Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Nisi sot cikli i takimeve, në kuadër të dialogut kombëtar me sipërmarrjen, por edhe me aktorë të tjerë për domosdoshmërinë e rritjes së mëtejshme të pagave në sektorin privat, ku tanimë nga prilli minimumi i detyrueshëm është 40 mijë lekë.

Po ashtu, kjo rritje e pagës minimale imponon edhe rritjen e pagës mesatare për të riekuilibruar piramidën e pagave, që do të bëhet njëkohësisht në muajin prill.

Shqipëria ishte vendi i fundit në rajon për nivelin e pagës minimale, ndërsa me këtë rritje ngjitet në vendin e tretë, duke u barazuar me Maqedoninë e Veriut, dhe lë pas Bosnjë-Hercegovinën e Kosovën. 

“Duhet që punonjësin shqiptar ta vlerësojmë si sytë e ballit, ta ndihmojmë me çdo çmim. Punonjësi është gjëja më e rëndësishme.” – theksoi Kryeministri Edi Rama, ndërsa drejtoi një thirrje për sipërmarrjen që t’i bashkohej këtij vlerësimi.

* * *

Përshëndetje të gjithëve! Ne vendosëm të bëjmë këtë takim si një takim të parë të një procesi që dëshirojmë ta kthejmë në një dialog kombëtar me sipërmarrjen, por edhe me aktorët e tjerë dhe me të gjithë shoqërinë sepse jemi në një udhëkryq shumë delikat dhe më në fund vetë sipërmarrja po e shikon gropën që i ka hapur vetes vit pas viti duke bërë atë që bëri ai që tha në fund: “sapo e mësova gomarin pa ngrënë, më ngordhi”.

Faktikisht, tani sipërmarrja po e shikon që lufta për ruajtjen e burimeve njerëzore i ka hyrë brenda në territorin e vet. Tani sipërmarrja po e shikon sesi po i ikin nga duart pikërisht ato forca pa të cilat sipërmarrja vdes, njerëzit. Tani të gjithë po e shohin sesi shtetet më të zhvilluara janë futur me kokë për të zhvatur nga të munden burimet njerëzore të kujt të munden, por nëse një punonjës apo një i ri ka mundësinë dhe perspektivën të paktën teorike, që duke u larguar ta gjejë punën diku tjetër, sipërmarrja nuk ka ku shkon. Pra, një sipërmarrje nuk mund të ngrihet dhe të largohet nga Shqipëria, duke qenë një sipërmarrje shqiptare, duke qenë një sipërmarrje e ndërtuar këtu, një sipërmarrje e ndërtuar për tregun këtu dhe tani dilema është të rrojë apo të vdesë.

Kjo në fakt, nëse shikojmë përmbajtjen e financave dhe të ekonomisë nuk është një dilemë e vështirë, është një dilemë e thjeshtë; të rrojë duke mbështetur punonjësit që dhe ata të rrojnë dhe epoka e shfrytëzimit të punës, të burimeve që punojnë, që prodhojnë punë, që japin punë, që marrin punë duhet të mbyllet.

Ne do të zhvillojmë këtë dialog pikërisht si një proces kundër shfrytëzimit të punonjësve, kundër shfrytëzimit të forcave të punës. Marrëdhëniet kapitaliste në Shqipëri për shumë vite kanë qenë të bazuara tek shfrytëzimi dhe tek fitime të padeklaruara shumë më të mëdha sesa të deklaruara të sipërmarrësve.

Kjo fazë është duke u mbyllur dhe çështja është si do mbyllet dhe zgjedhja që duhet të bëjë sipërmarrja në Shqipëri është si do mbyllet. Do mbyllet duke e përplasur sipërmarrjen përtokë dhe duke e lënë një ditë të bukur pa burime njerëzore apo do mbyllet duke u bërë sipërmarrja e vetëdijshme se duhet të ndërtojë një marrëdhënie të re me forcat e punës dhe një marrëdhënie të re me burimet njerëzore? Janë të gjitha mundësitë për ta bërë këtë.

Ky zotëria këtu, ndoshta dhe ngaqë u sugjestionua nga kolltuku se kolltuku është hall i madh se ky jeton në këmbë. Në kolltuk këtu me mikrofon foli në mënyrë të përgjithshme, por ky zotëria këtu ka paga që shkojnë nga 4000-5000 euro. Është sipërmarrës shqiptar në një sipërmarrje shqiptare e cila eksporton, e cila merr punë deri dhe në aeroportin “Charles de Gaulle” sepse ka krijuar një standard ekselence me shqiptarë dhe pagat në kompaninë e këtij zotërisë, jo sot, por prej kohësh kanë qenë pararojë e të gjithë tregut të punës dhe ja ku është sot, sepse nuk ka menduar sesi t’i marrë edhe qindarkën e fundit nga xhepi punonjësve dhe t’i lërë me paga skllavërie për të shkuar e për të blerë 7 shtëpi, por ka menduar sesi ta ndërtojë sipërmarrjen bashkë me punonjësit duke kuptuar që pa punonjësit, sipërmarrja nuk ekziston.

