Kryeministrit Edi Rama, ishte i ftuar në koncertin e organizuar në 9 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës që u mbaj në Qendrën Kulturore të Klan Kosova. Në këtë koncert special bilbili i këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha, u përcoll nën tingujt e muzikës të ekzekutuar nga mjeshtri i violinës Shkëlzen Doli.
Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama:
Është emocion i posaçëm. Në fakt u përpoqa ta shmang këtë dalje këtu, por e pata të pamundur. Batoni këmbënguli dhe e falenderoj shumë, sepse është një nderim që vërtet më emocionon.
Më kujtohet kur e kam vizituar për herë të parë këtë territor dhe kur Batoni më fliste për idenë e krijimit të një qendre kulture, me një teatër të ri, me një galeri të re arti dhe mjedise të tjera, më është dukur shumë e bukur për të qenë e vërtetë.
Sot, kjo është pjesërisht e vërtetë, sepse tanimë ia vlen që t’i kërkohet Batonit që të hapi sa më shpejt dhe galerinë e artit. Ndërkohë që ky teatër është vërtetë fantastik, mungon vetëm një hudhër, sepse është e sigurt se do t’ju marrin mësysh, nëse nuk do ta vini. Për më tepër, këtu ka gjithçka; Ka tulla, ka bar, ka thupra, kështu që hudhra shkon më së miri.
Komplimente për punën me shumë shije dhe uroj me gjithë zemër që ky të jetë vërtetë teatër i ri, edhe përsa i takon asaj që do të sjelli në jetën kulturore të Prishtinës dhe Tiranës, të Kosovës dhe Shqipërisë, si një hapësirë ku do të uroja shumë të ndërthureshin trevat, të ndërthureshin dhe gjuhët e Ballkanit dhe gjuhët e mëdha të Europës, në një mjedis ku njerëzit të ndjehen si në një udhëkryq ku bashkohen gjërat e bukura që ndahen mes njerëzve përtej gjuhës, përtej kombit, përtej shtetit.
Asnjëherë nuk është e mjaftueshme për njeriun që, teksa synon të ketë diçka më shumë në të ardhmen, t’i referohet të shkuarës dhe të thotë, “sidoqoftë nuk ka të krahasuar ku ishim dhe ku jemi”. E nuk ka qenë shumë e largët koha, kur Batonin e kapnin për krahësh, bashkë me gazetarët e tjerë në redaksinë e Kohës Javore, pastaj të Kohës Ditore e siç thotë ai “na rrehshin, na bëhshin copë”. Në një kohë kur as nuk mund të imagjinohej se do vinte dita që Kosova të ishte e lirë, e pavarur dhe as Batoni vetë nuk e kishte imagjinuar që do vinte dita të çelte një teatër të ri në mes të Prishtinës, në ditën e përvjetorit të 9-të të Pavarësisë së Kosovës.
Ja që ndodhi!
Sigurisht që nuk është një arsye për të mos kërkuar më shumë, por është edhe një moment për të thënë sa bukur e sa gjëra të jashtëzakonshme kanë ndodhur në një periudhë kohe, që është brenda një pjese të një jete të vetme, ndërkohë që gjenerata të tëra e kanë kaluar gjithë jetën në monotoninë e pamundësisë për të qenë të lirë, e pamundësisë për të qenë pjesë e një shoqërie, jo nën pushtim, por në shtysën për të parë përpara.
Jam i bindur që jemi me fat, të gjithë, që na qëlloi të jetojmë në këtë kohë ndryshimesh kaq rrënjësore. Jam po ashtu i bindur që për shumë e shumë arsye, disa mund t’i dimë, disa nuk do i marrim vesh kurrë, kjo është një kohë e bukur për shqiptarët. E do të vazhdojë të jetë e tillë, besoj, edhe për disa kohë të tjera.
Prandaj na takon të bëjmë më të mirën, duke u frymëzuar nga këto shembuj kaq të jashtëzakonshëm, siç është shembulli i këtij teatri të ri. Kështu që uroj me gjithë zemër që ta gëzoni dhe uroj me gjithë zemër që të jetë një hapësirë ku sa më shumë njerëz të vijnë e t’i thonë faleminderit të gjithë atyre që kontribuuan për këto kohë të bukura shqiptare. Faleminderit shumë edhe Shkëlzenit [Doli] që duroi për kaq minuta, në vend të muzikës dhe të violinës së tij, zërin tim aspak melodioz.
Faleminderit shumë!