Nënstacioni i ri i Kombinatit, 110/20 kV, në Tiranë, është një tjetër investim madhor prej 11 milionë dollarë, shembull domethënës i transformimit, në sistemin elektroenergjetik shqiptar. I ndërtuar që në vitin 1953, por i lënë në harresë pa asnjë investim, nënstacioni i Kombinatit kishte degraduar plotësisht, duke cenuar cilësinë e furnizimit me energji elektrike të një zone kryesore të kryeqytetit.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në terren për të parë nga afër investimin e ri dhe fillimisht u ndal në ngrehinën e vjetër, e cila përveç pajisjeve të amortizuara nga koha, është shembur pjesërisht nga kushtet e rënduara atmosferike.
“Ne kemi vendosur që ta ruajmë këtë objekt që është në pronësi të OSHE-së dhe të bëjmë një rikonstruksion, por pa prishur fasadën dhe dukjen, pasi mendojmë të ndërtojmë muzeun me të gjitha nënstacionet e vjetra. Kjo ndërtesë është prodhim i vitit ’53-të, nuk ka ndryshuar e nuk ka pësuar asnjë investim që nga ai vit. Po mendojmë ta përfshijmë edhe në planin e zhvillimit të zonës, megjithatë është diçka që duhet ta diskutojmë me arkitektët,” – u shpreh Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Nënstacioni i ri do të garantojë cilësi e lartë furnizimi me energji elektrike për afro 120 mijë banorë, ndërsa në sajë të pajisjeve të teknologjisë së fundit është i mundur monitorimi dhe operimi i nënstacionit në distancë, online, përmes sistemit SCADA. Ministrja Balluku shpjegoi se nënstacioni i ri shërben si rregullator për të gjitha zonat e tjera. “Ky është investim 11milionë dollarë, që është bërë nga OSSHE-ja. Nënstacioni i ri është me të gjitha parametrat teknike për të mbuluar jo vetëm nevojat e zonës, ku kemi 120 mijë banorë, që shërbehen nga ky nënstacion, por ky është edhe një stacion rregullator për të gjitha zonat e tjera.”
Inxhinieri i nënstacionit u shpreh se kapaciteti i tij i fuqishëm do të plotësojë të gjitha nevojat për furnizim me energji të një zone në zhvillim të vazhdueshëm. “Ka një kapacitet 100Mega, duke iu përgjigjur të gjitha kërkesave aktuale, por dhe në vazhdimësi të të gjithë projekteve të zhvillimit që do të ketë kjo zonë. Rrjeti ka qenë i amortizuar për më shumë se 30 vjet, duke mos iu përgjigjur të gjitha kërkesave për energji që ka pasur zhvillimi i zonës. Kapaciteti i tij do të japi një mundësi edhe sistemit elektrik të Tiranës, për nënstacionin e Selitës dhe të Kasharit dhe do të zëvendësoje të gjithë rrjetin e tensionit të mesëm, rreth 85 km linjë tension të mesëm për zonën e Kombinatit, zonën industriale të Vaqarit, duke vazhduar në Sharrë dhe Yzberisht.”
Mbi të gjitha, ky investim përgjysmon humbjet e energjisë elektrike duke e zbritur nga 17%, në vetëm 5% e duke hedhur kështu një hap tjetër të rëndësishëm drejt objektivit të vendosur, uljen e mëtejshme të humbjeve të energjisë në rrjetin e shpërndarjes. “Në dhjetor, – tha Drejtori i OSHEE-së, Adrian Çela, – ne arrijmë në 4%. Ky nënstacion na heq një problematikë që kemi pasur për shumë kohë, sepse na lehtëson punën më 31 dhjetor, që është dita me ngarkesën më të madhe. Me këtë nënstacion, ne balancojmë ngarkesat, sepse me nënstacionin e vjetër nuk kishim më kapacitet, ishim në limite. Ky dhe nënstacionet e tjera që po ndërtohen në Tiranë na ndihmojnë në balancimin e energjisë.”
Situata aktuale në sistemin elektroenergjetik të vendit, nënvizoi Kryeministri Rama, nuk ka të krahasuar me atë që ishte para 7 vitesh, ndonëse mbetet ende shumë për të bërë. “Çështja është që, mesa vë re unë, njerëzit kanë harruar që rrinin në radhë me orë nëpër bodrume, ose në mes të shiut, për të paguar dritat. Paguanin edhe për ata që nuk paguanin. Sot ende nuk është aty ku duhet të jetë sepse ka akoma shumë për të bërë, por s’ka asnjë krahasim të mundshëm me çfarë ishte para 7 vitesh. Jemi në një fazë komplet tjetër të historisë të zhvillimit të vendit, ku ndarja ime me ata që janë në të drejtën e tyre që të kritikojnë dhe bëjnë zgjedhjen e tyre dhe shajnë, është që le të flasim për deficencat qe kemi në raport me të ardhmen, por në raport me te shkuarën, këtu nuk bëhet fjalë. Habitem sesi mund të flasin njerëzit, “në këto 7 vjet e rrënuat këtë popull”, “në këto 7 vjet e varfëruat këtë popull”, kur në fakt në çdo fushë, por energjia është simbol, para 7 vitesh nuk ishim fare në Europë. Tani jemi në Europë. Jemi një vend me probleme, por jemi në Europë. Dhe jemi jo për faktin për çfarë kemi bërë, por për rrugën që kemi hapur dhe sigurisht është rrugë e gjatë. Por e kemi hapur këtu, me tekstet e shkollave, me sistemin shëndetësor, me kontributet direkte, jo vetëm shtetërore, por edhe të fondeve europiane që më në fund kemi arritur t’i thithim me sukses, për bujqësinë, me gjithë sektorin e infrastrukturës dhe energjisë e me radhë. Një vend me probleme, një vend me halle, me sfida, por jemi në Europë. Para 7 vitesh kemi qenë në një pikë të planetit që zor ta gjesh.”