Gile Bae, pianistja e pagëzuar botërisht si fëmija i mrekullueshëm i muzikës pianistike, ka performuar mbrëmjen e së shtunës në sallonin e Kryeministrisë, duke dhuruar emocione të paharrueshme për të pranishmit, miq të muzikës, artistë, studentë e pedagogë të pianos dhe muzikës. Pianistja e jashtëzakonshme luajti në pianoforte për miqtë e COD, ku i pranishëm ishte dhe Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama. Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve, Kryeministri e cilësoi Gile Bay një star të muzikës pianistike, ndërsa zbuloi se prania e saj në Tiranë u mundësua falë bashkëpunimit me kritikun dhe personalitetin e shquar të artit italian, Vittorio Sgarbi. “Pasi e kishim lënë që të takoheshim për një projekt të përbashkët që do të kemi lidhur me artin dhe kulturën, por nuk mund të zbuloj detaje më shumë, pasi projekti është në diskutim, më tha që do të vijë së bashku me pianisten Gile Bae, që është star i muzikës pianistike, që më shumë dëshirë u ofrua që të luante piano këtu në këtë hapësirë që vetë Vittorio e pëlqen shumë, si një hapësirë kulture në pallatin e pushtetit”, u shpreh Kryeministri Rama.
Newsroom
Një mbrëmje speciale me pianisten e famshme Gile Bae