Fjala e Kryeministrit Edi Rama në shpërndarjen e certifikatave të pronësisë në Kukës:
Respekte për ardhjen tuaj këtu, edhe pse këtë herë nuk keni ardhur për të dëgjuar fjalime dhe për të ikur, por keni ardhur për të marrë në dorë një dokument që e prisni prej shumë vitesh, që është dokumenti që e kthen shtëpinë tuaj, të ndërtuar me mund e sakrifica, por pa leje, në një pasuri të patundshme.
Dy gjëra dua të nënvizoj.
E para, legalizimi i shtëpive i të gjithë atyre që për një jetë më të mirë për familjen kanë futur të gjitha kursimet, kursimet e punës së stërmundueshme në emigracion, kursimet e gjakut dhe të djersës së familjes së tyre, nuk është thjesht që shtëpia ku, sot, ju jetoni formalizohet. Praktikisht, bëhet një pasuri e patundshme, që duke u bërë një pasuri e patundshme e jep një mundësi të re ekonomisë suaj familjare dhe si rezultat edhe ekonomisë sonë kombëtare. Kjo sepse, sot, në shtëpinë tuaj ju jetoni, por shtëpia juaj nuk figuron asgjëkund. Ju nuk mund të shkoni sot në një bankë e të thoni dua një kredi të vogël, sepse dua të ndërtoj një fermë të vogël, sepse dua të hap një biznes të vogël, sepse dua të paguaj studimet e djalit apo të vajzës, sepse banka kërkon një provë se si do të mund ta shlyeni ju kredinë dhe çfarë garancie ka. E pra, duke shkuar në bankë dhe duke vendosur aty si garanci, shtëpinë tuaj dhe duke i thënë bankës më jep kredinë që unë të bëj një investim për ekonominë time familjare, banka është e sigurt se ju nuk do të ikni në drejtim të paditur, por do t’i ruani raportet me të dhe në të gjitha vitet që përfshijnë marrëveshja me bankën do të paguani interesat e kredisë.
Nga ana tjetër, kjo do të ndihmojë ekonominë, ekonominë e qytetit, ekonominë e bashkisë së re, që përfshin sot jo vetëm qytetin, por dhe 14 komuna, duke i kthyer të gjitha ata që banojnë në ato komuna, në qytetarë të barabartë të bashkisë së Kukësit, dhe ekonominë kombëtare, sepse duke bërë një investim, duke hapur një biznes të vogël, duke fuqizuar fermën, ju do të jeni pastaj në gjendje të paguani edhe taksa. Ato taksa do t’i shkojnë bashkisë, pastaj bashkia do të mund të bëjë më shumë investime për çerdhen, për kopshtin, për rrugën e fshatit, për ujësjellësin e kështu me radhë.
E dyta, për tetë vjet, qeveria e mëparshme, e cila sot në opozitë tani derdh lot krokodili për Kukësin, ka bërë vetëm 341 legalizime, në vetëm 1 vit, sepse u deshën 8-9 muaj që ne të rivëmë rregull në dosjet tuaja që ishin lënë rrugëve. Ne kemi bërë 388 legalizime. Pra, vetëm në një vit, ne kemi bërë më shumë legalizime sesa ata në tetë vjet, si shprehje e vullnetit tonë për të qenë pranë njerëzve dhe për t’i ndihmuar ata, në radhë të parë për t’ia lehtësuar dhimbjen e një periudhe të gjatë braktisjeje, varfërie dhe papunësie të madhe.
Do të bëjmë edhe më shumë, ashtu siç shkollën e re që po ndërtohet, së bashku me gjimnazin, me konviktin do ta kthejmë realisht në një kampus të bashkisë së re për të gjithë fëmijët, të rejat e të rinjtë që do të kryejnë arsimin parauniversitar këtu në Kukës, duke e transformuar të gjithë hapësirën publike aty, në një hapësirë që do t’i shërbejë shkollës, edhe si qendër komunitare.
A mjaftojnë këto që ju të ndjeheni mirë? Jo, këto nuk mjaftojnë që ju të ndjeheni mirë dhe të thoni që ja u krye. Sepse 20 e kusur vite plagë të hapura dhe të infektuara nga mungesa e vëmendjes, nga braktisja, nga izolimi, nga keqqeverisja nuk mund të mbyllen për 18 muaj. Por, është sigurt se kurimi ka filluar dhe është në drejtimin e duhur.
Së fundi, më lejoni që t’ju siguroj se me reformën administrative territoriale dhe me mënyrën si është organizuar sot, qeverisja vendore, do të shikojmë ndryshime që nuk do t’i kishim parë, siç nuk i kemi parë në shumë vite, nëse do të mbeteshim pre e gjithë atij fragmentimi të territorit.
Faleminderit!
***
388 leje legalizimi u shpërndanë sot, për banorët e Kukësit dhe komunave përreth. Kryeministri Rama i dorëzoi ato personalisht, në takimin që zhvilloi me ta, ndërsa theksoi se në një kohë kaq të shkurtër, ky numër është më i lartë se legalizimet e bëra përgjatë 8 viteve të qeverisjes së kaluar.
Kreu i ALUIZNI-t Artan Lame theksoi se për herë të parë janë përfshirë në procesin e legalizimit komuna, të cilat deri tani nuk kishin pasur mundësi as te regjistroheshin.
Halil Cengu, nga lagja 5 e Kukësit, ishte banori i parë që mori prej Kryeministrit certifikatën për banesën e tij, tashmë të legalizuar pas 6 vite pritjeje. “Në radhë të parë, ju falënderoj shumë zoti Kryeministër. Kam 6 vjet që e pres këtë certifikatë dhe në fund i erdhi dita që ta kem në dorë,” – u shpreh ai me emocion.
Ndërsa Liman Tafili, teksa falenderoi Kryeministrin për dorëzimin e lejes, i shprehu atij mirënjohjen për premtimin e mbajtur. “Ju falënderoj zoti Kryeministër. Jeni një nga ata që premtove dhe e mbajte fjalën. Kështu vazhdo me shqiptarët, sepse kështu, ata do t’ju respektojnë gjithmonë.”
Legalizimi i shtëpisë trekatëshe të banorit Ymer Sopaj bëhet pas 5 vitesh kërkesë për legalizim nga ana e tij. Ndërsa mori në duar certifikatën, Ymeri falenderoi stafin e ALUZN-it për punën me përkushtim. “Ju faleminderit për të këtë certifikatë. Kam 5 vite që e kam bërë kërkesën.”