëhej asnjë gjë.
Ju kujtohet çfarë bëhej këtu apo jo?! Këtu ku jam unë ishte llum, s’kishte fare asgjë. Si i bëjmë?! Vetëm duke ecur drejt, duke bërë punën e duhur, më të mirën, duke qenë të vetëdijshëm që jo çdo gjë e bëjmë mirë, po ama si mundet ne ta pranojmë që një vepër kaq e rëndësishme, domethënëse, reale, e prekshme në jetën e banorëve të Fierit, për mushkëritë e fëmijëve, të të moshuarve e të gjithë atyre që jetojnë në Fier, siç është impianti i trajtimit të mbetjeve, i cili na ka dhënë mundësinë ta fshijmë komplet atë kodrën e turpit të plehrave që rrinte aty e qelbte gjithë ajrin e Fierit prej 30 vjetësh të kriminalizohet për shkak se në procesin e ndërtimit të këtyre impianteve ka pasur veprimtari korruptive. Si mund të flitet për 450 milion euro që qenkan vjedhur?! Si janë vjedhur? Ku janë vjedhur? Si mund të vidhen paratë të cilat nuk janë derdhur? Nuk ekziston 450 milionë euro. Është një përrallë. Ndërkohë që impianti është aty, është fizik, është i dikurshëm dhe kodra e madhe e plehrave që tymoste gjithë qiellin e Fierit nuk është më aty, është një zonë ku mbillen pemë. Janë mbjellë 5000, do mbillen dhe 3000 të tjera, do bëhen dhe fushat e basketbollit, dhe fushat e volejbollit dhe vendet për më të moshuarit dhe këndet e lodrave për fëmijët.
Gjërat janë të ndara. Nëse nisemi në një rrugë, për të arritur në një objektiv dhe në atë rrugë dikush nga ne bën një rrugë e dy punë, edhe punën për objektivin, edhe punën për xhepin e vetë, ne të tjerët nuk mund të përbaltemi njësoj. Ai e ka vendin diku tjetër, nuk e ka vendin në rrugën tonë, e ata që bëjnë të tilla, ata dënohen. Por nuk kriminalizohet gjithë rruga jonë e përbashkët dhe gjithë puna që ne bëjmë dhe veprat që ne ndërtojmë. Sepse ato janë aty, janë në shërbim të njerëzve. Impianti i mbetjeve në Elbasan, sot është pronë e bashkisë së Elbasanit. Impianti i mbetjeve në Fier, është pronë e bashkisë së Fierit. Këto janë prona publike të ndërtuara me para private, për të cilat ne vit pas viti paguajmë, në mënyrë që të shlyhen investime, patjetër, njëkohësisht që të vazhdojë mbledhja dhe trajtimi i mbetjeve, pa rritur taksat për ju. Kjo është shumë e thjeshtë. Në këtë botë gënjeshtrash e në këtë botë fantazish të shthurura njerëzish që janë urrejtës profesionistë, që e fillojnë në mëngjes nga foltoret e politikës dhe e mbarojnë në darkë nga kolltuqet e analizave mediatike, duhet të kuptojmë dhe duhet të mos e harrojë për asnjë moment se kemi një forcë e cila është jashtëzakonisht e rrezikshme, që është inflacioni i luftës. E ndërkohë, duhet të gjithë ta kuptojnë që luftën nuk e sollëm ne, as nuk e ndalojmë dot ne. Inflacionin e solli Putini me luftën e tij, nuk e ka sjellë qeveria jonë. Qeveria jonë nuk mundet të mjaftohet duke e shpjeguar as duke thënë që kaq kemi mundësi, por duke krijuar mundësi të reja. Çdo mundësi e re që do të krijohet, sado e vogël, ne do ta vëmë në dispozicion të njerëzve, siç sapo pamë një mundësi të vogël, një shteg të ngushtë fare, për të mos e vendosur fashën 800 kËh, edhe pse ajo nuk prek pjesën më të madhe por sidoqoftë psikologjikisht i prek të gjithë, ne e shtymë për nëntorin. Tani, çdo ditë diell, diell. Aty e shtymë për nëntorin sepse patëm disa reshje, pamë dhe disa shenja të mira të kursimit dhe ishte e mundur ta bënim. Nuk e dimë a e bëjmë dot më në nëntor. Do duhet të kemi përsëri disa reshje e do duhet të vazhdojmë të kursejmë, nuk kemi pse e shpenzojmë energjinë kur nuk na duhet. I lëmë dritat ndezur kur nuk duhet. Çdokush që ndez një dritë, duhet të ketë parasysh që ta fiki atë dritë kur nuk i duhet. Kështu ka ardhur koha. Ka ardhur koha që gjermania, vendi më i pasur i Europës po bën shkurtime. Plane për shkurtime. Po bën plane për uljen e temperaturave të ujit të ngrohtë nëpër shkolla, që ata ujin e ngrohtë nëpër shkolla e kanë pasur dem baba dem për mos ngrohjen e pishinave publike. Si mund të arrihet deri këtu? Mund të arrihet sepse kjo është lufta.
