NJOFTIM PËR APLIKIM
PËR FUNKSIONIN E DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM
TË AGJENCISË SË INOVACIONIT DHE EKSELENCËS
Në mbështetje të pikës 3, të nenit 102, të Kushtetutës, dhe të krerëve III, pikat 1 dhe 2, dhe IV, pika 1, të vendimit nr.620, datë 1.11.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës”, Kryeministria shpall njoftimin për aplikim për funksionin e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës.
Agjencia e Inovacionit dhe Ekselencës, (në vijim, Agjencia) organizohet në nivel qendror dhe është në varësi të Kryeministrit.
Agjencia është institucion përgjegjës për inovacionin dhe ekselencën në Shqipëri dhe ka si mision të kontribuojë, të nxisë dhe të promovojë inovacionin dhe angazhimin në administratën publike të ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, ekselentë në implementimin e teknologjive të përparuara, përmes hartimit dhe zbatimit të politikave në bashkëpunim me ministritë e linjës në fushat dhe sektorët përkatës lidhur me inovacionin.
Aplikanti duhet të plotësojë këto kritere:
- Të jetë shtetas shqiptar apo i huaj sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për të huajt;
- Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
- Të ketë diplomë të nivelit 7 të Kornizës Shqiptare apo Evropiane të Kualifikimeve në fusha studimi që lidhen me inovacionin;
- Të ketë përvojë pune jo më pak se 5 (pesë) vite në pozicione drejtuese;
- Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
- Ndaj tij të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi;
- Të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës
⦁ Dokumentet që duhet të dorëzohen janë, si më poshtë vijon:
a) Kërkesë për aplikim;
b) Jetëshkrim (curriculum vitae) i kandidatit (secila faqe, e firmosur);
c) Kopje e diplomës së arsimit të lartë;
ç) Kopje e librezës së punës ose dokument i ngjashëm ose vetëdeklarim, për të vërtetuar përvojën e punës;
d) Vërtetim ose vetëdeklarim se nuk është larguar nga puna ose shërbimi civil me masë disiplinore ose që nuk ka masë disiplinore në fuqi;
dh) Formular të vetëdeklarimit (të plotësuar e të firmosur), në zbatim të ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar;
e) Formular të aplikimit (të plotësuar e të firmosur) për informim për zyrtarët përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta, në zbatim të ligjit nr.45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
ë) Çdo dokument tjetër shtesë, që provon përmbushjen e kritereve të përzgjedhjes, sipas përcaktimit të pikës 5, të kreut III, të vendimit nr.620, datë 1.11.2023, të Këshillit të Ministrave.
Inkurajojmë të gjithë të interesuarit, që përmbushin kriteret, të aplikojnë!
Afati i dorëzimit të aplikimit, deri më 30 nëntor 2023.
Adresa: Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 1, 1000
Tiranë, Shqipëri
Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm
Tel.: 00355 4 22 77 401