Rritja e pagës minimale sot, 40 000 lekë të reja, u diktua pikërisht nga kjo. Ne nuk e kishim programuar pagën minimale sepse paga minimale nuk është çështje dëshirë. Shumë njerëz komentojnë që duhet të jetë 800, 900. Po pse duhet të jetë 800 e 900, duhet të jetë 1200 euro. Problemi nuk është dëshira, problemi është konkurrueshmëria, produktiviteti, kapaciteti që ka tregu dhe që ka ekonomia për ta mbajtur.

Kemi një vend fqinj ne këtu, Malin e Zi. Nuk dua të bëj polemika me askënd. Mali i Zi bëri një rritje të pagës minimale përtej logjikës të produktivitetit të konkurrueshmërisë. Sot është në një situatë makroekonomike dramatike, jo vetëm për këtë arsye, por edhe për këtë arsye dhe sot e ka borxhin mbi 100% dhe nuk e di si do jetë e nesërmja, edhe pse Mali i Zi ka qenë pararojë  në rajon denbabaden kur ne ishim këtu e digjeshim e përvëloheshim në skema piramidale.

Pra, paga minimale ka një logjikë të vetën, por nga ana tjetër, ne nuk mund të vazhdonim me programin që nuk ishte parashikuar as pandemia, që do të thotë goditje edhe në forcat e punës jo për shkak të shëndetit por për shkak të gjithë riorganizimit që i ka ndodhur ekonomisë, as luftën në Ukrainë që pavarësisht se shumë thonë nuk ka lidhje, ka një lidhje shumë të madhe jo me ne por me gjithë Europën dhe as inflacionin e luftës.

Në këto kushte, ne nuk mundëm dot të mos reagonim duke e çuar pagën minimale përtej, jo programit tonë elektoral, por programeve elektorale të të gjitha partive, edhe të partive të opozitës që në program elektoral, ngaqë e dinë që nuk do fitojnë ofrojnë nënë e babë.

38 mijë lekë ka qenë maksimumi i programeve elektorale, përfshirë dhe programin tonë për pagën minimale deri në 2025. Në prill paga minimale bëhet 40 mijë lekë dhe kjo nuk ka lidhje fare as me fushata e as me asgjë. Ne nuk kemi nevojë për të rritur pagat për të fituar zgjedhjet sepse njerëzit na besojnë më shumë se sa besojnë të gjithë të tjerët, por paga minimale është rritur pikërisht sepse është koha për t’i dhënë të gjithë bashkë një shtysë.

Ashtu sikundër nga ana tjetër, ne e dimë shumë mirë që pagat reale në Shqipëri janë më të larta se ato të deklaruara. Ne e dimë shumë mirë që ju që jeni këtu sipërmarrës dhe nuk e kam fare me askënd personalisht por e kam si fenomen se nuk janë të gjithë njësoj. Ja ku është një rast. Avenir Kika është në sektorin e ndërtimit, tirons i vjetër që e ka frikë ligjin. Një sipërmarrës që ka krijuar standarde në ndërtim në kohët kur të tjerët vendosnin nga ato tullat me vrima. Avenir Kika nuk ka pagë minimale 40mijë lekë të reja se nuk ekziston në sektorin e ndërtimit pagë minimale 40mijë lekë të reja. Janë gënjeshtra. Janë gënjeshtra të cilat sipërmarrja kujton se ia hedh shtetit dhe sipërmarrësit kujtojnë se duke ia marrë punonjësve sigurimet shoqërore, duke ia marrë punonjësve sigurimet shëndetësore, për të blerë vilën e gjashtë, do ta kenë të ardhmen të sigurtë se do të mbeten pa punëtorë. Sepse punëtorët nuk kanë nevojë vetëm për të marrë ato para vetëm për të blerë bukë, por kanë nevojë të ndihen njerëz të respektuar, të motivuar dhe të sigurt  për veten dhe për familjen.

Nga ana tjetër është e pamundur që krahasimi të behet me pagat e Gjermanisë, me pagat e Anglisë, por jo vetëm për faktin se diferencat janë të mëdha, por edhe për faktin se edhe shpenzimet atje janë të mëdha.