Basti i atij që është në Kremlin është që të gjunjëzojë gjithë perëndimin, jo që të mundi vetëm Ukrainën. Si do ta gjunjëzojë perëndimin, duke goditur ekonomitë. Si goditen ekonomitë? Me inflacionin. Dhe çfarë duhet të sjelli kjo? Duhet të sjelli rrëzimin e qeverive dhe afrimin në qeveri të forcave që janë të paguara ose të mbështetura, ose janë gati të paguhen e të mbështeten nga ata. Kur doli Taulanti me Erion Braçen me Elisën dhe folën për paratë ruse, u hodhën përpjetë, Sorosi me Edi Ramën. Po tani? Po tani që dalin në raportin e CIA-s që kanë marrë paratë ruse? Ato paratë ruse atëherë i kisha bërë unë, me Sorosin dhe i pari që hodh, të thoshte “në asnjë mënyrë, nuk ka bërë vaki”, ishte ajo hiena e madhe non grata atje që tani del e na bën dhe virgjëreshën. Po kush e ha atë, që u morën gjithë ato para nga rusët për të fituar zgjedhjet kundër Partisë Socialiste të Shqipërisë? Dhe ai nuk paska ditur gjë! Kush e ha atë? Nuk e ha askush. Kjo është vetëm një pjesë e historisë.
Siç po lidhen gjërat tani e siç po del tani që ai votimi atëherë nuk paska qenë aq naiv kundër Kosovës por jo vetëm kundër Kosovës por dhe kundër Shqipërisë, si mund t’i bashkonte votat përfaqësuesi i Partisë Demokratike në qeveri këtu në Shqipëri me delegacionin rus atje?
Si mund ti bashkonte? Pse nuk i bashkuan votat? Pse nuk votoi Damian Gjiknuri për atë palo rezolutë?
Pse nuk votoi Shpëtim Idrizi? Nuk ishte më me ne, kishte ikur në krahun tjetër, nuk votoi.
Pse votoi Partia Demokratike bashkë me rusët për t’i vënë një vulë turpi gjithë kombit shqiptar që edhe kur thotë që lufton për liri, në fakt shkul veshkat e shkul zemrat e shkul mëlçitë e njerëzve për t’i shitur, edhe ku? Në fund të botës, atje në Burrel. Nuk ka sesi. Janë të gjitha të lidhura dhe do vazhdojnë të lidhen gjithmonë dhe më shumë. Por është njëkohësisht përsëri rasti për të parë atë që e kam thënë gjithmonë dhe që e kam parasysh gjithmonë. Të jesh kryetar i PS, të jesh pjesë e PS, të jesh mbështetës i PS apo të jesh dhe qoftë thjeshtë votues i PS, pavarësisht se mund të mos jesh asgjë nga ata të tjerat përpara, do të thotë të jesh me të vetmen parti politike shqiptarë që kurrë, në asnjë sekondë që nga momenti i lindjes së saj nuk ka ceduar te interesi kombëtar. Kurrë!
Nuk ka qenë Partia Socialiste ajo që i bëri luftëtarët e UÇK së terrorist, marksist-leninist dhe sot i takon Partisë Socialiste ta heqë atë njollë turpi nga fytyra e kombit shqiptar, e popullit shqiptar, e Shqipërisë dhe e Kosovës pavarësisht se në atë njollë turpi për fat të keq kanë gisht edhe shqiptarët. Dhe në radhë të parë kanë gisht shqiptarët këtu, ata që i thonë vetes ‘foltore’ apo që i thonë vetes: ‘lirie’.
Ata kanë gisht. Ne do të vazhdojmë të bëjmë të gjitha përpjekjet. Tani së shpejti do të vendosim tatimin e jashtëzakonshëm për tre prodhuesit e mëdhenj të energjisë. Kemi shumë respekt, por ndryshe nga çfarë na thonë ata ne nuk jemi partia e oligarkëve, faktet flasin krejt ndryshe, mirëpo populli thotë një fjalë shumë të mençur: Kur gënjeshtra ka bërë xhiron e botes, e vërteta s’ka veshur akoma pantallonat. Gënjë e gënje dhe gënjeshtra e bën xhiron e botës. Mirëpo e vërteta dhe pse harron, nuk vonon.
Cilët janë me oligarkët, ne që po ua u marrim dhe do tua u marrim një më një të gjitha metrat katrorë që kanë bërë pa leje me qëllim fitimi, tek ato pallatet që me demek janë të miat? Apo te ato pallatet që janë të lali Erit? Apo te ato pallatet që ishin dje e janë sot të kryetarëve të bashkive të bregdetit? Të tëra do t’i dorëzojnë dhe ne do i marrim o për shtetin, o për popullin, për njerëzit që kanë nevojë për strehim.
