Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama, të dielën pasdite ishte në segmentin rrugor Tiranë-Rinas, me të cilin nis edhe programi i Ri Kombëtar i Gjelbërimit, i cili parashikon 400 mijë m2 sipërfaqe të gjelbërt, 130 mijë bimë dekorative dhe 2300 pemë të larta.

Kryeministri u takua e bisedoi me e drejtues të projektit, të cilët e informuan atë mbi punën e deritanishme, si dhe me masat e sigurisë të ndërmarra prej tyre, që realizimi i projektit të mos pengojë mbarëvajtjen e trafikut të përditshëm. “Bëjmë çmos për të respektuar të gjitha kërkesat  e sigurisë. Ka një tabelë hyrëse  sipas të gjitha standardeve që informon për një kantier të hapur në rrugë, ulje shpejtësie, etj. Janë vendosur shumë birrila e tabela të tjera paralajmëruese”, u shpreh njëri prej drejtuesve.

Kryeministri theksoi se “ky është fillimi i përmasës së gjelbërt në rrugë. Duhet të jemi shumë bindës dhe do të vazhdojmë të jemi edhe në vijim në mënyrë që të krijohet një situatë krejt tjetër në rrugët tona. Këto rrugë nuk janë rrugë europiane”.

Kryeministri shtoi se me përfundimin e projektit, dhe gjithçka që është parashikuar në të, Tirana do të ketë një hyrje me infrastrukturë dinjitoze të një vendi europian. “Janë 400 mijë metër katror gjelbërim, 130 mijë shkurre dekorative, 2300 pemë të larta që do të shkojnë duke u shtuar si kurorë në vitet në vijim. Por ajo që është e rëndësishme është që të kemi një ndarje të qartë të të gjithë kanaleve, në mënyrë që më në fund të krijohet një hyrje për në Tiranë si një vend europian, e kjo të na çojë nga Rinasi deri tek rrethrrotullimi i Kamzës.” u shpreh ai.

“Nis me rrugën Rinas-Tiranë programi i ri kombëtar i gjelbërimit. Hyrja në Shqipëri jo më shfaqja e shijes së rrënimit,” ka vlerësuar Kryeministri teksa inspektoi ecurinë e punës në këtë segment që është një nga momentet e para të njohjes me vendin tonë.

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.