Vërtetë atje kanë paga shumë më të larta, por nëse i hyn faturës së të gjitha shpenzimeve që nga qiraja e shtëpisë e me radhë, atëherë rezultati në fund është ndryshe, por ama nuk mjafton për t’i mbajtur njerëzit këtu ose për t’i thënë “hajdeni këtu se këtu ju del më mirë”, se në fund të ditës jeni në vendin tuaj, sepse atje kanë pikërisht këtë pjesën tjetër, kanë dinjitetin dhe respektin që duhet t’i japë kompania punonjësit.

Ne duam që të bëjmë një proces dhe nëse sot në Shqipëri kontratat kolektive të punës janë një farsë e paimagjinueshme, kjo gjë duhet të ndryshoje.

Tani i kemi kaluar të gjitha fazat e natyrshme ku kemi patur mirëkuptimin edhe për sforcot e sipërmarrjes, edhe për nevojën e ristrukturimit të tyre, tani gjërat janë në një fazë tjetër dhe këto tronditje, këto goditje shok që i kanë ndodhur të gjithëve, që detyrojnë Italinë që 15 milionë forca punëtore ka kërkuar për t’i marrë në mënyrë të rregullt nga Pakistani dhe nga India.

Gjermania kërkon 7 milionë deri në vitin 2030. Pra janë gjëra që tani po i ndjen gjithë dynjaja sepse plakja e atyre vendeve, rënia e forcave të punës, pamundësia për të bërë punë të caktuara ata që janë rritur atje dhe janë me të tjera pretendime, i sjell këto. Ne ça do të bëjmë këtu?

Prandaj është koha që sipërmarrja të ndërgjegjësohet se duhet të hedhë një hap të rëndësishëm përpara dhe është koha që të shtyjmë shumë më fort me pagën pas vendosjes së pagës minimale 40 mijë lekë, e cila për hir të vërtetës, është aq vetëm sepse ne nuk kemi dashur dhe nuk mundemi, jo se s’kemi dashur, por nuk mundemi dhe përveçse s’kemi dashur që të godasim prodhimin, ama problemi kryesor është që në prodhim, duhet të ndryshojë logjika e sipërmarrjes dhe jo vetëm në aspektin e pagave, jo vetëm në aspektin e trajtimit të punonjësve, por edhe në aspektin e trajnimeve, në aspektin e motivimit  dhe në aspektin e kërkimit dhe në aspektin e modernizmit të domosdoshëm.

Zotëria që foli nuk është i vetmi, ka të tjerë në Shqipëri, që paguajnë paga nga 2500-3000 e nga 3500 euro dhe që janë të gatshëm të marrin shumë më tepër njerëz në punë. Problem është që duhen njerëz të kualifikuar në teknologji dhe jo thjeshtë që dinë të përdorin kompjuterin. Për këtë arsye, ne ndërkohë kemi futur edhe disa përveç vetë teknologjisë apo mësuesisë, kemi futur edhe një sërë grupesh të tjera të studentëve, kategori të tjera të matematikes, të inxhinierisë, e kështu me radhë. 

Ata që janë më të mirët do të marrin një pagë minimale si student. Bursa e tyre e ekselencës apo bursa e tyre e studimit në ato degë të rëndësishme do të jetë sa një pagë minimale dhe sot paga minimale bëhet 40 mijë lekë dhe ata do të kenë 40 mijë lekë sepse vetëm kështu, ne mund ta ngremë vendin në një nivel tjetër sot, kur janë hedhur të gjitha bazat, por nëqoftëse ne vazhdojmë rrimë tek bazat dhe nuk synojmë të ngjitemi më lart, do të mbetemi shumë keq.

Isha në panairin e turizmit. 84% e kapaciteteve akomoduese të Shqipërisë nga muaji maj deri ne muajin tetor, pra në fund të shtatorit janë të zëna. Sot nuk e di sa ka vajtur. Kërkesa është e jashtëzakonshme, por turizmi nuk ka nevojë vetëm për hotele, nuk ka nevojë vetëm për vila, nuk ka nevojë vetëm për restorante, ka nevojë për punonjës. Ka nevojë për forca pune dhe sipërmarrësit shqiptarë duhet ta kuptojnë që nuk mund t’i japin gruas që pastron atje në Himarë e Dhërmi 300 mijë lekë se është nga vendi dhe pastaj marrin nga Bali edhe nga Filipinet dhe u japin nga 1000 euro. Nuk mund të funksionojë kështu. Duhet që punonjësin shqiptar ta vlerësojmë si sytë e ballit, ta ndihmojmë me çdo çmim sepse është ai që e bën. Hiqini ato gratë që janë atje që hapin e mbyllin derën e këtyre dyqaneve dhe të zotit të kësaj, nuk i funksionon më biznesi dhe i rrofshin miliardat.