Ndërkohë që ata që janë kundër oligarkëve çfarë bëjnë? E çojnë në Gjykatë kushtetuese sepse vet ndërtuesit nuk mund ta çojnë në Gjykatë Kushtuese. Çohet një parti politike, ajo demokratike e çon në Gjykatë Kushtetuese. Tani si çohet në Gjykatë Kushtetuese për të kërkuar nga Gjykata kushtetuese që këta t’i mbajnë ato. Pse? Iu është ofruar lek i madh. Është hapur thesi i rublave nga e para për të bërë prapë rrëmujë e për të bërë prapë konflikte e për të bërë prapë kaos dhe përsëri për të na lënë ne dopjo gjashtën dhe për ti ndarë paratë me ata të cilët do ti dorëzojnë se s’bën ato metra katrorë. Dhe ja ku jemi përsëri te ajo që po thoja. Tre kompani të mëdha të prodhimit të energjisë prodhojnë energji dhe e shesin jashtë dhe fitojnë në mënyrë marramendëse. Shumë mirë, nuk është se po bëjnë një gjë të paligjshme, por puna është që gjithë ato fitime iu erdhën nga fat, nuk iu erdhën se bën ndonjë investim të veçantë a bën ndonjë heroizëm. Duke ndenjur një ditë të bukur, filloi lufta. Lufta futi të gjithë Europën në elektroshok, duke i prere burimet e energjisë. Energjia u shtrenjtua dhe këta tani po e shesin jo sa frëngu pulën, por sa frëngu harabelin. Shumë mirë, deri këtu s’ka asnjë problem. Problemi është që për ta ishte një fat i mirë, për pensionistët, për njerëzit në nevojë, për shqiptarët e zakonshëm ishte një fat i keq sepse iu vjen dora e inflacionit dhe i kap dhe i kërkon pjesën. Për çdo produkt ushqimor që blejnë, dua pjesën time. E pra ne këtë nuk mund të rrimë duke e parë. Kështu që atyre që kanë fituar dhe që fitojnë përditë 10 fish do t’iu vëmë një taksë të jashtëzakonshme dhe do tua u marrim një pjesë të atij fitimi jo për ta çuar për ndonjë gjë tjetër por për tua u dhënë këtyre të tjerëve që duhet të vazhdojnë të ushqehen pa pasur presionin e luftës.
Shumë e thjeshtë.Dhe kemi nevojë të rrisim pagat, nuk diskutohet.
E kemi rritur dy herë pagën minimale, do ta rrisim përsëri dhe e kam bërë, dhe e them dhe e përsëris përsëri thirrjen dhe për sipërmarrësit privatë. Është koha për të rritur pagat e punonjësve. Është koha për të dhënë më shumë nga ai që ata e konsiderojnë fitimin e tyre e të familjes tyre, jo për t’ja hequr vetes, por për të investuar për veten nesër se me këto paga, nëse nuk rriten shumë më tepër tani, nesër do të jetë vonë, nesër do të pendohen sepse do t’iu humbasin kapacitetet e tjera që i kanë kapacitetet për punën dhe për prodhimin e tyre dhe ne e shohim që ka filluar të lëvizë kjo gjë dhe do të lëvizë dhe më shumë.
Ndërkohë, që ne do t’i rrisim përsëri pagat vitin e ardhshëm, do t’i rrisim përsëri pensionet vitin e ardhshëm, do t’i rrisim përsëri mbështetjen financiare vitin e ardhshëm dhe na dhëntë Zoti që të marrim dhe lajmin e shumëpritur, dhëntë Zoti që ai Shpiragu të dalë ashtu siç duhet dhe siç i takon Shpiragut që i janë bërë dhe këngë i janë bërë dhe legjenda një burim i ri të ardhurash për vendin tonë, dhe atëherë pastaj Shqipëria do jetë në një nivel tjetër. Por kjo është diçka që akoma nuk e dimë, ajo që dimë është që kemi nevojë të mbështesim njeri-tjetrin dhe të mirëkuptojmë njeri-tjetrin. Dhe kur them të mbështesim njeri-tjetrin, ne të mbështesim njerëzit dhe jo njerëzit të mbështesin qeverinë, por njerëzit të mbështesin përpjekjen e përbashkët kombëtare, për t’u sjellë si një kombi qytetëruar, si një popull që e di shumë mirë që ka një kohë për t’u luftuar me njeri-tjetrin, ka një kohë për t’u bashkuar me njeri-tjetrin, ka një kohë për të qenë të ndarë me njeri-tjetrin, ka një kohë për të qenë bashkë me njeri-tjetrin. Ka një kohë për të menduar për mustaqet e Çelos, por ka një kohë për të menduar për dinjitetin tonë, për dinjitetin tonë që nuk duhet t’i themi vetes shqiptar krenar, vetëm kur shohim flamurin dhe kur këndojmë himnin, por duhet t’i themi vetes shqiptar që kemi detyrim ndaj atij flamuri dhe atij himni që të mos shkojmë mbrapa hienave dhe mos të bëhemi pre e atyre që shqyejnë kufoma përpara syve tanë dhe fëmijëve tanë.
Shumë faleminderit të gjithëve! Mund të vazhdoja deri nesër në mëngjes sepse pamja që kam përpara është e jashtëzakonshme, ndryshimi që kemi sjell këtu ka sjellë shumë energji positive, por do të jemi këtu përsëri dhe do flasim për shumë tema të tjera.
Shumë faleminderit!