Sot nisi vaksinimi i grupmoshës +18 në çdo pikë të përqendruar vaksinimi dhe qendër shëndetësore.
Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje të gjithë të pavaksinuarve të vaksinohen, pasi kështu rrisin mundësitë për t’u mbrojtur ndaj varianteve të reja të COVID. Këtë apel, Kryeministri Rama e bëri gjatë inspektimit sëbashku me ministrin e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në qendrën e re shëndetësore “18 Tetori” në Dimal, e rindërtuar me standardet më të mira, ku edhe aty ka nisur sot vaksinimi masiv për çdo qytetar +18 vjeç.
“Ajo që vlen për t’u nënvizuar si mesazh sot është që përtej faktit që Shqipëria ka ecur jashtëzakonisht mirë dhe është botërisht e klasifikuar në vendet e para përsa i përket efikasitetit të të gjithë këtij procesi, varianti i ri është një variant agresiv, përhapet shpejt dhe është i rrezikshëm kur kap ata, të cilët janë të pavaksinuar. Vaksinimi nuk e bën 100% të paprekshëm individin nga virusi, por e bën virusin shumë më të dobët përballë individit. E vërteta është që në ato raste kur preket një i vaksinuar, shanset e çuarjes apo shkuarjes në spital janë zero dhe simptomat janë të administrueshme përgjithësisht pa dhimbje dhe pa vuajtje. Prandaj është shumë e rëndësishme që, për t’u mbrojtur edhe nga varianti i ri, të vaksinohemi e konkretisht, këtu po ju flet një i vaksinuar. Kështu që ja ku jam, nuk ka asnjë problem e kjo vlen për të gjithë ata që vazhdojnë të jenë skeptikë apo që bien pre e teorive të konspiracionit. Është shumë e rëndësishme që ne të bëjmë gjithçka kemi në dorë që dhe ata të kapërcejnë hendekun e konspiracionit e të mbrojnë veten dhe të tjerët”, – u shpreh Kryeministri.
Ministrja Manastirliu njoftoi se kjo është java e vaksinimit të hapur për grupmoshën +18, ndërsa nënvizoi se në Europë është shënuar rritje e rasteve me variantin e ri DELTA dhe vaksinimi është arma më e fuqishme.
“Nga sot kemi filluar dhe javën e hapur të vaksinimit për grupmoshën +18-vjeç. Aktualisht ka filluar në gjithë Shqipërinë, në të gjitha qendrat shëndetësore. Edhe në këtë qendër, ashtu si të gjitha, janë kthyer në miniqendra vaksinimi. Të gjithë qytetarët mbi 18-vjeç janë të ftuar të vaksinohen. Është e rëndësishme të theksohet se dhe në Europë ka një rritje të numri të rasteve për shkak të variantit të ri DELTA dhe arma më e fuqishme është vaksinimi. Edhe ne, nëpërmjet njësive të lëvizshme kemi mundësuar të risim ritmet e vaksinimit, duke arritur në 1 milionë e 67 mijë vaksinime të kryera ku më shumë se 470 mijë qytetarë janë vaksinuar plotësisht, ndërkohë që vijojmë me dozat e dyta për të tjerët”, – u shpreh ministrja Manastirliu.
Qendra e re shëndetësorë në Dimal është rehabilituar nëpërmjet programit kombëtar të përmirësimit të infrastrukturës së qendrave shëndetësore, duke ofruar shërbim në kushte e parametra bashkëkohore.