Përshëndetja e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e përurimit të “Air Albania Stadium”:
“Wow amazing stadium, I should go”
Ky ishte mesazhi që më çoi Jose Mourinho, një vizitor shumë special i stadiumeve më spektakolare të botës dhe unë në fakt iu përgjigja se në realitet, ky stadium është shumë më i mahnitshëm, sesa mund të duket nga dritarja e Whatsapp.
Duhet të them se e kam pritur këtë moment prej shumë e shumë vitesh, e kam ëndërruar shumë e shumë e shumë gjatë, ditën kur shqiptarët nuk do hynin më në një nevojtore futbolli për të mbështetur Kombëtaren kuq e zi në ndeshjet e shtëpisë.
E kam dëshiruar prej shumë e shumë kohësh, mbrëmjen kur kuqezinjtë do të bëheshin të zotet e një shtëpie të re për fanellën me të bukur të kombit tonë.
Ndihem shumë i privilegjuar që mu dha mundësia ta kthejë një ëndërr sa të bukur, aq dhe të largët, në realitetin e kësaj mbrëmjeje të paharrueshme, ku jemi mbledhur të gjithë sëbashku dhe kur edhe yjet janë puqur mrekullisht, duke u bërë bashkë në fushën e blertë të pagëzimit të shtëpisë së re kuqezinjve, të zotët e shtëpisë dhe kampionët e botës.
Por, pa as më të voglin diskutim, ky privilegj i madh nuk do të ishte dot i mundur pa disa të tjerë, me të cilët forca e ëndrrës për një Arenë Kombëtare dhe dëshira e fortë për realizmin e saj na kthyen në një skuadër fantastike, që realizoi këtë kryevepër monumentale. Duke filluar që nga presidenti Duka, të cilit i jam shumë mirënjohës edhe për të gjithë mirëkuptimin e tij ndaj ekzigjencave të mia estetike;
Duke vijuar me Marco Casamonti që erdhi në Tiranë nga po ai drejtim prej ku erdhën thuajse një shekull më parë arkitektet e mëdhenjtë fiorentinë, projektuesit e kryeqytetit, bulevardit, kompleksit universitar dhe të vetë stadiumit të vjetër, prej të cilit, mjeshtërisht, arkitekti ynë ruajti tribunën e mrekullueshme të Gherardo Bosio, e cila tani ka marrë emrin e nderit Tribuna e nderit “Qemal Stafa”;
Duke përfunduar, por jo në fund për nga rëndësia, me investitorin dhe realizuesin e kësaj vepre pa të sharë, drejtuesin e kompanisë “Albstar”, Idajet Ismailin, pa të cilin ky projekt mbresëlënës artistik, por dhe shumë i ndërlikuar i inxhinierit Casamonti, nuk do ta kishte parë dot dritën e diellit.
Në fakt, kjo vepër, pa të sharë, është sharë shumë ende pa u shfaqur nga Marco Casamonti, siç janë sharë në historinë e mundimshme të zhvillimit të qyteteve dhe të arkitekturës plot kryevepra dhe në shumë vende shumë e shumë më të përparuara se i yni, por historia na ka mësuar se llafet e atyre që janë rreshtuar në llogoren e kundërshtive të llojllojshme i ka marrë gjithmonë era, bashkë me emrin e tyre, ndërsa veprat janë ato që mbeten për historinë.
Në arenën e re kombëtare “Air Albania Stadium”, ne kemi bërë më shumë sesa një stadium fantastik për të dielat futbollistike të Shqipërisë, apo sfidat e Kombëtares tonë. Kemi krijuar edhe një gravitet të ri social për Tiranën, ku do të ketë jetë gjatë gjithë javës.
Kemi krijuar një zinxhir hapësirash të reja këmbësorësh, të cilat do të integrohen nesër me sheshin këmbësor “Nënë Tereza”, si dhe me kompleksin e ri që do të lindë nga transformimi i ish hotel “Sheraton” në “Hayat Hotel and Residence”.
Disa që e përqeshin këtë stadium kujtojnë se na vënë në pozitë të vështirë me epitetin qendër tregtare. Zoti i faltë ata se nuk dinë çfarë thonë, por është e sigurt se gjenerata e re e stadiumeve kudo në botë synojnë jetën 24 orë në 7 ditë të javës, jo vetëm në kohët kur fryn bilbili. E ky stadium i përket kësaj gjenerate objektesh që ndërtohen për futbollin dhe krijojnë jetë sociale, krijojnë punësim, krijojnë mundësi konsumi dhe të ardhura.
“Air Albania Stadium” është i ri në trup dhe në ambicie, por mban si pjesë të trupit gjithçka që ishte vlerë e trashëgimisë kulturore, ajo që u ruajt në të gjithë integritetin e vet me një kujdes të jashtëzakonshëm dhe profesionalizëm mbresëlënës nga ekspertët italianë dhe shqiptarë të restaurimit, por edhe historike për futbollin, emrat e Panajot Panos, Fatmir Frashërit dhe Vasillaq Zerit në tribunat e tij.
Së fundmi, kjo vepër, e realizuar përmes partneritetit publik, privat, që nuk i ka kushtuar asnjë qindarkë taksapaguesve, vlen shumë edhe si shembull kuptimplotë i vlerës së PPP-ve të mallkuara, kur ato konceptohen dhe konkretizohen në harmoni me interesin publik dhe privat.
Tanimë stadiumi i ri kombëtar ka jetën e vet dhe u përket brezave të sportistëve dhe sportdashësve, si dhe qytetarëve të Tiranës, por edhe turistëve, pasi pa më të voglin dyshim, krahas monumenteve të kulturës, krahas objekteve historike, ky është një monument i kohës moderne që do të jetë në hartën turistike të Tiranës.
Koha do të flasë për të shumë më mire sesa unë sot, që nuk dua të marr më shumë kohë, edhe pse mund të mbaja sot fjalimin më të gjatë të jetës sime, ndërkohë që përgjithësisht fjalimet mia nuk i kam asnjëherë të shkurtra.
Në mbyllje dua që t’i shpreh mirënjohjen për vizitën Presidentit të UEFA-s, si dhe të gjithë atyre që e shoqërojnë dhe dua t’i bëj një përshëndetje të veçantë një personi që e pashë dhe u surprizova, i cili na ka mahnitur të gjithëve në fanellën e Milanit, por jo vetëm dhe që sot është Presidenti i Federatës së Futbollit të Malit të Zi. Mali i Zi është me fat që ka Saviçeviq President, se edhe kur ha 7 gola asnjëherë nuk dorëzohet.