Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Nisi sot, cikli i dytë i vaksinimit për mjekët dhe infermirët e vijës së parë në luftën kundër COVID.

në mjediset e “Air Albania” ku janë instaluar bokset e vaksinimit.

Njëkohësisht filloi edhe cikli i parë për mbi 1000 të tjerë me dozat e reja. Ndërkohë që në bazë të kontratës me Pfizer parashikohet nisja e vaksinimit brenda shkurtit për mijëra bluza të bardha.

Po sot u vaksinua me dozën e dytë të vaksinës edhe Kryeministri Edi Rama, i cili në përfundim pati një komunikim për mediat që ndoqën procesin.

 

 -Zoti Rama, nga sot quheni i imunizuar plotësisht, që do të thotë do të vijoni normalisht edhe fushatën?

Kryeministri Edi Rama: Me sa kemi mësuar, imunizmi ka nevojë për të gjithë ciklin dhe ajo që është më ë rëndësishme është që kemi hyrë në zbatimin e kontratës me Pfizer-in. Dje kanë ardhur dozat që kanë hapur rrugën. Natyrisht, nëse i shohim numrat ngushtë dhe nuk shohim gjithë panoramën dhe gjithë planin, atëherë patjetër që duken shumë pak, por në fakt të mos harrojmë që në rajon jemi i vetmi vend, së bashku me Serbinë, që ka hyrë në zbatimin e kontratës dhe ka hyrë në vaksinimin për mjekët dhe infermieret. Së dyti, të mos harrojmë që situata  e përgjithshme e vaksinimit dhe furnizimit me vaksina në krejt Europën është tejet kaotike. Kemi parë që vende të mëdha, përfshi edhe BE-në, kanë filluar kërcënimet për ndjekje në rrugë gjyqësore të kompanive, pasi kërkesa është marramendëse dhe në të gjitha rastet, oferta është ende shumë e ulët për shkak të numrave të prodhimit.

Së treti, po dje, në darkë vonë kemi marrë konfirmimin nga Pfizer-i që në mesin e shkurtit mbërrijnë 10 mijë e ca dozat e parashikuara dhe brenda shkurtit vijnë edhe 30 mijë e kusur dozat e tjera, sipas angazhimit të darkës së vonë mbrëmë. Që do të thotë që ne jemi gati të vaksinojmë të gjithë mjekët dhe infermirët dhe të fillojmë me ata që janë në moshën më të thyer, që janë kategoria A e qytetarëve për fillimin e vaksinimit.

 

– Kur pritet të fillojë vaksinimi për pjesën tjetër të popullatës, jo vetëm për mjekët?

 

Kryeministri Edi Rama: Me lëvrimin e  10 mijë e disa qindra doza, plus, 30 mijë e disa qindra doza, praktikisht hyjmë në zonën e vaksinimit të moshave më të thyera. Por siç dje ju shpjegova, ne jemi shumë afër kontratës me AstraZeneca për një numër dozash të konsiderueshme, që do të vihen në dispozicion shpejt. Mendoj se kemi të gjitha arsyet të jemi optimistë se plani ynë, për të hyrë në vaksinim intensiv për të gjithë qytetarët, do të funksionojë dhe që skenari i parë, për të kryer vaksinimin në 14 muaj, është një skenar plotësisht i mundshëm. Ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë ka filluar me trajnimet, me organizimin dhe dy qendrat e tjera të vaksinimit, në Shkodër dhe në Vlorë janë gati për të filluar. Pastaj, vaksinimi do të bëhet kapilar, për të shkuar në të gjithë territorin, natyrisht, sepse nuk mund t’i mbledhim njerëzit të gjithë në disa pika, por do t’jua ofrojmë këtë shërbim.

 

– Kur do të  vijnë dozat e tjera, mbi 450 mijë doza të Pfizer-it, sepse është kontrata 500 mijë, apo jo? Kur pritet që të vijnë? Do të ketë dërgesa të tjera në mars apo sipas kontratës do të vijnë në korrik dhe në dhjetor të 2021-it? Ka ndonjë afat?

 

Kryeministri Edi Rama: Mos ju referoni një grushti letrash të nxjerra ilegalisht nga një draft kontratë, por edhe njëherë jeni të vemëndshëm kur bëni pyetjen. Mos bëni të njëjtat pyetjet në vijimësi, sepse ju kam thënë që kontratat kanë fleksibilitet. Pfizer-i me të gjitha vendet ka blinduar veten në kontratë për të mos patur reperkusione të natyrës ligjore në rast vonesash. E për këtë arsye ka lënë hapësira të mëdha për të garantuar furnizimin dhe për t’i qëndruar kontratave. Ama kontratat janë shumë fleksibël. Mos harroni po ashtu, që nuk është vetëm Pfizer-i. Ne nuk e kemi lënë veten në dorë as vetëm të Pfizer-it, as të COVAX-it. Mos harroni që ne keni parapaguar COVAX-in vitin e shkuar. Ende nuk duket gjë në horizont. Por jemi duke negociuar edhe me vaksinat e tjera. Kjo është një situatë shumë dinamike, që ditë pas dite mund të kemi lajme të reja. Unë jam shumë besimplotë që, duke u bazuar natyrisht tek të dhënat që kemi sot nga të gjitha komunikimet, ne do të jemi në gjendje të shkojmë në progresion me numrin e vaksinave dhe me dozat e injektuara.

 

– Por për AstraZeneca-n ka ndonjë datë se kur mund të jetë gati? Ka dhe disa të dhëna që Italia dhe Gjermania nuk po bëjnë vaksinimin në personat mbi 65 vjeç me AstraZenecan

 

Kryeministri Edi Rama: Nëse doni muhabet, unë do ulem aty se kam 30 minuta detyrim që të ulem, kështu që ejani të bëjmë muhabet. Po ju shpjegoj që nuk ka këtu gjëra fikse, nuk ka data fikse. Është e gjitha një situatë dinamike për të gjithë.

Lërjani shkencëtarëve shkencën, mos ndërhyni në debate që janë shumë të komplikuara dhe shumë delikate, të natyrës shkencore, se për kë funksionon, se për kë nuk funksionon. Del njëri thotë një gjë, dalin tre të tjerë dhe thonë diçka tjetër, dalin e pesë të tjerë dhe thonë diçka tjetër dhe brenda ditës janë 9 teza të ndryshme. Këto janë debate të natyrshme brenda atyre që merren me këtë shkencë. Ne kemi për detyrë që qytetarëve t’u garantojmë vaksinën. Vaksina nuk është me detyrim. Vaksina është me dëshirë. Askush nuk është i detyruar ta bëjë. Vaksina nuk është me pagesë, është falas për këdo që do ta bëjë vaksinën. Natyrisht, ajo që ne ju këshillojmë të gjithëve është të mos të hezitojnë ta bëjnë vaksinën. Arsyeja pse unë po vij sot të marr dozën e dytë është vetëm për të përcjellë këtë mesazh. Siç ju kam premtuar, do të vë në dispozicion edhe analizën e antitrupave për të parë ka patur apo s’ka patur efekt, ka qenë ujë fiziologjik nga rrjedhat e kokës së analistëve, apo ka qene Pfizer.

Për të tjerat duhet durim. Ne jemi ditë-natë me këtë punë, realisht.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.