Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në HEC-in e Moglicës, më të madhin e Projektit Hidroenergjetik të Devollit dhe ndër më të lartit në botë, ka startuar gjenerimi i energjisë elektrike. Me një kapacitet vjetor prodhimi prej rreth 450 GWh të energjisë nga burime të rinovueshme ky hidrocentral shënon një tjetër zhvillim të rëndësishëm në fuqizimin e sistemit elektroenergjetik në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku kanë parë nga afër fazën finale në të cilën ka mbërritur tashmë projekti.

“Për ne sot është një ditë realisht e veçantë, pasi përmbyllim fazën e testimeve të projektit të Moglicës dhe fillojmë një fazë të re, atë të gjenerimit të energjisë nga burime të rinovueshme. Ne kemi pasur jo vetëm ekspertizën shumëvjeçare të “Statkraft”, por edhe mbështetjen e shtetit shqiptar dhe në vecanti të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, pasi një vepër e tillë madhore kërkon angazhimin që në fazën e parë, të konceptimit, deri në fazën e përfundimit. Në vetvete ka qenë një projekt, në respekt të të gjitha standardeve ndërkombëtare, qoftë në fazën ndërtimore, qoftë dhe në fazën kur ne duhet të ndërmerrnim përsipër ndjekjen mjedisore dhe efektet sociale për komunitetin me të cilin bashkëjetojmë. Kanë qenë gjithmonë investime paralele, jo vetëm për hidrocentralin, por dhe në masa mbështetëse për komunitetin,” shprehet përfaqësuesja e kompanisë “Statkraft”.

Për vetë specifikën mjaft të veçantë, zbatuesit e projektit kanë marrë ekspertiza të ndryshme për realizimin e veprës energjetike.

“Diga e Moglicës është një nga më të lartat në botë në llojin e saj. Është me bërthamë asfati 167 m e gjatë. Ka një rezervuar afërsisht prej 375 milion metër kub ujë. Sfida në vetvete ka qenë pikërisht gjeologjia e këtij mjedisi, ekspertiza që duhej dhe për këtë arsye janë përfshirë 23 kombësi të ndryshme me ekspertizën që kanë pasur për të realizuar këtë vepër madhore,” thotë më tej përfaqësuesja e kompanisë.

Ndërsa drejtori i komanduar i projektit deklaron se për realizimin e kësaj vepre janë punësuar mbi 2500 vetë, nga të cilët 2200 shqiptarë.

“Duke ardhur për në HEC-in e Moglicës kemi kaluar edhe Banjën që është pjesë e projektit të Devollit. Diga e Moglicës është gati dyfishi i digës së Banjës, rreth 167 metra në lartësi. Ndryshimi teknik është që kjo digë është material asfalti dhe mbushje me material vendi. Kjo është karakteristika e veçantë që ka arritur në këtë lartësi. Shkarkuesi i sipërm i digës që operohet në raste emergjence ka një gjatësi rreth 320 metra deri në pjesën e shkarkimit të poshtëm. Rezervuari në nivelin e plotë është rreth 360 milion metër kub ujë, ndërsa ai i Banjës ka 400 milion si volum total. Paralelisht me projektin teknik janë realizuar dhe aktivitete mjedisore, sociale, ku, një prej tyre është një shtëpi zëvendësuese në Maliq. Kemi ndërtuar 300 km që rilidhin fshatrat e prekura nga projektet e Devollit dhe kemi rreth 540 ha pyje që janë duke u mbjellë,” shprehet ai, duke shtuar se aktualisht punimet janë në fazën finale. “Jemi në fazën finale të përfundimit të punimeve dhe brenda fundit të vitit planifikohet të mbyllen të gjitha punimet e mbetura. Janë duke u mbyllyr punët e kolaudimit, por ka filluar gjenerimi i energjisë elektrike,” pohoi më tej drejtuesi i projektit.

“Në fakt, kur ka filluar puna kemi pasur probleme për të zgjidhur, për t’ju lehtësuar të gjithë procesin, sepse ju e mbani mend shumë mirë që ka pasur një sërë hallesh të mëdha për projektin dhe në radhë të parë ndërtimi i rrugës, por dhe një sërë çështjesh të tjera dhe më vjen shumë mirë që e kam dëgjuar edhe nga drejtuesit e kompanisë që, përkundër perceptimit, në Shqipëri janë ndjerë shumë herë më mirë se në disa vende të tjera nga pikëpama e seriozitetit, e shpejtësisë dhe transparencës së qeverisë,” u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Centrali i Moglicës do ta marrë ujin nëpërmjet një tuneli rreth 10.7 km të gjatë nga rezervuari i Moglicës. HEC Moglicë do të përdorë dy njësi të mëdha turbinash francis. Kapaciteti i instaluar është planifikuar prej 184 MW me një prodhim mesatar vjetor prej rreth 450 GWh.

Fuqizimi i mëtejshëm i sistemit shqiptar të energjisë do të vijojë me Skavicën, vepra madhore e mbetur në sirtar prej më shumë se gjysëm shekulli, e cila do të nisë të ndërtohet vitin e ardhshëm pas përfundimit këtë vit të projektit të detajuar inxhinierik.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.