Dhe nëse sot ka një problem dhe këtu po e mbyll, dramatik, gjithë industria e fasonëve është se nuk ka menduar për këtë ditë. Fatmirësisht dhe në industrinë e fasonëve janë disa pionierë që kanë menduar për këtë ditë, por janë pak, nuk kanë menduar për këtë ditë. Dhe çfarë ju ndodh sot?

Ato gratë që i kanë marrë që në vitet ’90 dhe i kanë paguar me pagën minimale dhe iu kanë marrë shpirtin të shtunën, të dielën, me tre turne, se duhet plotësuar kjo, se na kërkon Armani se na kërkon Versaçe, sot iu ka ardhur mosha e pensionit, me kë do t’i zëvendësojnë? Me vajzat e Tik-Tok-ut?

Do vijnë vajzat që lozin në Tik Tok në Kamëz e në Paskuqan apo në Lezhë apo në Vlore ku i janë këto industritë e do marrin makinë qepëse e do rrinë aty për 40 mijë lekë? E ju diskutoni që 40 mijë lekë që janë shumë e nuk i paguajmë dot? Po nuk është vetëm 40 mijë lekëshi, është shumë më tepër se kaq. Është gjithë sistemi që duhet ndryshuar, duhet kaluar në cikël të mbyllur, duhet kaluar në ‘’Made in Albania”, përndryshe thjesht dhe vetëm jeni në rolin e atij gomarit që thoshte: “O Zot, bëje ëndërr se ujku nuk është duke më ngrënë”.Ujku ka filluar t’ju hajë, kjo është shumë evidente, por është thjesht në procesin që po iu sheh se si t’ju sistemojë në pjatë. Po e latë veten tek pjata, ka mbaruar kjo lojë. 

Ne sigurisht që do të bëjmë edhe si të tjerët. Sigurisht që do marrim edhe punonjës të huaj, por nuk bëhet shtëpia me miell hua dhe mbi të gjitha ne nuk jemi në kushtet e Gjermanisë. Gjermania nuk ka ku i gjen gjermanët e rinj për të plotësuar gjithë ato nevoja.

Gjermania nuk ka ku i gjen gjermanët e rinj për të plotësuar gjithë ato nevoja. Ne kemi ku i gjejmë shqiptarët e rinj, kemi ku i gjejmë, kemi dhe mundësinë t’i kthejmë në rast se i japim këtu mundësinë që të kenë një jetë.

Unë nuk po them që vini rrogat e Gjermanisë këtu, se kjo është e pamundur, por ama nëse ka paga, të cilat kompensojnë bilancin e shpenzimeve dhe bëjnë që në fund të muajit atij t’i dali llogaria, qoftë dhe më pak se në Gjermani, por t’i dali llogaria, i keni këtu, nuk kanë çfarë bëjnë atje. Se flasim ne Italia, Italia, po shiko Italia. Pse po ikin? Pse po ikin masivisht italianët? Sepse është gjeneratë tjetër dhe nuk mund të pajtohet më me të njëjtat kushte. Jemi në një moment krize të përgjithshme që për ne i ka të dy anët e medaljes shumë qartë. Ose do ta lëmë krizën që t’i marri me vete si një dallgë e madhe sipërmarrjet ose do ta kthejmë në një mundësi dhe do ta kthejmë në një mundësi duke shfrytëzuar të gjitha kapacitetet dhe duke bërë të pamundurën ne si qeveri, ju si sipërmarrje që nga kjo krizë të dalim shumë më të fortë siç kemi dalë nga krizat e tjera.

Ne tani po shohim pagën mesatare sepse rritja e pagës minimale afron shumë. Duke shkuar paga minimale lart shumë shpejt, afrohen pagat e tjera dhe prishet balanca. Kështu që, do të bëjmë një rritje ekuilibruese të pagave si fillim dhe po shikojmë një skemë të re të të gjithë pagave në vijim. Është shumë e vështirë, nuk diskutohet, po është o bëhet, o bëhet.

Të njëjtën gjë unë ju bëj thirrje dhe besojeni këtë, duhet ta bëni dhe ju. Duhet ta bëjë e gjithë sipërmarrja. Nuk luhet me punonjësin! Nuk luhet! Ka ikur ajo kohë! Sipërmarrjet që luajnë me punonjësit, luajnë me fatin dhe të ardhmen e tyre. Nuk luhet! Punonjësi është gjëja më e rëndësishme! Është më i rëndësishëm se vetura e re! Është më i rëndësishëm se jahti! Është më i rëndësishëm se vila tjetër në det. Është shumë më i rëndësishëm që të gjitha këto se të garanton që këto t’i kesh në vijim, por nëse ti i do të gjitha këto tani dhe do dhe të tjera si këto dhe punonjësin kujton se e ke aty, do të ndodhi pikërisht ajo: më ngordhi gomari tamam kur unë e mësova që të mos hajë!

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.