Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Maliqi do të lidhet me njësitë e tij administrative, Libonikun dhe Drithasin, me një rrugë të re, të standardeve bashkëkohore. Në rrugën ekzistuese, pothuajse e pakalueshme, është hapur kantieri i punimeve që pritet të përfundojnë brenda 7 muajve. Rruga do të ketë trotuare nga të dy krahët, korsi për biçikletat, gjelbërim dhe sistem ndriçimi.

Në kantierin e kësaj rruge ishte Kryeministri Rama, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu. “Është investimi më i rëndësishëm që Bashkia e Maliqit ka marrë. Besoj që do t’i japë një zhvillim shumë të mirë. Do të prishen të gjitha ndërtimet pa leje në pjesën e poshtme. Do ketë mure dekorativë guri dhe kangjella e besoj do jetë pjesa më e bukur hyrëse e qytetit të Maliqit,” – tha kryebashkiaku Topçiu.

Ky investim ka një impakt të menjëhershëm për Maliqin, pasi do të lehtësojë lëvizjen dhe daljen më shpejt në treg në një zonë shumë bujqësore dhe me potenciale të mëdha agroturistike. Investimet në Maliq përfshijnë edhe ndërhyrjen në fasadat e pallateve, rreth 12 000 metra katrorë, duke filluar nga Maliqi deri në Libonik dhe Drithas.

“Në Maliq ka disa potenciale që mund të zhvillohen edhe për turizmin edhe për agroturizmin. Këtu njerëzit janë shumë punëtorë, janë shumë të dedikuar, mirëpo rruga ishte një tmerr i madh që e priste hovin e njerëzve për të ardhur, ose për t’u rikthyer. Tani besoj, nga pikëpamja e projektit, është goxha e bukur, goxha turistike si rrugë,” – u shpreh Kryeministri Rama.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.