Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në Bashkinë e Urës Vajgurore, që së shpejti do të ndryshojë emrin për t’ju rikthyer emrit historik Dimal, po vijohet me fazën e dytë të transformimit të zonës përgjatë lumit Osum.

Kryeministri Rama, i shoqëruar nga kryetarja e Bashkisë së Urës Vajgurore, Juliana Memaj dhe nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ishin në zonën ku do të zhvillohet faza e dytë e projektit. “Nga punimet e kryera në vitin 2016 për fazën e parë, ne arritëm realizmin e kësaj dige, e cila bëri të mundur që pas kaq shumë vitesh qyteti të mos përmbytej nga prurjet e lumit Osum. Me fillimin e punimeve për fazën e dytë e gjithë kjo zonë do të kthehet në atraksion, sepse do të ketë hapësira rekreative dhe disa fusha për të rinj, fusha sporti, kënde lojërash. Ndërkohë është duke u punuar për ndërtimin e urës së këmbësorëve që do të lidhë lagjen e Gurit të Bardhë me qendrën e qytetit, që do ta çojë drejt pedonales. Kemi arritur të mos kemi asnjë hektar serë të përmbytur falë punës së mirë të bërë me hapjen e kanaleve kulluese në gjithë këto vite. Ky është një lajm i mirë për banorët e kësaj zone që nuk kanë më dëme në të mbjellat e tyre”, -shprehet kryetarja e Bashkisë së Urës Vajgurore.

Pas realizimit të mbrojtjes lumore në fazën e parë, e cila garantoi mospërmbytjen e zonës, kjo fazë tjetër do të krijojë një hapësirë të munguar rekreative për të gjithë moshat dhe do të mundësojë hapjen e një pike të madhe të promovimit e të tregtimit të prodhimeve bio zonës. “Asnjë hapësirë publike dhe sidomos fermat private nuk u përmbytën nga reshjet e fundit. Ky ishte një test shumë i madh për punën që ka bërë bashkia përsa i përket kanaleve dhe gjithë sipërfaqes, por dhe mbrojtja lumore do krijojë një hapësirë të jashtëzakonshme ku bashkia po përpiqet të krijojë një pikë të madhe agroturistike, pasi është shumë e rëndësishme që në hyrje të Beratit të ketë një ndalesë të parë që do t’i shërbejë turistëve të huaj dhe vendas”, – shprehet ministri Klosi.

Gjthashut Kryeministri Rama e cilësoi të nevojshme këtë pikë agroturistike, e cila, sipas tij “është shumë e rëndësishme të bëhet, pasi i jep komplet dimension tjetër gjithë zonës”.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.